Më në fund, pas disa muajsh fushate të ethshme zgjedhore, Emanuel Makron u rizgjodh të dielën më 24 prill për herë të dytë president i Francës me 58 përqind të votave. Kundërshtari i tij, siç dihej, ishte përfaqësuesja e partisë nacionaliste Marinë Lë Pen, e cila fitoi 42 përqind të votave.
Pa asnjë dyshim shpallja e fituesit në Francë u prit me një ofshamë lehtësimi jo vetëm në Parisin zyrtar, por po aq edhe në Bruksel, si dhe në Uashington. Dhe me zhgënjim në Moskë, Budapest etj. Sepse këto zgjedhje, siç e kemi theksuar edhe më parë, nuk kishin të bënin vetëm me të ardhmen e Francës, por sidomos me atë të Europës dhe më tej.
Sepse përplasja Macron – Lë Pen më shumë se një betejë ndërmjet dy personave me politika të ndryshme, ishte një luftë midis dy sistemeve krejt të ndryshëm nga njëri tjetri. Deri edhe armiqësorë.
Nga njëra anë gjënden përkrahësit dhe përfaqësuesit e sistemit liberal dhe proeuropian dhe nga ana tjetër partizanët e konservatorizmit dhe nacionalizmit.
Sepse skema tradicionale e përplasjeve politike ndërmjet të majtës dhe të djathtës është tashmë sfumuar dhe fashitur. Në Francë psh gjatë turit të parë të zgjedhjeve partia socialiste e ish presidentëve Miterran dhe François Hollande nuk mori më shumë se 2.5 përqind të votave. Edhe partia e djathtë e Shirakut, Sarkozit etj nuk arriti as deri në 5 përqind të mbështetjes popullore më 10 prill !
Sot lufta, dhe jo vetëm në Francë, por në mbarë Europën dhe më tej, zhvillohet midis atyre që e konsiderojnë veten si mbrojtës të atdheut apo të shtresave të varfëra dhe atyre që besojnë te liria e lëvizjes së njerëzve, ideve dhe mallrave. Këta të fundit thirren shkurtimisht si liberal globalistë. Dhe janë mbështetës të vendosur të Bashkimit Europian dhe të institucioneve ndërkombëtare. Si dhe të tregut të lirë.
Nga ana tjetër nacional konservatorët, në rradhë të parë, janë kundër emigracionit dhe mbrojtës të fortë të identitetit kombëtar. Autokratizmi është karakteristika e tyre kryesore. Shembujt nga të cilët ata frymëzohen janë Putin, Erdogan, Orban, Bolsanaro apo Trump. Këta janë përkrahës të një roli të dukshëm të shtetit në ekonomi, madje dhe më gjërë.
Ndryshe liberalët janë psh mbështetës të vendosur edhe të pavarësisë së sistemit gjyqësor. Duke u dhënë atyre prerogativa dhe fuqi deri sa të anullojnë edhe vendimet e parlamentit! Për të mbrojtur këtë pavarësi ata janë përplasur hapur deri edhe me Budapestin dhe Varshavën. Sepse këta të fundit e konsiderojnë parlamentin e dalë nga zgjedhjet e ligjshme si institucionin më të fuqishëm dhe legal në vend, i cili duhet të ketë të drejtë të kontrollojë deri edhe sistemin gjyqësor. Pra dallimet ndërmjet dy platformave ideologjike, politike dhe ekonomike janë të thella.
Në përplasjen e fundit në Francë midis konservatorëve dhe liberalëve, midis nacionalistëve dhe europianistëve, fituan edhe një herë tjetër liberal globalistët. Por analistëve vendas dhe të huaj u ra në sy rritja e pandërprerë e frontit nacionalist. Një rritje kjo që duket si e pandalshme. Sepse ndërsa në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012 Marinë Lë Pen fitoi vetëm 18 përqind të votave, më 2017 ajo pothuajse e dyfishoi rezultatin duke arritur në 34 përqind dhe Macron 66 përqind. Ndërsa këtë të dielë, në zgjedhjet e 24 prillit 2022, Macron humbi 8 pikë të cilat vajtën në avantazhin e Marinë Lë Pen. Frika është se në rast se vazhdohet me këtë trend nacionalistët mund të vijnë në pushtet ndofta që në zgjedhjet e ardhshme.
Por deri atëhe do të duhet të kalojnë edhe 5 vjet të tjera.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment