(Pjesa e dytë)
Siç kemi nënvizuar edhe në pjesën e parë të kësaj teme, numri i shkencëtarëve, studiuesve dhe dijetarëve që mendojnë se universi nuk ekziston rastësisht, apo që vetë qëniet e gjalla, qoftë në formën e dinozaurve, njerëzve, peshqëve ose mikroorganizmave kanë qënë “planifikuar” që më parë, është gjithmonë në rritje. Dhe kjo po ndodh çuditërisht, në një kohë kur shkenca po arrin maja të papara dhe të paimagjinuara.
Deri afro fundit të shekullit të kaluar, një shkencëtar që ngrinte pyetje apo dyshonte rreth ekzistencës apo jo të një Qënieje Superiore shihej vëngër ose me tallje nga kolegët e tij. Në rastin më të mirë. Në rastin më të keq, nëse ai i shfaqte si shumë hapur idetë e tij, rrezikonte jo vetëm karrierën profesorale, por deri edhe vendin e tij të punës!
Sot gjërat kanë ndryshuar dukshëm. Sepse shkencës dhe shkencëtarëve po u dalin përpara pyetje të rrafshit fillozofik dhe praktik të cilët ata nuk dinë tu japin përgjigje.
Njëkohësisht me këtë rritje të dyshimit po shtohen në mënyrë të frikshme edhe librat shkencorë apo të vulgarizuar që po trajtojnë nga të gjitha këndvështrimet ekzistencën apo jo të një qënie inteligjente.
Ka qënë matematicieni, fizikanti, shpikësi, filozofi, moralisti dhe teoligjieni francez Blaise Pascal (1623 – 1662) që i pari ngriti pyetjen shqetësuese dhe të papërgjigje: “Pse ka diçka në vend që të mos kishte asgjë?!”. Që do të thotë se përse ekziston universi?! A nuk do të ishte më e thjeshtë që materia të mos ekzistonte? Dhe meqë ajo ekziston, kjo duhet të ketë një arsye dhe një shkak. Apo jo?!
Ky shteg u hap së pari nga një grup teologësh dhe shkencëtarësh që krijuan bashkarisht në fund të shekullit të kaluar teorinë e « Intelligent Design ». Sipas tyre bota, universi dhe jeta janë kaq të komplikuara, u binden ligjeve kaq të milimetruara saqë ekzistenca e tyre nuk mund të jetë kurrsesi një rastësi.
Një nga veprat që ka ngjallur kohët e fundit debate në botën akademiko shkencore perëndimore, por po ashtu edhe në atë teologjike ishte libri ii botuar vitin e kaluar nga 2 studiues dhe inxhinjerë të njohur, Iv Bollore dhe Olivier Bonnassies. Titulli është tejet kuptimplotë: “Zoti, shkenca, provat”, me nëntitullin “Shkenca, aleatja e re e Zotit”!
Në parathënien e këtij libri prej afro 600 faqesh Robert W. Wilson, fitues I çmimit Nobel në fizikë, ndër të tjera vëren:” Është një fakt i pamohueshëm që universi të arrinte në pikën në të cilën gjendet sot, nevojitej paraprakisht një rregullim i parametrave të tij në një mënyrë ultra të saktë. Një çrregullim sado i vogël i njërit këtyre parametrave në një të miliontën e saktësisë së tyre do të bënte që as Toka dhe as universi të mos ekzistonin”!
Dhe Robert W. Wilson nuk është çdokushi. Ai është zbuluesi i rrezatimeve të thella që kanë arritur deri në stratosferën tonë disa miliarda vjet pas shpërthimit të Bing Bang-ut.
Autorët e këtij libri, ndër të tjera heqin edhe një paralele interesante. Sipas tyre ashtu si Partenoni që mbahet i mbështetur mbi kollonat e tij, edhe Universi mbështet në 20 konstantet e tij fizike. Ndër të cilat ata rendisin: forcën e gravitacionit G e barabartë me (6,67430×10 në fuqi të 11m³kg-1s-²); forcën elektromanjetike= (0,007297352537 në fuqi të 6); shpejtësinë e pandryshuar të dritës, konstanten e Planckut, (h:6,62607000×10-³²J.K-1),ngarkesën e protonit, masën e neutronit, shpejtësinë konstante të përhapjes së Universit që prej 13.7 miliardë vjetësh, etj etj.
Për më shumë, dhe për t’i rënë shkurt, autorët theksojnë se sikur edhe shifra e 9 pas presjes dhjetore të ishte ndryshe apo të ndryshonte, ne sot nuk do të ishim këtu ku jemi dhe as Universi nuk do të ekzistonte!
Dhe nuk duhet harruar se këto konstante janë zbuluar nga fizikantë dhe astrofizikantë të shquar si Hoyle, shumica çmim Nobël në astrofizikë. Pra nuk janë teori imagjinare.
Një tjetër autor i njohur në këtë degë, Trinh Xuan Thuan, astrofizicien, professor në universitetin e Virgjinisë në SHBA, po vitin e kaluar botoi një vepër të titulluar :” A jemi ne vetëm në Univers?!”. E veçanta e këtij libri është se autori i mbështetur në faktet dhe provat më të fundit shkencore, studion dhe përshkuan kozmosin që nga shpërthimi i tij, si dhe jetën në Tokë duke filluar nga protozoarët më të thjeshtë. Në këtë libër prej 535 faqesh i mbushur me fakte dhe shifra, as që përmendet një herë të vetme fjala “Zot”.
Autori u referohet vetëm fakteve shkencore të njohura dhe të pranuara botërisht. Në mënyrë të veçantë ai ndalet në pjesën e fundit të librit në ekzistencën e ndërgjegjes te Njeriu, që ai e cilëson si arritjen më madhore që pas Bing Bang-ut!
Por kur mbaron së lexuari këtë libër njeriu nuk mund të mos mendojë:”Zoti ekzistoka me të vërtetë”!
Në nje libër tjetët të shkruar nga Pascal Picq, (A është krijuar bota në 7 ditë?!”, autori i kundervihej me fakte dhe llogjikë dogmave fetare per krijimin e universit. Pasi kishte spjeguar gjere e gjate këtë çështje, në faqen e fundit ai kishte vene jo pa qëllim edhe rreshtat e fundit te Zanafilles së Biblës, ku tregohej se si ishte formuar bota dhe gjithesia. Por çudia më e madhe ishte se gjithe libri dhe konkluzionet antifetare te autorit, ai i kishte hedhur vetë dhe me qëllim poshtë, kur krahasonte menyren krejtësisht të njellojtë të historisë së krijimit të botës dhe universit të përshkruar identikisht si nga shkenca ashtu edhe nga Bibla!
Edhe Riçard Daukins ne librin e tij ateist “The God delusion” (2006) i shitur në 2 milione kopje dhe i perkthyer në mbi 30 gjuhë, në fund te librit te tij le të kuptohet se mundesia e ekzistences së nje qenie supreme nuk mund te hidhet poshtë 100 per qind.
Diçka tjetër interesante ështe pohimi në Bibel se një ditë edhe Toka do te zhduket në një zjarr të madh! Fakt që eshte pohuar tani se fundmi edhe nga shkenca, kur Toka dhe sistemi ynë diellor do te jete thithur nga materia e zezë si pasojë e Crunch Bang !
Edhe në Shqipërinë e viteve ’70 të shekullit të kaluar një libër I vogël me titullin “Vajza zezake kërkon Zotin” bëri shumë bujë në botën intelektuale dhe shkencore të vendit. Sapo ishin mbyllur kishat dhe xhamijat dhe vetë titulli i këtij libri, shqipëruar nga përkthyesi i njohur Vasil Gjymshana, për pak se u quajt provokim. Por, përveç titullit, ai ishte një libër me përmbajtje filozofike që nuk u vinte ndesh principeve të asaj kohe. Prandaj edhe u tolerua.
Në fund do të shtonja se qëllimi këtij shkrimi që sapo po lexoni nuk është të ju bindë nëse Zoti ekziston apo jo. Por për të treguar se ato që kemi lexuar, besuar apo mësuar dyzet e më shumë vjet më parë kanë filluar të ndryshojnë.
Gjithësecili që interesohet për këto tema duhet të nxjerrë konkluzionet e veta, duke iu referuar në rradhë të parë zbulimeve dhe fakteve shkencore. Dhe burimet janë të panumërta. Mjafton të kesh etje për “njohjen”!
Aq më shumë që ekzistenca e Zotit dhe e universit, lindja e jetës, jeta “e përtejme” etj etj janë çështje dhe tema fillozofike qe janë trajtuar prej shekujsh dhe do te trajtohen me siguri edhe shekujt e ardhshem pa marrë kurrë një pergjigje shterruese. Siç e konstatuat edhe vetë, shumë shkencëtarë, qofte edhe astrofizikantë, janë në dyshim per ekzistencen apo jo te nje qenieje siperore qe ka krijuar Gjithçka dhe Gjithesine. Këta njerez nuk besojne te librat “e shenjte”, Torah, Ungjilli apo Kurani, por megjithate nuk jane në gjendje tu japin pergjigje shumë prej këtyre pyetjeve ekzistenciale.
Me këtë temë, (si dhe me ato politike, sociale dhe ekonomike), do merremi edhe në të ardhmen, kur mund të lexoni:
“Evolucioni dhe gjyqi kundër majmunit!”,
“Misteret e Universit dhe jetës në Tokë »,
« Jeta pas jetës ! »
Etj.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment