(Pjesa e parë)
Pranvera është një stinë që shumëkush e personifikon me rifillimin e jetës. Dalja e gjetheve, çelja e sytheve, “bumimi” i tokës arë, « ndërrimi » i gjakut në qëniet njerëzore dëshmon po ashtu rinisjen e një stine të re. Ku dielli ngroh dhe ndriçon më shumë, ku jeta merr hov dhe gjallëri, kur ariu del nga strofka ku ka dimëruar me muaj të tërë, kur njerëzit bëhen më optimistë, etj etj. Dhe nuk është se jeta ka pasë ndaluar gjatë muajve të ftohtë dhe me lagështirë të dimrit. Jo. Por natyra ka rifilluar ciklin e saj të përjetshëm të ripërtëritjes.
Qëllon që po në këtë kohë njerëzit, sidomos besimtarët, mbushin kishat dhe xhamijat ku luten për një jetë më të mirë, për dhënien fund të vuajtjeve, urisë, luftrave nëpër botë, por njëkohësisht edhe për një lumturi personale.
Pak ditë më parë katolikët e mbarë botës kremtuan festën e pashkëve, sot ebrejtë kudo ku janë festojnë edhe ata Pessah-un, pashkët e tyre, që përkujtojnë largimin e çifutëve të lashtë nga Babilonia dhe kthimin në tokat e të parëve të tyre. Për ortodoksët, dita e sotme, 22 prill, përkon me të Premten e Zezë, pra me ditën kur Krishti kryqëzohet. Po ashtu myslimanët e gjithë botës ndjekin këtë muaj ritin e e festës së Ramazanit, siç ua ka këshilluar profeti i tyre. Por të parët që e nisën këtë « valle » festive/ fetare ishin bektashinjtë, që festojnë çdo vit, më 22 mars, ditën e Nevruzit.
Dhe kështu ngjan dhe vazhdon prej dhjetra shekujsh. « Zoti i Madh » për shqiptarët, God për anglisht folësit, Zeus për helenët, Dieu ose Dio për latinët, Jahva për çifutët, Bog për sllavët, Allah për myslimanët, Brahma për hinduistët – janë këto disa nga emrat me të cilët shumica e popujve të botës i luten Atij atë që mendohet se është krijuesi i jetës dhe i mbarë universit të paanë e të pafund.
Por jo të gjithë kanë qënë të këtij mendimi. Ateistët e parë nuk lindën me Marksin. Por që në Greqinë e lashtë dijetarë dhe fillozofë të njohur mohonin ekzistencën e një Qënieje Superiore që kishte krijuar, organizuar dhe planifikuar gjithçka.
Dhe që atëhe lufta midis fesë dhe ateizmit vazhdon prej shekujsh. Dhe dihet mirë sesi përfundoi Xhordano Bruno, sesi kisha katolike, instrumenti më i fuqishëm ideologjik dhe ushtarak i asaj kohe, e detyroi Galileo Galilein të pohonte me zë të ulët – « E megjithatë, ajo rrotullohet » !
Pak nga pak ideologjia fetare u kthye në një dogmë, që nuk pranonte asnjë kundërshti apo dyshim. Në emër të fesë u kryen luftra dhe masakra të përgjakshme. Kryqëzatat, Inkuzicioni, nata e Shën Bartolomeut në Europë dhe deri te terrorizmi islamik sot, dëshmojnë vulën e një ideologjie radikale.
Por beteja më e gjatë, më e paepur, më e ashpër ishte dhe vazhdon të mbetet konflikti shkencë – fe. Me Rilindjen europiane nisi edhe një zhvillim dhe përparim i pandalshëm i shoqërisë njerëzore në të gjitha fushat. Fizika, kimia, biologjia morën një hov të paparë. Filloi revolucioni industrial. Vendin e karrocave me kuaj e zunë automobilat e parë. Me mijëra kilometra shina hekurudhore u shtrinë an e mbanë globit. Avionët e shkurtuan edhe më shumë kohën e udhëtimit. NJerëzimi nisi raketat e para drejt kozmosit. Shkenca u fuqizua dhe përparoi aq rrufeshëm saqë duket se ajo mori përpara gjithçka. Feja u detyrua të tërhiqej dhe të strukej çdo ditë e më shumë para këtij zhvillimi të mahnitshëm, që i ndryshoi faqen mbarë globit.
Torah, Bibla, Kurani – librat e shenjtë që pretendonin dikur të vërtetën absolute filluan të zinin pluhur nëpër rafte. Evolucioni konsiderohej tashmë si teoria dhe shkenca që spjegonte gjithçka.
Por papritur ngjau e papritura e madhe. Ajo që nuk i kishte vajtur ndër mend askujt. Fuqizimi dhe zbulimet më të fundit të shkencës risollën papritur « Zotin » në skenë. Njeriu filloi të habitet nga kompleksiteti i ADN-së, nga teoria e mekanikës kuantike, nga konstantet e Universit, nga Big Bang-u, nga ekspansioni i pandalur i tij etj etj.
Dhe të gjitha këto zbulime të jashtëzakonshme, në vend që ta forconin reputacionin e shkencës çuan ujë në “mullirin” e fesë! Sepse lindën pikëpyetje edhe më të mëdha se ato të mëparshmet. Pikëpyetje të cilave vetë shkenca sot nuk është e aftë tu përgjigjet!
Dhe ngjau ajo që kishte deklaruar para më shumë se 60 vjetësh Anshtajni i famshëm : -« Feja pa shkencën është e çalë. Shkenca pa fenë është e verbër ».
Dhe kulmi i kulmeve, ajo që nuk pritej kurrë të ngjante, ndodhi. Janë vetë shkencëtarët që pohojnë sot mundësinë e ekzistencës së një qënieje superiore që ka krijuar, organizuar dhe planifikuar gjithçka ! Dhe ata mbështeten te një përfundim i tillë te shkenca dhe të dhënat më të fundit të… matematikës dhe informatikës !
Kristof Benzmüller është ndofta nga të fundit shkencëtarë që pohon me bindje se : « Zoti, në formën e tij më të pranuar në metafizikë, ekziston me domosdo. Nuk është më e mundur të përfytyrosh botën pa ekzistencën e tij » !
Këtë bindje, profesori i universitetit të Berlinit e nxjerr nga matematika, madje, në mënyrë më të saktë, nga llogjika. Për më shumë ai mbështetet mbi aftësitë e shkencës informatike që mundëson, pa asnjë gabim të mundshëm, faktet dhe të dhënat e kësaj ekzistence. Ekzistenca e e Zotit është e nevojshme për çdo sistem të mendimit llogjik dhe matematik, pohon pa iu dridhur qerpiku, – Christoph Benzmüller.
Ideja e profesorit gjerman nuk mbështetet kurrsesi në ndonjë lloj besimi fetar. « Kërkimet e mia nuk kanë si qëllim t’i shërbejnë ndojë feje të veçantë. Asnjë jo-besimtari nuk do t’i mbushej mendja në ekzistencën e Zotit bazuar në një formulë matematike »- pohon ai.
Dhe Benzmüller nxiton të shtojë, si për të shmangur çdo keqkuptim : « Kur flasim për mundësinë e ekzistencës së një qënieje inteligjente as që bëhet fjalë fare për dikë me pamje njerëzore, me një mjekër të bardhë që rri në qiell dhe që vëzhgon veprimet tona » !
Por sikur të ishte vetëm ky që e pohon një mundësi të tillë, kjo do të ishte gjysma e së « keqes ». Fakti është se rradha dhe numri i shkencëtarëve, disa nga këta edhe me çmime Nobël në fizikë apo astrobiologji, që nuk e mohojnë më ekzistencën e Zotit, po rritet dita ditës.
Siç do të konstatohet së shpejti në pjesën e dytë të kësaj teme.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment