Çfarë tregoi raundi i parë i zgjedhjeve në Francë?!

    Ngjau ajo që ishte parashikuar. Dhe që ishte parathënë në shkrimin e para pak ditësh rreth zgjedhjeve presidenciale në Francë. Pra Emanuel Macron dhe Marinë Lë Pen fituan ndaj 10 kundërshtarëve të tjerë dhe do të përballohen me njëri tjetrin në raundin e dytë dhe të fundit, të dielën më 24 prill.

    Në fakt fituan dy ideologji kundërshtare dhe krejtësisht të ndryshme. Nga njëra anë Macron që fitoi rreth 28 përqind të votive dhe nga ana tjetër Lë Pen me afro 24 për qind. I pari përfaqëson Francën liberale dhe globaliste. E dyta Francën nacionaliste, konservatore dhe ekonomikisht socialiste.

      Por ajo që ra më shumë në sy ishte pothuajse zhdukja nga skena e dy partive që kanë qeverisur Francën gjatë këtyre 60 viteve të fundit. Partia Socialiste, partia e presidentëve Miterran dhe Hollandë, nuk arriti të merrte as 2 për qind të votave të elektoratit francez. Edhe partia e republikanëve, partia e De Gol-it, e Shirak-ut dhe Sarkoz-it nuk arriti të kapte as 5 përqind të votave ! Keq e pësoi edhe partia ekologjike, e cila edhe ajo mbeti poshtë 5 përqindëshit.

       Pesë përqindëshi është jo vetëm një shifër tejet e ulët për këto parti me histori dhe pretendime të mëdha, por ai përbën edhe një prag domethënës që çdo parti dëshiron ta kalojë. Sepse,  dhe krejt ndryshe nga sa ngjan në zgjedhjet presidenciale në Amerikë, ku supermiliarderët, shumëkombëshet dhe oligarkët lejohen të financojnë kandidatin e tyre të preferuar, në Francë një praktikë e tillë është e ndaluar. Në Francë është shteti që remburson të gjitha shpenzimet e kandidatëve zyrtarë për president. Por ka një kusht domethënës : Duhet të marrësh mbi 5 përqind të votave që shteti të të rembursojë ! Ndryshe shpenzimet që ti ke ndërmarrë për të fuqizuar fushatën tënde elektorale të ngelin në kurriz.

         Dhe kështu ngjau me 8 kandidatët për president që nuk e tejkaluan dot pragun. Vetëm Makron, Lë Pen, Melenshon ( udhëheqës i së majtës radikale me 22 përqind) dhe Zemur (udhëheqës i së djathtës radikale me 7 për qind) arritën ta kalonin pragun fatal.

       Tani të gjithë prozhektorët janë përqëndruar drejt datës së 24 prillit. Opinionistë, analistë dhe sondazhistë përpiqen të parashikojnë fituesin e ardhshëm, i cili do të udhëheqë Francën gjatë 5 vjetëve të ardhshëm. Dhe pothuajse të gjithë janë të mendimit se do të dalë Macron përsëri fitues. Por ndërsa disa parashikojnë një diferencë që arrin deri në 10 përqind (55 me 45 për qind), disa të tjerë parashikojnë një rezultat tejet të ngushtë (51 me 49 për qind). Megjithatë askush nuk e mohon mundësinë e një të papriture të madhe. Pra që përfaqësuesja e partisë nacionaliste/ konservatore, Marinë Lë Pen, ta fitojë garën presidenciale !

       Sipas opinionistëve, gazetarëve dhe analistëve të shumtë opinioni publik është shumë i ndarë dhe i polarizuar në zgjedhjen ndaj 2 kandidatëve për president. Dihet që Macron-in e mbështet klasa e të kamurve dhe një pjesë e mirë e funksionarëve të shtetit, që përbëjnë klasën e mesme. Ndërsa Lë Pen-in e mbështesin në shumicën dërrmuese klasat popullore. Dhe kjo ndarje e ka një shkak. Macroni shihet nga shumica e popullsisë si përfaqësues i bankierëve dhe kapitalit të madh. Para se të merrej me politikë ai ka punuar në Amerikë në bankën e Rotçildëve! Dhe shkolla që ai ka mbaruar ENA, ishtë një shkollë që frekuentohej nga fëmijët e elitës vendase. Ndryshe nga ai, Marinë Lë Pen hiqet si mbrojtëse e klasës së të varfërve!  “Ekonomikisht jam e majtë, ideologjikisht e djathtë” – është shprehuar ajo disa kohë më parë.  Por më shumë se e djathtë ajo është një përfaqësuese e ekstremit të djathtë. Antiglobaliste, antimyslimane, anti emigracion, anti BE – këto tipare përbëjnë platformën e saj ideologjike dhe politike.

           A do të shkasë Franca drejt një politike raciste, ksenofobe dhe nacionaliste apo populli francez do të preferojë një Francë të hapur, bashkëpunuese në gjirin e Bashkimit Europian, mbrojtëse e tregtisë së lirë dhe globalizmit?! Këtyre pyetjeve do tu jepet një përgjigje përfundimtare vetëm më 24 prill.

      Por është po aq e sigurt se një fitore e mundshme e Lë Pen-it në Francë do të jetë një lajm tejet i keq për shqiptarët dhe tejet i gëzueshëm për Beogradin.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment