Dy arsyet që Rama iu « vërsul” SPAK-ut

            Deklarata e Ramës se SPAK duhej të hetonte edhe 21 janarin apo tragjedinë e Gërdecit shkaktoi sa çudi aq edhe turbullirë në mikrobotën mediatiko/politike në Shqipëri.

            Asnjëherë  kryeministri shqiptar nuk kishte kërkuar kaq hapur që drejtësia të bënte punën e saj.  Dhe vetkuptohet se opozitarët e qeverisë u hodhën përpjetë, duke e cilësuar këtë kumtim të Ramës si shkelje e “pavarësisë” së sistemit të drejtësisë!

            Gjatë këtyre kohëve të fundit ishin dënuar apo u ishin vënë prangat disa ministrave dhe zëvendësministrave. Një veprim i tillë i kishte pëlqyer opinionit publik vendas, por sipas tij “këmbana” duhej të ushtonte edhe për ata që kanë qënë në krye të shtetit dhe qeverive gjatë këtyre 30 vjetëve të fundit. Pikërisht për këtë arsye për disa analistë këto arrestime brenda familjes socialiste ishin preludi që ndofta paralajmëronte  « hatanë » e madhe !

             Dhe deklarata e papritur e Ramës duket se e bën të mundur një skenar të tillë. Megjithatë shumëkush i bëri pyetjen vetes: Si spjegohet që Rama u zgjua tanimë nga gjumi?!

             Aq më shumë që në opinionin public ishte rrënjosur bindja se sa të ishte Rama në pushtet, Berishës nuk i prekej një qime floku. Se Berisha ishte gogoli, ishte siguria që ai të fitonte dhe rifitonte zgjedhjet sa herë të donte. Por papritur duket se kryeministri e shkatërroi “mburojën” e tij.         

              Sipas mendimit tim, ekzistojnë 2 arsye kryesore që Rama e ndërmorri një hap të tillë.

            E para është ose ishte pamundësia e kryeministrit për të ndërmarrë një hap të tillë psh përpara disa muajsh apo vitesh. Aq më shumë kur dihet se gjithë drejtësia ishte “pushtuar” me kohë nga njerëzit e Berishës, duke filluar nga ish – kryeprokurori i shpallur non grata nga Uashingtoni, Adriatik Llalla. Por më kryesorja është edhe një fakt tjetër. Jo vetëm drejtësia që ishte në dorë të Berishës, por edhe në presidencë ishin njerëzit e tij. Në fillim ishte besniku i Berishës, Bujar Nishani. Dhe pas tij dhe deri më tani, dikush që « kishte dobësi për Doktorin” por edhe që e lidhin afera të rënda me të.

         Ishin dy skenarë të pamundur për Ramën. Ai nuk mund ta vinte kurrsesi në lëvizje « makinën » e rëndë të drejtësisë. Por edhe sikur mrekullia të ngjante, pra që drejtësia ta dënonte Berishën për bëmat e tij, marionetat e tij në presidencë do të përdornin menjëherë instrumentin e faljes që u ofron kushtetuta, për ta nxjerrë nga “bataku” idhullin e tyre. Dhe çështja e 21 janarit etj mbyllej kështu një herë e mirë. Vërtet ai shpallej fajtor, por i ishte ofruar falja dhe ai nuk mund të gjykohej për herë të dytë për këtë çështje. Pra ishte fare e kotë, deri më tani, që Rama ta trashte zërin dhe të kërkonte dënimin e Berishës. Më e pakta që do merrte si përgjigje do ishte një e qeshur në surrat.

        Por tani gjërat kanë ndryshuar tërësisht. Një hetim i nisur tani ndaj Berishës do të zgjasë disa muaj. Deri në atë kohë edhe Meta do e ketë dorëzuar mandatin e presidentit.  

           Ndofta prandaj edhe Rama priti me durim çastin e dëshiruar. Hakmarrja është një gjellë që hahet e ftohtë – pohojnë psikologët. Dhe Rama priti dhe priti por duket pa harruar se si Berisha ia kishte thyer dhëmbët me 28 maj 1996 në Tiranë, kur ai protestonte për vjedhjen e zgjedhjeve.

           Dhe momenti i përshtashëm i erdhi te goja. Sot Berisha është më i dobët se kurrë më parë. I luftuar dhe braktisur sa nga Uashingtoni dhe Brukseli, por po aq, edhe nga një pjesë e vetë PD-së.

         Arsyeja e dytë lidhet me politikën ndërkombëtare. Kohët e fundit Berisha dhe Meta e kishin bërë të qartë se ata do formonin një bashkëlëvizje konservatore dhe nacionaliste. Perëndimit do t’i krijohej kështu një problem krejt i padëshiruar. Aq më shumë në rajonin e Ballkanit, i gatshëm gjithmonë të marrë flakë si “fuçia e barutit, siç edhe është quajtur.

         Pra Brukselit dhe Uashingtonit do tu krijohej një tjetër “Orban”. Kësaj rradhe jo në Budapest, por në Tiranë.  Dihet se politika e Orbanit në Hungari është tejet nacionaliste dhe konservatore, dhe po aq edhe kundër moralit dhe politikës perëndimore. Si psh ndaj çështjes së përhapjes dhe promovimit të lëvizjeve LGBTQ+ apo hapjes së dyerve ndaj emigrantëve nga bota e tretë.

          Pak vite më parë një politikë të tillë ndoqi edhe një i ashtuquajtur Millosheviç. Dhe dihet si përfundoi. Më pas ishte kryeministri i Maqedonisë, Gruevski, që u përpoq të vinte në jetë një politikë nacionaliste dhe antiperëndimore. Dhe ai përfundoi si i strehuar politik, pikërisht në Hungarinë e Orbanit.

         Uashingtoni që ndjek me vëmendje të gjitha zhvillimet në Ballkan e di mirë se një rikthim i dyshes Berisha – Meta në pushtet do i sillte trazime rajonit. Por njëkohësisht do të asgjësonte të gjitha politikat e derisotme të tij ndaj vendit të shqiponjave.

        Dhe ka shumë mundësi që ambasadorja amerikanë Kim t’i ketë kërkuar Ramës shmangien me çdo kusht të një skenari të tillë. Qoftë edhe me burgosjet e ish – presidentit të dikurshëm dhe presidentit aktual.

          Dhe ndofta Rama është gjetur kështu në një pozitë të vështirë dhe të pakëndshme për të. Por ai nuk ka nga të lëvizë. Është i detyruar të zbatojë urdhrat dhe rekomandimet e Uashingtonit.

          Por ka një tregues domethënës që do të provojë nëse Rama e dëshiron me të vërtetë dënimin e dyshes Berisha/Meta apo e ka nga halli. Ky tregues është zgjedhja e presidentit të ardhshëm. Pyetja shtrohet: A do të zgjedhë Rama në postin e lartë të presidentit një person që nuk ka lidhje dhe simpati për Berishën, apo dikë që ka nostalgji dhe respekt për të. Aq më shumë që ndër emrat e mundshëm përmenden edhe Leka i Tretë, Majlinda Bregu etj. Në rastin e dytë presidenti mund t’i bëjë presion drejtësisë që ajo ta ngadalsojë ritmin e hetimeve ose ta nxjerrë të pafajshëm Berishën.     

       Dhe Rama do u thoshte atëhere ndërkombëtarëve duke ngritur supet:- “Ja ju e patë. Unë bëra çfarë ishte e mundur, por ju e shihni presidenti/ja…!!! Dhe kështu loja mbyllej dhe ai i lan duart si Ponc Pilati.

      Të presim atëhere dhe të shohim nëse “turfullima” e Ramës ndaj SPAK-ut ishte e sinqertë apo thjesht një lojë.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment