A mund të përsëritet « skenari » hungarez edhe në Francë ?!

        Nesër, e dielë 10 prill 2022, në Francë do të zhvillohet raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale.  Janë në garë 12 kandidatë që përfshijnë gjithë spektrin politik francez. Duke filluar nga ekstremi i majtë marksist – leninist deri te ekstremi i djathtë, thuajse nazifashist.

          Dhe tre kandidatët kryesorë në këtë garë të ethshme përfaqësohen po ashtu nga ekstremi i majtë (Melenshon), nga ekstremi i djathtë (Marinë Lë Pen) dhe në mes gjendet presidenti i tashëm Macron.

          Dhe siç dihet, dy të parët do të ndeshen në duelin final ballë për ballë me njëri tjetrin më 24 prill. Kush do të jetë fituesi i këtij dueli me shumë të panjohura?!

          Dari më tash, analistët, gazetarët politikë dhe institutet e sondazheve pothuajse njëzëri parashikonin një fitore jo shumë të vështirë për presidentin aktual Emanuel Makron. Por javë pas jave dhe ditë pas dite diferenca që ndante Makronin nga rivali kryesor, përfaqësuesja e « Bashkimit Kombëtar” Marinë Lë Pen, po ngushtohej me shpejtësi. Aq sa sot askush nuk e vë dorën në zjarr se kush do të jetë presidenti i ardhshëm.

         Siç kemi shkruar edhe më parë, zgjedhjet në Francë po ndiqen me shqetësim dhe interes nga të gjitha kancelaritë europiane. Por po ashtu edhe nga Moska dhe Uashingtoni. Fitorja e Orbanit në Hungari pak ditë më parë e ka rritur përtej çdo caku alarmin dhe frikën e botës demokratike.  Për më shumë fitorja e Lë Penit ka pasoja edhe të rënda edhe për botën shqiptare.  Ajo jo vetëm mbyll çdo shpresë të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por i vë “minat” edhe këtij të fundit. Sipas shumë analistëve dhe studiusve të njohur fitorja e partisë së “Bashkimit Kombëtar” do t’i trondisë aq shumë institucionet e BE-së, saqë do e bëjë pothuajse të pamundur funksionimin e tij.

         Në fakt zgjedhjet e 10 prillit në Francë nuk janë zgjedhje të zakonshme. Ato përfaqësojnë shumë me tepër se një përplasje midis 2 partive që synojnë çdonjëra pushtetin dhe privilegjet e tij. Sepse në këto zgjedhje reflektohet jo vetëm e ardhmja e Europës, por ato janë një tregues tejet domethënës edhe i rrugës që do ndjekë bota gjatë viteve të ardhshme!

        Sepse në Francë po përplasen sot jo vetëm dy parti, por po ashtu 2 ideologji, dy sisteme të drejtimit të shteteve, 2 botë të ndryshme. Nga njëra anë kemi botën liberal globaliste e cila si busull udhërrëfyese ka tregun.   Presidenti Macron është përfaqësuesi më tipik i kësaj rryme. Në anën tjetër gjendet Lë Pen, e cila përfaqëson sovranizmin në pikën e tij më të lartë.

        Tregu i lirë me ndërhyrje minimale të shtetit, tregtia pa dogana ndërmjet vendeve të ndryshme, liberalizmi në sjellje dhe moral, pranimi i emigracionit si një fenomen normal dhe i dobishëm për tregun e punës, promovimi i lëvizjeve LGBTQ+, një sistem gjyqësor i pavarur nga qeveria dhe parlamenti dhe ngandonjëherë edhe mbi to – janë disa nga karakteristikat kryesore të botës liberal – globaliste, e cila është vënë në jetë që pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

       Kundrejt kësaj ideologjie dhe politike ekonomike janë ngritur sot lëvizjet sovraniste dhe konservatore. “Atdheu në rrezik” – është emëruesi i përbashkët i kësaj ideologjie që ngandonjëherë ngjan dhe  i afrohet shumë ideologjisë nacional/ socialiste të Rajhut të Tretë. Përkrahësit e kësaj strategjie mbështesin në përgjithësi rolin e shtetit në ekonomi. Ata janë thellësisht kundër emigracionit të ligjshëm apo të paligjshëm. Përsa i takon moralit këto parti janë tërësisht konservatore. Martesat ndërmjet të njëjtit seks u ngrejnë qimet e kokës përpjetë përfaqësuesve të rrymës nacional/konservatore. Orbani është një përfaqësues tipik i kësaj platforme nacionaliste.

         Dhe sovranistët nuk kanë ngelur vetëm te llafet. Partitë e tyre gjatë këtyre 10 vjetëve të fundit janë forcuar dukshëm edhe brenda vendeve perëndimore. Goditja e parë alarmuese për mbështetësit e botës globaliste ngjau pas fitores së Donald Trumpit në vitin 2016. Bota e lirë dhe demokratike duket se atëhere mori një të çarë të pariparueshme. U deshën përpjekje titanike, që Trump të mos fitonte edhe një mandat tjetër në Shtëpinë e Bardhë. Dhe megjithëse ai fitoi në zgjedhjet e vitit 2020, mbi 7 milionë votues më shumë se në vitin 2016, ai prapë se prapë i humbi zgjedhjet. Sepse kasta politike, mediatike, financiare, deri edhe ajo artistike në Hollivud u ngrit e tëra në këmbë për të eleminuar një mundësi të tillë.         

         Pak vite më parë të tilla ndryshime kishin ngjarë sa në Rusi, aq edhe në Turqi. Po Perëndimi nuk u shqetësua shumë. Këto vende ishin disi “jashtë” kulturës dhe traditave të tij. Turqia një vend me shumicë myslimane, ku grushtet e shtetit të ushtrisë i vinin gjërat në “vend”  nuk përbënte ndonjë preokupim të madh as në Bruksel, as në Uashington.  Në një mënyrë o në ndonjë tjetër edhe ndaj ushëheqësit autoritar, islamist dhe nacionalist, Erdogan, do të gjëndej një zgjidhje!  Edhe ardhja në pushtet në Rusi e udhëheqësit pothuajse diktatorial Vladimir Putin nuk i shqetësoi jashtë mase kancelaritë perëndimore. Rusia pothuaje gjithmonë ka qënë një shtet i stërmadh që nuk ka bërë pjesë asnjëherë në klubin liberal të vendeve perëndimore – ngushëlloheshin udhëheqësit e botës së lirë.

           Por tashmë po shihet se gjendja po përkeqësohet. Një fitore e forcave sovraniste, nacionaliste dhe konservatore edhe në Francë mund të përbëjë një goditje fatale për sistemin e sotëm  politiko/ekonomik botëror. Dhe një shëmbull shumë të padëshiruar. Kështu psh në Itali partia e Salvinit, së bashku me atë të Maronit « Fratelli d’Italia » mund që të shpresojë edhe ato që të fitojnë zgjedhjet e ardhshme.

           Bota sot po ndryshon me shpejtësi.  Kjo u vu re edhe gjatë votimit të fundit në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara për pezullimin e Rusisë nga Komisioni i të drejtave të Njeriut, që u nda me vetëm 10 vota diferencë ! Tregues i qartë që dëshmon se sot po ecet gjithmonë e më me shpejtësi drejt një bote multipolare. Ku përplasen interesa dhe gjeostrategji të ndryshme.

       Pyetja themelore që shtrohet sot është : A do vazhdohet të ecet drejt një shoqërie të hapur, liberal/globaliste e drejtuar dhe e udhëhequr nga organizmat ndërkombëtare apo do rikthehemi te politikat nacionaliste, sovraniste dhe konservatore të gjysmës sê parë të shekullit të kaluar ?! Zgjedhjet në Francê mund t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment