Është e njohur botërisht rrëfenja e Biblës sesi Krishti kapi kamxhikun për të përzënë nga tempulli i Zotit tregtarët batkçinj që po e përdhosnin atë vend të shenjtë. Dhe dihet se kush ishte Krishti. Ishte ai që tha se të keqes nuk duhet t’i përgjigjemi me të keqe. Se kur të godasin në një faqe ktheji tjetrën ! Që pohonte se më kollaj hyn gamilja në vrimën e gjilpërës se i pasuri në mbretërinë e Zotit. Apo që paralajmëroi se kush vret me shpatë, nga shpata do vdesë.
Ja pra ky njeri i shenjtë, apostull kundër dhunës dhe së keqes, e humbi “shenjtërinë » e tij kur përzuri me kamxhik në dorë tregtarët që përdhosnin me veprimet e tyre tempullin e Zotit.
Por ndërsa Krishti e bëri këtë « sakrilegj », në Shqipëri një tjetër « apostull », gjysëm katolik dhe gjysëm ortodoks, njëkohësisht me prirje myslimane dhe adhurim për Kuranin, me gjyshe nga Venecia dhe nga Vunoi, nuk pranon kurrsesi të marrë në dorë kamxhikun. « Nuk jam prokuror unë që të dënoj njerëzit ». « Nuk heq nga puna asnjë demokrat, qoftë edhe i plepave » – është shprehur po ashtu idhulli i disa deputeteve socialiste të Kuvendit të Shqipërisë !
Dhe kështu vjen puna që Ambasada Amerikane në Tiranë detyrohet të përplaset me « drejtësinë » shqiptare që i njohu Berishës pronësinë mbi partinë demokratike. Aq sa zonja Yuri Kim u detyrua të kumtonte se ajo dhe shteti që ajo përfaqëson njohin gjithmonë Alibeajn si kryetar të PD-së !
Dhe ndërsa ambasadorja amerikane « përplaset », Edi Rama rri mënjanë dhe bën sehir. Aq shtruar dhe me papërgjegjësi e ka marrë postin ai, saqë vetë ministri i jashtëm amerikan, Blinken, u detyrua, edhe ai, para disa muajsh që ta shpallte botërisht Sali Berishën si « persona non grata » për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe shkaqet dhe arsyet e një vendimi të tillë ishin tejet tronditëse : Përfitues material nga qënia në krye të shtetit, pengues i drejtësisë dhe demokracisë në vend » etj etj.
Kjo ndërhyrje e shtetit amerikan në mbështetje të demokracisë së nëpërkëmbur shqiptare duket që nuk është pritur mirë as nga Rama. Se tani edhe atij i duhej të lëvizte dhe të merrte masat e duhura ndaj personazhit më famëkeq të historisë shqiptare të këtyre 32 vjetëve të fundit. Por ai nuk i ka qef lëvizjet. Gogoli Berisha i shërbente më së miri që ai të vazhdonte i pashqetësuar sundimin e tij i patrazuar nga askush.
Prandaj ai nuk lëvizi as gishtin. Njëlloj siç bëri dhe po bën me reformën në drejtësi. Është përsëri Amerika që i ka vënë përpara si delet dhe po i detyron politikanët shqiptarë të pastrojnë « haurin » e qelbur të drejtësisë shqiptare. Si me Ramën, por po aq edhe me Metën dhe Berishën. Por të gjithë këta po lëvizin me ngadalë dhe me përtaci. Sikur u ka zënë rrota bishtin. Askujt nuk ia ka qefi të merret me këtë punë që mund tua nxjerrë edhe atyre të palarat në shesh.
Ndryshe si spjegohet që reforma në drejtësi e filluar vite më parë nuk ka arritur ende në gjysmën e rrugës?! Si spjegohet që gjyqtari që do gjykonte çështjen e pronësisë së Foltores ndaj PD-së nuk u lirua nga kjo detyrë, megjithëse e kërkoi hapur për konflikt interesi?! Si spjegohet që Shqipëria ngelet kënetë edhe 9 vjet pas ardhjes në pushtet të PS-së të drejtuar nga Rama?!
Ka shumë “pse” që duan përgjigje. Por ndofta ka ardhur koha që Ramës t’i kërkohet të lirojë kolltukun. Ai i vrau shpresat e zgjedhësve të tij. Shqipëria nga ana ekonomike nuk ka bërë asnjë hap përpara gjatë këtyre 9 vjetëve. Oligarkëve nuk u është prekur asnjë qime floku. Pasuritë kombëtare janë privatizuar dhe u janë shitur vendasve apo të huajve për një copë bukë. Kur ato i takojnë gjithë popullit. TAP-i psh kalon në Shqipëri pa paguar asnjê taksë dhe pa dhënê asnjë litër energji. Koncesioneve të Berishës iu shtuan tani edhe ato të Ramës!
Asnjë dritë nuk shihet në fund të tunelit. Sepse edhe te PS-ja nuk shihet asnjê i aftë që ta nxjerrë Shqipërinë nga gremina ku ka rënë. Askush nuk dëshiron të marrë kamxhikun në dorë! Ndofta se janë të gjithë të përlyer. Ose ndofta se janë të paaftë, të pandërgjegjshëm apo të pandjeshëm për fatet e vendit dhe të popullit.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment