Zgjedhjet në Francë  kanë të bëjnë edhe me kombin shqiptar.

         Fiks pas 2 javësh (më 10 dhe 24 prill) në Francë do të organizohen zgjedhjet presidenciale të rradhës. Normalisht këto zgjedhje duhet të tërhiqnin vëmendjen veç të popullit francez. Mirëpo ato po ndiqen me vëmendje të veçantë edhe në shumë kryeqytete të Europës dhe më tej.  Duke filluar nga Moska në Uashington, nga Beogradi  deri në Berlin dhe Bruksel.  Dhe ky interes i pazakontë e ka një shkak dhe një arsye: Franca rrezikon të rrëshqasë drejt ekstremit të djathtë. Siç quhen sot me një gjuhë të moderuar forcat fashiste.

           Europa mendonte se që pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore kishin mbaruar dhe ishin harruar edhe idetë nazifashiste nga territori i saj. Por zhvillimet e fundit në Francë janë duke shqetësuar sot mbarë opinionin demokrat dhe progresist jo vetëm atje, por edhe në mbarë Europën. Sepse ardhja në pushtet në Paris e forcave të ekstremit të djathtë vë në rrezik jo vetëm ekzistencën e Bashkimit Europian që mund të shpërbëhet, por edhe paqen në kontinent!

          Dhe një mundësi e tillë nuk është e pabazë dhe fantaziste. Sepse forcat e ekstremit të djathtë në Francë sot gëzojnë mbi 35 përqind të mbështetjes në vend!

          Janë dy formacionet politike që mëtojnë të arrijnë në postin e presidentit të Francës. Njëra nga këto është Bashkimi Kombëtar, i udhëhequr nga Marinë Lë Pen, vajza e udhëheqësit historik të së djathtës franceze,  “Le Front Nacional”, Zhan Mari Lë Pen. Sondazhet deri më sot parashikojnë një mbështetje prej mbi 20 përqind të opinionit vendas për këtë parti. Formacioni i dytë politik, i krijuar para pak muajsh dhe i pagëzuar si “Reconquëte” (Ringadhnjimi), udhëhiqet nga polemisti, shkrimtari dhe gazetari i njohur Erik Zemur (Eric Zemmour).  Vetë emri i partisë së tij është kuptimplotë dhe tregues i qartë i politikës që ai parashikon të ndjekë. “Reconquëte” vjen nga fjala spanjolle “Rikonkuista” që mund të shqipërohet si Rifitore, Rimarrje në zotërim, Ringadhnjim. Është fjala për një epope luftërash që zgjati disa shekuj  (VIII –XV) ndërmjet një koalicioni të mbretërve të Europës së krishterë kundër princave arabë që mbanin të pushtuar në atë kohë gadishullin iberik.

           Erik Zemur e krahason pushtimin arab të asaj kohe me situatën e sotme, që ai e cilëson si pushtimi i paluftë i Francës nga aradhet e popullsive myslimane dhe zezake të Lindjes së Mesme dhe Afrikës. Eshtë fjala për disa milionë banorë me origjinë nga Afrika dhe vendet e Lindjes së Mesme që kanë shkuar të punojnë dhe jetojnë në Francë, duke filluar nga shekulli i kaluar dhe deri më sot. Sipas tij, nëqoftëse vazhdon ky trend, deri në vitin 2060 francezët  autoktonë do të jenë dominuar nga popullsitë arabo-myslimane dhe afrikane. Këtë ndryshim të përbërjes së popullsisë ai e ka cilësuar si “Zëvendësim”.

            Megjithatë shanset që e djathta ekstreme të vijë në pushtet në Francë janë përgjithësisht të vogla. Pasi shumica e francezëve nuk i përkrah këto qëndrime dhe ide.      

                Presidenti i tanishëm i Francës, Emanuel Macron ka 55 përqind shanse të zgjidhet kundrejt çdo kandidati tjetër. Por e keqja është se krimbi ka hyrë brenda dhe po gërryen mollën! Idetë e dyshes Lë Pen/ Zemur po fitojnë mbështetës gjithmonë e më shumë në opinionin francez. Atentatet e terroristëve islamikë në Paris, Nisë e tjetërkund e kanë rritur së tepërmi mosbesimin e francezëve auktonë ndaj gjithë të huajve. Sidomos atyre me origjinë myslimane. Dhe këtu nuk përjashtohen as shqiptarët.

            Pikërisht këtë të dielë, pra më 27 mars, gjatë një mitingu me mbështetësit e tyre, Marion Mareshal, krahu i djathtë i udhëheqësit të “Ringadhnjimit”, iu drejtua një turme prej afro 100 mijë militantësh të elektrizuar dhe në delir me shprehjen: “ A mos doni ju që edhe ne, francezët, të pësojmë fatin e serbëve në Kosovë”?! Turma e ndërsyer uluriti e zëmëruar “Jo, Jo”!

             Dhe nuk është hera e parë që ekstremi i djathtë francez, madje edhe ai europian, kanë bërë të vetën legjendën serbe të Kosovës si “djepi” i Serbisë! Sipas kësaj rrëfenje Kosova paska qënë e populluar nga serbët para se aty të vendoseshin shqiptarët!

           Dhe po ashtu nuk është hera e parë që Lë Pen dhe Zemur i referohen këtij problemi. Në librin e tij më të fundit, botuar vitin e kaluar, me titullin »Franca nuk e ka thënë ende fjalën e saj të fundit” Erik Zemur merret 5 herë me Kosovën. Haptazi ai shprehet kundër ndërhyrjes së NATO-s atje, që mundësoi, sipas tij, largimin e serbëve nga trojet e tyre dhe krijimin e një shteti të korruptuar dhe islamist! Tani, shkruan ndër të tjera ai, kishat e vjetra ortodokse po digjen nga muslimanët fanatikë kosovarë dhe vendin e tyre po e zënë xhamitë fringo të reja të ndërtuara me ndihmën e Arabisë Saudite etj etj.

             Kemi të bëjmë kështu me një lloj « internacionaleje » të ekstremit të djathtë që si murtaja apo kovidi po përhapet në Amerikë, Europë dhe deri në Brazil. Jo më kot të gjithë udhëheqësit e ekstremit të djathtë francez dhe europianë kanë qënë edhe mbështetës dhe admirues të diktatorit rus, Vladimir Putin.

             Një fitore e mundshme e forcave ekstremiste në Francë, në këto zgjedhje, por qoftë edhe pas 5 vjetësh, është një sihariq i rrallë edhe për Beogradin. Përveç Moskës, Serbia fiton kështu edhe një mbështetëse të hapur të politikave të saj të ringadhnjimit të Kosovës, edhe në Paris.

              Prandaj zgjedhjet në Francë kanë një rëndësi si për gjithë kontinentin europian, por po aq edhe për kombin shqiptar.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment