Pak ditë më parë Edi Rama njoftoi se do e mbyllte Facebook-un e tij. Në fakt ai pohoi se nuk do të merrej më dhe nuk do tu kthente më përgjigje gjithë asaj turme laramane që e sulmonte parreshtur në këtë rrjet social.
E vërteta është se ai, në respekt të postit që mbante, as nuk duhej të merrej me këtë kategori njerëzish që gjenin një qëllim të jetës dhe kënaqësi të paparë duke sharë kryeministrin e vendit. Hiçkërrkushër, disa edhe kontigjente burgu, pa folur këtu për kundërshtarë politikë, që e kalonin ditën duke komentuar, keqpërdoruar dhe shpifur ndaj vendimeve të të parit të qeverisë.
« Sa shumë sharje ! » çuditej Rama para stuhisë së hiçbërësve dhe kohëzbrazësve të internetit.
Por këtu nuk ka shumë për tu çuditur. Duhet të jetosh në një planet tjetër që të mos e kuptosh që njerëzit janë të zhgënjyer keqas nga ty ! Dhe dukej se kryeministri ishte i vetmi dhe i fundit që nuk po e kuptonte këtë gjë. Aq sa edhe njëri nga analistët më të njohur të publicistikës shqiptare, para pak javësh i tërhoqi publikisht veshin duke i vënë në dukje pikërisht këtë dukuri. « Ka shumë urrejtje ndaj teje në opinionin publik, o Edi Rama” – nënvizonte ai.
Megjithë këtë ndjesi të përhapur është fakt se Rama mbetet relativisht kryeministri më pozitiv i vendit gjatë këtyre 30 viteve « demokraci ». Ai nuk është shkatërrimtar si Berisha. As autoritar dhe i dhënë pas pushtetit si ai. Nuk është po ashtu i dhënë pas pasurisë dhe parasë si Ilir Meta. Nën regjimin e tij njerëzit ndjehen të lirë. Askush nuk ndjehet i persekutuar për bindjet e tij politike. Për më shumë që Rama e pohoi botërisht, që kur mori pushtetin para 9 viteve, se ai nuk kishte ndërmend të hiqte nga puna demokratët për shkak të bindjeve të tyre poltike
Po atëhere si spjegohet ky mllef?! Për mendimin tim ka një arsye madhore: Kjo është pritshëria e madhe që opinion shqiptar kishte krijuar te aftësia dhe përkushtimi i Ramës për të mirën e vendit dhe të njerëzve.
Kështu psh sa kohë që ishte në opozitë ai nuk rreshti asnjë çast pa demaskuar horrlliqet dhe pafytyrësinë e regjimit të Sali Berishës. Janë të njohura ditirambet e tij ndaj koncesioneve të pasurive natyrore që Berisha u ofronte të huajve ose rrethit të tij të ngushtë.
Njerëzit prisnin që me ardhjen e Ramës në pushtet « uji të pastrohej”, përgjegjësit e rrumpallës dhe rrëmetit t’i jepeshin drejtësisë. Dhe regjimi i mëparshëm kishte bërë shumë që të damkosej dhe të dënohej publikisht. Përveç katrahurës së paparë ekonomike, ai kishte vrarë edhe demonstrues në mes të bulevardit, apo kishte hedhur në erë njerëz në Gërdec. Pa folur këtu për dyshimet rreth vrasjes së Trebickës, Olldashit, përuljen para Greqisë etj etj.
Por Rama dëshmoi se megjithëse ishte një orator i mirë, ishte njëkohësisht edhe po aq i papërgjegjshëm dhe i pandërgjegjshëm për misionin që kishte dhe shpresat që kishin vënë njerëzit te ai. Dhe e keqja më e madhe ishte se ai pothuajse nuk ndryshoi asgjë në fushën ekonomike. Veç oligarkët ndryshuan. Nga të bashkëngjitur me Berishën ata iu ngjitën tani Ramës. Koncesionet e mëparshme jo vetëm që nuk u anulluan, por atyre iu shtuan edhe të tjera. Politika ekonomike e Ramës eci në gjurmët e asaj të Berishës. Dhe në disa raste edhe ia kaloj asaj.
Për më shumë, Rama, për t’i bërë qefin ambasadorëve të huaj në vend, godiste kot më kot me gurë një kalë të ngordhur, të cilit i kishin rënë patkojt që më 1990-tën. Aq sa të krijohej përshtypja se ai jetonte ende nën delirin e atyre viteve, kur si pedagog i ri mbante fjalime të çartura antikomuniste në Institutin e Lartë të Arteve të asaj kohe. Ndërkohë që njerëzit i kishin kthyer krahët me kohë komunizmit dhe kërkonin përparim të vendit, drejtësi dhe mirëqënie ekonomike.
Në vend që të shquhej në këto fusha, Rama luante nëpër filma me një pamje prej budallai dhe një fjalor prej sarahoshi. Dukej se kostumi trepjesësh i kryeministrit atij nuk i rrinte mirë. Ndofta ngaqë ishte mësuar prej kohësh me tutat e sportistit dhe përparësen plot njolla të piktorit !
Ishte e qartë se qënien e tij si kryeministër ai e kishte marrë fare lehtë. Dhe as që ishte i ndërgjegjshëm për detyrat e vështira që e prisnin.
Kjo dëshmohet edhe më mirë në zgjedhjet e ministrave të kabinetit të tij. Njerëz pa asnjë përvojë administrative apo profesionale. Pa asnjë reputacion në publik. Të pashquar në asnjë fushë. Të dalë nga hiçi, siç del një peshk nga grepi. Disa çupëlina apo nuse të reja, të veshura sipas modës së fundit Armani dhe kompani që kishin vetëm aftësinë të bënin sfilata mode në Parlament ! Aty ku Berisha me Ramën luftonin egërsishëm ndaj njëri tjetrit me revole druni!
Gjithçka që nevojitej të bëhej në terren zhvendosej në cirkun e përditshëm parlamentar. Sikur të mos mjaftonte « Big Brother », « Portokallia », « Për-puthen » etj për të çoroditur dhe pervertuar njerëzit, por duheshin edhe kllounët në Kuvend.
Nga goja e kryeministrit shqiptar nuk dëgjoje kurrë fjalë si « rritje e prodhimit kombëtar », hapje e uzinave dhe fabrikave, përpunim të lëndëve të para në vend. Gjithçka ai ia kishte lënë oligarkëve dhe privatit. Shteti rrinte mënjanë dhe bënte sehir. Një politikë kjo krejt ultraliberale, që u shkonte për shtat shteteve të mëdha, që e kishin ngritur tashmë industrinë tyre, dhe jo një shteti të rënë përtokë si Shqipëria.
Në vend të rritjes së prodhimit të përgjithshëm kombëtar, kryeministri shqiptar u dha kokë e këmbë pas projekteve të ndërtimit të rrugëve, porteve dhe aeroporteve. Hidheshin në erë me miliona euro pa asnjë llogjikë ekonomike, pa asnjë lloj fezibiliteti se kur dhe si do të laheshin këto investime ?! Po ashtu shpalleshin disa PPP ku shteti merrte përsipër edhe investimin, edhe rriskun, ndërsa privati veçse fitimin ! E paparê dhe e padëgjuar kjo edhe në praktikën ekonomike ndërkombëtare.
Si përfundim dhe në mënyrë figurative mund të thuhet se ndërsa Berisha i vuri kazmën vendit, Rama gjatë këtyre 9 viteve veçse sa ka mbuluar disa gropa, por nuk ka ndërtuar pothuajse asgjë të hajrit. Prandaj edhe njerëzit janë të zëmëruar dhe të pakënaqur me të.
Dhe kanë të drejtë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment