Konflikti në Ukrainë vazhdon të mbajë të mbërthyer vëmendjen e gjithë opinionit public ndërkombëtar. A do pushojë lufta së shpejti? A do të ndalet Putini me Ukrainën apo do të vazhdojë me politikën e tij hitleriane duke sulmuar edhe shtete të tjera, si psh Moldavinë?! – pyesin specialistët e çështjeve ndërkombëtare.. Ndërsa shumë të tjerë urojnë që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt, pavarësisht kush është fituesi, nga frika se mos ajo mund t’i vërë zjarrin botës anembanë. Frika e një Lufte të Tretë Botërore, me përdorimin edhe të armëve bërthamore, duket se herë fashitet dhe herë rindizet sipas zhvillimeve ushtarake në frontin e Ukrainës.
Dhe ndërsa ekspertët dhe specialistët ushtarakë vrasin mëndjen, lufta në Ukrainë po përshkallëzohet çdo ditë e më shumë. Fronti i luftës është shtrirë tani sa në lindje të vendit, aq edhe në perëndim të tij. Kievit po i shtrëngohet laku, pavarësisht përpjekjeve heroike të ushtrisë dhe popullit ukrainas.
Në të njëjtën kohë vazhdojnë edhe të ashtuquajturat përpjekje diplomatike dhe takimet e dyanshme. Para pak ditësh ministrat e jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës u takuan madje edhe në Antalia të Turqisë. Por pa asnjë rezultat!
Dhe kjo ngecje e bisedimeve dhe ashpërsim i luftimeve ngjan në një kohë kur presidenti i Ukrainës, Zelenski, është tërhequr goxha nga pretendimet dhe kërkesat e tij të mëparshme. Kështu që ai pranon sot edhe neutralitetin e shtetit të tij. Që do të thotë mosanëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe si rrjedhojë edhe asnjanësinë e saj. Ai po ashtu po lëshon “pe” edhe përsa i takon pretendimeve ruse për një lloj pavarësie apo autonomie të zgjeruar të krahinave rusisht-folëse të Donbasit.
Por duket se është pala ruse tani që i hedh në erë këto negociata. Me synimin që ta vëjë Ukrainën dhe Perëndimin para faktit të kryer. Që do të thotë se bisedimet do të hynë në fazën e e zgjidhjes vetëm pasi Kremlini të ketë realizuar planet e tij. Plane që ai duket se i ka pasur në sirtar shumë kohë para agresionit mbi Ukrainën.
Dihet dhe është e pranuar botërisht se Vladimir Putini po përpiqet me të gjitha mënyrat të ringjallë jo vetëm perandorinë e ish- Bashkimit Sovjetik, por edhe atë cariste. Edhe sulmi ndaj Ukrainës këtë synim ka.
Pasi aneksoi gadishullin e Krimesë më 2014-tën, pothuajse pa luftë, ai duket se ka si synim parësor dhe të pakundërshtueshëm aneksimin e gjithë pjesës bregdetare të Ukrainës. Duke krijuar kështu një zonë ruse që fillon nga Krimeja, vazhdon në Mariopol dhe zbret deri në qytetin e lashtë të Odesës.
Një plan i tillë, nëse do të realizohej, do ta linte Ukrainën pa dalje në det, duke e kthyer kështu në një shtet kontinental, njëlloj si Hungaria, Sllovakia etj. Përveç « gëlltitjes » të një pjesë të konsiderueshme nga territori i Ukrainës, (dhe të pasura me lëndë minerale dhe infrastrukturë industriale), Putini do të përpiqet të instalojë në Kiev edhe një qeveri kukull, e cila do të shpallë « asnjanjësinë » dhe barazlargësinë nga Rusia dhe Perëndimi !
Ky është edhe skenari më i mundshëm që mund të ngjasë. Ndryshe nga çfarë thonë shumë opinionistë dhe strategë, Putini nuk ka nevojë dhe mundësi të pushtojë të gjithë Ukrainën. Sepse atëhere disfata për të do të jetë e pashmangshme. Me 200 000 ushtarë ai nuk mund të bëjë dot zap një popull prej mbi 40 milionë banorësh. Të cilët po dëshmojnë çdo ditë më shumë heroizmin dhe dashurinë për një Ukrainë të pavarur nga çizmja ruse. Pra Kremlini, sipas të gjitha gjasave, do të « mjaftohet » me shtënien në dorë të gjithë harkut bregdetar ukrainas, i populluar në shumicën e tij nga banorë rusofonë.
Po a do ta lejojë Perëndimi dhe bota që të realizohet një skenar i tillë?! Deri më tani duket se Perëndimi dhe NATO nuk duan të përfshihen në një konflikt të armatosur me Rusinë. Prandaj ka shumë gjasa që Ukraina të sakrifikohet për të ruajtur paqen në botë! Siç ngjau edhe më 1938 gjatë Marrëveshjes së Munihut ndërmjet forcave perëndimore demokratike dhe Hitlerit.
Por historia dëshmon se shpesh here diktatorëve kur u lëshon “pe” bëhen edhe më agresivë. Kështu ngjau edhe me Hitlerin, që pasi pushtoi Austrinë dhe zonën e Sudeteve në Çeki, iu sul edhe Polonisë. Për të zezën e tij. Atëhere bota demokratike tha : ”boll më”. Dhe Hitleri përfundoi si miu në çark në bunkerin e tij në Berlin.
Po Putini vallë a do ketë nxjerrë mësime nga historia?! Kjo është çështja.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment