Të martën, më 8 mars, presidenti i Ukrainës akuzoi Perëndimin se nuk po i mbante premtimet e tij për të ndihmuar Ukrainën që të mbrohej ndaj agresionit rus. Se për çfarë aludon Zelenski duket se askush nuk e ka të qartë. Për çfarë premtimesh të pambajtura e ka fjalënai ?! Çfarë i paska premtuar atij Perëndimi që nuk po e vënka në jetë ?!
E vërteta është se gjithë bota u kap e papërgatitur ndaj sulmit të paparashikuar rus mbi Ukrainën. Askush nuk e besonte se Kremlini do t’i hynte një aventure të tillë. Aq më shumë që gjatë zgjerimeve të njëpasnjëshme të NATO-s, Rusia nuk kishte lëvizur as gishtin. Por papritur ariu rus nxorri dhëmbët dhe sulmoit Ukrainën, një vend që kishte zënë rradhën për tu anëtarësuar në Organizatën e Atlantikut Verior.
Askush nuk e mohon dot se Ukrainës Perëndimi i kishte premtuar anëtarësimin në gjirin e NATO-s. Kjo do të ishte një mburojë e sigurt për këtë vend ndaj të gjitha synimeve aneksioniste të Moskës. Dhe Ukraina i qëndroi besnik këtij premtimi. Asnjë çast ajo nuk u tërhoq nga dëshira e saj për tu afruar gjithmonë e më shumë me Bashkimin Europian dhe NATO-n, pavarësisht kërcënimeve dhe presioneve të Rusisë.
Por siç thamë edhe më sipër, as Kievi dhe as kancelaritë perëndimore nuk e kishin parashikuar reagimin e Moskës. Madje ky ishte një para-reagim. Që do të thotë se Kremlini lëvizi para se Ukraina të anëtarësohej në gjirin e Aleancës Atlantike. Duke nisur kështu një agresion të papritur, pasojat e të cilit nuk mund të parashikohen ende.
Dhe kur Zelenski akuzon Perëndimin se nuk po i mban premtimet e dhëna, duket se ai deri në një farë mase ka të drejtë. Kur ti e fton dikë të bashkohet me ty për tu mbrojtur nga dikush tjetër, ti në një mënyrë a një tjetër merr një lloj përgjegjësie.
Dhe nuk ka shumë rëndësi nëse ti je tashmë anëtar apo jo. Kur për më shumë ti je drejt kësaj rruge dhe je sulmuar pikërisht se ke dashur të ndjekësh këtë trajektore !
Por Perëndimi, i kapur në befasi nga reagimi i egër rus, duket se nuk dëshiron një përplasje të drejtpërdrejtë me Rusinë. Dhe këtu ai ka plotësisht të drejtë dhe po tregohet jashtëzakonisht racional. Një përplasje me Rusinë do të thotë fillim i Luftës së Tretë Botërore. Me rrezikun dhe pothuajse sigurinë se kjo luftë do të kryhet me bomba atomike.
Specialistët ushtarakë parashikojnë se në rast të një skenari të tillë ogurzi vetëm brenda 24 orëve të para do të asgjësohen mbi 100 milionë njerëz. Nuk është shumë e vështirë të kuptohet se si do të përfundojë njerëzimi dhe sidomos Europa, Amerika dhe Rusia në rast se kjo luftë zgjat të paktën 6 muaj!
Megjithëse nuk e pohon hapur, duket se Zelenski kërkon sot përfshirjen edhe të vendeve perëndimore në konfliktin Rusi – Ukrainë. Amerika dhe Europa po e ndihmojnë Kievin me të gjitha mjetet e mundshme. Sa financiare aq edhe ushtarake.
Ndaj Rusisë janë ndërmarrë sanksione të ashpra që kanë filluar që tani ta dëmtojnë ekonominë vendase. Rubla psh është zhvlerësuar me 40 përqind gjatë 2 javëve të fundit. Njëkohësisht Perëndimi po e furnizon Ukrainën me armët më moderne të mundshme. Deri edhe me raketa antitank, ato tokë ajër të modelit të fundit etj. Dhe të gjitha këto falas dhe në shumicë të konsiderueshme. Por aty ku duket se presidenti i Ukrainës kërkon të pamundurën është pretendimi i tij për tu furnizuar me avionë luftarakë si dhe për krijimin e një zone “të lirë ajrore” në qiellin e Ukrainës!
Problemi qëndron se në Ukrainë sot nuk ekziston asnjë lloj aerodromi ku të ulen dhe të ngrihen aeroplanët luftarakë. Ato u bombarduan që gjatë ditëve të para të agresionit. Nisur edhe nga pozicioni i tyre i pambuluar është shumë e lehtë për forcat ajrore ruse të bombardojnë edhe aeroportet e mbetura. Atëhere si do i përdorë Ukraina aeroplanët e dhuruar nga Perëndimi?!
Ka vetëm një mundësi dhe presidenti ukrainas e di mirë këtë. Madje prandaj ai këmbëngul me forcë që t’i jepen avionë luftarakë. Këta avionë “ukrainas” mund të ngrihen dhe të ulen veçse në aeroportet fqinje. Dmth në ato të Polonisë, Rumanisë apo Bullgarisë. Kjo do të thotë që nga aerodromet e këtyre vendeve avionët “ukrainas” të ndeshen me avionët rusë në qiellin e Ukrainës. Dmth që këto vende të kthehen në bashkëluftëtare të Ukrainës. Duke qënë se këto shtete janë anëtare të NATO-s vetëkuptohet se lufta do përfshinte menjëherë gjithë Aleancën atlantike me pasojat e saj shkatërruese.
Gjithë problemi është se nuk duhej lejuar kurrsesi që gjendja të arrinte deri në këtë pikë. Politikanët dhe burrat e vërtetë të shtetit shquhen për një vizion që parashikon ngjarjet para se ato të ngjasin. Për të mirën e paqes në botë dhe në vendet e tyre. Në këtë kuptim Zelenski duhej ta kuptonte se kërkesa e tij për tu anëtarësuar në NATO paraqiste rreziqe të mëdha për vendin e tij.
Jo se Ukraina nuk kishte të drejtën e saj morale dhe legale të kërkonte një anëtarësim të tillë. Por ai duhej të parashikonte edhe një reagim të mundshëm nga ana e Rusisë. Aq më shumë që Kremlini e kishte bërë të qartë shpesh herë se anëtarësimi i Ukrainës në NATO përbënte vijën e kuqe për Moskën që nuk duhej kapërcyer. Por siç duket Kievi, Uashingtoni, Londra, Berlini dhe Parisi nuk e morën seriozisht këtë paralajmërim. Me pasojat që dihen dhe po vuhen sot.
Gjithë çështja tani është që të dilet nga ky qerthull sa më shpejt. Dhe mundësisht pa u bërë hataja. Kërkesat e tepruara të Zelenskit nuk duhen marrë parasysh. Ukraina duhet të kthehet, siç ka qënë deri më sot, në një vend neutral, konfederal dhe asnjanjës. Njëlloj si Finlanda, Austria dhe Suedia. Trupat ruse duhet të tërhiqen tërësisht dhe menjëherë nga territori që kanë pushtuar.
Çdo rrugë tjetër na afron me shpejtësi drejt një konflikti me përmasa botërore dhe bërthamore. Situata rrezikon të dalë jashtë kontrollit në çdo moment.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment