Sytë e mbarë opinionit botëror janë përqëndruar sot në konfliktin e armatosur Ukrainë – Rusi. Analistë të shumtë po e trajtojnë çështjen nga të gjitha anët. Deri ku do të shkojë autokrati Putin ? A do të ndalet me Ukrainën apo do i sulet edhe Moldavisë dhe Gjeorgjisë?! Ose edhe më tej. A ka rrezik për një luftë të re botërore ku pa dyshim do të hyjnë në përdorim edhe armët bërthamore? Etj. Etj.
Ndërsa ata diskutojnë, çdo ditë që kalon, çdo orë, çdo minutë numri i të vrarëve dhe të gjymtuarve në Ukrainë shtohet pa ndërprerje. Njëkohësisht me dëmet e pashmangshme materiale.
Ndaj Rusisë agresore me të drejtë janë ndërmarrë masa të shumta ndëshkuese nga shumica e vendeve të botës. Rusia pothuajse është izoluar. Por kjo duket se nuk e ka ndalur hovin e ushtrisë ruse që përparon çdo ditë e më shumë në territorin ukrainas.
Edhe sa kohë do të rezistojë Ukraina? – pyet opinioni ndërkombëtar. Të gjithë po i fryjnë borive të luftës. Ariu rus e ndjen veten tani të sulmuar dhe të bllokuar nga të gjitha anët. Por siç ngjan edhe me kafshët e egra kur nuk shohin rrugëdalje edhe Rusia rrezikon të bëhet edhe më agresive.
Ky konflikt përmban në vetvete rreziqe të shumta dhe të paparashikueshme. Sa në fushën ushtarake, aq edhe në atë ekonomike, shoqërore, politike etj etj.
E keqja është se po prishet dhe po shkatërrohet ndofta përgjithmonë një rend botëror që ka funksionuar me sukses që pas Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë këtyre 80 vjetëve bota ka njohur një zhvillim të paparë. Sidomos vendet e Europës dhe të Amerikës së Veriut kanë njohur një prosperitet për tu pasur zili. Kina, India, Brazili etj po përparonin edhe ato dhe po e ngrinin edhe ato nivelin e jetesës në një mënyrë të paparashikueshme deri më sot. Sidomos Kina 1, 4 miliardëshe, që po shndërrohej pak e nga pak në pothuajse në një superfuqi e barabartë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tregtia po lulëzonte. Mallrat, nafta, teknologjia, njerëzit qarkullonin pa pengesa nga një vend në tjetrin.
Rritja ishte e tillë saqë po thuhej se me këto ritme do të duheshin dy planetë që gjithë njerëzit të jetonin si amerikanët dhe europianët. Pikërisht në kulmin e kësaj epoke begatie dhe lirie shpërtheu një konflikt i armatosur, që ashtu si orteku, rrezikon të përhapet dhe të marrë me vete shumëçka.
I vetmi lajm pozitiv deri më tani, dhe kjo është me shumë rëndësi, është se si Biden, ashtu edhe NATO, kanë premtuar se nuk do të përfshihen fizikisht në këtë konflikt të armatosur. Por do të ndihmojnë me të gjitha mjetet që kanë në dispozicion Ukrainën.
Megjithatë diplomatët, ushtarakët, politikanët e mbarë botës duket se janë të kaplluar nga ethet e luftës. Tensioni ka arritur kulmin. Aq sa mjafton një shkëndijë e vogël, një “aksident” që bota të përfhihet edhe një herë në një konflikt të ri të përgjakshëm.
Dhe duket se askush nuk po mendon sot se si mund të dilet nga ky qerthull! Sanksione, përjashtime, ndalime, bllokime – janë fjalët që ndesh sot më shumë në fjalimet e kryetarëve të qeverive të vendeve perëndimore. Shumica duket se harron se këto sanksione, sidomos ato ekonomike, janë një thikë me dy presa. Europa ka nevojë për gazin, naftën dhe grurin rus. Aq më shumë që bëhet fjelë për furnizime që kapin deri në 40 përqind të nevojave të shteteve europiane për këto lëndë të para. Kur dihet po ashtu se edhe burimet alternative pothuajse mungojnë. Ndryshe çmimet do të katërfishohen dhe inflacioni do të kapë qiellin. Nga ana tjetër rubla është çvlerësuar gjatë kësaj jave me rreth 30 përqind në krahasim me dollarin!
Ngado që ta rrotullosh problemin do ndeshesh me gjak, dëmtime, kërcënime, sanksione, hakmarrje, përjashtime. Pra asgjë e mirë në horizont.
Kur duhej të ngjante krejt e kundërta. Kokat e ftohta të planetit, politikanët dhe burrat e shtetit, duhet të diskutonin sot rrugët dhe mundësitë e daljes nga ky qorrsokak. Duke rrahur gjoksin dhe duke bërë të fortin nuk shkohet shumë larg.
Dikush nga presidentët e vendeve me peshë sot në botë duhet të propozojë një zgjidhje, një paqëtim, një ulje të tensioneve.
Zgjidhja duket e thjeshtë. Erdogan, Macron ose kushdo tjetër mund dhe duhet të propozojë një marrëveshje të pranueshme dhe të respektuar nga tri palët kryesore që janë përfshirë sot në këtê konflikt. Dmth Rusia, Ukraina dhe NATO.
Dhe propozimi duhet të bazohet në tre pika bazë:
- Ukraina premton solemnisht se do të heqë dorë nga çdo kërkesë për t’iu bashkëngjitur NATO-s. Duke ruajtur përgjithmonë një status neutral njëlloj siç janë sot Austria, Finlanda apo edhe Suedia.
- Si rrjedhojë Rusia do të duhej të largohej detyrimisht nga të gjitha viset dhe territoret e pushtuara këto 7 ditët e fundit. Duke njohur dhe pranuar solemnisht sovranitetin e plotë dhe të paprekshëm të Ukrainës.
- Krahina e Donetckut, e populluar nga rusë, do të fitonte një lloj autonomie në gjirin e shtetit ukrainas.
Kaq dhe asgjë më shumë. Dikush mund të thotë se iksi apo ypsiloni ka fituar më shumë nga kjo marrëveshje. Por kjo nuk ka dhe nuk duhet të ketë asnjë rëndësi. Me rëndësi është shmangia e konfliktit Ukrainë – Rusi që rrezikon t’ vëjë flakën globit.
Koha nuk pret.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment