Lumpen komunistët

         Ditët e fundit në një nga mediat më të lexuara në Shqipëri, dikush u vërsulej me tërsëllëm atyre që ai i quante « komunistë ». Në shikim të parë këtu nuk ka asgjë të keqe dhe të çuditshme. Në Shqipëri ekzistojnë ende shumë nostalgjikë të periudhës 1945 – 1990. Shumica e tyre nuk është se janë enveristë. Por më shumë janë të zhgënjyer keqas nga këto 30 vite të sistemit të ashtuquajtur demokratik. Masa e komunistëve të pandreqshëm dhe të përbetuar në përpjestim me shoqërinë është sot pothuajse e papërfillshme.    

          Pavarësisht ndryshimeve të pamohueshme të ngjara gjatë atyre 45 vjetëve njerëzit që e kanë jetuar atë epokë kujtojnë edhe varfërinë që pllakosi vendin si dhe shtypjen e fortë të ushtruar nga regjimi i asaj kohe. Prandaj nuk është aspak çudi dhe e padrejtë ta shash atë epokë dhe mbështetësit e saj.

         Por ajo që të revolton, të çudit dhe të krijon neveri është numri jo i papërfillshëm i atyre ish komunistëve që sot shajnë të tjerët për komunistë ! Dhe përgjithësisht këtë e bëjnë pikërisht ata që kanë përfituar më shumë nga regjimi i shkuar. Duan të pastrojnë shpirtin e tyre nga mëkatet ?! Apo mendojnë se njerëzit janë budallenj dhe do u besojnë atyre 2 herë me rradhë ?!

        Shumica e këtyre antikomunistave të qametit, siç është edhe rasti i autorit të shkrimit të sipërpërmendur, janë stabilizuar në Tiranë gjatë asaj kohe duke ardhur nga fshatrat më të humbur të vendit, veçse për shërbimet dhe « besnikërinë » që tregonin ndaj diktatorit.

       Dhe shembujt në këtë drejtim janë të panumërt. Cilido njeh ish-komunistë të asaj kohe, që të merrnin « gjak në vetull » për atë Parti dhe që sot pa pikë turpi hiqen dhe shtihen si antikomunistë të dorës së parë.

        Një pjesë e tyre nuk kanë qënë dosido. Disa kanë qënë deri edhe gazetarë me emër te « Zëri i Popullit » apo te « Bashkimi ». Disa të tjerë shkrimtarë dhe artistë të njohur. Dhe këtu nuk po flasim për sekretarë partie në këshillat e lagjeve. Por për figura publike që njihen nga shumica e njerëzve.

         E keqja më e madhe e kësaj marrie dhe poshtërsie është se ata që ishin në atë kohë të “plotfuqishëm”, që të bënin gjëmën, sot të japin leksione demokracie! Ata që luftonin dikur me tërbim imperializmin amerikan dhe revizionizmin sovjetik, sot janë proamerikanët më të thekur dhe të flaktë në vend. Të gjithë properëndimorë!

           Dhe bërtasin aq fort sa nuk lëjnë t’i dëgjohet zëri as atij të shkretit ish të burgosur politik. Që vuajti me vite të tëra në zgafellat dhe birucat e Enver Hoxhës, ndofta vetëm për një fjalë goje, në një kohë kur komunistat/ antikomunistë të sotëm zgërhalleshin te hotel “Arbëria” apo te “15-katëshi”!

        Që një intelektual i asaj kohe i tipit dhe kalibrit psh të Lasgush Poradecit, Vedat Kokonës, Sterjo Spases etj, që e patën ndjerë deri në asht “diktaturën e proletariatit”, pra dhunën e regjimit të asaj kohe, të shpreheshin me mllef dhe ashpërsi ndaj atij regjimi dhe përkrahësve të atij sistemi, – kjo ishte dhe është diçka krejt normale. Por çudia dhe paturpësia më e madhe është se sot ulurasin dhe marrin poza antikomunisti të çartur ata që kanë përfituar më shumë gjatë asaj periudhe.

           Nga ana tjetër ka shumë ish-komunistë, që cilësohen ngandonjëherë si “komunistë të ndershëm”, që janë tërhequr nga jeta politike dhe shoqërore. Shumica e tyre shprehen se e besuan dhe e përkrahën atë sistem se besonin se ai ishte më i miri dhe më i drejti! Sigurisht me kalimin e kohës edhe ata u zhgënjyen, vunë në pikëpyetje kredon e tyre, por kurrë nuk morën flamurin e antikomunizmit, si këta lumpen komunistët e ditëve të sotme.

           Thuhet që ka qënë Fridrih Engels i pari që e ka përdorur shprehjen “lumpen proletariat” për të stigmatizuar llumin e shoqërisë. Me një fjalë një shtresë njerëzish që rridhte nga shtresat e « ulëta » të popullit, por që ishin të paarsimuar, hajdutë, vrasës, banditë, sarahoshë, përdhunues etj etj. Këtyre u kundërvihej sipas konceptit marksist të asaj kohe « proletari » i ndershëm, i drejtë dhe i ndërgjegjshëm për gjendjen e tij shoqërore.

           E keqja është se lumpen komunistët e sotëm nuk janë të paarsimuar ose të paditur. Ata e dinë shumë mire se çfarë bëjnë. Por kanë qënê dhe mbeten njerëz pa karakter, pa dinjitet, me 100 fytyra që nuk kanë as din e as iman, por për të qënë mirë, për të pasur pushtet, emër dhe privilegje nuk lënë flamur pa përdorur. Janë këta, lumpen komunistat, shtresa më e ulët dhe më e poshtër e vendit.

           Thënia lapidare e e intelektualit të shquar çek, Vaclav Havel, se nuk ka gjë më të shpifur dhe të ndotur se komunistët antikomunistë do të mbahet mend edhe 1 000 vjetët e ardhshëm. Por kjo nuk i bën as të skuqen dhe as të zverdhen lumpenët e sotëm.

            Se te ata nuk mund të gjenje kurrë dhe nuk gjen as sot asnjë lloj ideali, asnjë lloj skrupulli, veçse “zotësisë” dhe paturpësisë për ta kthyer gjithmonë gunën nga fryen era. Turpi i njerëzisë.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment