-Nga Viron Gjymshana-
Me vendimin e djeshëm për njohjen e pavarësisë së dy republikave rusishtfolëse të Ukrainës nga ana e Rusisë, presidenti Putin i hodhi dorashkën në fytyrë Perëndimit. Me një të rënë të lapsit udhëheqësi rus aneksoi dy territore të rëndësishme të shtetit sovran të Ukrainës, pa u merakosur shumë rreth shqetësimeve të Perëndimit për ruajtjen e paqes dhe statukuosë në Europë.
Kancelaritë e Perëndimit, duke filluar nga Berlini, Uashingtoni, Parisi dhe Londra janë tashme në ethe. Si t’i përgjegjen këtij veprimi sfidues që risjell në vëmendjen e diplomacisë botërore një rast të ngjashëm, që i parapriu fillimit të Luftës së Dytë Botërore.
Ishte marsi i vitit 1938, kur Hitleri shpalli me bujë Anschlusin, pra pushtimin dhe përfshirjen e Austrisë në perandorinë e Rajhut të Tretë. Fuqitë demokratike të asaj kohe e « përtypën » me vështirësi këtë aneksim të një shteti të pavaruar nga ana e Gjermanisë hitleriane. Por për të ruajtur paqen ato e mbyllën njërin sy. Por kjo nuk mjaftoi. Një vit më vonë, në shtator të 1939 –tës Hitleri sulmoi Poloninë. Si pretekst ai sajoi keqtrajtimin e gjoja pakicës gjermane që jetonte atje. Por kësaj rradhe bota demokratike tha : « boll më ». Dhe kështu shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, ku në njërën anë ndodheshin shtetet agresore, Gjermania, Italia dhe Japonia dhe në anën tjetër SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik.
Afërsisht me të njëjtat argumenta, pra me keqtrajtimin e rusëve në republikat e vetshpallura të Luganskut dhe Donetskit, presidenti i Rusisë dekretoi përfshirjen e tyre brenda shtetit rus.
Perëndimi deri në momentin e fundit u përpoq me të gjitha mënyrat ta pengonte këtë skenar. Presidenti francez Macron si dhe kancelari gjerman Sholc biseduan me orë të tëra me presidentin rus për ta bindur Moskën të përmbahej në synimet e saj aneksioniste. Por siç e dëshmuan orët e fundit pa asnjë sukses.
Pyetja shtrohet se çfarë do të ndërmarrë tani Perëndimi?! Për shumicën e kancelarive europiane duket se nuk bëhet fjalë për një kundërpërgjigje ushtarake. Po mendohet për shtimin e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë. Por ka shumë pak gjasa që ato të kenë ndonjë efekt. Më shumë se gjithçka ato kanë vlerë simbolike. Për më shumë ato mund të kenë edhe efekt të kundërt. Pra të dëmtojnë edhe vetë Perëndimin. Siç dihet Europa Perëndimore e siguron 40 për qind të gazit të saj për ngrohje nga Rusia! Ndërprerja e këtij burimi do e dhjetëfishonte çmimin e gazit për popullsinë në Gjermani, Francë, Belgjikë, Hollandë etj.
Por Perëndimi ka një kartë të fortë në dorë që mund ta përdorë me sukses të plotë. Në rast se do. Siç është anëtarësimi me urgjencë i Ukrainës në gjirin e Aleancës Atlantike. Kjo do të ishte një goditje fatale për ambiciet e Moskës dhe një përgjigje e merituar. Në rast të kundërt Perëndimi do të humbiste fytyrën para bashkësisë ndërkombëtare.
Me këtë rast historianët kujtojnë thënien e famshme të Uinston Çurçillit më 1938, pasi Hitleri pushtoi edhe krahinën e Sudeteve të ish Çekosllovakisë, kur deklaroi: “Duke dashur të ruajmë paqen dhe të shmangim luftën zgjodhëm nënshtrimin, si pasojë do të kemi tani edhe nënshtrimin, edhe luftën”!
Në rast se tregohet përsëri i dobët Perëndimi jo vetëm që do të trimërojë Moskën në aventurat e saj ushtarake, por do të japë një shembull të keq edhe në rajonet e tjera të botës. Kështu psh Beogradi do të trimërohet dhe do të mendojë se edhe ai ka të drejtë të aneksojë republikën serbe të Bosnjës, si dhe veriun e Kosovës dhe ndofta edhe më shumë. Po ashtu heshtja apo ngathtësia e Perëndimit për të ndërmarrë kundërveprime të shpejta dhe të vendosura ndaj politikës agresive të Moskës do të trimërojë jashtë masës edhe Pekinin që nuk ia ndan sytë Tajvanit. Presidenti aktual kinez, Xi Jinping, ka deklaruar se deri më 2049, 100 vjetori i krijimit të Republikës popullore të Kinës, ishulli i Tajvanit do të bashkohet me hir apo me pahir me Kinën!
Orët dhe ditët e ardhshme janë sa vendimtare, aq edhe historike. A do të jetë i bashkuar dhe i vendosur Perëndimi për t’i treguar vendin autokratit Putin ?! Apo do të sillet si para 84 vjetësh?!

Lini një koment