Disa të vërteta rreth konfliktit Ukrainë – Rusi dhe pasojave të mundshme në Ballkan.

-Nga  Viron  Gjymshana –

       Opinioni publik perëndimor, dhe jo vetëm ai, është i shqetësuar nga mundësia e një konflikti të armatosur ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë. E keqja është se në rast të një përpjekjeje të armatosur, në « lojë » mund të hyjnë edhe fuqi të tjera, si psh SHBA-ja dhe vendet e tjera anëtare të NATO-s. Shqetësimi shtohet kur kujton se shpesh herë luftra të përgjakshme e të pambarim kanë filluar për më pak se kaq.

         Po si spjegohet që « plaga » e malcuar që nga viti 2014 shpërtheu tani ?! Disa analistë e lidhin këtë ngritje të menjëhershme të « temperaturës » me përfundimin e gazsjellësit Nord Stream 2. Deri më tani pjesa kryesore e gazit me të cilin furnizoheshin vendet e Europës perëndimore, Nord Stream 1, kalonte nga Ukraina. Rusia ishte e detyruar t’i paguante haraç Kievit që të lejonte që gazjellësi të kalonte nga territori i tij. Përveç kësaj takse, Ukraina kërkonte një regjim preferencial (të veçantë) nga Rusia përsa i takon çmimit të gazit që ajo vetë merrte nga Rusia.  Me përfundimin e Nord Stream 2, Kievi filloi t’u bënte presion kryeqyteteve europiane që ato ta dëmshpërblenin Ukrainën nga humbjet që do i shkaktoheshin nga kalimi i gazit nëpërmjet gazjellësit të ri. i cili, sa për dijeni, fillon afër Petërsburgut, vazhdon në detin Balltik dhe përfundon në Gjermani. Para kësaj kërkese vendet europiane ngrinin supet. Me fjalë ato mbështesnin Ukrainën, por në fakt askush prej tyre nuk donte të paguante apo të humbiste furnizimin e popullsisë së saj me gaz rus për hatër të Kievit.

       Udhëheqësit ukrainas duket se e kuptuan se Bashkimi Europian nuk do të dëmtonte interesat e tij për hir të tyre. Atëhere Kievi e trashi zërin. « Ne do të vendosim kontrollin e plotë në të gjithë territorin e Ukrainës », – vunë në dukje zyrtarët e lartë vendas. Është fjala për dy të ashtuquajtura republika të Donbasit që shpallën shkëputjen e tyre nga pushteti i Kievit gjatë trazirave të vitit 2014. Ishte po në atë kohë që Rusia ripushtoi Krimenë, një ujdhesë që Khrushovi ia kishte dhuruar Rusisë rreth viteve  1955. Si pretekst u gjet fakti se Krimeja banohet në shumicën e saj dërmuese nga popullsi rusofolëse. Edhe 2 republikat e sipërpërmendura banohen nga një popullsi rusofolëse.

         Është një fakt i pamohueshëm që çdo shtet ka të drejtë të vendosë autoritetin e tij në të gjithë territorin e njohur dhe pranuar nga OKB-ja si pjesë e atij shteti. Pakica kombëtare ka kudo. Në Itali psh gjen disa komuna gjermanisht folëse. Në Belgjikë po ashtu. Në Rumani ka një pakicë hungareze. Këto pakica kombëtare përbëjnë shumicë absolute në komunat në të cilat gjenden. Por kjo nuk u jep të drejtën të shkëputen nga vendi në të cilin bëjnë pjesë. Kjo është e parashkruar dhe vulosur nga konventat e OKB-së të pranuara dhe të nënshkruara nga të gjitha vendet anëtare.

        E keqja është se një politikë e tillë nuk është e rastësishme. Të njëjtat tallaze përplasen edhe në Ballkan. Sidomos në Bosnjë dhe Kosovë. Në republikën e Bosnjës, pjesa serbe përpiqet me të gjitha mënyrat të pengojë mbarëvajtjen e shtetit bosnjak. Ëndrra e republikës serbe të Bosnjës është bashkimi i saj me Serbinë. Kjo është edhe arsyeja që Uashingtoni shpalli para një muaji si “non grata” edhe kreun e republikës serbe të Bosnjës, Milorad Dodik.

       I njëjti skenar luhet edhe në Kosovë. Në emër të strategjisë mbi “botën serbe” shpalosuar para disa kohësh nga presidenti serb Vuçiç, serbët e Kosovës, në komunat në veri të lumit Ibër, nxisin përplasje dhe trazira të parreshtura. Tani ata duan të marrin pjesë edhe në zgjedhjet e ardhshme në Serbi, duke bërë sikur harrojnë se janë nënshtetas të një vendi tjetër.

        Ndërsa Vuçiçi përkëdhel ëndrrën e “Botës serbe”, Putini nga ana e tij është nostalgjik i thekur i ish perandorisë sovjetike. “Shembja e Bashkimit Sovjetik ishte tragjedia më e madhe gjeopolitike e shekullit të 20-të” – është shprehur disa herë ai. Duke harruar katastrofat e Luftës së Parë dhe të Dytë botërore që I kanë shkaktuar Europës dhe botës mbarë mbi 70 milionë të vrarë.

        Largimin e vendeve të ish – Europës Lindore nga zona e influences ruse dhe integrimin e tyre në NATO dhe Bashkimin Europian, duket se ai nuk e ka gëlltitur dot.  Por kur vuri re se edhe Ukraina po i shpëtonte nga dora duket se ai tha: “Mjaft. Basta”.

        “Perëndimi ka pasë deklaruar se ai nuk do të përfshijë në NATO ish vendet e dala nga Bashkimi Sovjetik. Tani ai po ia bën me sy Ukrainës që të futet në NATO. Kjo do të thotë vendosje e raketave dhe bombave bërthamore në kufijtë e Rusisë. Kjo nuk do të lejohet të ngjasë »- është shprehur udhëheqësi i Kremlinit.  Por ai harron  se çdo vend sovran dhe çdo popull ka të drejtë të bêjë zgjedhjet e tij strategjike.

       Sipas Putinit regjimi i sotëm në Kiev ështê i paligjshëm. Sepse ai erdhi në pushtet në sajë tê një puçi të organizuar nga jashtë. Ky puç, ose ky revolucion, sipas këndvështrimit, që zgjati 5 ditë, u ngjan shumë atyre të pranverës arabe që përmbysën regjimet satrape qê sundonin në Tunizi, Egjipt etj. Por ndryshe nga ngjarjet në vendet arabe në Ukrainë u rrëzua nga pushteti udhëheqësi prorus Janukoviç, që kishte ardhur në pushtet me zgjedhje të ligjshme.

      Situata është tani vërtet e tensionuar. Një përplasje lokale mund të kthehet kollaj në një luftë të re botërore. Aq më shumë që në anën tjetër të globit, Kina, aleate e Rusisë, e ka bërë të qartë se ajo do ta vendosë nën sovranitetin e saj Tajvanin, me të mirë apo me të keq, deri në vitin 2049. Me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Republikës Popullore të Kinës.

        Një fije shkrepse mjafton tani t’i vëjë flakën gjithë globit. Për shembull në rast se Ukraina dërgon trupat e saj për të bërë “zap” rebelët e 2 krahinave të vetshpallura autonome, është shumë e mundshme që 127 000 ushtarët rusë që ndodhen në kufijtë e Ukrainës dhe në Bjellorusi të ndërhyjnë për të “mbrojtur” bashkëkombasit e tyre! Askush nuk është në gjendje të pohojë se çfarë do ngjasë më pas. A do të ndërhyje Perëndimi në mbrojtje të Ukrainës?! Në rast se jo do të pohohet rënia dhe dobësia e tij. Në rast se do ndërhyjë nuk dihet se ku dhe kur do të ndalen flakët e luftës.

     Situata është e rëndë dhe pothuajse shpërthyese. Me pasoja të paparashikueshme. Historianë të shumtë perëndimorë kujtojnë me këtë rast se në kohën kur Hitleri përgatitej të pushtonte Francën, kabaretë e Parisit ishin të tejmbushura me qeflinj që vazhdonin të vallëzonin…

      Nuk thonë kot që historia veçse përsëritet. Një herë si tragjedi dhe një herë si farsë.

                                              

Lini një koment