Saktësisht një vit e dy ditë pasi mbështetësit e ish-presidentit Trump sulmuan selinë e Kongresit amerikan, Kapitolin, mbështetësist e ish – presidentit shqiptar Berisha, po përgatiten të sulmojnë selinë e PD-së. I pari gjeti si pretekt se i vodhën zgjedhjet, i dyti se i vodhën partinë !
Të dy dëshmuan dhe vazhdojnë të dëshmojnë një përbuzje të thellë për institucionet demokratike në vend. Aq sa në Amerikë po pyesin me shqetësim nëse sistemi demokratik amerikan është në rrezik ?!
Në Shqipëri një pyetje e tillë as që shtrohet fare. Se sistemi demokratik në vend nuk ka qënë kurrë i konsoliduar. Sali Berisha mbahet mend, ndër të tjera, edhe për sulmin e armatosur me tanke ndaj institucioneve, kur vartësit dhe besnikët e tij vranë Azem Hajdarin. Tritoli, hedhja në erë e shtyllave të tensionit, deri edhe djegia e portës së kryeministrisë kanë qënë veprime të zakonshme në arsenalin e luftës kundër kundërshtarëve politikë të Partisë Demokratike.
Ndryshe nga sa ka ngjarë dhe ngjan në Shqipëri, në Amerikë deri vitin e kaluar, demokratët dhe republikanët kanë shprehur respektin më të madh ndaj institucioneve të vendit të tyre. Kushtetuta e hartuar që para 250 vjetësh nga « baballarët » e demokracisë amerikane si Abraham Linkoln, Xhorxh Uashington etj është respektuar dhe veneruar siç respektohet një libër i shenjtë. Rezultati i zgjedhjeve është pranuar gjithmonë. Aq sa ka qënë praktikë e rëndomtë që fituesit të zgjedhjeve i është shtrënguar dora nga humbësi.
Në Shqipëri kësaj rradhe konflikti i këtyre javëve të fundit nuk ka të bëjë me përplasjen « klasike » PD – PS, por me një konfrontim brenda llojit. Janë dy PD që luftojnë se kush është më legjitime. Se kush është pronari i vërtetë i SHQUP-it, i vulave, sekretarive, se kush shpreh dhe përfaqëson më mire zërin dhe aspiratat e demokratëve të vërtetë etj etj.
Ishte një luftë kjo e paparashikuar brenda një partie që mburrej se solli demokracinë në vend ! Lulëzim Basha u detyrua nga halli, por edhe nga një lloj iluminiteti i çastit ta largojë Berishën nga grupi parlamentar i PD-së. Si kryetar de jure i Partisë Demokratike ai u gjend para një presioni të fortë nga ana e diplomacisë amerikane. Për të nuk kishte më kthim prapa. Nuk kishte më dorëheqje nga posti, siç ia kërkonte Berisha. Në një rast të tillë ai do rrezikonte të përplasej si me administratën amerikane, por po ashtu edhe me pjesën më fanatike të PD-së, që do ta konsideronin si të dështuar, frikacak etj etj. Aq më shumë që drejtësia shqiptare nuk e ka thënë ende fjalën e fundit përsa i takon vrasjeve të 21 janarit në bulevardin « Dëshmorët e Kombit » ! Dhe ai në atë kohë ishte ministër i brendshëm !
Po Basha nuk parashikoi dot ato ditë reagimin idhnak dhe të dhunshëm të Sali Berishës. Për këtë të fundit përjashtimi nga grupi parlamentar i PD-së ishte njëlloj sikur Akilit të famshëm të mitologjisë helene, t’i hiqnin mburojat dhe pazmoret që e mbronin atë nga çdo armik. I mënjanuar, Berishën nuk do e kishte askush më frikë. Me « munxët” që i dha edhe Amerika, ai e ndjente se shumë shpejt SPAK-u dhe drejtësia e re do trokiste në portën e tij dhe atë nuk kish më kush ta mbronte.
Prandaj lufta dhe përplasjet ndërmjet dy krahëve të PD-së vazhdoi të malcohej çdo ditë e më shumë.
Nuk bëhej më fjalë për parime apo ideologji. Por për të ardhmen personale dhe atë familiare.
Në SHBA pas sulmit mbi Kapitol shteti dhe drejtësia e tij u vunë në lëvizje. Nuk mund të tolerohej një nëpërkëmbje e tillë e institucioneve të shenjta amerikane para opinionit publik vendas dhe atij ndërkombëtar. Shumë nga pjesëmarrësit e atij “marshimi mbi Kapitol” sot gjenden para drejtësisë.
Po çfarë do ngjasë nesër para selisë së SHQUP-it?! Është vërtet kjo një luftë brenda llojit, por që mund të përfundojë me shkatërrime, djegie dhe ndofta edhe lëndime nga të dyja palët. Prandaj shteti dhe drejtësia shqiptare nuk mund dhe nuk duhet të rrinë duarkryq.
Pyetja shtrohet nëse është e ligjshme të ndërhyjnë organizmat shtetërore për të shmangur një skenar të tillë?! Aq më shumë që gjykatat nuk e kanë dhëne ende verdiktin se kujt i takon selia e PD-së, se kush është kryetar i ligjshëm i saj etj etj.
Dhe pa u shprehur gjykatat dhe drejtësia çdo demarsh për marrjen apo mbajtjen me dhunë të selisê sê PD-sê ështê thjesht një vepër e paligjshme.
Një sulm ndaj një selie partie në çdo vend do të konsiderohej si krim i rëndë. Prandaj pronësia mbi PD-në nuk duhet zgjidhur kurrsesi me forcën e muskujve. Pavarësisht se në PD-në e Berishës forca dhe dhuna përbëjnë një praktikë të konsoliduar 20 vjeçare.
Nuk bëhet fjalë këtu për të shpëtuar reputacionin tashmë të përdhosur të Partisë Demokratike. Por atë të shtetit dhe institucioneve të tij. Për interesat personale dhe familjare të një njeriu të vetëm Shqipëria nuk ka pse të zëjë përsëri faqet e shtypit dhe masmediave të huaja.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment