Ditët e fundit vëmendja e bashkësisë ndërkombëtare është përqëndruar drejt një ish – republikë sovjetike, e cila po tronditet nga një valë e paparë deri më sot demonstratash dhe përplasjesh ndërmjet regjimit dhe popullit të saj. Është fjala për Republikën e Kazakistanit. Një vend i stërmadh me një sipërfaqe prej 2 milionë e 725 000 kilometra katrorë dhe me një popullsi prej 19 milionë banorësh.
Që kur u shpall i pavarur, kur ish-Bashkimi Sovjetik u shpërbë në vitin 1991, dhe deri pak ditë më parë, ky shtet konsiderohej si tejet i qëndrueshëm politikisht. Vendi udhëhiqej me një dorë të hekurt nga Nursulltan Nazarbajev, i cili sundoi për 28 vjet me rradhë (1991 – 2019). Pasi i dha emrin e vet ish – kryeqytetit Astana, i cili u pagëzua më 2019 si Nursulltan, Nazarbajev bëri sikur u “tërhoq” nga jeta politike, duke ia lënë në dorë qeverisjen e vendit njeriut të tij të besuar Kasem Jomart Tokaiev.
Megjithëse një vend tejet i pasur në burime nëntokësore, sidomos në gaz, ku për nga rezervat në miliarda metra kub, ai zë një nga vendet e para në botë, popullsia e vendit ka një nivel të ulët jetese. Prandaj një rritje e papritur e çmimit të gazit në vend i vuri flakën vendit. Ka disa ditë që demonstrues të shumtë po përplasen me policinë. Sipas agjencive të lajmeve numri i të vrarëve nga ana e demonstruesve shkon në disa dhjetra dhe ka afro mbi 1 000 të plagosur. Nga forcat e rendit numërohen 18 të vrarë. Situata po bëhet aq kaotike dhe e paparashikueshme saqë Rusia po dërgon trupat e saj për rivendosjen e “rregullit” në vend.
Ky nuk është rasti i parë kur një rritje çmimi e mallrave të nevojës së parë shkakton revolta të papritura dhe të papërmbajtëshme në vende të ndryshme të globit. Analistët dhe komentatorët politikë kujtojnë me këtë rast lindjen e lëvizjes « Solidarnosht” në Poloninë komuniste të fundviteve 1980. Atëhere shkak ishte rritja e çmimit të mishit, i papërballueshëm për shumicën e popullsisë, që solli krijimin e sindikatës së parë të pavarur në vendet e sistemit komunist. Po ashtu duhet kujtuar se një fikje e përkohshme e dritave, disa thonë e qëllimshme, lindi lëvizjen studentore në Shqipëri, që i dha goditjen dërrmuese dhe përfundimtare sundimit të Partisë së Punës.
Kazakistani i stërmadh vuan sot nga po nga të njëjtat simptoma që po vuan Shqipëria gjatë këtyre 30 vjetëve të fundit. Megjithatë është ende shpejt për të kuptuar nëse një “1997” do të përsëritet edhe në këtë republikë ish – sovjetike.
Por ajo që shihet është se Kazakistani me Shqipërinë kanë shumë paralele të ngjashme me njëri – tjetrin. Së pari nga vendosja e regjimeve autoritare pas rrëzimit të sistemit komunist. Ish komunstë, të konvertuar në demokratë brenda 24 orësh, e zëvendësuan diktaturën, të cilës ata i kishin shërbyer deri në minutën e fundit, me regjime autoritare dhe personale. Skenari kazakistanas mund të ishte përsëritur lehtazi edhe në Shqipëri në rast se shqiptarët nuk do ishin treguar aq të zgjuar dhe të mprehtë sa të hidhnin poshtë referendumin e vitit 1994 të hartuar nga presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, që i jepte këtij të fundit prerogativa pothuajse prej udhëheqësi të pakundërshtueshëm.
Por ngjashmëria më e madhe vihet re në fushën ekonomike. Ndryshe nga Shqipëria, Kazakistani nuk kaloi në kolaps pas ndërrimit të sistemit. Populli atje nuk provoi as edhe kataklizmën e piramidave financiare. Por të dy vendet kanë vuajtur gjatë këtyre 30 vjetëve nga dukuria e përbashkët e privatizimeve të egra të pasurive kombëtare. Njerëz të lidhur me pushtetin kanë privatizuar për një copë bukë pasuritë nëntokësore dhe mbitokësore të vendit. Nafta, gazi, minierat, sipërfaqe të mëdha tokësore, ndërtesa dhe ndërmarrje publike kaluan në duar të panjohura privatësh. Dhe sot psh demonstruesit në Astana, Alma Ata dhe qytete të tjera të Kazakistanit janë duke u vënë zjarrin deri edhe ndërtesave qeveritare. Siç shkruajtëm më sipër shkëndija që i dha flakën vendit të rezervave të pafund të gazit është ndarja e padrejtë e pasurisë së përbashkët.
Ndërsa njerëzit në këtë ish republikë sovjetike jetojnë pothuajse në mënyrë mëse modeste, një grup oligarkësh i lidhur me regjimin ka në dorë pjesën dërrmuese të mbi 500 miliardë dollarëve që prodhon çdo vit ekonomia vendase.
Ky është edhe shkaku i zëmërimit të njerëzve në Kazakistan. Që ka shumë aspekte të ngjashme jo vetëm me situatën në Shqipëri më 1997, por në një këndvështrim më të gjërê edhe me politikën ekonomike që është ndjekur në vend gjatë këtyre 30 vjetëve të fundit.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment