Shqiptarët sot nuk kanë nevojë për komunizmin

Publikimi nga ana e një deputeti socialist i një fotoje të flamurit kombëtar, shoqëruar me atë të Enver Hoxhës, ndezi diskutime të zjarrta në mesin e analistëve dhe politikanëve shqiptarë. Disa e mirëkuptuan këtë mesazh si një dëshirë për të nderuar me rastin e 29 Nëntorit komandantin e Luftës Nacionaliçlirimtare. Disa të tjerë u revoltuan duke kujtuar krimet e epokës 45 vjeçare të diktaturës që pasoi çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë.

Megjithëse  është e vështirë të thuhet apo të kuptohet nëse publikimi i kësaj fotoje nga deputeti i parlamentit shqiptar  ishte një nostalgji apo provokim i qëllimshëm –  është e sigurt  se në një masë të konsiderueshme të popullsisë gjallon ende edhe sot  një lloj nostalgjie për atë kohë, ku sipas tyre, sundonte rregulli dhe ligji. Kur psh edhe një femre që kthehej nga puna në mesin e natës nuk guxonte kush t’i hidhte qoftë edhe një fjalë. Pa folur pastaj për zhvillimin e pamohueshëm të vendit në të gjitha fushat.

Por pavarësisht kësaj nostalgjie, deri diku të përligjur, hulumtime tejet serioze kanë dëshmuar se shumica dërrmuese e popullsisë së vendit tonë as nuk ëndërron dhe as dëshiron një rikthim në sistemin e kaluar. Dhe jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjitha vendet e ish-kampit socialist.

Arsyeja është e thjeshtë. Pasi koha provoi dhe dëshmoi se ai sistem ishte i dështuar që në ngjizjen e tij.  Sepse shkelte në mënyrë flagrante dhe mohonte 3 nga parimet bazë që formojnë një shoqëri të lirë dhe të begatë.

Së pari praktika në vendet e sunduara nga ai sistem, duke filluar nga Moska, Tirana dhe deri në Pekin, dëshmoi shkeljen flagrante dhe mizore të të drejtave bazë të individit. Vetëm « zëri i masave » i udhëhequr dhe  komanduar nga partia merrej parasysh.  Individi shkelej me këmbë dhe nuk kish as se ku të ankohej. Shëmbëlltyra më e mirë e kësaj praktike ishte neni 55 i agjitacionit dhe propagandës. Kushdo që shprehte psh pakënaqësinë më të vogël ndaj udhëheqësit të partisë unike të asaj kohe, ndaj qeverisë, ose qoftë edhe ndaj një sekretari partie në rreth apo organizatë, rrezikonte seriozisht të përfundonte në zgafellat e Burrelit apo Spaçit. Ndërsa familja në ndonjë kamp të internuarish apo të dëbuarish!

Së dyti ngaqë sistemi komunist u ngjasonte shumë atyre të Mesjetës së hershme në vendet e Europës Perëndimore. Në vend psh të mbretit “diell”, (Luigji 14 i Francës) në vendet komuniste do të kishim gjithmonë ndonjë lloj sekretar të parë partie,  i transformuar në një lloj gjysmë perëndie, të cilit nuk i bëhej kurrë fjala dysh, i quajtur Enver, Çaushesk  Stalin, Mao Ce Dun, Pol Pot, Kim Il Sung etj etj.

Pasojat e kësaj shtypjeje dhe përqëndrimi të paparë të pushtetit në një parti dhe si rrjedhim në një njeri të vetëm,  pasqyroheshin me gabime dhe përçudnime të tmerrshme edhe në fushën ekonomike. Edhe këtu kishim të bënim vetëm me një lloj prone. – atë shtetërore. Ishte shteti psh që duhej të parashikonte se sa majdanoz ose gjilpëra me kokë ose pa kokë i nevojiteshin popullsisë shqiptare përgjatë një viti! Dhe jo vetëm që prona private pothuajse u eleminua, por edhe puna private shikohej shtrembër. Aq sa u vendosën norma kolektive pune. Individi nuk paguhej më në bazë të rendimentit personal, por në bazë të rendimentit të skuadrës, grupit apo brigadës ku bënte pjesë ! Si pasojë secili përpiqej t’i bënte bisht punës dhe të përfitonte nga djersa e të tjerëve.

Këto zgjedhje të gabuara dhe dogmatike sollën një ndryshim dhe hendek të paparë jo vetëm ndërmjet ekonomive perëndimore të tregut të lirë dhe atyre të planifikuara të vendeve socialiste, por edhe në fushën e të drejtave shoqërore. Sado që vend i mbyllur, edhe në Shqipëri njerëzit ishin në dijeni se tregu perëndimor ishte i përmbytur nga mallrat e konsumit të gjërë. Ndërsa në tregun vendas mungonin deri edhe ato të nevojës së parë dhe jetësore ! Po ashtu shqiptarët e dinin se në Itali, Amerikë, Angli, Francë etj ekzistonte një liri e madhe individuale dhe askush nuk të fuste në burg për një fjalë goje.

Liria e individit, pluralizmi politik dhe ekonomia mikste ( private, publike, ppp-të, joint –ventur etj), pa përjashtuar këtu konkurrencën sa në ekonomi aq edhe në politikë, – ishin « armët » paqësore që i mundësuan botës perëndimore të fitonte betejën me sistemin e qëndërsuar komunist. Udhëheqësi i ish Bashkimit Sovjetik gjatë viteve 1953 – 1963, Nikita Hrushov,  u shpreh gjatë një çasti luçiditeti të rrallë se në betejën ndërmjet të dy kampeve do të fitojë ai kamp që do të ketë rendimentin më të lartë.

Dhe siç pohonte para dy ditësh edhe njëri nga analistët më të respektuar të mediave shqiptare : « Socializmi real as ka gjasa të kthehet dhe as do të kthehet… sepse organizimin e tij ekonomik dhe, për rrjedhojë, rendimentin e tij të pakënaqshëm e të pamjaftueshëm e kundërshtojnë nevojat në rritje ekonomike…V.M. ».

Sot pothuajse gjithë bota ka përqafuar ekonominë e tregut të lirë si mjeti i vetëm dhe i sprovuar i krijimit të begatisë dhe mirëqënies.  Edhe në Shqipëri, pavarësisht deformimeve tragjike dhe keqpërdorimeve të qëllimshme të vëna re gjatë këtyre 30 vjetëve të fundit, tregu i lirë, pluralizmi politik dhe të drejtat e njeriut dhe individit janë shenjtëruar jo vetëm në Kushtetutë por edhe në ndërgjegjen e çdo shqiptari. Të gjithë janë të bindur se Shqipëria nuk ka nevojë të kthehet në sistemin e kaluar për të ecur përpara.

Prandaj pankartat me foton e Enver Hoxhës sot janë më shumë një sfidë dhe një lloj kunji ndaj udhëheqësve të dështuar vendas të këtyre 30 vjetëve të fundit, sesa ndonjë dëshirë apo aspiratë për rikthimin e regjimit të shkuar, i përmbysur një herë e mi

Viron Gjymshana

Lini një koment