A i interesonte dyshes Rama – Basha shpallja « non grata » e Berishës ?!

     Shumë mbështetës dhe militantë të Berishës si dhe një shumicë analistësh të mediave përkrahin me forcë opinionin e Berishës se shpallja e tij « non grata » erdhi si pasojë e lidhjeve të forta të Ramës me familjen Soros. Dhe lidhjen edhe më të fortë akoma të filantropit Xhorxh Soros me shefin e diplomacisë së jashtme amerikane, Blinken.

       Sipas tyre me këtë goditje me spond, Rama i hapi rrugën Bashës për të mbetur kryetari i vetëm de fakto dhe de jure në krye të PD-së. Përjashtimi i Berishës nga grupi parlamentar duket se e vulosi përfundimisht këtë strategji.

       Rama, si dhe gjithë opinioni publik shqiptar e dinin mirë se ai që luante fijet pas perdeve ishte Berisha. Destabilizimi i vendit, turbullirat në parlament dhe jashtê tij kishin vetëm atê si frymëzues. Basha nuk ishte veçse një marionetë në duart e tij. Këtë e dinte edhe Basha vetë. Që të kthehej në një kryetar të vërtetë partie Bashës i duhej të « vriste » babain e tij ideologjik. Por vetë ai nuk e ndërmerrte dot kurrë një veprim të tillë. Prandaj ndihma i erdhi nga përtej Atlantikut. Njerëz të caktuar në Departamentin Amerikan të Shtetit mbajnë gjithmonë një sy nga Shqipëria. Sidomos tani kur në fuqi ka ardhur presidenti Biden, njohës i mirë i çështjeve ballkanike.

       S’ka asnjë dyshim se Rama ka pjesën e vet në këtë skenar. Kësaj i thonë me një gur të vrasësh dy zogj. Nga njëra anë shkatërrimi i imazhit të atij që përgjatë 30 vjetëve të fundit ka bërë kohën e mirë dhe të keqe në këtë vend. Dhe nga ana tjetër përçarjen e partisë më të madhe opozitare.

        Dhe kështu Rama fitoi çfarë deshi. Dallgët dhe tallazet përplasen tani te Basha. Por edhe ky i fundit nuk kishte çfarë të bënte tjetër. Të mos e përjashtonte Berishën nga grupi parlamentar dhe të jepte dorëheqjen do të thshte që ai të mbetej cullak në mëshirë të erërave dhe mërive tê egra që do i vinin nga Uashingtoni. Nga ana tjetër as PD-ja dhe as Berisha nuk do të donin ta mbronin, si dikush që ishte larguar nga “fronti” i betejës. Dhe mbi Bashën rëndojnë akuza të llahtarshme. Vjedhja e 250 milionë dollarëve në Rrugën e Kombit, vrasja e 4 protestuesve në bulevard, kur ai ishte minister i jashtëm, shitja e detit Greqisë kur ai me ministreshën e jashtme të Greqisë Bokojanins nënshkruan marrëveshjen për shelfin detar etj. etj.. Pra dorëheqja e tij si dhe largimi nga fronti rrezikonte kthimin e tij në një “kokë turku” për të gjitha dramat e dhimbshme luajtur në territorin shqiptar gjatë këtyre 10 vjetëve të fundit.

        Edhe Rama kishte interest e veta në këtë lojë. Forca e Berishës përbënte gjithmonë një kërcënim për të. Megjithatë ai, njëlloj si Nano më parë, nuk dëshironte një Berishë të kallur në dhé. Gogoli Berisha i shërbente më së miri atij për të fituar dhe rifituar zgjedhjet sa herë të donte. Prandaj ai nuk ndërmerrte asnjë hap për të nisur një process gjyqësor ndaj rivalit dhe kundërshtarit të tij politik. Por një Berishë i plagosur i konvenonte aq mirë sa atij, aq edhe Bashës. I vdekur, por i pakallur në dhé, – kjo ishte strategjia djallëzore e Ramës. Të cilën ai e realizoi me sukses të plotë.

     Berisha, që veçse budalla nuk është, e kuptoi skenarin. Ai do të transformohej kështu pak nga pak në një lloj dordoleci që do trembte vetëm kalamajtë e vegjël. Ndofta ai nuk do të prekej, po kush i garantonte atij se Argita me Shkëlzenin nuk do të viheshin një ditë para togave të zeza të drejtësisë?!
Prandaj ai po përpiqet me forcen e dëshpërimit që të ringjallet edhe një here tjetër si feniksi. ”Jam i gjallë e jam në jetë, mos kujtoni se kam dek” – u drejtohet ai miqve dhe armiqve të tij nga foltoret e shpeshta ku merr fjalën.

      Po si do përfundoi kjo tragji-komedi?! Askush nuk e ka të qartë. Por ndryshe nga spekullimet e disa analistëve, Berisha nuk do të formojë parti të re. Ai do që të rivëjë në dorë PD-në, që e konsideron si pronë të tijën personale. Po a do ta lejojnë Tirana dhe Uashingtoni këtë?! Se i mbyturi të mbyt. Dhe nuk dihet se çfarë skenaresh mund t’i vijnë në mendje Berishës për t’u rikthyer në “faktor”, duke rindezur zjarret në Ballkan?!

      Sidoqoftë PD-ja, qoftë nën udhëheqjen e Bashës, qoftë nën udhëheqjen e Berishës, është tashmë një parti e shkapërdarë. Berisha vet i ngjan një bishe të plagosur që lufton thjesht për mbijetesë. Por që nuk ka më fuqi të kafshojë.

      Rama dhe Basha janë fituesit e vetëm të kësaj melodrame. Basha u la nga “gjynahet”. Me atë nuk do merret më as FBI-ja, as Cia dhe as SPAK-u.  Ato i mbesin Berishës. Ndërsa Rama ka tani luksin të qeverisë i qetë të paktën deri më 2025-ën. Deri atëhere nuk dihet se çfarë bën Perëndia.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment