Gjithë bota është duke u çuditur sot me zhvillimin e jashtëzakonshëm të Kinës gjatë këtyre 3 dhjetvjeçarëve të fundit. Ekonomistë të shquar, analistë të tregjeve botërore, studiues të shkencave ekonomike etj etj po e analizojnë këtë zhvillim të paparë në historinë njerëzore nga të gjitha anët dhe këndet. E vërteta është se në Kinën e Mao Ce Dun-it dhe Ten Hsio Pin-it prodhimi i përgjithshëm bruto gjatë këtyre 30 vjetëve të fundit është 17 –fishuar! Kinezët po njohin tani një begati dhe mirëqënie të paparë. Ndërsa vetë Kina po kthehet pak nga pak në superfuqinë numër një në botë.
Në vitin 1992, politologu amerikan, Francis Fukuyama shpalli me pompozitet “Fundin e Historisë » ?! Tani që Bashkimi Sovjetik u shemb Njerëzimi hyn në një fazë të re zhvillimi – pohoi ai. Bota do të njohë një begati të paparë ndonjëherë. Të dehur nga fitorja mbi perandorinë komuniste, sistemi liberal dhe ekonomia e tregut mëtonin tani njëhsimin ekonomik të mbarë botës nën udhëheqjen amerikane.
Shpartallimi i sistemit komunist dukej se provonte me forcë pikëpamjen liberale sipas së cilës kapitalizmi dhe jo komunizmi, i shkonte për shtat praktikës dhe historisë së Njerëzimit. Nëqoftëse sistemi i centralizuar komunist dështoi, kjo dëshmon thjesht se ai nuk ishte i denjë të mbijetonte – pohonin ithtarët e neoliberalizmit perëndimor.
Por përkrahësit e kësaj teze mbështeteshin edhe në një argument tjetër të fuqishëm. Suksesi i reformave ekonomike liberale të nisura në Kinë që nga vitit 1979, nën drejtimin e reformatorit Ten Hsiao Pin, dëshmonte qartazi, sipas tyre, epërsinë e sistemit kapitalist, ndaj gjithë të tjerëve.
Njëlloj si rënia e sistemit sovjetik dëshmonte superioritetin e sistemit liberal kapitalist ndaj atij të ekonomisë së centralizuar komuniste, edhe “kthesa” kineze drejt praktikave kapitaliste i vinte “vulën” çdo lloj konkurrence dhe ndeshjeje midis dy sistemeve kryesore të shekullit të 20-të – theksonin me krenari mbështetësit e kapitalizmit liberal.
Po a është vërtet kështu?! Ka shumë studiues dhe ekonomistë që nënvizojnë se midis “kapitalizmit” kinez dhe atij perëndimor gjëndet një humnerë e tërë. “Për të kuptuar gabimin e mbështetësve të sistemit liberal duhet si fillim të kujtojmë se çfarë është kapitalizmi. Cila është karakteristika kryesore e tij” – pyesin ata dhe përgjigjen po vetë: Kapitalizmi është një sistem ekonomik i mbështetur mbi pronën private të mjeteve të prodhimit.
Historia dëshmon se sistemi i mbështetur mbi ekonominë private pothuajse u çrrënjos gjatë 35 viteve kur Kina sundohej nga Mao Ce Duni (1945 – 1979). Por me ardhjen në pushtet të Ten Hsiao Pin-it shumë reforma kapitaliste u ndërmorrën në vend. Por… (sepse gjithmonë ka një “por” të rëndësishëm), këto reforma u ndërmorrën nga shteti dhe nën udhëheqjen dhe kontrollin e tij të plotë. Ishte një vendim politik i studiuar mirë: reformat ekonomike duhet të sillnin një rritje të nivelit të jetesës së popullsisë dhe të fuqizimit të gjithanshëm të shtetit. Dhe mjeti për të arritur këtë qëllim ishte “hapja” dhe vënia në jetë e rregullave të “ekonomisë së tregut”. Ten Hsia Pini e përmblodhi shkurt këtë “kthesë” rrënjësore të vendit kur u shpreh: “Nuk ka rëndësi nëse macet janë të bardha apo të zeza. Me rëndësi është që ato të kapin minjtë”! Një pragmatizëm ky që binte ndesh me çdo lloj dogmatizmi që sundonte deri atëhere në të gjitha vendet e ish- kampit socialist.
”Udhëheqësit kinezë synonin që reformat dhe tregtia të forconin ekonominë kombëtare, dhe jo ta dobësonin. Të arrinin Perëndimin dhe ta kalonin” – vinin në dukje në veprën e tyre “Ruga kineze drejt kapitalizmit” studiuesit Michel Aglietta dhe Guo Bai.
Kina krijoi me këtë rast edhe zonat e saj të lira të prodhimit dhe eksportit pa asnjë lloj takes dhe me një kosto të fuqisë punëtore tejet të ulët. Drejt tyre u sulën industrialistët dhe prodhuesit e materialeve elektronike, tekstile, kimike nga e gjithë bota perëndimore. Duke marrë me vete edhe ajkën e teknologjisë më të fundit të shpikur në vendet e tyre! Kështu ngjante që prodhimi i mallrave me kosto tejet të ulët të bëhej në Kinë dhe prodhimet me teknologji të lartë perëndimore të shiteshin po në vendet perëndimore! Dhe falë krahut të lirë të punës ato rivalizonin dhe falimentonin fabrikat dhe uzinat vendase në Perëndim!
Sipas përkrahësve të rrugës së “socializmit kinez”, krijimi në vend i një elite kapitalistësh nuk e kthen Kinën në një vend kapitalist. Sepse atje mjetet e prodhimit mbeten pothuajse tërësisht në duart e shtetit të kontrolluar nga Partia Komuniste. Është ajo me 90 milionë anëtarët e saj që kontrollon dhe drejton gjithçka.
Sipas ekonomistit francez Jean Louis Beffa sistemi kinez i ekonomisë private të kontrolluar nga shteti përbën të vetmen alternative të mundshme ndaj kapitalizmit të sotëm liberal. “Ekonomia atje drejtohet me dorë të hekurt nga shteti, i cili nga ana e tij është nën “hyqmin” Partisë Komuniste dhe jo nga “dora e padukshme e tregut”, siç ngjan rëndom në vendet perëndimore” – vë në dukje ai.
Një tabllo krejt të kundërt kemi në Shqipërinë e fillimviteve 1990. Situata në ato vite ishte krejtësisht e dalë jashtë kontrollit. Ekonomia pothuajse ishte paralizuar. Shqipëria i ngjante një lokomotive që gulçonte. Herë merrte hov të nisej, dhe herë ngecte në vend. Ndryshimet politike në vend kërkonin domosdoshmërisht të shoqëroheshin edhe me ndryshime të thella ekonomike.
Pyetja shtrohej se si dhe çfarë duhej bërë me këtë « lokomotivë » ?! Të çohej për skrap apo të riparohej dhe mirëmbahej derisa vendin e saj ta zinte një makinë e re moderne, e siguruar ndofta nga ndonjë çek i bardhë ?! Me fjalë të tjera a nuk do të ishte më mirë që kjo “lokomotivë” të vihej në “shinat” e ekonomisë së tregut, siç bëri Ten Hsiao Pini në Kinë, sesa të lihej të shkatërrohej totalisht ?!
Por që ekonomia shqiptare të kalonte nga ajo e centralizuar në atë të tregut, nevojitej një « makinist » i aftë.
Gjatë viteve 1970 në kinematë e Tiranës shfaqej filmi i huaj « Rrethi ». Gjatë një episodi, njëra nga personazhet e dramës i tha shemrës, që i kishte rrëmbyer burrin se : « Unë i besova atij, se ai më premtoi se do më çonte në parajsë » ! « Dhe a të çoi ?! » – e pyeti tjetra gjithë djallëzi. « Asnjë shpresë. Ai nuk e di rrugën për atje » – ishte përgjigja fshikulluese e gruas së braktisur.
Dhe duket se edhe ata, që gjatë viteve 1991-1992 i premtuan shqiptarëve parajsën, nën thirrjen « Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa », nuk e dinin rrugën për atje. Madje ndonjë kishte harruar edhe shtegun e dhive !
E keqja është se 30 vjet më pas po vazhdohet të ecet në të njëjtën rrugë. Fjala “ndërmarrje shtetërore ose publike” është hequr nga qarkullimi. Më keq akoma ajo duket sikur është e urryer. Shteti sot nuk ka psh as edhe një ndërmarrje preventimi, që të mund të llogarisë me ekspertë të pavarur koston e vërtetë psh të ndërtimit të një rruge. Që të mos arrijmë shifrat e tashme astronomike që ia kalojnë edhe Austrisë apo Italisë. Dhe në vend që të planifikojë rritjen e prodhimit të brendshëm bruto, me anë të ngritjes apo ringritjes së fabrikave apo uzinave të përpunimit të lëndëve të para, qeveritë e tashme dhe të shkuara merren me ndërtimin e rrugëve, porteve dhe aeroporteve. Jo se ato nuk duhen. Por se janë dytësore krahasuar me nevojën e rritjes së prodhimit të brendshëm bruto. Po ashtu qeveritë vazhdojnë të mbështeten dhe të punojnë vetëm me oligarkët privatë duke u dhuruar atyre si tenderat, por ngandonjëherë edhe financimet në para për realizimin e tyre nga buxheti i shtetit! Me një fjalë rrumpalla vazhdon…
Përgatitur nga
Viron Gjymshana

Lini një koment