Me dhjetra herë e përmendi mbrëmë Sali Berisha termin “Sovranizëm” në emisionet e Çim Pekës dhe Blendi Fevziut. Veprimin e Bashës, pra dëbimin e tij nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, Berisha e konsideroi pothuajse si tradhti jo vetëm ndaj PD-së, por ndofta edhe ndaj vetë kombit shqiptar. “Unë po përjashtohem se jam shprehur kundër ndarjes së Kosovës. Edhe shpallja ime non grata nga departamenti amerikan i shtetit është kryer nga dyshja e korruptuar e Edi Ramës me Xhorxh Sorosin – ishin justifikimet e atij që nga sot e tutje nuk do të jetë më pjesë e grupimit parlamentar të PD-së në Kuvend.
Në fakt shqiptarët, sidomos ata në moshë të thyer, e kanë dëgjuar me mijëra herë fjalën “sovranitet”, apo që “edhe bar do hamë, por parimet nuk i shkelim” – gjatë kohës kur vendi sundohej me dorë të hekurt nga Enver Hoxha.
Por mbrëmë u vu re edhe një paralele e çuditshme ndërmjet “sovranitetit” të Enver Hoxhës dhe atij të Sali Berishës. Të dy e lidhnin pavarësinë dhe sovranitetin e vendit me interesin e tyre personal
Në emër të këtij sovranizmi” Shqipëria, në kohën e diktaturës, u mbyll nga bota saqë po bëhej pak nga pak realitet edhe ngrënia e barit. Enver Hoxha e përdori me shumë sukses konceptin e sovranitetit të vendit të kërcënuar nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm, si një mjet për të mbetur përjetësisht në pushtet.
Këtë metodë duket se kërkonte ta përdorte edhe ai që për 25 vjet me rradhë ishte një militant i flaktë i partisë së Enver Hoxhës. Në emër të ruajtjes së pushtetit vetjak Enver Hoxha u prish si me Moskën ashtu edhe me Pekinin kur këto filluan “hapjen” me Perëndimin. Edhe për Sali Berishën prishja me aleatin strategjik të kombit shqiptar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duket se është më pak e rëndësishme se karriera dhe pushteti i tij personal.
Por këtu ka një problem të madh. Për çfarë shitje sovraniteti e ka fjalën Sali Berisha dhe te kush është shitur ky “sovranitet”?! Kush është sot armiku i brendshëm dhe i jashtëm?!
Çuditërisht asnjë prej drejtuesve të emisioneve të mbrëmshme nuk e pyeti “Doktorin” se për çfarë sovranizmi është fjala dhe ku qëndron rreziku i shitjes së këtij “sovraniteti”?!
Sot të gjitha vendet e rruzullit jetojnë në një botë globale dhe të ndërlidhur. Secili ka hequr disi dorë nga sovraniteti i shekullit të kaluar për pasur për më shumë liri dhe begati. Shembull i pakundërshtueshëm është ai i vendeve të Bashkimit Europian. Franca, Italia, Gjermania etj kanë hequr dorë prej kohësh nga interesat e ngushta individuale duke u dalë për zot më shumë atyre të Unionit.
Në fakt, një njeri normal, i gjendur nën kushtet dhe situatën e Sali Berishës, do të mendonte më parë për të mirën e vendit edhe të partisë, sesa për interesin e tij personal. Normalisht ai duhej ta shpallte vetë largimin nga grupi parlamentar i PD-së. Duke u paraqitur, qoftë edhe sa për sy e faqe, si kandidat i pavarur. Por ai u kap me thonj e me dhëmbë pas PD-së si i mbyturi që kapet pas flokëve të vet. Duket se për të PD-ja paraqiste gomën e tij të vetme të shpëtimit nga akuzat që i vinin sa nga brenda edhe nga jashtë vendit.
Ai e vuri edhe Lulzim Bashën para zgjedhjes hamletiane : o do mbante Berishën dhe do fundosej bashkë me të, ose do ndahej nga ai dhe do të shpëtonte veten dhe PD-në.
Sepse kërkesa për largimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së i ka ardhur direkt Lulzim Bashës nga vetë përfaqësuesja e departamentin amerikan të shtetit, Yuri Kim. Ndryshe PD-ja do pësojë fatin e Berishës, pra do hajë bar, – theksoi ambasadorja amerikane në Tiranë.
Por për Berishën puna ishte ndryshe: “Le të kishte dhënë më mirë 5 herë dorëheqjen sesa më shiti mua” u ankua përsëri njeriu që është akuzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si minues i demokracisë, pengues i sistemit të drejtësisê dhe përdorues i pushtetit për të pasuruar një grup politik pranë tij si dhe familjen.
Por Lulzim Basha pas tërci vërceve të pafundme duket se e kuptoi se nuk kishte asnjë interes të lidhte fatin e tij me atë të një të mbyturi. Dhe ai zgjodhi Amerikën, Pd-në dhe… kokën e tij.
E çara midis kryetarëve de fakto dhe de jure të PD-së është tashmë e pariparueshme dhe nuk mbyllet dot më. I ngelet tani vetëm anëtarësisë së Partisë Demokratike të vendosë me gjakftohtësi dhe mënçuri se krahun e kujt do të mbajë. Do të mbështesë një PD të re, moderne dhe pa Sali Berishën apo do mbajë Sali Berishën dhe do fundoset bashkë me të.
Viron Gjymshana

Lini një koment