Edhe pak dhe Amerika do përkujtojë ngjarjen e dhimbshme të 11 shtatorit 2001. Atëhere kur 19 terroristë kamikazë, nga të cilët 15 nga Arabia Saudite, sulmuan dhe shkatërruan dy Kullat Binjake të Nju Jorkut. Duke shkaktuar me mijëra viktima. Dhe me të drejtë që Amerika reagoi fuqishëm. Bazat e terroristëve në Afganistan u shkatërruan të tëra. Afganistani u pushtua ushtarakisht. Më pas ideatori dhe organizatori i sulmeve që gjakosën Amerikën, Osama Ben Laden, u ekzekutua në afërsi të kufirit pakistanezo- afgan.
Më 2001-in Amerika ishte në kulmin e fuqisë së saj. Rusia ishte në kolaps, ndërsa Kina sapo kishte filluar ngritjen. Por që atëhere kanë kaluar 20 vjet. Kina është fuqizuar frikshëm, ndërsa Rusia e Putinit ka ringjallur gjithë arsenalin e saj të luftës. Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpenzonin energji dhe miliarda për të mbajtur në këmbë regjimin e korruptuar të Kabulit.
Sipas së përdyjavshmes “Forbes” SHBA kanë shpenzuar në Afganistan dhe Irak afro 2000 miliardë dollarë! Dhe erdhi një ditë që u kuptua se të gjitha përpjekjet për ta transformuar Afaganistanin në një vend demokratik, ku të respektoheshin të drejtat e Njeriut, sidomos ato të grave, kishin vajtur kot. Amerika u tërhoq. Nuk ishin talebanët që e fituan luftën, por arsyeja e shëndoshë që fitoi ndaj krenarisë së kotë.
Shumëkush, sa në Shqipëri po aq edhe në Perëndim, e trajtoi këtë tërheqje sipas bindjeve dhe oreksit të vet. Në Shqipëri dhe Kosovë madje pati zëra që vunë në dukje se që sot e tutje as Kosova nuk është më e sigurt. Ndërsa filozofi I njohur francez Bernard Henri Levi, mbështetës i fuqishëm i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë më 1999-ën, nuk e fshehu dot as pesimizmin dhe as dëshpërimin e tij. “Unë sot nuk dua të jem as tajvanist, as korean, as japonez, as armenian dhe as ukrainas” u shpreh ai! Vende këto që deri më tani kanë gëzuar mbështjetjen e pakufizuar të Uashingtonin. Njëlloj si Izraeli! Apo si Kosova.
Sepse në politikë ekzistojnë si interesa afatshkurtra, por edhe objektiva strategjikë afatgjatë. Koha ka vërtetuar se kombi shqiptar hyn në kategorinë e dytë. Themeluesi i Amerikës, Xhorxh Uashingtoni, mbrojtësi I të drejtës së popujve për vetvendosje, Uithdrou Uillson, çlirimtari I Kosovës Bill Klinton janë disa nga figurat më të njohura dhe të respektuara amerikane që përgjatë 200 vjetëve kanë qënë në krah të kombit shqiptar.
Dhe ka shumë gjasa që kjo përkrahje të vazhdojë edhe gjatë dhjetvjeçarëve të ardhshëm.Sepse Fuqitë e Mëdha kanë interesat dhe synimet e tyre strategjike afatgjata. Është e njohur psh mbështetja historike që Serbia ka pasur që nga Rusia e carëve dhe deri më sot.
Dhe Rusia sot përfaqëson një fuqi të madhe që lufton për shtrirjen dhe mbrojtjen e ineteresave të saj nga Mesdheu gjer në Detin e Kinës. Rasti i Sirisë është shumë domethënës. Moska kishte në Siri bazën e vetme ushtarake në Mesdhe. Dhe ajo e mbrojti fuqishëm regjimin e Asadit jo vetëm nga kalifati islamik, por edhe nga ndërhyrja
perëndimore. Dhe si për të pasur një plan B, Rusia në bahkëpunim me Beogradin, u përpoq para disa vjetësh të organizojë një grusht shteti në republikën e Malit të Zi. Ndofta një bazë detare atje do të zëvendësonte bazën e Pashalimanit në Karaburun që Moska e humbi fiks 60 vjet më parë!
Ndërkohë që mbahet mend mirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës u investuan fuqishëm në një bashkëpunim ushtarak me Shqipërinë që në fillimet e demokracisë më 1992. Pranimi i Shqipërisë në Nato, nuk i shtonte asnjë peshë fuqisë ushtarake Organizatës së Atlantikut Verior, por ai gjest kishte domethënie të madhe politike dhe strategjike. “Ky vend na takon neve”! Sot Amerika e ka parë të nevojshme të ripërtërijë ish bazën ajrore të Kuçovës, ku do të investohet sa ushtarakisht, por aq edhe nga ana financiare. Së bashku me bazën ushtarake të Bondstillit në Kosovë këto përbejnë dy qëndra nevralgjike të SHBA-ve në Shqipëri dhe Kosovë.
Sepse Kosova ndryshon kryekëput nga Afganistani. Atje një pjesë e konsiderueshme e banorëve të tij e kanë konsideruar vazhdimisht praninë amerikane si një lloj pushtimi. Krejt ndryshe nga shqiptarët e Kosovës që Amerikën e konsiderojnë me të drejtë si çlirimtarin dhe mbështetësin e tyre kryesor.
Po ashtu shumica e kombit shqiptar për nga raca, kultura, qytetërimi, traditat, historia etj ndjehen dhe janë europianë dhe perëndimorë. Një trend ky që përkon edhe me strategjinë e kombit shqiptar.
Rilindasit tanë me të drejtë kanë pasë theksuar se për shqiptarët Dielli lind nga Perëndimi. Prandaj veçanërisht Kosova, por deri diku edhe Shqipëria, duhet ta kenë parasysh këtë mesazh të rëndësishëm të lënë nga të parët tanë. Tjetër është kultura arabe islamike dhe krejt tjetër ajo perëndimore. Siç janë shumë larg njëra tjetrës zhvillimi ekonomik, kultural dhe industrial i të dy qytetërimeve.
Në këtë kuptim është naivitet çdo lloj “karshilliku” psh i Prishtinës ndaj Uashingtonit. Sepse interest e Uashingtoni dhe Prishtinës përputhen. Kosova do të ketë nevojë edhe për 100 vjetët e ardhshëm për Amerikën. Gjithë zërat dhe veprimet që duan ta largojnë që andej, në emër të një lloj sovraniteti fals janë vetvrasës për të ardhmen e saj.
Bota sot është po aq e trazuar sa edhe 100 vjet më parë. Të gjitha shtete vazhdojnë pa pushim armatosjen dhe shtimin e arsenaleve të tyre ushtarake. Se po luftohet deri edhe për ruajtjen apo fitimin e supremacisë në rang botëror. Dhe historia ka dëshmuar se si përfundon njerëzimi gjatë këtyre përplasjeve. Madje me dërgimin e raketave dhe satelitëve deri në Mars edhe ish “Lufta e yjeve » duket se po kthehet në realitet.
Në këto kushte, dhe duke pasur parasysh sidomos pafuqinë e tyre ushtarake, Prishtina dhe Tirana duhet veçse të luftojnë në ruajtjen e aleatit apo aleatëve të tyre strategjikë. Çdo veprim tjetër, apo kthim koke drejt horizonteve të tjera, bie ndesh me interesin kombëtar.

Lini një koment