Paradoksi i të qënit i lirë, kur vendi është i pushtuar

Kryeministri Rama deklaroi më 31 gusht se” Për gati 50 vjet, ne aspironim të kishim lirinë që shijuan afganët gjatë 20 viteve të fundit dhe që tani duket se do ta humbasin…Vetëm 30 vjet më parë, ne ishim afganë në bregdetin Adriatik, duke u përpjekur dëshpërimisht për t’i shpëtuar “talebanëve të kuq” të Tiranës”!

E vërteta është se Afganistani e “kërkoi » pushtimin e vendit të tij. 20 vjet më parë ai ishte kthyer në çerdhen e terrorizmit islamik në botë. Aty ishin planifikuar edhe goditjet e 2 kullave binjake të Nju Jork-ut. Strehimi në këtë vend i kryeterroristit të njohur Osama Ben Laden ishte po ashtu një provë e fortë e implikimit të terroristëve islamikë në sulmet e tyre kundër objektivave civile dhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në atë kohë e gjithë bota demokratike dhe përparimtare e mbështeti këtë ndërhyrje të armatosur të Uashingtonit kundër Kabulit. Aq më shumë që qeveria e kryesuar nga talebanët njihej tashmë në mbarë botën si një pushtet anakronik, retrograd dhe shtypës i paparë i lirive të popullit afgan dhe sidomos të të drejtave legjitime të grave.

Por që atëhere kanë kaluar 20 vjet. Dhe koha tregoi që amerikanët nuk kishin një strategji “dalëse” nga gropa thithëse afgane. Humbje njerëzore si dhe humbje materiale dhe financiare që i kalonin 83 miliardë dollarët. Në një luftë që nuk i dihej fundi dhe që për më shumë nuk dihej as se pse vazhdonte! Bazat e talebanëve në qytete ishin shkatërruar tëresisht. Udhëheqësi i Al Kaedës, Osama Bin Laden, ishte ekzekutuar nga forcat amerikane pas një sulmi blitz në perëndim të Pakistanit.

Amerika tashmë kishte të tjera përparësi sesa të vazhdonte të ndiqte disa grupe talibanësh të fshehur nëpër male.

Erdhi koha dhe duket se u kuptua se Afganistanin duhet ta administronin vetë afganët. Sipas traditave dhe zakoneve të tyre. E vetmja gjë që i interesonte Perëndimit ishte që të mos përsëritej një 11 shtator bis. Pra që ky vend të mos rikthehej në një çerdhe të fondamentalizmit islamik botëror. Për këtë u morën garanci nga talebanët gjatë takimeve që amerikanët zhvilluan me ta në korrikun e vitit të kaluar në Doha të Katarit !

Sot në Afganistan nuk ka më këmbë ushtari amerikan. As anglez dhe as gjerman. Nga pikëpamja legale Afganistani sot është i lirë. Ndofta nesër 30 gushti i vitit 2021 mund të shpallet dhe festohet si dita e çlirimit të vendit.

Por pyetja që shtrohet është : Afganistani pa asnjë dyshim është sot i lirë dhe i pavarur. Po afganasit a janë vallë më të lirë sot sesa dje ?! Apo ndryshe: A mund të jetë një popull i lirë kur vendi i tij është i pushtuar?!

Për kryeministrin shqiptar përgjigja është e qartë: afganët ishin të lirë, ndërsa sot rrezikojnë ta humbasin lirinë!

 Dhe padashur kthehemi kështu te historia jonë. Përgjatë 45 viteve 1945 – 1990 Shqipëria ishte e lirë dhe sovrane. Askush nuk guxonte t’i prekte kufijtë saj. Por kur regjimi ra, shqiptarët “e lirë” morrën arratinë.

“Vetëm 30 vjet më parë, ne ishim afganë në bregdetin Adriatik, duke u përpjekur dëshpërimisht për t’i shpëtuar “talebanëve të kuq” të Tiranës” – pohoi kreu i qeverisë shqiptare.

Dhe këtu ka vetëm një përgjgje. Ka dy lloje pushtimesh dhe shtypjeje. Ai klasiku: i jashtëm me tanke dhe ushtarë të armatosur dhe ai i brendshëm: diktatorial, që gjallon nga frika që ngjall te shumica e popullsisë aparati i tij shtypës dhe mizor.

Në të dy rastet liria nuk ekziston.

Viron Gjymshana

Lini një koment