Integrimin në BE e ka penguar vetë politika shqiptare

-Kryeministri Rama në Bruksel-

Shqipëria mbetet edhe sot e kësaj dite i vetmi vend i ish Europës Lindore që nuk është anëtarësuar ende në Bashkimin Europian. Duke përjashtuar këtu disa nga vendet e dala nga ish –Jugosllavia, e përgjakur nga luftrat etnike dhe fetare, të nxitura nga politika nacionaliste e ish –presidentit Sllobodan Millosheviç.

Megjithatë dy vende të ish – Jugosllavisë, Kroacia dhe Sllovenia, janë tashmë prej vitesh anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Europian. Mali i Zi i ka nisur prej kohësh bisedimet për një anëtarësim të pritshëm në BE. Shqipëria dhe Maqedonia për shkaqe të ndryshme janë ende në kërkim të nisjes së këtyre bisedimeve, që edhe nëqoftëse fillojnë nuk dihet se kur mbarojnë.  

Bosnja dhe Kosova mbeten në fund të “karvanit”. Ndërsa Serbia vetpengohet në aspiratën e saj për anëtarësim duke refuzuar me kokfortësi të pranojë njohjen e Kosovës së pavarur, por njëkohësisht edhe për shkak të politikës së saj të “dy karrigeve”.

Beogradi përpiqet të ndjekë sot politikën që ndiqte Titoja në kohën e luftës midis dy blloqeve. Pra që ta mbante sa më mirë që të ishte e mundur si me Perëndimin ashtu edhe me ish Bashkimin Sovjetik dhe satelitët e tij. Pa harruar këtu rolin e tij përparësor në krijimin e bllokut të vendeve “të paangazhuara”.

Edhe sot Beogradi përpiqet të hajë me dy lugë: nga njëra anë dëshiron të anëtarësohet në BE, dhe nga ana tjetër e konsideron Rusinë si aleatin e saj strategjik. Bashkimi Europian është pezmatuar shpesh herë me Beogradin, kur ka vënë re se sa here që i është kërkuar të tregohet realist me statusin e pavarur të Kosovës, udhëheqësit serbë kanë marrë turravrapin drejt Moskës për tu ankuar dhe gjetur atje mbështetje dhe mirëkuptim.

Por sidoqoftë problemet e vendeve të ish – Jugosllavisë normalisht nuk duhet të kishin të bënin me Shqipërinë.

Në fillimet e viteve ’90 Shqipëria, si gjithë vendet e tjera të ish Lindjes, kishte shpëtuar nga sistemi njëpartiak diktatorial. Normalisht ajo nuk duhej futur në një rradhë me vendet e dala nga ish Jugosllavia, disa prej të cilave ose nuk kishin qënë kurrë të pavarura, ose e kishin humbur pavarësinë kur u futën me hir apo me pahir nën suazën njëherë të ish mbretërisë jugosllave dhe pastaj nën atë të Republikave Federale Socialiste të Jugosllavisë.

Në rast se politikanët shqiptarë të asaj kohe do të ishin treguar pak më atdhetarë dhe dinjitozë Shqipëria kishte shumë mundësi që të ishte sot si  Lituania, Letonia, Estonia apo edhe Sllovakia. Që edhe këto janë vende relativisht të vogla si në sipërfaqe ashtu edhe në numër popullsie. Por që prej 2 dekadash janë pjesë e Unionit.

Dhe rasti i shumëpritur u paraqit si me magji. Më 28 prill 1995, komisioneri i Bashkimit Europian, përgjegjës për zgjerimin, Hans van den Bruk, vizitoi Tiranën. Me tu kthyer në Bruksel, zyrtari i lartë deklaroi se edhe me Shqipërinë mund të nënshkruhej një marrëveshje asocimi, njëlloj si ato që Bashkimi Europian kishte nënshkruar deri atëhere me 10 vendet e tjera të Europës Qendrore dhe Lindore. Deklaratë që zgjoi menjëherë debate të zjarrta dhe diskutime të shumta sa në mjediset e Bashkimit Europian, aq edhe në masmedian perëndimore. Shtypi ndërkombëtar reagoi me nervozizëm dhe ashpër ndaj një perspektive të tillë : « Si mund të imagjinojmë të pranojmë Shqipërinë në BE, kur ajo  sapo është anëtarësuar në Konferencën e Vendeve Islamike », pyeti me këtë rast e përditshmja « La libre Belgique » !

Por ndofta edhe këto reagime nuk do të ishin marrë parasysh në rast se në Shqipëri nuk do kishte ngjarë « gjëma » e rradhës. Rrahja e opozitarëve në mes të sheshit Skenderbej pas zgjedhjeve të 26 majit 1996 tronditën mbarë opinionin publik europian. Shumë vëzhgues të huaj që i ndoqën zgjedhjet në Shqipëri i kërkuan atëhere Bashkimit Europian që t’i konsideronte si të paqëna ato dhe të kujdesej që të organizoheshin zgjedhje të reja, të lira dhe demokratike.

Informacionet dramatike të gazetarëve europianë që ndoqën atëhere zgjedhjet e para të organizuara nga Partia Demokratike në vend, që  pasoheshin me reportazhe të shoqëruar me tituj tronditës si « Demokracia e tradhtuar në Shqipëri », « Shqipëria përballë njê diktature te re », « Në qëndrën e votimit me kobure në brez » etj etj-ishin disa nga titujt e shtypit europian të asaj kohe ndaj zgjedhjeve të vitit 1996.

Në ato kushte ishte shumë e vështirë të kërkonje nga zëdhënësit e Bashkimit Europian se si ishte e ardhmja e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Nikolaes Wegter,  zëdhënës atëkohë  i komisionerit për zgjerimin Hans Van den Bruk, deklaroi 4 ditë pas zgjedhjeve të 26 majit se “Po vazhdojnë këshillimet me qeveritë e 15 vendeve anëtare, që të dalim me një qëndrim të përbashkët, dhe ndofta është çështje orësh edhe botimi i një deklarate zyrtare për t’i dhënë një rrugëdalje këtij problemi » !

Anëtarësimi i Shqipërisë në BE u la për në kalendat greke.

Por si për të hequr edhe çdo shpresë të mbetur,  ngjarjet e vitit 1997 e transformuan këtë perspektivë në një « akullnajë ajsbergiane ».

U desh të kalonin  vite të tërë që të riflitej përsëri për hapjen e procesit të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ish komisioneri Chris Patten apo ish kryetari i Komisionit Europian Romano Prodi u treguan veçanërisht të hapur dhe dashamirës ndaj një mundësie të tillë. Por ata u ndeshën  me një pengesë të paparashikuar. Sa herë që vinin në Bruksel delegacione nga Shqipëria hapeshin petët e « lakrorit”. Opozitarët nuk pushonin duke nxirë dhe akuzuar qeverinë në pushtet për të gjitha të zezat e globit. « Shqipëria vendi i drogës, qeveria hajdutja më e madhe e votave në planet, qeveritarët të lidhur me narkokrimin ndërkombëtar » etj etj. Zyrtarët europianë hapnin sytë dhe mbesnin pa gojë. Ata nuk ishin mësuar kështu me praktikat e vendeve të tjera të ish Europës Lindore. Pavarësisht kontradiktave dhe hasmërive të brendshme delegacionet europianolindore që vizitonin Komisionin apo Parlamentin Europian, ishin të bashkuar dhe të njëzëshëm në kërkesat e tyre. « Rrobat e pista » ata nuk i nxirrnin kurrë në « pazar ». Krejt ndryshe me opozitarët shqiptarë.

Ndofta duke pasur parasysh këtë praktikë të dëmshme të forcave politike në vend, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për politikën e jashtme, Jozef Borrell, gjatë konferencës së përbashkët të shtypit që zhvilloi dje, 1 mars, në Bruksel me kryeministrin shqiptar Edi Rama, theksoi se integrimi europian duhet të jetë një objektiv i përbashkët kombëtar i të gjitha forcave politike.

« Polarizimi i skajshëm  nuk dëshmon për pjekuri të klasës politike shqiptare sepse pengon përparimin në rrugën e anëtarësimit dhe nuk është në favor të vendit », – tërhoqi vëmendjen zyrtari i lartë i BE-së. Një tërheqje veshi kjo e hapur ndaj  qëndrimeve të forcave opozitare në Tiranë.

Në vijim të fjalês së tij, Borrel lavdëroi politikën e jashtme të qeverisë shqiptare « 100 për qind në një linjë me atë të BE-së » – theksoi ai para se të shtonte se Shqipëria përbën shembull për rajonin, ndryshe nga disa vende të tjera aty !  

Qeveria shqiptare u përgëzua pastaj veçanërisht për reformat në sistemin e drejtësisê dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Të vazhdohet të ecet në këtë rrugë, – porositi ai. Me këtë rast shefi i politikës së jashtme të BE-së nuk ngurroi t’i kërkonte kryeministrit shqiptar si dhe forcave të tjera politike të punojnë fort në zgjedhjen e kandidatëve më të mirë, më të pastër dhe me integritet të padiskutueshëm për zgjedhjet e 25 prillit. « Vetëm duke përmbushur këtë kriter do të kemi një demokraci të shëndoshë që do të përbëjë një bazë të fuqishme në hapjen e negociatave për anëtarësim » – i theksoi ai kryeministrit Rama. Borrell pastaj kumtoi se « BE-ja mirëpret organizimin sa më shpejt që ta lejojnë kushtet  të mbajtjes së konferencës sê parë ndërqeveritare BE- Shqipëri, që do zyrtarizojë edhe fillimin e negociatave ».

Nga ana e tij komisioneri për zgjerimin Varhelyi u tregua edhe më optimist se shefi i tij. « Shqipëria i ka respektuar të gjitha angazhimet dhe premtimet e marra për hapjen e negociatave » – pohoi ai. Më pas komisioneri i BE-së vuri në dukje se tërmeti dhe pandemia përbënë sfida të vështira për qeverinë, të cilat ajo i përballoi me sukses. « Janë përmbushur të gjitha kriteret për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare BE- Shqipëri » – deklaroi ai me kënaqësi dhe pothuajse me mburrje.

Por siç thotë populli huqi del pas shpirtit. Edhe kjo konferencë nuk kishte pse të ishte ndryshe nga të tjerat. Dhe megjithëse opozita nuk ishte e pranishme në këto takime, mëkëmbësit e saj duhej doemos ta prishnin festën. «  Ju u shprehët shumë optimist për hapjen e negociatave ! Por çfarë mendoni ju për vjedhjen e votave, a e njihni ju situatën e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta në Shqipëri?! A jeni ju i sigurt se të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian do  mbështesin optimizmin tuaj për mbajtjen e konferencës me Shqipërinë” – ishte batarrja e pyetjeve që iu drejtuan komisionerit europian nga një mbështetëse e opozitës.

Por komisioneri i BE-së nuk e prishi gjakun. “Përgatitjet për zgjedhjet po ecin mirê. Dhe kodi i ri zgjedhor i sapoaprovuar na bën besimplotë për një mbarëvajtje të zgjedhjeve të 25 prillit » – ishte përgjigja e tij lakonike.

« Shqipëria nuk po ndalon së përparuari. Prandaj edhe i kemi bindur vendet anëtare të BE-së që të votojnë për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit-  deklaroi me plot bindje komisioneri i BE-së.

Në këtë rast të vjen ndërmend fjala e urtë popullore « I zoti e shet, por tellalli nuk e jep ».

                                                                     Përgatitur për « Tema » nga

Viron Gjymshana

2 mars 2021

Lini një koment