Ka një frymë të përgjithshme sot në vendet perëndimore që nuk e pranon më rendin e vendosur dikur nga Reagen dhe Thatçer rreth viteve 1980 : dmth sistemin neoliberal të shoqëruar me globalizmin e kufijve të hapur.
Këtë « flamur » e mbajnë në rradhë të parë partitë nacionaliste të Perëndimit dhe të ish Lindjes europiane. Si psh në Austri, Francë, Itali, Hungari, Poloni etj. Njerëzit në këto vende janë tronditur nga mbyllja e uzinave, shoqëruar me humbjen e vendeve të punës dhe transferimin e tyre, së bashku me teknologjinë, në Kinë, Indi etj. Po ashtu emigracioni i ka bërë vendasit të ndjehen të frikësuar nga krijimi i shoqërive multikulturale, shumëetnike dhe multifetare. Ata kanë frikën e humbjes së identitetit të tyre kombëtar. Dhe për të mundur këto frikëra ata kërkojnë një « shpëtimtar ». Rusët e gjetën këtë shpëtimtar te Putini, pas zhgënjimeve të tmerrshme dhe vuajtjeve që pësuan në kohën e Jelcinit. Turqit zgjodhën si sulltan të tyre të ri Taip Rexhep Erdoganin si garant i stabilitetit dhe rikthimit të Turqisë në kohët e saj të arta.
Por mjaft herë historia ka dëshmuar se shumë herë popujt që kanë kërkuar dhe i kanë besuar një Mesie të tillë janë zhgënjyer keqas. Gjermanët e frustruar nga kushtet e vëna nga fitimtarët pas humbjes në Luftën e Parë Botërore i hodhën sytë me shumë shpresa te fyhreri i tyre i ardhshëm Adolf Hitler. Me pasojat që dihen dhe njihen sa për Gjermaninë aq edhe për gjithë botën. Po ashtu italianët te Duçja i tyre !
Dhe rasti më i fundit në arenën ndërkombëtare që tronditi botën ishte zgjedhja e miliarderit amerikan Donald Trump më 2016 në postin e presidentit të 45 të shteteve të Bashkuara tê Amerikës. Parulla e tij “Le ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe” jehoi ëmbël dhe ngjalli shpresa të mëdha në shumicën e popullit amerikan. Trump u shfaq para amerikanëve të thjeshtë si mbrojtësi i tyre kundër establishmentit politiko /ekonomik të Uoll Stritit, kundër globalizmit, emigracionit të paligjshëm etj etj. “Aventura” e tij përfundoi 4 vjet më pas, më 3 nëntor të vitit të kaluar, pas një mobilizimi të paparë të popullit të thjeshtë amerikan. Sepse u dëshmua se Trump doli më shumë një mbrojtës i Amerikës së bardhë nacionaliste dhe raciste ndaj një Amerike që kishte ndryshuar shumë nga vitet 1970, ku ëndërronin ta kthenin përkrahësit e tij.
Shumë më pranë nesh, në Kosovën martire, të dielën një politikan i ri, populist dhe inteligjent dhe po aq antiestablishment, fitoi shumicën dërrmuese të votave. Lufta e tij e pandërprerë kundër ish klasës së vjetër politike që sundoi Kosovën gjatë 20 vjetëve të fundit pati një jehonë të fortë brenda vendit. Ish komandantët e UÇK-së së lavdishme së bashku me ish partinë gandiste të Ibrahim Rugovës pësuan një humbje të thellë. Njerëzit ishin lodhur nga kapadailliku i ish komandantëve që jetonin ende me luftën e para 20 vjetëve si dhe me ujin e ndenjur që mbizotëronte te LDK-ja. Ata ëndërronin për ndryshim. Dhe Albin Kurti ua premtoi këtë ndryshim.
Ka premtuar se do të fshijë me fshesë të hekurt praktikat e deritanishme të atyre që mendonin se e kishin kthyer Kosovën në çifligun e tyre dhe nuk ndjenin dhe as ia ndinin për pakënaqësinë dhe zhgënjimin e njerëzve të thjeshtë atje. Dhe këta të fundit e mandatuan Kurtin me fuqi të plota që të formojë i vetëm qeverinë e re të Kosovës.
Tani pritet të shihet se sa dhe si do të jetë i zoti Albin Kurti të vëjë në jetë politikën e tij anti gjithkujt. Kundër partive të “vjetra” në Kosovë, kundër ndërhyrjes së ambasadorëve të huaj në punët e brendshme të vendit, kundër presionit ndërkombëtar për të vazhduar bisedimet me Serbinë etj etj.
Por detyra më e rëndësishme e tij ndofta mbetet aplikimi i një modeli të ri ekonomik në Kosovë, që duhet të përmirësojë dukshëm nivelin e jetesës atje, të pengojë largimin e të rinjve drejt Zvicrës dhe Gjermanisë, rritjen e GDP-së kombëtare etj etj.
Kosova kishte nevojë për një ndryshim radikal dhe Kurti e ndjeu dhe e shfrytëzoi këtë kërkesë të brendshme të banorëve të saj. Por ndoshta tani fillon më e vështira për të. Sidoqoftë Kosova i ofroi atij një shans të paparë të tregojë veten. Mbetet tani veçse në dorën e tij që të mos zhgënjejë shpresat që u ngjalli zgjedhësve të tij.
Pêrgatitur për “TemA” nga
Viron Gjymshana
16 shkurt 2021

Lini një koment