Vitamina D si aleate kundër Covid-it?!

Shumë virologë dhe pandemistë të universiteteve më të njohura të Perëndimit kanë krijuar bindjen dhe janë shprehur me optimizëm se me shumë gjasa gjatë verës së ardhshme pak nga pak bota do t’i rikthehet jetës së zakonshme. Dmth udhëtimeve, restoranteve, plazhit, kinemave, mbrëmjeve festive dhe hyrje – daljeve familjare. Së fundmi janë 70 studiues, mjekë infektiologë, virologë etj që kanë publikuar në revistën shkencore franceze “ “Lë Praticien” një studim mbi dobitë e vitaminës “D” në luftën kundër Covidit 19. Sipas tyre sasia e vitaminëss “D” që gjendet në çdo organizëm përbën një mbrojtje natyrale kundër epidemisë që ka pushtuar botën. Kjo vitaminë, e njohur ndryshe edhe si vitamina e Diellit, pasi merret kryesisht nga rrezet e Diellit, nuk e pengon infektimin e trupit nga ky virus, por ka aftësinë të dobësojë efektet e tij në organizëm. Që do të thote se njerëzit që e kanë me shumicë këtë vitaminë në trupin e tyre e kalojnë sëmundjen shumë lehtë, pothuajse pa siptoma të dukshme. Këta specialistë të sëmundjeve imunitare shprehen të shqetësuar nga mutacionet e vazhdueshme të këtij virusi dhe efektet e vaksinave kundër tij. Po ngjan njëlloj si me gripin, vërejnë ata. Sapo prodhohet një lloj vaksine, virusi transformohet dhe ndryshon. Dhe shpesh herë vaksinat duhet të rinovohen dhe ripërshtaten. Vaksinat nuk duhet të shikohen dhe të konsiderohen si çudibërëse , tërheqin vëmendjen ata. Po aq të rëndësishme sa vaksinat vazhdojnë të mbeten maskat, distanca fizike nga njëri tjetri, ndalimi i grumbullimit të njerëzve nëpër stadiume, kinema, festa, restorante etj. Sipas tyre një trup i fuqishëm, që nuk sëmuret shpesh, ka shumë më tepër mundësi që ta kalojë lehtë sëmundjen sesa një organizëm i dobët. Kjo spjegon sipas tyre që në moshat e reja vdekshmëria është 10 herë më e ulët se në moshat e shkuara. Por pavarësisht forcës së imunitetit që gjallon në shkallë të ndryshme në çdo individ, pavarësisht maskave dhe distancës fizike, vaksinimi mbetet arma më e efektshme deri më tani kundër virusit.

 Sipas tyre mjafton që 70 përqind e popullsisë së çdo vendi të jetë vaksinuar dhe virusi do të zhduket vetvetiu, pasi nuk do të gjejë më « terren » ku të zhvillohet. Shifra prej 70 përqindësh e popullsisë së vaksinuar duket se qëllon në « shenjë », jo vetëm se  do të krijojë atë që në mjekësi njihet si « imunizimi i tufës », por edhe sepse afro 30 përqind e banorëve të Europës dhe të Amerikës janë ende mosbesues dhe dyshues ndaj vaksinave të prodhuara së fundmi kundër Covid 19!

Një hulumtim amerikan i kryer nga Ipsos dhe i publikuar para 2 muajsh, vë në dukje se 35 përqind e italianëve, 46 përqind e francezëve, 24 për qind e kanadezëve, 25 përqind e spanjollëve dhe 21 përqind e britanikëve ngurrojnë ose janë tërësisht kundër vaksinave të prodhuara nga shumëkombëshet farmaceutike Astra – Zeneca, Pfizer-BionTech apo Moderna.

 Po kush janë këta njerëz që nuk pranojnë të vaksinohen dhe pse?! Institutet e hulumtimit publik kanë përcaktuar disa kategori njerëzish që janë mosbesues, deri edhe krejtësisht kundërshtarë të vaksinimit.”Janë të të gjitha shtresave dhe klasave sociale”- pohon Rudy Reichstadt, drejtor i Observatorit “Conspiracy Watch”. Të parët janë komplotistët, ata që nuk kanë besim te institucionet dhe demokracia. Janë ata qe kanë bindjen se kjo sëmundje është projektuar dhe shpikur për të pakësuar popullsinë e botës. Që kanë frikë se bashkë me vaksinën u futen në organizëm edhe mikroçipa elektronikë që mund t’i vejnë nën kontroll! Ide kjo e përhapur dhe mbrojtur gjërësisht edhe nga dokumentari “Hold up” , suksesi i të cilit ka qënë fenomenal.  Në fillim ai mund të ndiqej në platformën digjitale me pagesë “Vimeo”. Pas polemikave që ai shkaktoi për shkak të fallsifikimeve dhe të pavërtetave që përmbante “Vimeo” e hoqi nga qarkullimi. Por ai u shpërnda më vonë me më shumë forcë nga shumë simpatizantë dhe përkrahës të ideve komplotiste nga platforma “You Tube”, duke arritur në mbi 3 milion shikues. Një grup tjetër i rëndësishëm “antivax” përbëhet nga ata që megjithëse nuk janë në parim kundër vaksinave “natyrale”, janë shumë mosbesues ndaj vaksinave kundër Covidit, që konsiderohen si shumë artificiale dhe sintetike.” Në kohën e Lui Pastërit vaksinat ishin tejet natyrale. Merrej një sasi e papëfillshme nga plazma e njeriut të sëmurë dhe i inxhektohej një trupi të shëndoshë. Organizmi kundërvepronte ndaj këtij mikrobi të dobësuar duke krijuar antitrupat. Dhe kështu kur organizmi prekej më vonë nga ky infektim, trupi ishte i përgatitur ta luftonte dhe ta asgjësonte “mikun” e paftuar. “Por vaksinat e sotme sintetike janë krejt të ndryshme nga ato të prodhuara rreth më shumë se një shekulli më parë. Tani kemi të bëjmë me vaksina artificiale që ndërhyjnë deri te ARN-ja e qelizave njerëzore, me rrezikun që të deformojnë metabolizmin e tij” – shprehen përfaqësuesit e grupimit të dytë antivax. Por më e keqja është se dyshimet ndaj efikasitetit të këtyre vaksinave vijnë edhe nga shumë përfaqësues eminentë të shërbimit mjekësor dhe farmaceutik. Një pjesê jo e pakët e personelit mjekësor nuk pranon të vaksinohet dhe i këshillojnë edhe pacientët e tyre të mbajnë të njëjtin qëndrim. “ Gjysma e personelit që është kundër vaksinimit përkrahin qëndrimet e grupeve “antivax”, pohon në të përditshmen italiane “La Repubblica” Michele Assandri, kryetar i shoqatës Anaste Piemont që përfaqëson ndërmarrjet e sektorit të shtëpive të azilit për pleqtë. Edhe sipas agjencisë kombëtare të lajmeve “Ansa” 20 përqind e shërbimit shëndetësor në Itali ndan të njëjtat pikëpamje. Ndërsa në rajonet e Breshias dhe Lombardisë, personeli që u shërben të vjetërve, shprehet deri në masën 80 përqind kundër çdo lloj vaksinimi.

Njëri nga mjekët e Institutit “Pastër » në Paris në kushte anonimiteti shprehet hapur se ai dyshon shumë në efikasitetin e këtyre antiviralëve të prodhuara me nxitim, përballë një virusi që nuk ndal së pësuari mutacione, duke riinfektuar edhe ata që ishin shëruar më pare nga ky virus. Normalisht nevojiten 5 deri 10 vjet kërkime dhe prova klinike para hedhjes në treg të një vaksine. Ndërsa tani u nevojitkan vetëm disa muaj – vëren me dyshim ai. Dhe si për t’i dhënë më shumë peshë këtyre dyshimeve koncerni farmaceutik “Moderna” pohoi të hënën se po studion mundësinë e prodhimit të një antivaksine të re ndaj Covidit jugafrikan, pasi ky i tashmi nuk reagon pozitivisht ndaj tij.

Të martën ishte presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen që kritikoi hapur firmën farmaceutike Astra Zaneca se megjithë miliardat qê kishte marrê nga Bashkimi Europian ajo po vonon prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave tê premtuara. Dhe Astra Zeneca, Moderna, Pfizer, BionTech kanë fituar miliarda këto vitet e fundit nga prodhimi dhe shitja e vaksinave të ndryshme. Sipas shifrave zyrtare tregu botëror i prodhimit të vaksinave arriti në 42.3 miliardë euro gjatë vitit 2016 dhe pritet të arrijë në 80 miliardë euro në vitin 2025. Këto shuma kolosale të përfituara nga sektori ndërkombëtar i konsorciumeve farmaceutike e ka shtuar edhe më shumë mosbesimin e një pjese të popullsisë ndaj tyre. “Përse këto firma shumëkombëshe nuk punojnë për të gjetur një ilaç shërues ndaj të sëmurëve me Covid, por i kanë përqëndruar të gjitha përpjekjet e tyre në krijimin e vaksinave “ – pyesin ata?! Duke e dhënë njëkohësisht vetë përgjigjen: “Se duke vaksinuar mbi 7 miliardë njerëz fitojnë 1 000 herë më shumë sesa duke shëruar 2 milionë të prekur nga kjo sëmundje”! Ata po ashtu pyesin të habitur: “Si është e mundur që deri më sot nuk ekziston asnjë vaksinë kundër SIDA-s, 40 vjet pasi ajo është zbuluar, ndërkohë që për 6 muaj u “shpikën” vaksina kundër Covid-19”?!

Shembulli i firmës farmaceutike “Sanofi” eshtë kuptimplotë. Ajo fitoi vitin e kaluar mbi 5 miliardë euro neto, pas shitjes së mbi 34 miliard eurosh të prodhimeve farmaceutike, duke përshirë këtu edhe një numër të madh vaksinash.

Me problemin e mosbesimit në rritje tê vaksinimit të popullsisë është marrë edhe Heidi Larson, drejtoreshë e “Vaccine Confidence Project à London School of Hygiene and Tropical Medicine”. “Facebook dhe Twiter veçanërisht janë të shqetësuara nga përhapja e teorive komplotiste kundër vaksinimit. Prandaj ato kanë angazhuar edhe shumë punonjës shtesë për të fshirë nga platformat e tyre të gjitha opinionet dhe qëndrimet antivaksinë. Por kjo strategji mund tu kthehet kundër. Pasi njerëzit mund të mendojnë se po u fshehin të vërtetën” – vëren Larsen.

 Stefania, një grua e re rreth 35, e veshur me streçe dhe atlete, e shpreh me pak fjalë qëndrimin dhe dyshimet e saj ndaj vaksinave anticovid. “ Unë nuk jam kundër vaksinave, fëmijët e mi janë të gjithë të vaksinuar. Dhe nuk u besoj fare teorive komplotiste. Megjithatë kurrë nuk do të vaksinohem kundër Covid 19. Laboratorët farmaceutikë po punojnë me tërbim dhe shpejtësi të nxitura dhe eksituara nga paraja dhe të mbështetur te frika dhe paniku i popullsisë. Unë votoj ekolo, jam vegjetariane dhe ushqehen bio, ushtrohem në yoga, por nuk lejoj që të më fusin në gjak një vaksinë të dyshimtë dhe të paprovuar shkencërisht mbi pasojat dytësore afatgjata. Unë bëj çfarë është e mundur për të stimuluar dhe forcuar sistemin tim imunitar në mënyrë natyrale – deklaron ajo me krenari.

Me sa shihet “lufta” ndërmjet pro dhe kundër vaksinimit do të vazhdojë gjatë. Të paktën për aq kohë sa do të zgjasë edhe pandemia e Coronavirusit 19.

Përgatitur për « TemA » nga

Viron Gjymshana

31 janar 2021

Lini një koment