Zgjedhjet amerikane ose 2 rrugët që ndajnë sot botën.

 Tashmë kur pas pak orësh pritet që të kryezgjedhurit ose the big electors, siç i quajnë nê Amerikë, të legalizojnë shpalljen e Xhon Biden-it si presidenti i 46 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mund të pohohet pa asnjë formë dyshimi se zgjedhjet e 3 nëntorit arritën një majë të paparë përsa i takonte interesimit të vetë amerikanëve dhe botës mbarë rreth rezultatit të tyre. Tifozlliku dhe armiqësia kishte pushtuar jo vetëm votuesit amerikanë, por edhe shtetet më të fuqishme të globit, duke filluar nga Kina, Rusia, BE-ja, India, Brazili etj. Shifrat dëshmojnë më mirë se të gjitha fjalët. Në këto zgjedhje morën pjesë mbi 155 milionë votues ose afërsisht 70 përqind e të gjithë atyre qe kishin të drejtë vote. Joe Biden mori mbi 81 milion vota, ndërsa Trump pak më shumë se 74 milionë, (ose 11,3 milionë më shumë vota sesa kur u zgjodh president më 2016-tën)! Të dy e tejkaluan Barak Obamën që u zgjodh më 2008-tën me 69,5 milionë vota dhe që mbante deri më tani rekordin e mbështetjes së votuesve amerikanë.

  Pse-ja e këtij interesimi dhe pjesëmarrjeje kaq të veçantë në këto zgjedhje është sa komplekse, shumëdimensionale dhe e komplikuar dhe po aq e thjeshtë. Këto zgjedhje përcaktonin jo vetëm rrugën nga do ecte Amerika dhe bota në 4 vjetët e ardhshëm, por ato përfaqësojnë edhe dy këndvështrime absolute rreth trendit të ardhshëm të zhvillimit ekonomik dhe politik të këtij shekulli. Deri më tani bota ishte mësuar të zgjidhte ndërmjet dy qëndrimeve të ndara ideologjike, që njiheshin si e majta dhe e djathta, ose ndërmjet socialistëve dhe socialdemokratëve nga njëra anë dhe liberalëve dhe demokratëve nga ana tjetër. Por kohët ndryshuan dhe bashkë me to ndryshuan edhe problemet me të cilat ndeshen sot shoqëritë e shekullit të 21 –tê. E majta dhe e djathta klasike prej kohësh kishin filluar t’i afroheshin çdo ditë e më shumë « qëndrës », aq sa shumë pak filloi t’i dallonte nga njëra tjetra. Ishte kryeministri britanik Tony Blair i pari që shpalli « Rrugën e Tretë », një bashkim i prodhimit kapitalist me shpërndarjen socialiste të të ardhurave. Rasti më i fundit ështê zgjedhja e presidentit francez Macron, i cili bashkoi nën hijen e tij të majtën socialiste franceze dhe të djathtën goliste. Kjo valë e re përfshiu edhe Shqipërinë. Flamurmbajtës i saj u bë kryeministri i tashëm Edi Rama me shprehjen e tij të famshme « përtej së majtës dhe të djathtës » !  Por ky bashkim ideologjik dhe pragmatik i dy ish armiqve ideologjikë mundësoi daljen në skenën politike të ideologjive dhe partive të reja ose të « rinovuara ». Janë parti që janê kundërshtare të sistemit të sotëm liberal dhe globalist. Po aq sa janë edhe kundër « Shoqërisë së hapur » ! Disa nga këto parti fituan zgjedhjet ose u bënë pjesë e koalicioneve qeverisëse në shumë vende tê botës. Emëruesi i tyre i përbashkët ishte nacionalizmi. Këto regjime shtypi perëndimor i cilësoi si « autoritare » ! Pêrfaqësuesit e tyre kryesorë sot mbahen Orbani në Hungari, Putini në Rusi, Bolsonaro nê Brazil, Erdogan në Turqi etj etj. Deri këtu korifenjtë e ideologjisë liberale nuk u shqetësuan jashtë mase. Por goditja erdhi papritur më 2016-tën me zgjedhjen e Donald Trump-it si presidenti i 45 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Parrulla e tij “America first” tronditi tregjet mbarëbotërore. Përgjatë 4 vjetëve të sundimit të tij presidenti amerikan e bëri të qartë se çfarë ai përfaqësonte dhe mbronte.  Së pari një Amerikë tërësisht antiglobaliste, antiemigracion, klimatoskeptike. Një Amerikë “e bardhë”, ku të drejtat e pakicave etnike, fetare, seksuale etj nuk merreshin në konsideratë, madje përbuzeshin. Një Amerikë ku evangjelistët apo ungjillorët jepnin tonin, ku mbajtja e armëve konsiderohej si virtyt. Një Amerikë që ishte në favor të dënimit me vdekje, kundër IVG-së etj etj. Por ndërsa në fushën e të drejtave morale qëndrimet e Trumpit për disa ishin të diskutueshme, dhe deri diku edhe të pranueshme, për disa të tjerë këto përbënin herezinë e shekullit!  Por ajo që ndau një herë e mirë botën më dysh ishte politika e tij izolacioniste dhe antiglobaliste. Trump kërcênoi me doganë dhe taksa të larta të gjitha ato shoqëri amerikane që kishin transferuar prodhimin dhe teknologjinë e tyre në Kinë dhe kudo tjetër jashtë vendit. Po ashtu edhe të gjitha mallrat dhe shërbimet e huaja që hynin në Amerikë. Një sakrilegj i padëgjuar për Amerikën liberale që kishte qënë gjatë gjithë këtyre dekadave të fundit mbrojtja më e vendosur e tregtisë së lirë dhe globalizmit. Me rrezikun e ndjekjes së këtij shembulli dhe praktike edhe nga vendet e tjera të botës. Me reperkusione të paimagjinueshme dhe të rrezikshme. Dhe kështu papritur vendin e konfrontimeve klasike e majtë/ e djathtë e zuri përplasja midis mbështetësve të tregut të lirë, pa kufinj e kombe,  partizanë të repektimit të të drejtave të pakicave, emigrantëve, lgbt-ve, heqjes së dënimit me vdekje etj etj me nacionalistët që “shpëtimin” e shohin te mbyllja e tregjeve dhe kthimi në vlerat e “të parëve”!

    Këto dy qëndrime u përplasën më 3 nëntor në Amerikë. Fitoi Biden me politikën e tij të urtë, modeste, gjithpërfshirëse. Përkundrejt politikave nacionaliste të ish presidentit Trump. Pjesa më e madhe e botës mori frymë e qetësuar. Tani gjithçka mund të vazhdojë si më parë. Me tregje dhe tregti të lirë, me respektimin e aleatëve, me luftën kundër ngrohjes klimatike, me mbrojtjen e të drejtave të pakicave etnike, fetare, seksuale, etj etj. Ishin dy strategji, dy këndvështrime të kundërta, dy ideologji që u përplasën egërsisht në vendin e Daj Samit, lëkundjet e së cilës u ndjenë në mbarë globin.

Nga

Viron Gjymshana

14 dhjetor 2020

Lini një koment