Rënia e një mollosi

Nga Jean Messiha*

“Të qeverisësh do të thotë të mbash premtimet. Të veprosh, por po ashtu të dëgjosh, të reflektosh, të dish të shtrish dorën. Të qeverisësh do të thotë të shërbesh pa zhurmë dhe pa bujë”.

Donald Trump do prishë rrjedhën e presidentëve amerikanë që ia kishin dale të fitonin nga dy mandate njëri pas tjetrit. Klinton, Bush, Obama. Mandati i Trumpit nisi me polemika, vazhdoi me to dhe po përfundon në të njëjtën mënyrë. Ka disa lloj njerëzish që as fati nuk mund t’I ndryshojë.

Ide të fuqishme dhe fjalime të dobëta

Miliarderi nga Nju Jorku që flet troç, ngandonjëhe edhe në mënyrë vulgare, që sulmon befas, që mbartmbi vete një të kaluar seksiste – feministe (si shumë bashkëmoshatarë të brezit të tij) ia arriti të ngashnjente Amerikën e thellë, fshatare, konservatore,  pikërisht të kundërtën e asaj që Hilari Klinton përfaqësonte: klasën politike që kishte tradhtuar popullin amerikan  me globalizmin e papërmbajtshëm të njerëzve dhe ekonomisë. Por Trump nuk ishte vetëm përfaqësuesi I njerëzve të bardhë dhe të pagdhëndur, siç e kanë përshkruar me tallje kundërshtarët e tij. Pas fjalimeve të tij shpesh here të dobëta dhe ndonjëherë të paqarta, fshiheshin ide të fuqishme. Si lufta kundër forcimit të imperializmit ekonomik dhe teknologjik kinez, ndalja e invazionit nga emigrantët e vendeve latine me ngritjen e një muri, uljen e taksave për të ndihmuar rritjen ekonomike dhe për të ulur papunësine, tërheqjen e trupave amerikane nga luftërat e pafundme anë e mbanë botës, përplasjen e 4 të vërtetave Gjermanisë që prej dekadash jetonte rehat nën ombrellën amerikane etj etj. Që mund të përmblidhet si “pragmatizëm made in America”.

Ai nuk e fitoi shumicën e votave të popullit, gjë që nuk ndodh për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që nuk është një tregues pozitiv. Kjo duhet ta kishte bërë të kuptonte se kishte nevojë ta zgjeronte rrethin e mbështetësve të tij gjatë 4 viteve të presidencës. Që duhej të fliste me të gjithë amerikanët dhe jo vetëm me mbështetësit e tij. Duhej të “cicëronte” më pak te Tuiter-i dhe të qeveriste më shumë. Të zbuste kundërshtitë, pa hequr dorë nga thelbi. Të spjegonte më shumë dhe të improvizonte më pak. Të bashkonte, në vend që të skandalizonte ! Administrimi i rrëmujshëm prej tij i Shtëpisë së Bardhë me ndryshime të pandërprera këshilltarësh, punësuar shpejt dhe po aq shpejt hequr qafe, ka habitur më shumë se ndonjë. Por afera  ruse dhe ukrainase dhe tentativa për ta shkarkuar me një « impeachment », orkestruar nga demokratët që gjuanin në tufë, i kishte kaluar normat e një sjelljeje institucionale. Mund të quhej si një goditje poshtë brezit. Po nga i lindi ajo ide që t’i propozonte një presidenti të një vendit të huaj që të : « përbalte kundërshtarin nëqoftëse donte që të ndihmohej »! Republikanët ishin treguar po aq agresivë me rastin Klinton/ Monika Levinski.

Presidenti duhej duhej të ishte afruar me të gjithë duke i qëndruar  besnik vetvetes, por ai refuzoi me kokfortësi

Kriza e koronavirusit u trajtua nga Trump pa asnjë lloj aftësie.Sigurisht kjo nuk ngjau vetëm në Amerikë. Por Trump nuk u tregua as serioz dhe as i ndijshëm ndaj kësaj drame. Gabim i pafalshëm. Sidomos ndaj një pjese të popullsisë urbane. Dhe deklaratat e dyzuara të qiraxhiut të Shtëpisë së Bardhë ndaj grupeve të të bardhëve supremacistë në rrëmujën e demonstratave të popullsisë me ngjyrë gjatë “Black live matter” pas vrasjes së një zezaku nga policia, tronditën një numër të konsiderueshëm afro- amerikanësh. Dhe jo vetëm ata. Dhe me shëmbuj të ngjashëm mund të vazhdojmë ende.

Trump nevojitej të sillej si president. T’i përmbahej funksionit. Ai duhej, siç thuhet përtej Atlantikut “reach out” dmth të shkonte drejt të tjerëve. Por jo. Ai vazhdonte të ishte Trump. Dhjetra milionë amerikanë e kanë duartrokitur për këtë qëndrim, por sa dhjetra milionë të tjerë kanë menduar se ai po bënte, “too much”, më shumë se duhej?! Por ndofta jo edhe aq shumë. Se në fund të fundit rezultati I zgjedhjeve doli shumë më I ngushtë sesa e kishin parashikuar sondazhet. Nuk pati “valë blu demokrate” në Dhomën e Përfqësuesve dhe as në Senat. Gjë që dëshmon se idetë republikane nuk u hodhën tutje.

Amerika, e mobilizuar si kurrë më parë, i dha një të rrahur të mire me afro 4 milionë vota ndryshim dhe me një diferncë të dukshme përsa i takon përzgjedhjes së “Big Voters”. Joe Biden eshtë një personazh hije që nuk doli dot në dritë gjatë 8 vjetëve të presidencës së Obamës. Një njeri i lodhur nga jeta dhe  sfidat personale. Partia Demokratike e zgjodhi atë për të shmangur « socialistët » Berni Sanders dhe Elisabet Uorren. Biden pothuajse nuk bëri fushatë zgjedhore. Ose nga gjendja shëndetësore ose nga kujdesi prej kovidit. Sidoqoftë ai u tregua tejet inteligjent duke ruajtur një qetësi olimpike para një Trumpi të shfrenuar dhe kejtësisht injorant përsa i takonte masave mbrojtëse  në një vend ku virusi po bën kërdinë.

Një tjetër lëvizje gjeniale e kandidatit demokrat, në një Amerikë të ngulfatur pas Me too dhe BlackLive Matter ishte zgjedhja e një zëvendëspresidenteje e dalë nga pakicat, në një kohë që Trump ruajti Mike Pence që nuk i solli asgjë më shumë veç forcimit të krahut evangjelist që ishte tashmë në xhep. Duke pasur parasysh moshën dhe gjendjen e Biden, Harris do të jetë shumë më teper se thjesht një zëvendëspresidente.

Donald Trump mishërimi më i qartë i asaj që  në Europë e quajnë me një lloj përçmimi “populizëm”

Por Trumpi eshte e qartë se nuk pati fat. Kriza e koronavirusit rrënoi një bilanc ekonomik dhe bursier (që amerikanët e vlerësojnë së tepërmi) të shkëlqyeshëm. Të gjitha “marritë” e tij pa dyshim do t’i ishin falur në rast se makina amerikane e bërjes se parave do të vazhdonte të përparonte me hov. Por duhet ta pranojmë se globalizmi e mori një të goditur të fortë në sajë të tij. Trump e vuri edhe Kinën me shpatulla pas murit. Aq sa edhe Europa e tromaksur u zgjua para grabitjes së botës që po kryen perandoria e Pekinit. Në Lindjen e Mesme ai afroi Izraelin me shumë vende arabe dhe i dha fund vegimit të dy shteteve në konfliktin izraelito – palestinez. E dëshiruar si zgjidhje nga të gjithë, por e parealizueshme në praktkë.

Por mbi kurriz Trump mban edhe daljen nga marrëshja për klimën, ku Amerika mban «gjurmën  karbonike » më të lartë në botë për frymë banori. Po aq negativ ishte edhe qëndrimi ndaj marrëveshjes antibërthamore me Iranin, që nuk solli ndonjë ndryshim regjimi atje.

« Njeriu me flokë portokalli », siç e përshkruanin me keqdashje kundërshtarët e tij do të largohet pa lavdi, midis  tërbimit për korrupsionin dhe akuzave për vjedhje votash , që kanë shkaktuar indinjatë madje edhe brenda kampit të tij. Gjynah. Se ai ishte mishërimi i asaj që në Europë e quajnë me një lloj përbuzjeje “populizëm”. Ai kishte detyrën ta transformonte këtë etiketim në një sukses të paparë, në një shembull, në një model si në formë ashtu edhe në përmbajtje. Nuk ia doli dot.

Por që këtej ka disa mësime që duhet të nxirren.  Marrja e pushtetit eshtë veçse fillimi. Më pas duhet të dish të qeverisësh. Dhe të qeverisësh do të thotë të mbash premtimet. Të veprosh, por po ashtu të dëgjosh, të reflektosh, të dish të shtrish dorën. Të qeverisësh do të thotë të shërbesh pa zhurmë dhe pa bujë.

Ata që mendojnë se mbaruan me trumpizmin e kanë për të keqen e tyre

Megjithatë « trumpizmi » nuk do të vdesë me humjen e përfaqësuesit të saj. Dhe ka një arsye. Trumpizmi lindi si një lloj oportunizmi politik i një njeriu, që nuk duhet harruar, që ka qënë për shumë kohë më afër demokratëve dhe liberalëve sesa republikanëve. Ai përfundoi duke përqafuar idetë e së djathtës reaksionare (« l’alt-right »), aspiratat konservatore të levizjes amerikane evangjeliste në  jetën shoqërore, ankthin e humbjes së identitetit të popullit të bardhë të rrethinave dhe fermave si dhe zëmërimin e klasës punëtore të eleminuar nga çindustrializmi globalist. Presidenca e tij mundësoi lindjen e një republikanizmi të ri që mund të përshkruhet si një nacionalizëm konservator, fetar, antiliberal në marrëdhëniet shoqërore, anti emigracion, antimondialist dhe çfarë eshtë më e çuditshmja armik me « deregulationin » neoliberal të projektuar nga Reagan. Ata që besojnë se disfata e Trump do të shkaktojë edhe humbjen e këtyre ideve e kanë për të keqen e tyre.

Përgatiti

Viron Gjymshana

12 nëntor 2020

“Dita”, “TemA”

Lini një koment