Eurodeputetët janë të ndarë përsa i takon propozimit të eurodeputetit kristiandemokrat gjerman, Elmar Brok për të zëvendësuar instrumentat e anëtarësimit me ato të fqinjësisë së mirë.
Tepër të ndarë u dukën deputetët e Parlamentit Europian përsa i takon zgjerimit të ardhshëm të BE-së me vendet e Europës Juglindore. Dhe ndërsa Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit Europian e kishte aprovuar me shumicë votash raportin e kryetarit të tij, eurodeputetit Elmar Brok, gjatë debateve në seancë plenare ranë më shumë në sy argumentet në favor të përfshirjes edhe të vendeve ballkanike në BE. Në pararojë të këtij qëndrimi ishin rradhitur komisioneri përgjegjës për zgjerimin Olli Rehn dhe presidentja e rradhës e Bashkimit Europian, ministrja e jashtme e austriake, Ursula Plashnik.
Olli Rehn ndër të tjera theksoi se integrimi është mënyra më e dobishme për të paqëtuar me njëri tjetrin vendet e Europës Juglindore. Duke iu kundërvënë argumentave të aftësisë së kufizuar integruese të BE-së, komisioneri i zgjerimit deklaroi se do të jetë një veprim krejtësisht i papërgjegjshëm të shkatërrohet një proces, i cili po ndihmon për krijimin e stabilitetit në rajonin më të paqëndrueshëm të Europës. Po aq e prerë në deklaratat e saj ishte edhe ministrja e jashtme austriake Ursula Plashnik : Ballkani është zemra e Europës dhe nuk mund të ketë Europë të vërtetë pa integrimin edhe të vendeve ballkanike në të » – nënvizoi përfaqësuesja e presidencës së rradhës të Bashkimit Europian.
Edhe eurodeputetja gjermane Doris Pack ishte po aq e qartë në diskutimin e saj. Duke iu referuar shqetësimeve të disa europarlamentarëve se deri ku mund të shtrihen kufijtë e Europës së Bashkuar ajo tha: «Për mua, kufijtë e Europës shtrihen deri në përfshirjen në të edhe të Rumanisë, Bullgarisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për vendet që mbeten jashtë, është i vlefshëm instrumenti i fqinjësisë së mirë».
Edhe eurodeputetët e Grupit të të Gjelbërve Angelika Beer dhe Joost Lagendijk nënvizuan se të flasësh tani mbi aftësitë përfshirëse të BE-së dhe të propozosh altenativa të tjera në vend të anëtarësimit, do të thotë t’i dërgosh sinjale të rrezikshme Ballkanit, ndërkohë që atje po diskutohet statusi i Kosovës dhe e ardhmja e Malit të Zi.
Eurodeputetja suedeze Sesilia Malmstrom nënvizoi se përcaktimi i kufijve të BE-së mund të ndikojë negativisht në përhapjen dhe forcimin e demokracisë në vendet që do mbeten jashtë saj, siç janë psh Ukraina, Biellorusia etj. Edhe liberalja belge, Annemie Neyts nguli këmbë që BE-ja të mbajë premtimet që ajo i ka bërë vendeve ballkanike për një anëtarësim të tyre të ardhshëm në të.
Por nuk munguan edhe zërat që kërkuan një reformim në thellësi të BE-së, aprovimin e buxhetit dhe kushtetutës së saj, para se të diskutohet ose të ndërmerren hapa të mëtejshëm për zgjerimin e Bashkimit Europian.
·
Data 16.03.2006
· Autor Viron Gjymshana
· Shtypni Shtypeni faqen
· Permalink https://p.dw.com/p/Arhe

Lini një koment