Viron Gjymshana
Ministri gjeman i rendit, Otto Schily u shpreh në Bruksel, se pala shqiptare nuk e ka angazhimin e duhur për të mundësuar që qëndra e antitrafikut në Vlorë ta meritojë emrin e saj si dhe misionin që ka marrë përsipër.
Në takimin 2-ditor të ministrave të rendit dhe të drejtësisë të 15 vendeve të BE-së po diskutohet edhe për luftën ndaj krimit të organizuar me prejardhje nga Ballkani perëndimor. Konferenca u organizua me nismë të presidencës greke të Bashkimit Europian. Duke hapur punimet e saj përfaqësuesi i qeverisë greke, Krisokoidis, shpjegoi se ky takim mbahet për të bashkërenduar masat e mëtejshme që duhen marrë për t’i bërë ballë infiltrimit të mafias ballkanike në Evropën perëndimore. «Eshtë e vërtetë se krimi i organizuar nuk ka lindur në Ballkan dhe as nuk është dukuri vetëm e këtij rajoni, por jemi të detyruar të përqëndrohemi në këtë rajon, pasi vendet e tij një ditë ose një tjetër do të bëhen anëtarë të BE-së. Prandaj duhet që të mos lejojmë që tentakulat e krimit të ngulen më fort në atë rajon dhe të shtrihen edhe në vendet e BE-së » – tha ai.
Përfaqësuesi i qeverisë britanike theksoi se droga përbën tani për tani kërcënimin më të madh nga vendet ballkanike. Sipas tij heroina e ka origjinën e saj nga Afganistani, por Ballkani është porta e saj e hyrjes në vendet e BE-së. Edhe përfaqësuesi i qeverisë austriake pohoi se 80% e heroinës që konsumohet në BE vjen nga Ballkani.
Përfaqësuesi i qeverisë daneze nënvizoi se kriminaliteti në Ballkan po vjen në rritje. Ai po kërcënon tani edhe vendet e Bashkimit Europian. Jemi shumë larg demokracisë në Ballkan dhe për këtë bindesh kur mëson se atje 50% e prodhimit të përgjithshëm sigurohet nga trafiqet dhe veprimtaritë e paligjshme të të gjitha llojeve.
Ndërsa ministrat e Suedisë dhe Hollandës u shprehën se në Ballkan mbizotëron krimi i përhapur në të gjitha fushat e jetës, i cili po kthehet në kërcënim edhe për Europën. Për Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë problemi qëndron në korrupsionin e ngritur në sistem, korrupsion që ka përfshirë institucionet që duhet ta luftojnë krimin. Ministri i brendshëm gjerman Otto Shili bërë thirrje për të dërguar në këto vende oficerë të specializuar në luftën kundër krimit. «Eshtë me rëndësi të shohim se sa kriminelë arrestohen në këto vende dhe sa prej tyre lirohen pastaj si të pafajshëm» tha ai.
Duke folur për krimin e organizuar ministrat e rendit dhe të drejtësisë të vendeve të 15-shes renditën: drogën, prostitucionin, banditizmin, vjedhjet e makinave, kontrabandën e cigareve, etj. Nga ana e tij ministri spanjoll përmendi edhe një herë tjetër dhunën e egër dhe të paparë që ushtrojnë bandat kriminale ballkanase në vendet e Europës perëndimore.
Në diskutimet e tyre ministrat e BE-së u referoheshin në përgjithësi që të pesë vendeve të Evropës Juglindore, por herë pas here ata përmendnin për probleme të veçanta edhe vendet përkatëse. Shqipërinë dukej se kishin parasysh të gjithë qeveritarët evropianë, kur fillonin të renditnin të gjitha format dhe veprimtarinë e krimit të organizuar. Por në mënyrë të drejtpërdrejtë krimit të organizuar në Shqipëri iu referuan përfaqësuesi i qeverisë italiane dhe ai i qeverisë gjermane. Qeveritari italian përmendi rolin që duhej të luante qëndra antitrafik në qytetin e Vlorës, në ish-vilën e Enver Hoxhës, siç u shpreh tekstualisht ai, në ndalimin e skafeve me drogë që turren drejt Italisë. Ministri gjerman i rendit, Otto Schily foli edhe më hapur kur deklaroi se pala shqiptare nuk e ka angazhimin e duhur për të mundësuar që qëndra e antitrafikut në Vlorë ta meritojë emrin e saj dhe misionin që ka marrë përsipër.
Këto kritika duhet të vlejnë për ta përmirësuar punën që të arrijmë rezultatet e shpresuara kur u vendos ngritja e kësaj qendre, -deklaroi zyrtari i lartë i qeverisë gjermane.
Deutsche Welle
02/03/2003

Lini një koment