Strasburgu miraton MSA me Shqipërinë

Me 52 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenime, Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian aprovoi Marrëveshjen e Asociim – Stabilizimit me Shqipërinë

Komisioni hodhi poshtë amendamentin e propozuar nga eurodeputeti grek, Jorgo Karaxhaferri, ku kërkohej kushtëzimi i çdo ndihme financiare me njohjen nga Shqipëria të Protokollit të Korfuzit

Në rezolutën që shoqëron raportin, kërkohet përparim në reforma dhe luftë kundër krimit e korrupsionit

    Me 52 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenime, Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian aprovoi Marrëveshjen e Asociim – Stabilizimit me Shqipërinë dhe projektrezolutën përkatëse të hartuar nga eurodeputeti estonez, Tomas Ilves. Aprovimi i këtij dokumenti të rëndësishëm u bë i mundur falë një debati të gjerë të mbajtur një ditë më parë në po të njëjtën sallë po nga ky komision. Eurodeputetë të ndryshëm kishin paraqitur fillimisht 41 amendamente shtesë raportit të hartuar nga eurodeputeti estonez, të cilat ky i fundit arriti t’i gruponte në 8 amendamente kompromisi. Kjo duket se solli edhe atë mbështetje pothuajse unanime të parlamentarëve evropianë ndaj marrëveshjes së asocim – stabilitetit me Shqipërinë dhe projektrezolutës të hartuar për këtë qëllim nga eurodeputeti Ilves. Eurodeputeti kristian demokrat gjerman Elmar Brok, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i këtij komisioni, pasi përgëzoi eurodeputetin estonez për cilësinë e raportit të tij, pohoi se tani e kanë radhën 732 deputetët evropianë që të shprehen rreth marrëveshjes së asocim-stabilitetit me Shqipërinë gjatë një seance plenare që është paraparë për t’u mbajtur në muajin shtator. Dhe po të lexosh me vëmendje nenet e rezolutës së porsaaprovuar nga Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian, bie në sy se hartuesi i saj ka cekur në të pothuajse të gjitha problemet me të cilat ndeshet shoqëria shqiptare sot, në të tëra fushat e jetës qofshin ato të politikës, ekonomisë, sociale, të rendit etj., etj.

Kushtet
Ndër të tjera, në këtë rezolutë nënvizohet se Shqipëria duhet të ketë rezultate më të dukshme në vënien në jetë të reformave, para se të mund të flitet për integrimin e saj në BE. Parlamenti Evropian shprehet veçanërisht i shqetësuar nga mungesa e progresit për sa i takon vënies në jetë të ligjeve në fuqi, forcimit të aftësive administrative, reformës në sistemin gjyqësor, luftës kundër krimit të organizuar dhe ndaj mungesës së mbështetjes ndaj shtypit të lirë dhe të pavarur – nënvizohet ndër të tjera në tekstin e kësaj rezolute, ku pohohet po ashtu se një luftë më efikase kundër krimit të organizuar, trafiqeve me njerëz dhe drogë etj., – përbëjnë kushte paraprake para se të flitet për një thellim të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë me BE-së.
Por menjëherë pas këtyre notave pesimiste në projektrezolutë pranohen përpjekjet e ndërmarra nga qeveria aktuale për të luftuar kundër dukurive të korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke nënvizuar me këtë rast se korrupsioni përfaqëson një dukuri të rrënjosur thellësisht në shoqëri, që përbën një pengesë serioze në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Njëkohësisht në rezolutë nënvizohet se lufta kundër korrupsionit, e ndërmarrë nga qeveria, nuk duhet kurrsesi të përdoret si një mjet i qërimit të hesapeve në politikën e brendshme. Dhe ashtu siç ishte paraparë një pjesë e veçantë i kushtohej në këtë dokument edhe procesit të zgjedhjeve të manipuluara vitet e fundit në vend. Ligji aktual elektoral u keqpërdor gjatë zgjedhjeve të 2005 duke nëpërkëmbur sistemin proporcional të tij, theksohet në rezolutë, ku u bëhet thirrje qeverisë dhe parlamentit vendas të modifikojnë reformën e sistemit elektoral që përpara zgjedhjeve të ardhshme lokale, sidomos për sa i takon saktësisë së listave të votimit dhe regjistrave të gjendjes civile.

Konferenca islamike
Për sa i takon çështjes të shumëpërfolur të pjesëmarrjes së Shqipërisë në Konferencën e Vendeve Islamike, duket se për këtë problem, si dhe për disa amendamente verbale që u propozuan gjatë seancës së të martës, që kishin të bënin po me çështjen e feve në Shqipëri, është rënë në ujdi që të diskutohet gjatë seancës plenare të Parlamentit Evropian të planifikuar për tu mbajtur në shtator të këtij viti. Fatmirësisht Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian hodhi poshtë, me shumicë votash, amendamentin e propozuar nga eurodeputeti grek, Jorgo Karaxhaferri, ku kërkohej kushtëzimi i çdo ndihme financiare nga ana e Bashkimit Evropian, me njohjen nga Shqipëria të Protokollit të Korfuzit, d.m.th të të ashtuquajturit Vorio Epir.

Viron GJYMSHANA

« Deutsche Welle », « Koha Jonë »

11 qershor 2001

Lini një koment