Shqipëria e vitit 1997 parë nga Perëndimi

       Pasqyra e lëndës

 PJESA E PARE

                FILLIMI I NJE FUNDI TE PALAVDISHEM

              * Rrënjët ose gjeneza e abcesit

                   * Demokracia e tradhtuar

                   * Në qendrën e votimit me kobure në brez

                   * Në tribunë si në ring

                   * Dëmtoi veten, Shqipërinë dhe Perëndimin

                   * Divergjenca amerikano – europiane mbi        

                      zgjedhjet në Shqipëri

                   * Fitore e hidhur dhe një rast tjetër i humbur

                   * Anullohet vizita në Shqipëri e presidentëve

                      të Bashkimit Europian dhe Komisionit

                      Europian

                   * Parlamenti Europian diskuton rreth procesit

                      zgjedhor të 26 majit

                   * Komisioni Europian dënon represionin  

                      policor kundër opozitës    

                   * Parlamenti Europian kërkon përsëritjen e

                      zgjedhjeve

                   * Perëndimi shpëton demokracinë shqiptare

                   * Hans van den Bruk do të vizitojë Tiranën për

                      t’i “matur pulsin”.             

                   * Presidenti i Parlamentit Europian, Klaus

                      Hensh spjegon rëndësinë e rezolutës për të

                      ardhmen e demokracisë në Shqipëri

                   * Në vigjilje të vizitës së Hans van den Brukut

                      në Tiranë    

                   * Raport i Komisionit Europian për marrëdhë-

                      niet Shqipëri – B.E.

                   * Kohë të vështira e presin Shqipërinë

                                   PJESA E DYTE

                     KRONIKE E NJE HUMBJEJE TE                                 

                               PARALAJMERUAR

                   *  “Duam paratë tona”

                    * Në Belgjikë tentohet të vihet në jetë   

                          “eksperienca shqiptare”

                    * Shtypi italian ndaj ngjarjeve në Shqipëri

  • BEI dhe FMI – thellësisht kundër  

   veprimtarisë së firmave piramidale

                    * Pika e ujit që derdhi gotën…

                    * Dialogu ndërpartiak shqiptar para atij me

                       me Bashkimin Europian

                    * Korbat në vendin e shqipeve…

                    * Interesim, habi dhe keqardhje

                    * “Me ne fitojnë të gjithë”?!

                    * FMI-ja dhe Shqipëria

                    * Kush do të paguajë?!                   

                    * Demokraci apo kleptokraci

                    * Çdo e keqe e ka edhe një të mirë ?!

                    * Dominoja e rradhës

                    * Komisioni Europian:”Wait and see”

                    * 5 pyetje për një çështje

                    * Mediat perëndimore në rivalitet

                    * Dy lloj vende të Lindjes

                    * “Regjimi i gangsterëve” (!)

                    * Diçka ka filluar të ndryshojë në Europë

                    * Ollbrajt dhe Van den Bruk: Autoriteteve

                       shqiptare u duhen dërguar sinjale…

                    * “Financial Times” – 6 faqe të plota për

                       Shqipërinë e sotme

                    * Shpresat janë lëkundur

                    * Tirana e vitit 1997

                    * Roli i Berishës sipas gazetës britanike

                    * Fuqizohen firmat huamarrëse, dobësohet

                       ekonomia kombëtare

                    * Një rreze shprese, megjithatë…

                    * Presidenca hollandeze e BE-së:”Qeveria

                       shqiptare nuk e ka pranuar ndihmën tonë”.

                    * Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve: Ndal

                       sulmeve kundër shtypit!

  • Në pritje të takimit të ministrave të jashtëm                

Të Bashkimit Europian

                    * Nervozizëm në rradhët e ministrave…

                    * As mish, as peshk

                    * Cfilitjet e shqiptarëve në Ballkan

                    * Komisioni Europian: Në rast se do të ishte

                       pranuar ndihma jonë, skandali i piramidave  

                       të  fajdeve do të ishte shmangur

                    * Gjendja e jashtëzakonshme në Shqipëri përci

                        – llet me interesim po aq të jashtëzakonshëm

                       nga shtypi perëndimor

                    * Gjithë vëmendja përqëndruar në Shqipëri

                    * Nga komunizmi në kazino

                    * Bashkimi Europian:”Në Shqipëri kemi të

                       bëjmë me krizë politike dhe ekonomike

                       njëkohësisht”

                    * Rritet shqetësimi, shtohet presioni

                    * Në Parlamentin Europian vihet në pikëpyetje 

                       legjitimiteti i presidentit Berisha

                    * Komunizmi kundër kapitalizmit dhe

                       kleptokracia kundër demokracisë

                    * Hans van den Bruk:- Duhet respektuar fjalë

                       për fjalë marrëveshja e 9 marsit

                    * Qëndrimi ndaj “komiteteve”?!…

  • “Europa e Bashkuar politike mund të lindë   

    në Tiranë!

                    *  Rezolutë e Parlamentit Europian për Shqi-

                       rinë

                    * Shqipëria do të rilindë si feniksi…

                    * Përse disa rrinë e shikojnë, ndërsa disa mezi

                       presin të përfitojnë?!

                    * Kriza shqiptare:- kthim në të kaluarën apo

                       kërcim drejt së ardhmes?!

                    * Shtypi perëndimor për kthimin e Leka Zogut

                       në Shqipëri

                    * I kundërshtuar nga të gjithë, por, megjithatë

                       i rrezikshëm

                    * Dy gabimet e Europës ndaj Shqipërisë

                    * Edhe në Luksemburg diskutime për  Shqipë-

                       rinë                    

                    * Shtohen raportet kritike

                    * Hans van den Bruk: Përgjegjësinë për krizen   

                       e mban qeveria shqiptare

                    * Ose merruni vesh me njëri-tjetrin ose ne   

                       Ikëm dhe ju lamë…

                    * Kemi të bëjmë thjesh me luftë për të

                       mbijetuar

                    * Dini kritikon Europën

                    * Intriga ndërkombëtare në Shqipëri

                    * Çfarë zgjidhin zgjedhjet ?!

                    * Berisha: “Do i shtyp rebelët e jugut”

                    * Bashkimi Europianoperëndimor dhe roli i tij

                       në Shqipëri

                    * Katerin Lalymier: E di se zgjedhjet nuk  

                       mund të jenë as të përkryera, dhe as        

                       plotësisht demokratike

                    * Hans van den Bruk:- Nuk është faji i  

                       Europës

                    * Mesazh i presidentit të Parlamentit Europian

                       Hoze Maria Xhil- Robles drejtuar popullit

                       shqiptar

                                   PJESA E TRETE

                         PERSERI  ÇDO GJE NGA ZEROJA

                    * “Le të rifillojë tani rindërtimi”

                    * Përpjekje për të krijuar konfuzion dhe

                       mjegull

                    * Në Parlamentin Europian debatohet për

                       referendumin

                    * Shtypi ndërkombëtar komenton revoltën e

                       monarkistëve

                    * Vranicki në selinë e NATO-s: Do të duhen         

                       vite që Shqipëria ta rimarrë veten

                    * Fatos Nano, Sali Berisha dhe Rexhep    

                       Meidani – ose e shkuara e afërt, e  

                       porsakryera dhe e ardhmja

                    * Përsëri çdo gjë nga zeroja…

                             PJESA E KATERT

                        SHPRESAT JANE VENITUR…

                    *  Një vit më pas – gjendja “kënetë”     

                     * Nuk mjaftonte 1997, por duhej edhe 14

                        shtatori!

                     * Bashkimi Europian: Gjendja në Shqipëri –            

                        shumë shqetësuese

                     * Shqipëria larg nga B.E.

                     * Miqtë lënë Shqipërinë jashtë Europës

                     * Doris Pack: “Nano – Berisha: largohuni”

                     * Europa përballë emigracionit shqiptar

                     * Shqipëria: Provim para BE-së   

                     * Krokodilë dhe dinozaurë

                                vend të parathënies

                                                          ……

                         FILLIMI I NJE FUNDI TE PALAVDISHEM

                          Rrënjët ose gjeneza e abcesit

             Hutim, dëshpërim, konfuzion,- me këto fjalë mund të karakterizohet atmosfera që mbretëron në institucionet e Bashkimit Europian pas deklaratave të vëzhguesve të huaj se zgjedhjet parlamentare të 26 majit në Shqipëri u karakterizuan nga parregullsi të shumta si dhe u zhvilluan nën nje klimë terrori psikologjik. Aq e vërtetë është kjo saqë ende deri më sot Bashkimi Europian nuk po di si të prononcohet ndaj tyre. Dilema me të cilën ai po ndeshet është tipike shqiptare: Si të bëhet që edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet?!

      Shumë vëzhgues europianë që i ndoqën zgjedhjet në Shqipëri i kanë kërkuar Bashkimit Europian që t’i konsiderojë si të paqëna ato, dhe të kujdeset që të organizohen zgjedhje të reja, të lira dhe demokratike. Por për shkak të qëndrimit të matur të shtetit shqiptar gjatë këtyre 4 viteve luftë në Jugosllavi, që pengoi shtrirjen e konfliktit nga Bosnja në Kosovë, Perëndimi i është mirënjohës Berishës, aq sa shpesh herë i ka mbyllur sytë ndaj regjimit të tij autokratik dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut në Shqipëri,-vënë në dukje analistët europianë. Në rast se tani Europa ia heq këtë mbështetje, ngjarjet atje mund të marrin një rrjedhë të paparashikuar. Por në rast se do të përligjë nje pushtet të mbështetur në një parlament njëpartiak, atëhere i duhet të pranojë se po përkrah një regjim që po shkel principet demokratike që vetë Europa i ka proklamuar…

      “Po vazhdojnë këshillimet me qeveritë e 15 vendeve anëtare, që të dalim me një qëndrim të përbashkët,dhe ndofta është çështje orësh edhe botimi i një deklarate zyrtare për t’i gjetur një rrugëdalje këtij problemi”- përsëriti sot në selinë e Komisionit Europian në Bruksel, zëdhënësi Nikolaes Wegter.

                                                                     Bruksel

                                                       30/5/1996    

                                          Demokracia e tradhëtuar

          Foto ku shihen njerëz të përgjakur, policë të pajisur me kaska dhe shkopinj gome që rrahin me egërsi njerëz të shtrirë përdhe, reportazhe dramatike të gazetarëve të huaj që ndiqnin zgjedhjet të shoqëruar me tituj tronditës:-kjo është tabloja e shtypit europian ndaj zhvillimeve më të fundit në Shqipëri.

         “Demokracia u tradhtua në Shqipëri”,-kështu shkruan me gërma të mëdha në numrin e sotëm e përditshmja e njohur britanike “The Independent”. Me ngjarjet e fundit u zhduk çdo iluzion që mund të kishte mbetur rreth së ashtuquajturës demokraci në Shqipëri, thekson në këtë gazetë i dërguari i saj në Tiranë, Andrew Gumbel.

        “Shqipëria përballë një diktature të re”,-është ky titulli i një tjetër të përditshmeje londineze me reputacion:“The Guardian”. Skenat e djeshme, shkruan në këtë gazetë Helena Smith, na sollën ndërmend ato të 6 viteve më parë, kur populli ishte ngritur për të përmbysur diktaturën staliniane.

                                   Në qendrën e votimit me kobure në brez

       “Në Shqipëri zgjedhjet ishin të rreme”,– ishte ky titulli i gazetës italiane “La Republica” e datës 30 maj. Raporti zyrtar i vëzhguesve europianë akuzon Berishën,- nënvizon Piero Benetazzo, i cili më poshtë shton se 53 vëzhguesit europianë të OSBE-së e thyen heshtjen dhe po tregojne hapur se çfarë kanë parë.

    “Kur arritëm në qendrën 76 të zonës së Lushnjës, shprehet njëri nga vëzhguesit italianë,  ishte ora 10 e mëngjezit, por qendra e votimit ishte mbyllur, sepse sipas thënieve të drejtuesve demokratë të gjithë kishin votuar. Por jashtë qendrës një grup njerëzish po protestonin. Atëhere e ndërruan gënjeshtrën  dhe na thanë se formularët e votimit mungonin pasi ishin vjedhur dhe hajduti kishte ikur nga dritarja. Por dritarja ishte e zënë me hekura?! Atëhere drejtuesit e qendres vajtën dhe u ankuan për ne te kryetari i zonës zgjedhore. Ai na u afrua, hapi ngadalë xhaketën për të na treguar pistoletën që mbante në brez dhe pastaj na “spjegoi” se ne të huajt duhet të ia dimë për nder Berishës që po na mbron nga vërshimet e klandestinëve nga Shqipëria !

    Në një tjetër të përditshme italiane “Il Sole 24 ore”, Elena Raguza tregon se çfarë ajo ka parë të dielën më 26 maj në Tiranë:”Kuti votimi që ishin mbushur që në ora 7 të mëngjesit, ende pa filluar votimet, me skeda në favor të Partisë Demokratike. Zgjedhës që hidhnin në kutitë e votimit, jo një, por dhjetëra skeda të parapërgatitura, qendra votimi të ngritura në shtëpitë e anëtarëve të partisë demokratike e të tjera. Këto ishin zgjedhjet e 26 majit në Shqipëri”…

       Ndërsa gazeta më e madhe italiane,“Corriere della Sera” duke komentuar zgjedhjet e së dielës në Shqipëri shkruan me gërma të mëdha:“Në qëndrën e votimit me kobure në brez”. “Simboli i këtyre zgjedhjeve mund të konsiderohet sekretari demokrat i zonës së votimit nr 74 që sillej nëpër qendrat e votimit me kobure në brez, e mjaftueshme kjo per t’i ndërruar mëndjen kujtdo që do të vinte në dyshim ligjshmërinë e këtyre votimeve”,- vinte në dukje me qesëndi Luigji Ipolito në këtë gazetë. Ndërsa një tjetër vëzhgues italian, Xhani Zampariolo, pohon po te  “Corriere della Sera” se në disa raste pranë qendrave të votimit vëzhgonte policia, ndërsa kryetarët dhe sekretarët e Partisë Demokratike pranë komisioneve elektorale të qendrave të votimit u paraqisnin vëzhguesve të huaj anëtarë të Partisë Demokratike që hiqeshin si përfaqësues të partive të opozitës!

    “Zgjedhjet në Shqipëri mund të konsiderohen çdo gjë, por vetëm zgjedhje të lira jo”,- thekson me indinjatë në të përditshmen tjetër italiane “La Stampa”  njëri nga 54 vëzhguesit e OSBE-së.

                                  Në tribunë si në ring

    Ndërsa shtypi francez duket se merret më shumë me rolin dhe karakterin e Berishës gjatë këtyre zgjedhjeve:-“Berisha ngjitet në tribunë si boksieri në ring. Ai çirret, ulërin, bërtet, derisa i ngjirret zëri, ngre duart drejt qiellit dhe u drejtohet perkrahësve të tij me fjalët:”Ju dua kaq shumë të gjithëve”,- nënvizon e përditshmja franceze  “Le Figaro”.

         Një tjetër e përditshme e njohur franceze,“Liberation”, duke analizuar rolin e Berishës gjatë kësaj fushate vë në dukje:“Berisha është rritur dhe formuar nën një sistem autoritar, i bazuar në pushtetin e një njeriu. Dhe ai tani po sillet njëlloj si paraardhësit e tij. Por Berisha i mbush mendjen vetes se është demokrat, pasi lejon disa gazeta opozitare ta kritikojnë. Ky është koncepti i tij për demokracinë”.

     Mendimi i analistëve dhe gazetarëve të huaj që po shkruajnë rreth ngjarjeve të fundit në Shqipëri është i prerë: “Pas 50 vjet sundimi të një nga diktaturave më të egra, Shqipëria po rrezikon të bjerë përsëri nën një diktaturë të re”.

                        Dëmtoi veten, Shqipërinë dhe  

                            Perëndimin

    “Keq për Berishen, keq për Perëndimin”,-ky është përfundimi i arritur nga e përjavshmja e njohur britanike “The economist”  pas përfundimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Duke dëmtuar zgjedhjet në Shqipëri, Berisha nuk goditi vetëm vendin e tij, por gjithashtu edhe Perëndimin, i cili kishte investuar shumë besim te ai. Por Berisha, pa asnjë dyshim, dëmtoi edhe të ardhmen e tij. Dhe e gjitha kjo se kërkonte një parlament ku të kishte 2/3 e votave, që të bënte një kushtetutë sipas midesë së tij, pasi populli ia kishte hedhur poshtë një të tillë, që ai e kishte përgatitur për veten rreth 2 vjet më parë.

Me vendimin e tij ai ia futi vetes, por i krijoi edhe Perëndimit një problem më shumë në këtë rajon të trazuar ballkanik,-përfundon “The economist”.

      “Zgjedhjet e manipuluara kërcënojnë për luftë civile në Shqipëri”,-theksonte në “Times”-in britanik, korrespondenti i saj në Shqipëri, Riçard Ouen.

                  Divergjenca amerikane – europiane lidhur me zgjedhjet në Shqipëri.                                                    

     “Shumë vende europiane si Italia, Gjermania dhe Britania e kanë mbështetur pa rezerva  pushtetin e Berishes gjatë këtyre 4 vjetëve, pavarësisht nga shenjat e dukshme të një autoritarizmi personal gjithnjë në rritje.

    Diplomatët e huaj të akredituar në Tirane na e bënë të qartë se vendet e tyre, pasi të bënin pak naze, ishin më të predispozuara ta pranonin përfundimin e zgjedhjeve, për të siguruar interesat e tyre ekonomike dhe strategjike në Shqipëri, sesa të merreshin me zhvillimin e demokracise, apo të kritikonin shkeljet e të drejtave të njeriut dhe proceset e mbrapshta demokratike në këtë vend.

    Por kjo tolerancë europiane nuk mbështetet më nga qeveria amerikane, e cila pasi kishte qënë një nga përkrahesit e tij të parë, me kalimin e kohës është tërhequr, aq sa javët e ardhshme ajo parashikon t’i fusë gërshërën edhe disa projekteve investimash dhe ndihmash në Shqipëri”- vëren te “The Independent”, analisti Andrew Gumbel.

    Por e njëjta erë duket se ka filluar të fryjë edhe nga Brukseli. Megjithëse në Komisionin Europian vazhdon të mbretërojë një heshtje varri, burime zyrtare pohuan sot se Bashkimi Europian po parasheh nje përsëritje të pjesëshme të tyre. Italia që është edhe kryesuese e rradhës e Bashkimit Europian paralajmëron se marrëdhëniet e Shqipërise me 15 vendet anëtare të Bashkimit Europian mund të kenë pasoja të padëshirueshme në rast se procesi elektoral në Shqipëri i kundërvihet proceseve demokratike ndërkombëtare.

    I të njëjtit mendim duket se është edhe Xhon Palmer, një nga njohësit më të mirë të politikës europiane. “Bashkimi Europian duket se po përgatitet të braktisë projektin e tij për lidhje më të ngushta me Shqipërinë, kur ministrat e jashtem të tij do të takohen më 10 qershor në Luksemburg. Bashkimi Europian me një marrëveshje “sui generis” dukej se po bëhej gati të shpërblente Berishën për rolin e tij frenues në krizën kosovare, por pas ngjarjeve të fundit mund të themi se përfundoi edhe “muaji i mjaltit” i Berishës me Perëndimin, mendon Xhon Palmer.

“The Independent”

“The Guardian”                                                             29/5/1996

                        Fitore e hidhur dhe një rast tjetër i humbur për Shqipërinë

     “Opozita i braktis zgjedhjet, pushteti thërret fitore, por në Shqipëri suksesi i demokratëve po kundërshtohet”- lajmëron me gërma të dukshme e përditshmja e njohur belge “Le Soir”.  I dërguari i posaçëm i kësaj gazete në Tiranë, Thierry Fiorilli, i cili i ndoqi nga afër zgjedhjet, në reportazhin e tij nga Tirana nënvizon ndër të tjera se:- ky është fundi logjik i një fushate të pistë elektorale”.

     Në po të njëjtën gazetë, analisti i njohur belg i çështjeve ballkanike, Eduard van Velthem në shkrimin e titulluar:Fitore e hidhur dhe një rast tjetër i humbur” komenton: “Ndërkohë që Partia Demokratike feston dhe presidenti Berisha thërret “fitore”, të vjen të qeshësh kur kujton atmosferën e rrëmujës së përgjithshme që shoqëroi këto zgjedhje si dhe parregullsitë e shumta që u vërejtën nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Fitore e hidhur pasi në vend që të punohej rreth një politike pajtimi dhe bashkëpunimi kombëtar, sot vendi është më i ndarë se kurrë më parë. Kjo ishte një goditje e rëndë edhe për institucionet ndërkombëtare, që pasi e mbajtën në krahë Shqipërinë gjatë gjithë këtyre viteve, tani nuk dinë më si të sillen dhe çfarë të bëjnë.

   “Shqiptarët kundërshtojnë fitoren e partisë në pushtet”,-e titullon shkrimin e saj e përditshmja e njohur në gjuhën angleze “International Herald Tribune”, e cila më pas vëren se ndërsa partia demokratike po feston atë që ajo e konsideron si një fitore të madhe, vëzhguesit e huaj janë në mëdyshje nëse duhet t’i njohin këto zgjedhje si të ligjshme apo jo, aq shumë të meta dhe parregullsi u vërejtën.

    Një nga zgjedhjet më absurde të këtyre 6 viteve të   fundit:Presidenti Berisha ka “fituar”, demokracia në Shqipëri ka humbur, ndërsa Perëndimit i duhet ta nxjerrë gjithë këtë lojë në barazim,-ironizon nga ana e saj “La Stampa”.

                                                                          29/5/1996

                         Anullohet vizita në Shqipëri e presidentëve të Bashkimit Europian dhe Komisionit Europian

       Zgjedhjet aq të dyshimta dhe të përfolura të 26 majit të shkuar nuk kaluan pa pasoja dhe në marrëdhëniet politike ndërmjet Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. Madje shumë më shpejt edhe sesa pandehej.

     Burime zyrtare të Komisionit Europian në Bruksel, njoftuan sot në mesditë se si rrjedhojë e çrregullimeve të vërejtura gjatë fushatës elektorale në Shqipëri, por sidomos të parregullsive të konstatuara ditën e votimit, të cilat ranë në kundërshtim të hapur edhe me kërkesën këmbëngulëse të publikuar bashkërisht më 21 maj nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kërkonin mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri, perfaqësuesit e Bashkimit Europian kanë anulluar vizitën e programuar për këtë fund jave në Tiranë.

     Nje delegacion i nivelit të larte të Bashkimit Europian, i përbërë nga presidenti i Komisionit Europian, Zhak Santer dhe presidenti i rradhës i Këshillit te Ministrave të Bashkimit Europian, ministri i jashtëm italian Lamberto Dini, kishin planifikuar gjatë kësaj fund jave një vizite në kryeqytetet e disa vendeve ballkanike, duke përfshirë këtu edhe Tiranën.

             Turneu do të zhvillohet në kohën e paracaktuar, por është ndryshuar itinerari i tij,- përfaqësuesit e Bashkimit Europian kanë anulluar vizitën e tyre në Tiranë, pasojë kjo e drejtpërdrejtë e ngjarjeve të fundit tronditëse dhe të padëshirueshme që e kanë dëmtuar shumë imazhin e Shqipërisë sot në botë.

     Duke komentuar arsyet e anullimit të vizitës, zëdhenesi i Komisionit Europian gjatë konferencës së zakonshme të shtypit deklaroi:

     “Si pasojë e çrregullimeve te vërejtura gjatë procesit të zgjedhjeve në Shqipëri, Bashkimi Europian e konsideron këtë proces si ende të papërfunduar, dhe është duke pritur raportin përfundimtar të vëzhguesve të OSBE-se. Dhe është në këtë kontekst që zoterinjtë Dini dhe Santer nuk e shohin të arsyeshme të vizitojne të premten dhe të shtunën e ardhshme Tiranën”.

                                                                  Bruksel                                           

                                                                10/6/1996

                                Parlamenti Europian diskuton             

                rreth procesit zgjedhor të 26 majit

                    Sot pasdite në ora 15, Parlamenti Europian i mbledhur në seancë plenare në Strasburg filloi shqyrtimin e gjendjes në Shqipëri pas zgjedhjeve të fundit. Mbi 20 europarlamentarë diskutuan  rreth mënyrës së zhvillimit të tyre si dhe proceseve demokratike në këtë vend ballkanik.

                  Për eurodeputeten socialdemokrate gjermane Magdalena Hof  parregullsitë dhe shkeljet e ligjit të zgjedhjeve në Shqipëri kishin filluar dhe ishin planifikuar që para  ditës së zgjedhjeve, dhe këtë, sipas saj, e vërtetuan edhe vëzhguesit e huaj dhe të pavarur. Këto zgjedhje do shërbejnë vetëm që zoti Berisha të aprovojë tani atë projektkushtetutë që populli ia hodhi poshtë rreth 2 vjet më parë. Nuk ka shtet demokratik pa opozitë, tha zonja Hof, e cila më pas shtoi: Vetëm zgjedhjet e reja dhe të ndershme do ta rikthejnë Shqipërinë në rrugën e demokracisë. Ajo i bëri thirrje Këshillit te Ministrave të Bashkimit Europian dhe Komisionit Europian që të ndërpresin çdo marrëdhënie me Shqipërinë deri në organizimin atje të zgjedhjeve të reja.

       Eurodeputeti italian Xhanfranko del Alba  pohoi se për shkak të këtyre zgjedhjeve pozita e Shqipërisë sot është vështirësuar. Edhe eurodeputeti tjetër italian, Xhani Tamino ishte i po të njëjtit mendim. Zgjedhjet kanë qënë të manipuluara në të gjithë vendin, prandaj ato duhen përsëritur. Ne kemi shumë mundesi të ndikojmë që ato të përsëriten, këmbënguli ai. Sipas tij, pezullimi i marrëveshjes “sui generis” që pritet të nënshkruhet së shpejti me Shqipërinë, është njëra nga masat që duhet të marrë Bashkimi Europian për rivendosjen e demokracise atje.

   I një mendimi tjetër ishte zonja Doris Pack, kryetare e delegacionit të Parlamentit Europian për vendet e Europes Juglindore. Sipas eurodeputetes kristiandemokrate gjermane, shqiptaret votuan në këto zgjedhje sipas traditave të tyre. Nuk duhet të kërkojme nga ata, atë që ne vetë e kemi arritur me aq shumë perpjekje dhe pas një rruge aq të gjatë. Nuk duhet të harrojmë, nënvizoi zonja Pack, se gjatë këtyre 5 vjeteve të fundit Shqipëria ka kaluar nga Mesjeta në kohët moderne.

    Europarlamentari Wiersman që e mori fjalën më pas nënvizoi se nuk është mirë që të mbajmë qëndrime partiake, por t’i shohim gjërat me gjakftohtësi dhe largpamësi. Vëzhguesit e huaj dhe të pavarur, theksoi ai, kanë vërejtur mashtrime sistematike në procesin e zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Për më tepër Shqipëria është edhe anetare e Këshillit te Europës, ndaj ajo duhet t’i respektojë me skrupolozitet detyrimet që rrjedhin nga ky anëtarësim.

     Eurodeputeti Otto fon Hasburg, duke pohuar mundesinë e parregullsive të vërejtura gjatë votimeve në Shqipëri, nënvizoi që të mos pretendohet dhe kërkohet nga demokracia e re shqiptare, atë që pretendojme dhe presim me të drejtë nga demokracitë nordike apo të vendeve të Beneluksit.

    Por parlamentarë të tjerë si Cavalini, Daskalaki, Bertens etj nënvizuan se nga Shqipëria kemi të drejte të presim dhe të kërkojmë procese të rregullta demokratike, më themeloret nga të cilat konsiderohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

                                                                                          Strasburg

                                                                                         20/6/1996                                                                                                                                                                                            

                            Komisioni Europian dënon     represionin policor kundër opozitës

     Pas gjithë këtyre diskutimeve të parlamentarëve europianë e mori fjalën edhe komisioneri i Bashkimit Europian, Manuel Marin, i cili duke u shprehur në emër të Komisionit Europian theksoi ndër të tjera se raporti i fundit i OSBE-se vërteton ato të mëparshmit: gjatë zgjedhjeve në Shqipëri janë vërejtur parregullsi të shumta. Ne dënojme po ashtu edhe represionin policor ndaj forcave të opozitës në Shqipëri. Ne kishim planifikuar të nënshkruanim një akord të veçantë me Shqipërinë, por nënshkrimi i tij do të varet nga proceset demokratike në atje si dhe nga predispozicioni i presidentit Berisha për tu ulur dhe biseduar me forcat e opozitës,- u shpreh komisioneri i Bashkimit Europian.

                                                                             Strasburg,

                                                                21/6/1996

Parlamenti Europian kërkon                            përsëritjen e zgjedhjeve në Shqipëri

     Në  ora 18 të ditës së djeshme Parlamenti Europian i mbledhur në seance plenare në  Strasburg aprovoi me shumicë votash një rezolutë për Shqipërinë, në të cilën ndër të tjera theksohej se:

            –“Parlamenti Europian duke pasur parasysh vendimet

e mëparshme mbi gjendjen në Shqipëri dhe marrëdheniet ndërmjet Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, si dhe deklaratën e presidencës së Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian të 31 majit 1996, në të cilën kërkohet përsëritja e pjesshme e zgjedhjeve;

            – duke pasur parasysh se raportet  e vëzhguesve ndërkombëtarë, dhe në mënyrë të veçantë të atyre të Organizates për Sigurim dhe Bashkëpunim në Europë që nxjerrin në pah një vazhdimësi të shkeljeve të rënda të ligjit të zgjedhjeve në Shqipëri, po ashtu si dhe rastet serioze të frikësimit të zgjedhësve si dhe të anëtareve të komisioneve të votimit;

            -duke pasur parasysh se 9 parti opozitare janë tërhequr në shenjë proteste në vetë ditën e zgjedhjeve, si dhe që ato bojkotuan turin e dytë të zgjedhjeve më 2 qershor;

            – duke konstatuar me shqetësim dhunën e ashpër me të cilën u ndeshën pas zgjedhjeve përkrahësit e opozitës nga forcat policore;

            – duke nënvizuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka një proces i vërtetë elektoral në vendosjen e  një demokracie të denjë për këtë emër në Shqipëri;

            – duke pasur parasysh se Komisioni Europian do t’i paraqesë Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian një propozim për një mandat marrëveshjeje me qellim të nënshkrimit me Shqipërinë të një akordi të ri, i cili do të zevendësojë marrëveshjen e  bashkepunimit dhe tregtisë të vitit 1992, akord i cili ka për synim intensifikimin e dialogut politik dypalësh dhe futjen e Shqipërisë me të drejta të plota në Bashkimin Europian,-

                                     deklaron sa vijon:

1) përsërit mbështetjen e tij ndaj procesit të demokratizimit në Shqipëri, por vëren se ngjarjet që kanë ndodhur atje gjatë zgjedhjeve përbëjnë dukshëm nje hap prapa në krahasim me një demokratizim të vërtetë dhe vendosjen e shtetit të së drejtës;

2) dënon shkeljet që kanë ngjarë në Shqipëri gjatë zhvillimit të zgjedhjeve;

3) i kërkon me këmbëngulje presidentit shqiptar anullimin e rezultatit të këtyre zgjedhjeve dhe organizimin sa më shpejt të zgjedhjeve të reja në pershtatje me normat demokratike ndërkombëtare;

4) u bën thirrje qeverisë si dhe partive të opozitës të fillojnë një dialog politik për t’i gjetur një zgjidhje krizës së tanishme;

5) fton Këshillin e Ministrave të Bashkimit Europian që tua bëjë të ditur qartë autoriteteve shqiptare se Bashkimi Europian kërkon që zgjedhjet në Shqipëri të kryhen duke respektuar plotësisht normat ndërkombëtare, dhe këtu është fjala per një kushtezim para fillimit të çdo negociate për fuqizimin e marrëdhenieve dhe bashkëpunimit me Bashkimin Europian;

6) i kërkon qeverisë shqiptare që ajo të lirojë të burgosurit politikë, t’i garantojë shtypit kushtet e duhura për të punuar normalisht dhe në mënyrë të pavarur si dhe të heqë dënimin me vdekje;

7) i kërkon me forcë Komisionit Europian dhe Këshillit të Ministrave të B.E.-së të ndërpresin çdo marrëdhënie ndërmjet Bashkimit Europian dhe Shqipërisë derisa demokracia dhe të drejtat e njeriut të jenë rivendosur në këtë vend dhe që zgjedhjet e reja të zhvillohen në përputhje me normat demokratike ndërkombëtare.

                                                                       Strasburg

                                                                     21/6/1996

                   Perëndimi shpëton demokracinë

                               shqiptare

     Nuk po rresht në Parlamentin Europian jehona e mënyrës sesi u zhvilluan zgjedhjet në Shqipëri. Delegacioni i Parlamentit Europian për vendet e Europes Juglindore e ka përfshirë në rendin e tij të punës për ditën e nesërme shqyrtimin e gjendjes në Shqipëri pas zgjedhjeve të fundit.  Ky interesim i veçantë i institucioneve dhe mediave ndërkombëtare ndaj demokracisë shqiptare duhet përshëndetur.

     Mund të thuhet se çdo gjë ishte parashikuar për zgjedhjet në Shqipëri: mënyra se si do të zhvilloheshin, rezultati e të tjera. Vetëm diçka nuk ishte paraparë ose ishte  nënvleftësuar – rëndesia që vendet e qytetëruara dhe me demokraci të konsoliduar i kushtojnë aplikimit të principeve demokratike, respektimit të të drejtave të njeriut, dhe mbi të gjitha  organizimit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si gur themeli dhe barometër i pagabueshëm i shkallës së demokracisë së vërtetë për çdo vend të botës.

     Dhe ndodhi pikërisht ajo që nuk parashikohej dhe as pritej: Bota e qytetëruar nuk e pranoi mënyren sesi u zhvilluan zgjedhjet në Shqipëri.

         Institucionet më të njohura ndërkombëtare dhe shtetet më demokratike të botës deklaruan se zgjedhjet e treta pluraliste në Shqipëri u karakterizuan nga parregullsi të shumta, gjë që ka vënë në pikëpyetje vetë demokracinë e brishtë shqiptare. Madje ato u konsideruan si një hap prapa edhe në krahasim me ato të vitit 1992, siç u theksua në deklaratën e departamentit amerikan të shtetit.

     Një rol dhe ndihmesë të veçantë dhanë në këtë drejtim vëzhguesit e huaj si dhe përfaqesuesit e masmediave perëndimore që u ndodhën më 26 maj në Shqipëri. Të rritur dhe të edukuar në vende të civilizuara dhe me tradita demokratike ata u skandalizuan me ato që panë në Shqipëri. U habitën kur panë njerez të armatosur pranë qendrave të votimit, u çuditën kur vërejtën qendra votimi të mbyllura që në mesditë dhe njerëz që prisnin jashtë të votonin, ose kur vërejtën se numri i skedave të plotësuara e tejkalonte numrin e votuesve të regjistruar, por indinjata e tyre arriti kulmin kur panë sesi u trajtuan forcat opozitare nga policia.

    Te gjitha këto skena i bindën ata se në Shqipëri, mentaliteti i partisë unike në pushtet, mentalitet i trashëguar nga regjimi i mëparshëm diktatorial, nuk kishte ndryshuar, madje ai ishte transplantuar deri në udhëheqjen e Partisë Demokratike nga shumë prej atyre ish-komunistëve që tani militojnë në të.

    Dhe vëzhguesit e huaj, së bashku  me përfaqësuesit e masmediave perëndimore nuk mundën të heshtnin…    Dhe vetëm kështu mund të spjegohen dhe kuptohen gjithë ato kronika televizive, reportazhe radiofonike, analiza dhe komente të shtypit të shkruar që për ditë me rradhë zunë kryet e informacionit në vendet perëndimore. Vetëm kështu spjegohet dhe denoncimi që u bënë këtyre zgjedhjeve OSBE-ja, Parlamenti Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj.

     Dhe mund të konkludojmë se si pasojë e prezencës së vëzhguesve të huaj si dhe të kujdesit të vendeve demokratike, Perëndimi e shpëtoi demokracinë në Shqipëri.

    Për herë të dytë vetëm gjatë këtyre 5 viteve të fundit, vendet e Europës Perëndimore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe institucionet dhe organizatat  ndërkombëtare iu ndodhën në krah popullit shqiptar në momente vërtet decisive. Në fillim kur ai hoqi qafe njërën nga diktaturat më mizore dhe gjakatare që i morën frymën popullit shqiptar për mëse 45 vjet, dhe së dyti këto ditë. Dhe ndërmjet këtyre 2 pikave kulmore një lumë ndihmash humanitare dhe financiare me nje vlerë prej 1.5 miliardë dollarësh që iu ofruan Shqipërisë nga këto  vënde dhe organizma.

     Mësimi është i madh: Bota demokratike nuk e ka harruar Shqipërinë, por ajo dëshiron një Shqipëri demokratike ku principet e demokracisë të konsiderohen të shenjta. Kjo është rruga e vetme e Shqipërisë drejt Europës.

Viron Gjymshana                                              Bruksel

 Deutsche  Welle                                               2/7/1996                                     

                            Hans van den Bruk do vizitojë Tiranën  për t’i  matur “pulsin”.

     Burime zyrtare të Komisionit Europian në Bruksel njoftuan sot se komisioneri i Bashkimit Europian për vendet e Europës Qendrore dhe Lindore Hans van den Bruk do të zhvillojë më 25 dhe 26 korrik një vizitë zyrtare në Maqedoni dhe Shqipëri.

     Duke spjeguar arsyet e vizites së zyrtarit të larte të Bashkimit Europian në Tirane, zëdhënësi i kabinetit të komisionerit Hans van den  Bruk, Nikolaes Wegter pohoi se vizita e zotit Van den Bruk në Tiranë lidhet me zhvillimet dramatike në Shqipëri pas zgjedhjeve të 26 majit. Duhet parë situata në vend, duhet biseduar me të gjitha forcat politike dhe instancat përkatëse shtetërore para se të vendoset  se si duhet sjellur me Shqipërinë në të ardhmen. Do të diskutojmë me autoritetet shqiptare se si do te reflektojnë ato ndaj kritikave të shprehura në raportin e vëzhguesve të OSBE-se dhe vëzhguesve të tjerë ndaj shkeljeve të praktikës së zgjedhjeve të vërejtura në Shqipëri.

     Me Shqipërinë ishte parashikuar edhe nënshkrimi i një akordi “sui generis”, por se si do të veprohet në të ardhmen kjo do të varet edhe nga rezultatet e vizitës sone në Tiranë, -deklaroi zoti Wegter.

     Burime të Komisionit Europian pohuan po ashtu se rreth marrëdhënieve me Shqipërinë do të diskutohet gjatë takimit të ardhshëm të ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian që do të mbahet më 15 dhe 16 të këtij muaji. Van den Bruk propozimet dhe vërejtjet e ministrave të Bashkimit Europian do ua bëjë të njohura gojarisht autoriteteve shqiptare.

                                                                             Bruksel

                                                                           5/7/1996                                           

                           Presidenti i Parlamentit Europian

          Klaus Hensh spjegon rëndësinë e rezolutës për të ardhmen e demokracisë në Shqipëri.

         “Në rradhë të parë rezoluta e aprovuar dëshmon interesin që Parlamenti Europian i kushton Shqipërisë si dhe rruges së saj drejt demokracisë; së dyti në këtë rezolutë gjejnë pasqyrim problemet me të cilat ndeshet shoqëria shqiptare sot, por në të po ashtu jepen edhe rrugët për t’i kapërcyer këto kontradikta dhe për të avancuar në rrugën në të cilën Shqipëria hyri rreth 5 vjet më parë. Në këtë rezolutë Parlamenti Europian nuk ka kërkuar vetëm anullimin e zgjedhjeve të 26 majit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja, të lira dhe të ndershme, por po ashtu ka bërë thirrje për lirimin e të gjithë të burgosurve politikë në Shqipëri, për respektimin e lirisë së shtypit dhe abrogimin e dënimit me vdekje.

     Në vendimin e tij Parlamenti Europian u mbështet në rradhë të parë në vërejtjet e vëzhguesve të huaj që kishin vajtur atje për të mbikqyrur votimet, në raportin e OSBE-së, siç pati parasysh edhe informacionet dërguar kryeqyteteve europiane nga përfaqësuesit diplomatikë në ambasadat tona në Tiranë si dhe nga reportazhet e masmedias ndërkombëtare. Të gjithë këta ishin unanimë kur pohonin se zgjedhjet në Shqipëri u karakterizuan nga parregullsi të shumta dhe se gjatë zhvillimit të tyre u shkelën edhe vetë nenet e ligjit shqiptar për zgjedhjet. Për të gjitha këto arsye ne nuk ngurruam t’i konsideronim ato si një hap prapa në rrugën e demokratizimit në Shqipëri.

     Kjo rezolutë do të lozë rol edhe në  marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Ne jemi deklaruar pa asnjë mëdyshje se zgjedhjet e lira jane kushti i pare”sine qua non’ për çdo lloj bashkëpunimi ndërmjet Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera. Dhe pikërisht si pasojë e shkeljes së këtyre parimeve, në rezolutën tonë ne kemi kërkuar shprehimisht që çdo marrëdhenie ose akord i ardhshëm ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian të pezullohet, siç i kemi kërkuar Komisionit Europian dhe Këshillit të Ministrave të BE-së që t’i ngrijnë marrëdhëniet e tyre të deritanishme me Shqipërinë deri në organizimin atje të zgjedhjeve të reja.

           Por kjo rezolutë duhet kuptuar si mbështetje në rrugën e Shqipërisë drejt demokracisë, dhe jo si kundërvënie. Ne dëshirojmë që Shqipëria të vazhdojë në rrugën e saj drejt demokracisë, pasi çdo ndryshim kursi do të jetë i dëmshëm si për Shqipërinë, ashtu edhe për të ardhmen e popullit të saj, deklaroi presidenti i Parlamentit Europian, Klaus Hensh.

        Bisedoi:                                                  Bruksel, 

       Viron Gjymshana                                            9/7/1996

                           Në vigjilje të vizitës së komisionerit Hans van den Bruk në Tiranë

         Jo shumë kohë më parë, në fillim të qershorit, 2 zyrtarët më të lartë të Bashkimit Europian, presidenti i tij i rradhës, ministri i jashtëm italian Lamberto Dini dhe presidenti i Komisionit Europian Zhak Santer anulluan papritur vizitën e tyre të planifikuar për në Tiranë për shkak të mënyrës se si u zhvilluan zgjedhjet atje, ndërkohë që vizituan Zagrebin, Sarajevën, Beogradin dhe Shkupin.

        Por nesër në drejtim të Tiranës dhe Shkupit do të udhëtojë komisioneri i Bashkimit Europian Hans van den Bruk. Meqë zoti Van den Bruk konsiderohet si ministri i jashtem de fakto i Bashkimit Europian vizita e tij në Tiranë, dy muaj pas zhvillimit të zgjedhjeve atje, merr rëndësi të veçante, pasi ky është zyrtari më i lartë dhe i pari që viziton këtë vend pas zhurmës së krijuar rreth votimeve të 26 majit.

     Eshtë kjo vizita e dytë që zoti Van den Bruk ndërmerr në Shqipëri që pas permbysjes së diktaturës komuniste atje. Vizitën e tij të parë në këtë vend komisioneri i Bashkimit Europian e zhvilloi më 28 prill 1995. Optimist nga ndryshimet ekonomike dhe politike që ai vuri re atje, me tu kthyer në Bruksel, zoti Van den Bruk deklaroi se edhe me Shqiperinë mund të nënshkruhej një marrëveshje asocimi, njëlloj si ato që Bashkimi Europian kishte nënshkruar deri atëhere me 10 vende të tjera të Europes Qendrore dhe Lindore. Deklaratë që zgjoi menjëhere debate të zjarrta dhe diskutime të shumta sa në mjediset e Bashkimit Europian, aq edhe në masmedian perëndimore. Përkrahësit e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian u shprehën se qoftë për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike dhe strategjike, por mbi të gjitha për rolin e matur që kishte luajtur shteti shqiptar gjatë konfliktit të përgjakshem në ish-Jugosllavi, i cili deri në një farë mase pengoi perhapjen e flakëve të luftës edhe në Kosovë dhe Maqedoni, duke evituar kështu shtrirjen e konfliktit dhe transformimin e tij nga një dramë thjesht bosnjake në një dramë ballkanike, Shqipëria e meritonte dhe duhej shpërblyer me një akord asocimi. Por kundërshtarët e kësaj ideje u shprehën se nuk mund të pranohej në gjirin e Bashkimit Europian një vend i cili sapo kishte nënshkruar anëtarësimin e tij në Konferencen e vendeve islamike dhe ku ende reminishencat e dukurive të komunizmit gjallonin deri në udhëheqjen e vendit.

     Pikërisht për të nxitur nënshkrimin e një akordi asocimi me Shqipërinë si dhe për t’i dhënë një shtysë më të fuqishme marrëdhënieve shumëplanëshe ndërmjet Bashkimit Europin dhe Shqipërisë, presidenti shqiptar Sali Berisha vizitoi selinë e Bashkimit Europian në Bruksel, 6 muaj më pas, saktësisht më 12 tetor 1995. Pak javë më pas presidenca e Bashkimit Europian deklaroi se është rënë në ujdi që me Shqipërinë të nënshkruhet një lloj akordi i veçantë, që as nuk ia mbyll derën anëtarësimit të Shqipërisë në BE, por as e rradhit atë në të njëjtën shkallë me 10 vendet e tjera kandidate të Europës Lindore, i ashtuquajturi ‘accord sui generis”.

     Presidenca italiane e Bashkimit Europian që kryesoi gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti  Bashkimin Europian, deklaroi disa herë me solemnitet se gjatë kohes që ajo kryesonte Bashkimin Europian ky akord specifik ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian do të nënshkruhej. Por mënyra se si u zhvilluan zgjedhjet e fundit në Shqipëri ia pamundësoi presidencës italiane vënien në tavolinën e Këshillit të Ministrave të BE-së të nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.

     Vizita e dytë e komisionerit të Bashkimit Europian në Shqipëri zhvillohet në një situatë krejt tjetër, të rënduar dhe dyshuese.

          Burime të Komisionit Europian pohojnë se nga rezultatet e kësaj vizite  do të varet edhe e ardhmja e marrëdhënieve ndërmjet Europës së Bashkuar dhe Shqipërisë.

                                                                        Bruksel

                                                         24/7/1996

               Raport i Komisionit Europian për marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë

                dhe Bashkimit Europian

    Me rastin e vizitës që filloi sot në Shqipëri komisioneri i Bashkimit Europian, Hans van den Bruk, Bashkimi Europian publikoi një raport zyrtar ku trajtohen marrëdhëniet e deritanishme ndërmjet tij dhe Shqipërisë.

    Shqipëria ndjek qartë një politikë të jashtme properëndimore dhe dëshiron t’i forcojë edhe më shumë lidhjet me Bashkimin Europian, theksohet në raport. Që nga korriku i vitit të kaluar Shqipëria është pranuar me të drejta të plota në Këshillin e Europës. Ajo merr pjesë aktive  në programin e NATO-s, “Partneritet për Paqe” dhe ishte gjithashtu vendi mikpritës i takimit të ministrave të mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Italisë, Turqisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë të 31 marsit – 1 prillit të këtij viti.

     Përsa i takon marrëdhënieve politike ndërmjet Europës së Bashkuar dhe Shqipërisë, në raport vihej në dukje se kryesisht për shkaqe ekonomike një marrëveshje klasike asocimi me Shqipërinë nuk ishte i mundur të nënshkruhej, ndërkohë që Komisioni Europian po punon për nënshkrimin e një akordi “sui generis” me të.

   Pavarësisht se marrëdhëniet politike dypalëshe nuk kanë ecur me ritmin e duhur ndihma e Bashkimit Europian për Shqipërinë ka qënë tepër bujare. Për frymë popullsie kjo ndihmë ka qënë më e larta nga ato që Bashkimi Europian u ka ofruar deri më sot vendeve të tjera të Europës Lindore. Për periudhen 1991-1995 kjo ndihmë e ka kaluar shifrën e 500 milionë dollarëve. Pjesa kryesore e saj është livruar për të ndihmuar sektorët  e bujqësisë, infrastrukturës dhe përmirësimit të bilancit të pagesave. Bashkimi Europian është sot gjithashtu partneri më i madh ekonomik i Shqipërisë. Pothuajse 80% e tregtisë së Shqipërisë zhvillohet aktualisht  me vendet anëtare të Europës së Bashkuar, theksohet ndër të tjera në raportin e Bashkimit Europian.

                                                                              25/7/1996

              Kohë të vështira e presin Shqipërinë !

     A ishin ngjarjet e fund-majit në Shqipëri thjesht një rastësi, apo vazhdimësi logjike?-kështu e shtron pyetjen për sa ngjau në Shqipëri më 26 maj, studiuesi britanik, Xhejms Pettifer, në një artikull botuar në numrin e fundit të së përmuajshmes britanike “The World Today”.

     Ishte krijuar një mit se Shqipëria ishte transformuar në një demokraci potenciale të tipit europian dhe se Sali Berisha ishte një udhëheqës demokrat,-vëren autori në fillim të shkrimit. Eshtë e qartë se këtu kemi të bëjmë me një manipulim të qëllimshëm të kryer nga disa qarqe të caktuara, dhe e gjitha kjo në një kohë që pushteti i Berishës po deshmonte qartë se ai po rrëshkiste drejt një shteti klasik ballkanik, i karakterizuar nga një president i plotfuqishëm, me pak ose aspak opozitë të vërtetë në Parlament, dhe me privilegje të shumta për policinë dhe aparatin e sigurimit tejet të politizuar.

     Përgjegjësia për sa ngjau në Shqipëri pas zgjedhjeve të 26 majit bie së pari mbi SHBA-në, Britaninë, Gjermaninë dhe Greqinë për

përkrahjen e pakushtëzuar që ato i kanë ofruar presidentit Berisha. Sidomos vendet anetare të Bashkimit Europian haptazi ngurronin të protestonin ndaj shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut të vëna re në Shqipëri vitin e fundit.

     Shkaku ishte se regjimi i Berishës konsiderohej deri më tani si një faktor stabiliteti në rajonin e trazuar ballkanik. Roli i Shqipërisë në çështjen e Kosovës dhe të Maqedonisë u mënjanua pak nga pak dhe u kanalizua në drejtimin e dëshiruar përgjatë viteve 1992-1995. Aq e vërtetë është kjo, shkruan analisti anglez, sa në librin e gjatë me kujtime te lordit Ouen mbi ngjarjet në Jugosllavi, presidentit shqiptar mezi i kushtohet një rradhë e vetme.

     Vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës u treguan së fundi më të ndjeshme ndaj shkeljeve të demokracisë në Shqipëri, sidomos në mbrojtjen e pavarësisë së sistemit gjyqësor atje.

      Eshtë shumë e vështirë tani të supozosh se Shqipëria mund të ruajë ende namin e mirë pranë organizmave të NATO-s, Bashkimit Europian ose brenda gjirit te Këshillit të Europës.

      Nga ana tjetër korrupsioni i përhapur në mbarë administratën publike, kriminaliteti në rritje, papunësia e lartë, të shoqëruara këto si me kthimin e gjakmarrjes ashtu edhe me perfundimin negativ të referendumit, i cili do t’i atribuonte presidentit të vendit pushtet të plotë,-bënë që mbështetja që gëzonte dikur presidenti Berisha në gjirin e popullit të binte dukshëm.

     Po tu shtojmë këtyre edhe humbjen e mbështetjes së jashtme,

është shumë e mundshme që kohët që do të pasojnë të karakterizohen nga turbullira sociale dhe politike si dhe rritje të pastabilitetit politik atje…

James Pettifer                                       “The World Today”

                                                                    korrik 1996

                             KRONIKE E NJE HUMBJEJE TE PARALAJMERUAR

                            “Duam paratë tona”

                                                   20 janar 1997

       “Me thirrjet “Poshtë diktatura”,”Qeveri hajdute”,”Duam paratë tona”,- 4000 qytetarë të Tiranës u nisën drejt qendrës së qytetit duke sfiduar kështu edhe ndalimqarkullimin e autoriteteve. Turma e demonstruesve çau rrethimin e policëve të pajisur me shkopinj gome dhe u derdh në sheshin “Skënderbej”, njëlloj si në vitet 1990-1991, kur u përmbys regjimi i atëhershëm stalinist. Por policë të veshur civilë iu sulën manifestuesve, sidomos kur ata u përpoqën të zbrisnin drejt bulevardit kryesor të kryeqytetit, dhe manifestimi paqësor u kthye kështu në një demonstratë të dhunshme. Edhe në qytete të tjera pati gjatë ditës së djeshme konfrontime ndërmjet forcave të policisë dhe qytetarëve të zemëruar nga falimentimi  i firmave të fajdeve, ku demonstruesit u përleshën me gurë me forcat e rendit,- njofton masmedia e shkruar dhe elektronike perëndimore lidhur me manifestimet e para popullore në Shqipëri, pas fillimit të shembjes së piramidave  të fajdeve.

     Ngjarjet e djeshme kulmuan 4 dite protestash nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë pas shkatërrimit të firmave të fajdeve,-shkruan Andrew Gumbel në të përditshmen “The Independent”,

në reportazhin e titulluar “Kocka të thyera pasuan tërbimin e shkaktuar nga falimentimi i fajdeve”. Ngjarjet e djeshme madje e kanë ngritur temperaturën politike në Shqipëri edhe më lart se atëhere kur policia rrahu liderët e opozitës pas zgjedhjeve të rreme të 26 majit. Por kësaj rradhe forcat e policise u treguan më pak të vrazhdta me demonstruesit, ndofta edhe për shkak se një pjesë e vetë policëve kanë humbur kursimet e tyre në këto skema piramidale. Eshtë e pakuptueshme që këto firma të kenë punuar pa dijeninë ose mbështetjen e qeverisë, vëren “The Independent”.

                  Në Belgjikë tentohet të vihet në jetë

    “eksperienca shqiptare”

Paralelisht me ngjarjet në Shqipëri, sot në masmediat belge është shkruar dhe folur për një ngjarjeje analoge; por me përfundim krejt të ndryshëm. Dy qytetarë belgë, njëri nga të cilët me origjinë greke dhe tjetri italiane, Stavros Mallakis dhe Roberto Di, siç duket të frymëzuar nga “suksesi” marramenës  shqiptar, u përpoqën të montonin një sistem piramidal fajdesh edhe në Belgjikë. Për të lançuar veprimtarinë e tyre ata kishin “peshkuar” rreth 70 naivë, të cilëve u kishin premtuar përqindje të larta fitimi në rast se do të depozitonin te ata nga 25 000 deri 70 000 franga belge, afersisht 800 deri 2400 dollarë. Gjithashtu ata i porositën viktimat e tyre që të njoftojnë për këtë “nisëm” edhe të njohurit dhe miqtë e tyre.

     Por kjo inisiativë e tyre, për një veprimtari “jo formale”, siç u përcaktua me shpirtmadhësi në Shqipëri, mori fund jo ashtu siç e kishin planifikuar organizatorët e saj. 24 orë pas grumbullimit të parave të para ndërhyri drejtësia belge, që i arrestoi të 2 mashtruesit nën akuzën e formimit të një organizate keqbërëse me qëllim të zhvatjes së pasurisë së qytetarëve.

     Morali është i qartë. Aty ku ka shtet të tilla veprimtari të paligjshme nuk gjejnë dot terren të lulëzojnë dhe dështojnë që në embrion.

     Detyra e parë e çdo shteti të vërtetë  është mbrojtja e jetës, nderit dhe pasurisë se qytetarve të vet, ndryshe kur ai nuk i mbron këto vlera, ose ndihmon në shkatërrimin e tyre, nuk kemi të bëjmë më me shtet, por thjesht me  bandë të veshur me pushtet.

                                                                                Bruksel

                                                                              20/1/1997

               Shtypi italian ndaj ngjarjeve

                         në  Shqipëri

                                                20/1/1997

    Përveç shtypit frankofon dhe atij britanik, vend të veçantë i ka kushtuar zhvillimeve në Shqipëri edhe shtypi italian, i cili është treguar veçanërisht i ashpër.

   “Kronikë e një dite të zjarrtë në Tiranë”,”Policia shpërndan me forcë mijëra demonstrues të pakënaqur”,- këto janë disa nga titujt dhe nëntitujt  e sotëm të shtypit italian.

    “Pas mashtrimit në Shqipëri pason revolta”,-kështu e titullon reportazhin e saj nga Tirana, gazeta më e madhe italiane,“Corriere della Sera”. Përleshje në piacë ndërmjet huadhënësve të mashtruar dhe policisë. Dëshprimin e popullsisë opozita e drejton kundër qeverisë, e cila akuzohet për mbështetjen e këtyre firmave. Pushteti i përgjigjet pakënaqësisë popullore në mënyrën e zakonshme në Shqipëri, dmth me shkopat e policëve,-shkruan ndër të tjera gazeta italiane.

    “Kolapsi i firmave të fajdeve ku 90% e popullsisë shqiptare ka depozituar kursimet e saj po kthehet në një konfrontim politik”,- vë në dukje e përditshmja “La Stampa”.një tjetër gazetë italiane. Eshtë fjala për mbi  1 miliard dollarë, të cilëve nuk u dihet fati, dhe këto për një vend si Shqipëria nuk janë pak,-nëmvizon  ajo.

     Ndërsa “La Republica” në një reportazh të hollësishëm nga Tirana vëren se Shqipëria po kthehet në një fuçi baruti pas rrënimit të firmave të fajdeve dhe demonstratave që po pasojnë, të cilat arritën kulmin me demonstratën e djeshme në Tiranë.

     Dhe Berisha nuk ngurron të nxjerrë para manifestuesve trupat e tij speciale, të cilat godisnin çdo tentativë për grumbullim. Por Berisha po luan me zjarrin, tërheq vëmendjen Renato Caprile. I vetmi shans për kardiologun e kthyer në president, është që pas falimentimit të sigurtë të Sudes, dhe atyre të paralajmëruara të “Popullit” dhe “Xhaferrit”, të mbesin të paktën më këmbë firmat “Kamberi”,”Gjallica” dhe mbi të gjitha “Vefa”, në të cilat gjenden të depozituara 700 milionë dollarë. Nëqoftëse edhe këto falimentojnë, në Shqipëri mund të presësh të ngjasë çdo gjë, madje deri te lufta civile... Por fati i Shqipërisë tani ndodhet edhe në duar të tjera, perveç se në ato të presidentit të shtetit: në ato të Vehbi Allmuçës, i cili brenda 5 vjetësh u kthye në njërin nga njerëzit më të pasur të Ballkanit. Pronar i një kompanie me veprimtari të shumëllojshme, presidenti i “Vefa”-s udhëton me një “Benz” special, i porositur enkas për të. Vetëm rojet personale i kushtojnë atij 8000 $ në ditë…

                         BEI dhe FMI – thellësisht kundër  veprimtarisë së piramidave të fajdeve        

     Ndërmjet institucioneve më të rëndësishme financiare në botën e sotme rreshtohet edhe Banka Europiane e Investimeve. Së bashku me BERD-in, Bankëm Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe programin “Phare” të Bashkimit Europian, ajo renditet ndër kreditorët dhe huadhënësit kryesorë për vendet e Europës Qendrore dhe Lindore.

     Gjatë këtyre 2 vjetëve të fundit, Banka Europiane e Investimeve ka financuar 4 projekte në Shqipëri me një vlerë prej afro 60 milionë dollarësh. Tri nga këto projekte janë të sferës së infrastrukturës dhe janë destinuar  për modernizimin e portit të Durrësit, përmirësimin e sistemit shpërndarës energjitik si dhe në ndërtimin e korridorit rrugor panballkanik, i cili fillon nga porti i Durrësit dhe përfundon në Varnë të Bullgarisë. Projekti i 4-t ka të bëjë me ndihmën në sektorin e ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla.

     Me përfaqësuesin e Bankës Europiane të Investimeve në Bruksel, zotin Mark Schublin biseduam për këto projekte si dhe i kërkuam opinionin e tij si ekspert ndërkombëtar i financave, lidhur me problemin e piramidave të  fajdeve në Shqipëri.

    Organet tona të specializuara në Luksemburg si dhe zyra që merret atje me Shqipërinë e kanë ndjekur për së afërmi fenomenin e fajdeve. Ne kemi qënë shumë të shqetësuar dhe kemi mbështetur plotësisht opinionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar,FMI, i cili që prej disa muajsh i pat tërhequr vëmendjen autoriteteve shqiptare ndaj rreziqeve financiare dhe politike që sjell kjo veprimtari e mbrapshtë. Dhe kemi qënë gjithmonë të mendimit se një kolaps financiar do të ishte i pashmangshëm, siç kemi qënë thellësisht kundër  mënyrës se si u ngrit dhe u la të lulëzojë një veprimtari e tillë në Shqipëri.

   Ky është një sistem tepër i dëmshëm për ekonominë shqiptare, pasi përveç se pengon çdo lloj financimi të arsyeshëm, godet edhe shtresat më të varfra të popullsisë. Vendi nuk mund të ecë përpara me këto mënyra. Por ne nuk kishim më shumë autoritet pranë udhëheqjes shqiptare, sesa t’i shprehnim asaj mbështetjen tonë rreth konkluzioneve dhe rekomandimeve të FMN-së për këtë problem – deklaron Marc  Schublin.

         Bisedoi:                                                               Bruksel

   Viron Gjymshana                                                    24/1/1997                              

               Pika e ujit që derdhi gotën…

   Ishte e vështirë të gjenje sot ndonjë gazetë europianoperëndimore që të mos i kishte kushtuar ngjarjeve të ditës së djeshme në Tiranë një vëmendje të posaçme. Shtypi i sotëm perëndimor ishte i mbushur me informacione, komente dhe vëzhgime mbi ngjarjet më të fundit në Shqipëri, të shoqëruara këto edhe me foto me pamje nga përleshjet ndërmjet demonstruesve dhe policisë. Pothuajse të gjithë analistët e huaj i bënin me këtë rast dhe një radioskopi të hollësishme mënyrave se si ishin kryer reformat politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri këto 5 vjetët e fundit. Dhe paralelizmi ndërmjet ngjarjeve të dhjetor-janarit 1991 me ato të vitit 1997 është më shumë se tronditës dhe domethënës.

     Duke analizuar pasojat që mund të sjellin ngjarjet e fundit në Shqipëri, gazeta më e madhe britanike The Times”nënvizon se këto trazira mund ta detyrojnë presidentin Berisha të bëjë tani atë që ai refuzojë, madje edhe ta diskutojë,- pas zgjedhjeve të dyshimta të 26 majit të vitit të kaluar,- pra të zhvillojë zgjedhje të reja dhe të ndershme.

     Ngjarjet e fundit, ku qindra mijëra familje shqiptare humbën gjitha kursimet e tyre, ishte pika e ujit që derdhi gotën, prandaj demonstruesit ulërijnë nëpër rrugë se pasi qeveria u vodhi një herë votat, tani u vodhi edhe paratë,-njofton nga Tirana, korrespondenti

i “Times”-it, Riçard Owen. Turbullirat e fundit reflektojnë pakënaqësinë e gjërë të njerëzve në Shqipëri dhe zhgënjimin e tyre nga mënyra e qeverisjes së Partisë Demokratike, në pushtet që nga viti 1992. Shumë veta kanë bindjen se Shqipëria pavarësisht nga ndihmat dhe investimet e huaja ka mbetur po aq e varfër sa edhe më parë. Shqiptarët po ashtu dyshojnë se vetë Partia Demokratike është implikuar në këto piramida dhe i ka përdorur fondet e tyre edhe për të financuar fushatën e saj elektorale të vitit të kaluar, thekson e përditshmja britanike.

     “Protestuesit janë të zëmëruar me qeverinë, sepse është ajo që ka lejuar përhapjen dhe lulëzimin e këtyre firmave piramidale. Madje edhe policët jane simpatizuar me demonstruesit, sepse edhe një pjesë prej tyre ka humbur para nëpër këto skema, aq sa njeri prej tyre u kishte deklaruar gazetarëve anglezë, se në rast se qeveria i detyron të rrahin popullin, ai do të xhveshë uniformën dhe do të shkojë në shtëpi”-  vërejnë Kevin Daun dhe Kerin Haup në një reportazh të tyrin nga Tirana, botuar në të përditshmen tjetër britanike me reputacion “Financial Times”.

     “Eshtë fjala për një humbje kolosale për një vend si Shqipëria,-

vëren “Financial Times”: për rreth 1 miliard dollarë që kishin hyrë në Shqipëri sa nga të ardhurat e emigrantëve të saj, aq edhe nga ndihmat dhe investimet perëndimore, pa përmendur këtu fitimet e nxjerra nga disa veprimtari të paligjshme që kanë shpërthyer në Shqipëri vitet e fundit, siç ishin të ardhurat e nxjerra nga kontrabanda me naftë drejt Jugosllavisë. Dhe e gjithë kjo ngjau pavarësisht nga paralajmërimet e vazhdueshme që i kishin arritur Tiranës zyrtare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe institucionet e tjera financiare ndërkombëtare, që ajo të mos e lejonte këtë veprimtari të mbrapshtë për ekonominë kombëtare.

     Disa nga firmat më të mëdha të fajdeve kanë qënë të lidhura ngushtë me Partinë Demokratike. Ato madje kanë financuar fitoren e saj në zgjedhjet e 26 majit të kaluar, fitore e arritur nëpër-

mjet dhunës dhe frikësimeve,-nënvizon ndër të tjera,”Financial Times”.

     Ndërsa e e përditshmja konservatore franceze Le Figaro” thekson se falimentimi i firmave të fajdeve në Shqipëri ka nxitur një lëvizje të gjërë proteste kundër regjimit të Berishës. Ndërsa një tjetër e përditshme frankofone,“La libre Belgique” vë në dukje se pas ngjarjeve të fundit klima politike dhe sociale në Shqipëri po ashpërsohet.

     Pas falimentimit të firmave të fajdeve, shqiptarët derdhen nëpër rrugë duke bërë fajtor regjimin,- tërheq vëmendjen nga ana e saj gazeta “Liberation”.

    “Betejë në zemër të Tiranës”,-shkruante me gërma të mëdha italiania Corriere della Sera”. Dje pasdite qëndra e Tiranës kishte marrë pamjen e një fushe beteje, vë në dukje në këtë të përditshme, Luixhi Ippolito. Shqipëria ndodhet kështu në prag të gjendjes së jashtëzakonshme…

     “Filloi ne Beograd, vazhdoi në Sofie dhe po përfundon në Tiranë”- vëren nga ana e tij Stefano Cingolani. Rinovimi në Shqipëri mori fund, ndryshimet në Bullgari janë false, ndërsa mashtrimi në Serbi është tragjik.

     Tani po thuhet me zë të lartë se pas këtyre piramidave të fajdeve fshihet një pastrim gjigand i parave të pista. Në Tiranë zhvillohet trafik i të gjitha llojeve, duke filluar nga armët dhe drogat dhe duke përfunduar me ato të prostitucionit dhe klandestinëve. Vendi nuk prodhon më asgjë dhe njerëzit jetonin me anë të përqindjeve. Edhe firmat e fajdeve, njëlloj si holdinget, janë pasuruar me këto metoda,- pohon “Corriere della Sera”.

      Janë të shumtë ata që sot në Shqipëri denoncojnë lidhjet ndërmjet këtyre piramidave financiare me qeverinë e Sali Berishës. Dhe përfundimi është tronditës,-shton “Corriere della Sera”:- Ka falimentuar e gjithë Shqipëria, që mezi doli nga komunizmi për tu zhytur me sa duket në këtë rrugë pa krye, që rezultoi në një flluskë sapuni. Dhe tani ka rrezik që e vetmja zgjidhje për qeverinë të mbetet përdorimi i forcës, me dështimin kështu edhe të asaj farë demokracie që me zor ishte ndërtuar deri më sot…

                                                                                      27/1/1997

                        Dialogu ndërpartiak shqiptar para

                       atij me Bashkimin Europian                                                             

     Edhe organet e specializuara të Bashkimit Europian po ndjekin me vëmendje ngjarjet në Shqipëri.

          Zedhënësi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, Norbert Shvajger, deklaroi se gjatë një mbledhjeje të sotme të Komitetit Politik të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian është diskutuar ndaj zhvillimeve më të fundit në Shqipëri edhe në dritën e ardhmërisë  së marrëveshjes së projektuar për tu nënshkruar me të. “Bashkimi Europian mendon se tani më e rëndësishme dhe esenciale se çdo gjë tjetër është krijimi i një klime mirëkuptimi dhe besimi reciprok ndërmjet të gjitha forcave politike në Shqipëri, që gjuha e urrejtjes dhe denigrimeve reciproke të zëvendësohet nga dialogu dhe politika e  dorës së shtrirë.. Ky do të ishte edhe një katalizator i rëndësishëm edhe për shpejtimin e bisedimeve për nënshkrimin e akordit “sui generis” ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, bisedime që sot për sot janë pezulluar”,-deklaroi zëdhënësi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian.

      Siç dihet, marrëveshja e asocimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian ishte planifikuar të nënshkruhej që në 6-mujorin e parë të vitit të kaluar, por për faj të mënyrës se si u zhvilluan zgjedhjet e atëhershme, ajo u  shty për më vonë…

       Por 6 muaj më vonë filloi kriza e fajdeve, me të gjitha pasojat e saj, dhe duket se marrëveshja është “ngrirë”.

                                                                            Bruksel

                                                                                  29/1/1997                      

                        Korbat në vendin  e shqipeve…

           Analisti belg i çështjeve ballkanike, Eduard van Velthem, në një koment kushtuar ngjarjeve të fundit në Shqipëri të titulluar “Korbat në vendin e shqipeve” vëren se pas zgjimit demokratik në Serbi, zëmërimit ekonomik në Bullgari, pasuan revoltat e mjerimit në Shqipëri. Kjo të kujton praktikën e rënies njëri pas tjetrit të gurëve të dominosë, shkruan ai në të përditshmen belge “Le Soir”.

           Dhe korbat po i sillen rrotull shqipeve për të rrëmbyer edhe atë që ka mbetur nga gërmadhat e një shteti të shkatërruar nga trashëgimia komuniste. Shqipëria, vazhdon gazeta belge,- një vend ku ka nevojë që çdo gjë të rindërtohet, është një terren shumë i për-

shtatshëm për mashtruesit dhe maskarenjtë e çdo kallëpi.

        “Plot shpresë dhe njëkohësisht i verbuar nga mirazhet e televizioneve perëndimore, ku asgjë nuk dukej e pamundur, popullit të vendit më të varfër të Europës, të etur për mirëqënie si dhe për të fituar kohën e humbur, i mungonte sensi kritik për të ndarë egjrën nga gruri, realitetin nga dukja e rreme. Aq sa pas zgjimit nga ëndrra, kur mirazhet u daravitën dhe mashtrimi doli në shesh, dhimbja  dhe zhgënjimi ishin edhe më të tronditëse.

       Përballë kësaj zgjëndre, që e nxorri të vërtetën lakuriq, nuk është e sigurt se presidenti Berisha dhe qeveria e tij po zgjedhin rrugën dhe strategjinë më të mirë për të dalë nga kriza. Duke forcuar kompetencat e tij presidenciale në ruajtjen e rendit, autoritetet shqiptare të nxitin të dyshosh për vendosjen e një gjendjeje të jashtëzakonshme, të cilën ato ende nuk guxojnë ta përmendin me zë të lartë.

       Disa muaj pas zgjedhjeve të dyshimta të 26 majit të kaluar, që i dhuruan Shqipërisë një tërheqje veshi nga kancelaritë perëndimore, dhe në rradhë të parë nga aleati i saj kryesor: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo nuk është mënyra më e mirë për presidentin Berisha që ai të restaurojë imazhin e tij ndaj Perëndimit”,-vëren analisti belg.

          Për më shumë kur Shqipëria po bën përpjekje të nënshkruajë me Bashkimin Europian edhe një marrëveshje specifike asocimi, kjo nuk është rruga më e drejtë për tu afruar me Perëndimin. Edhe duke e bërë fajtore opozitën, edhe duke e treguar atë me gisht, pushteti aktual rrezikon ta thellojë ndarjen politike në Shqipëri, në një kohë kur vendi ka nevojë për një politikë të pajtimit kombëtar.

Eshtë e ditur se te opozita socialiste kanë mbetur ende disa nostalgjikë të së kaluarës diktatoriale, të cilët janë të gatshëm t’i hedhin benzinë zjarrit, por të mbështetesh vetëm te ky argument, kjo do të thotë se je dritëshkurtër. Berisha dhe ekipi i tij duhet t’i kapërcejnë këto komplekse, duke mobilizuar të gjitha forcat krijuese dhe të afta, për ta lançuar vendin drejt së ardhmes. Për të arritur këtë synim duhen ndërmarrë reforma ekonomike të kujdesshme dhe ligje të qarta, të cilat të shkurajojnë të gjithë çakejtë dhe hienat, që duan të pasurohen edhe një herë tjetër në kurrizin e njerëzve të vuajtur të këtij vendi.

       Pas gjysëm shekulli izolimi dhe heshtjeje, shqiptarët u përpoqën të hapen dhe të lidhen me botën. Eshtë mëkat t’i zhgënjesh prapë ata tani, me praktika dhe veprime që e diskreditojnë përsëri Shqipërinë në sytë e botës. Padurimi dhe revoltimi i shqiptarëve mund të kuptohet dhe të barazohet vetëm me vullnetin dhe dëshirën e tyre për tu bërë sa më shpejt si e gjithë Europa.

      Por në këtë rrugë, ata duhen nxitur e drejtuar të mësojnë virtytet e demokracisë dhe jo veset e kapitalizmit të shfrenuar, nënvizon Eduard van Velthem te e përditshmja belge “Le Soir”.

                                                                                  29/1/1997

              Interesim, habi dhe keqardhje…

      U bënë më shumë se 2 javë që vëmendja e opinionit publik ndërkombëtar vazhdon të jetë e tërhequr nga zhvillimet më të fundit në Shqipëri. Kronika e shembjeve të paralajmëruara të piramidave të fajdeve si dhe revolta që pasoi ato, kanë bërë kryetituj në emisionet radiotelevizive dhe në agjencitë ndërkombëtare të lajmeve. Por edhe shtypi i shkruar nuk ka mbetur më pas, madje mund të themi pa frikë, se ai ka qëndruar në pararojë të interesimit dhe informacionit të bollshëm ndaj ngjarjeve të fundit në Shqipëri. Eshtë e vështirë të gjesh ndonjë gazetë  të njohur perëndimore që të mos i ketë kushtuar këtyre ngjarjeve faqe të tëra. Por në ndryshim nga stacionet radiotelevizive qe i japin përparësi informacionit dhe figurës, në shtypin e shkruar  i kushtohet më tepër vend analizave, vëzhgimeve dhe komenteve.

     Si u arrit që në këtë grackë të bien mbi 1 milion shqiptarë, ose afërsisht 1/3 e popullsisë së përgjithshme?! Si mundën këta njerez tu besonin paratë e fituara me aq mund e sakrifica njerëzve dhe figurave të  tilla  të dyshimta dhe pa asnjë farë kompetence dhe reputacioni si Sudja me shokë?! A është në gjendje qeveria shqiptare t’i zhdëmtojë të mashtruarit?! Me një fjalë si do t’i vejë halli tani popullit më të varfër të vendit më të varfër të Europës? Këto  janë disa pyetje dhe hamëndje që shtrojnë në faqet e shtypit perëndimor gazetarë dhe analistë të njohur, guru të financës, politologë dhe sociologë me famë.

    Por një pyetje duket se u ka qëndruar mbi kokë të gjithë specialisteve të huaj të çështjeve ndërkombëtare:”Në gjithë këtë katrahurë ekonomike që i gjeti njerëzit në Shqipëri, cili është roli ose përgjegjësia e shtetit?”. Dhe së dyti:-cilat do të jenë pasojat ekonomike, politike dhe sociale pas shëmbjes së këtyre piramidave prej letre?

                                                                                 Bruksel

                                                                              31/1/1997

                                 “Me ne fitojnë të gjithë”?!

     Në Shqipëri lënia e parave me fajde ishte kthyer në mani, shkruan “Times” i Londrës, dhe kjo për arsyen e thjeshtë se organizatorët e këtyre piramidave të fajdeve mund t’i shihje dëndur në prani të ministrave dhe funksionarëve të tjerë të lartë të shtetit shqiptar, madje ata ishin të ftuar nderi edhe në darkat qeveritare. Edhe e përjavshmja e njohur “The economist” vëren se inati i njerëzve me qeverinë mund të spjegohet me lidhjet e shtetit me bosët e firmave piramidale. Gjatë zgjedhjeve komunale të 20 tetorit të vitit të kaluar, në një pankartë të madhe të Partisë Demokratike shihej kandidati i saj për deputet i rrethuar nga 4 presidentë të këtyre firmave. Diçitura e pankartës ishte nga më joshëset: “Me ne fitojnë të gjithë”… ironizon “The economist”.    

                                                      31/1/1997

                        FMI-ja dhe Shqipëria

    Tri herë me rradhë Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Bo-

tërore i kanë tërhequr vëmendjen qeverisë shqiptare që t’i ndalonte  këto skema fajdesh, por ajo nuk ia vari, pohohet  në gazetën franceze “Le Figaro”. Prandaj ajo nuk mund të shfajësohet dot më tani, thekson Zhan Klod Gali  në  këtë të përditshme.

     Ndërsa Renato Kaprile  nënvizon te “La Republica” se menjëherë pasi Fondi Monetar Ndërkombetar u largua i dëshpëruar nga Shqipëria, televizioni shtetëror ia hapi 4 kanatash dyert Vefës,Kamberrit, Gjallicës dhe kompani. Me orë të tëra këta zotërinj i bënin falas reklamë firmave të tyre në televizionin shtetëror, që ishte vënë i tëri në shërbim të tyre. Madje po atje, Vehbi Allmuçaj tallej dhe i bënte karshillëk edhe Fondit Monetar Ndërkombëtar:-“Fondi  Monetar na ka dhënë 100 milionë dollarë dhe tani është i shqetësuar. Le të mi japë mua këta dollarë dhe vetëm pas 6 muajsh unë do t’i kthej 150 milione…”,-deklaronte ai me fodullëk në televizionin shqiptar.

    Pas këtyre deklaratave bombastike filloi tërbimi dhe çmënduria e popullit shqiptar. Njerëzit e gdhinin natën para sporteleve të firmave huamarrëse, të cilat gëzonin edhe mbrojtjen e policisë, për të dhënë me fajde gjithçka kishin. Firmat mashtruese filluan madje të përpunonin edhe imazhin e tyre. Njëra sjell nga Argjentina një futbollist me famë ndërkombëtare për të stërvitur skuadrën e zemrës së pronarit të saj, tjetra subvenciononte koncerte dhe festivale. Firma “Vefa” sponsorizon edhe një libër të shkruajtur nga gruaja e presidentit Berisha, madje krijon edhe një lloj dekorate kombëtare, me të cilën nderohet për herë të parë kryeministri i vendit, Aleksandër Meksi…

                                                                                      31/1/1997

                            Kush do  paguajë ?!…

    Njerëzit e dinin, pohon Endrju Gambell“The Independent” se përqindjet e parave të tyre dilnin nga “larja” e parave të pista. Shqipëria ishte kthyer në gjirizin e çdo lloj aktiviteti të paligjshëm, si kontrabandë, drogë, prostitucion, tregti armësh e të tjera. Por ata mendonin se këto para u jepeshin atyre nga këto firma të lidhura me pushtetin, si mjet për të siguruar mbështetjen dhe votat e tyre?!

     Madje sipas burimeve të gazetës “The Independent”, qeveria javën  e kaluar i kishte kërkuar kompanisë “Vefa” që ajo ta ndihmonte për të paguar kreditorët e firmave të falimentuara, por edhe Vehbi Allmuçaj i kishte kërkuar qeverisë që të ndihmohej nga ajo për të pezulluar përkohësisht pagesat e përqindjeve.

     Ndodh si me dy miq të mirë, të cilët kanë shkuar për të ngrënë bashkë në një restorant, por secili kujtohet kinse papritur se ka harruar kuletën në shtëpi…

    Por duke lënë mënjanë humorin anglez, të gjithë komentatorët e huaj, theksojne se gjithë  këtë banket të organizuar kaq bukur, do ta paguajë edhe një herë tjetër vetëm populli shqiptar.

                                                                                           31/1/1997

          Demokraci apo kleptokraci!                                   

   ” Në disa vende europianolindore si në Shqipëri, Bullgari, Maqedoni, apo Jugosllavi këto vitet e fundit ka lindur një formë e re qeverisjeje si dhe ka filluar të funksionojë një sistem i ri politik. Në ndryshim nga sistemi i mëparshëm komunist, dhe ai demokratik që funksionon në vendet e zhvilluara perëndimore, sistemin e veçante ekonomiko-politik që po drejton këto vende ballkanike mund ta përkufizojmë si sistemin e kleptokracisë, ose ndryshe si  të sundimit të hajdutëve”.

   Janë këto fjalët dhe opinioni i politologut të njohur Xhejms Pettifer  bërë të njohura në numrin e fundit të së përmuajshmes,

“The World Today”.

   Rënia e diktaturës komuniste në Shqipëri si dhe në këto vende u pasua nga një lloj anarshie e përgjithshme. Në këto kushte lindën individë dhe grupe që u përpoqën të pasuroheshin me çdo mjet dhe me të gjitha mënyrat. Shansi i parë që i lançoi ata në Shqipëri në vorbullën ekonomike dhe politike të vendit ishte kontrabanda me naftë drejt Serbisë. Në kohën kur Jugosllavia ndeshej me embargon e Kombeve të Bashkuara ndaj saj, këta njerëz të paskrupuj, duke mos marrë parasysh as vendimet e organizatave ndërkombëtare dhe me lejen e heshtur edhe të udhëheqësve të tyre, u pasuruan në mënyrë të rrufeshme me anë të kësaj kontrabande. Por edhe kur embargo u hoq, ata nuk u dëshpruan, por u drejtuan drejt veprimtarive te tjera të ngjashme si tregtia me armë dhe me drogë.

    Dhe njëkohësisht me fuqizimin e tyre ekonomik, në këto vende u rrit edhe dhuna politike. Kështu psh në Shqipëri bandat mafioze luajtën rol të rëndësishëm edhe në zgjedhjet e 26 majit. Në Bullgari ato vranë ish-kryeministrin Llukanov dhe në Maqedoni i bënë atentat Gligorovit.  Kjo lloj mafie ekonomiko-politike po gërryen themelet e këtyre shteteve dhe po pengon që ekonomia të zhvillohet në drejtimin e saj të natyrshëm prodhues, larg spekullimeve dhe veprimtarive të jashtëligjshme. Nën këtë lloj anarko-kapitalizmi, shëndetësia, arsimi dhe mirëqënia njohën rënie të dukshme. Ekonomia mbështetet në transaksionet financiare dhe varet kryesisht nga hyrjet në valutë të huaj, ndërsa bankat shtetërore kanë arritur në gjendje kolapsi. Kanë lindur kompani dhe dhe firma si “Vefa Holding”, e cila drejtohet nga ish-punonjës të ushtrisë dhe që zëvendësoi ndërmarrjen e mëparshme që merrej me tregtinë e armëve “Meico”. Sot “Vefa” përveçse ka investime në sektorin tregtar dhe turistik, është e përfshirë edhe në sistemin piramidal të huamarrjes…

     Por ngjitja në pushtet e këtyre kleptomanëve po shkakton shqetësime në rritje edhe në vendet europiane. Europa e Bashkuar në marrëdhëniet e saj me këto vende duhet të tregojë kujdes edhe që ndihmat e saj të mos vidhen nga kjo kastë, por ajo po ashtu nuk duhet të mbështesë më udhëheqësit e këtyre shteteve, të cilët për nga sjellja dhe pushteti i pakufizuar që i kanë krijuar vetes, të kujtojnë satrapët e vendeve më të varfra të botës së tretë.

     Bashkimi Europian me anë të programit të tij “Phare” duhet të nxisë në këto vende zhvillimin e ekonomisë së shëndoshë prodhuese, dhe të pengojë veprimtaritë e paligjshme dhe spekulluese. Vetëm në këtë mënyrë këto vende do të bëhen të denja për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian.

                                                                           Xhejms Petifer

                                              “The World Today” , janar 1997

                   “Çdo e keqe e ka edhe një të mirë”?!

     Sikur ta kishin bërë me fjalë, tri gazetat më të mëdha të Francës:

“Le Monde”,”Liberation” dhe “Le Figaro” i kanë  kushtuar  njëkohësisht në numrat e sotëm reportazhe dhe komente të gjata procesit të rrënimit të firmave piramidale të fajdeve në Shqipëri, si dhe pasojave që  mund të sjellin ato në zhvillimet e ardhshme politiko-shoqërore atje.

     Dhe po sikur ta kishin bërë me fjalë, të tri të përditshmet franceze, që i takojnë tri korrenteve të ndryshme politike në Framcë, arrinin në një përfundim të njëjtë:- Se kjo që ngjau sot në Shqipëri ka edhe anën e saj të mirë (!)

  “Pas këtij rrënimi ekonomik, shqiptarët do të zgjohen nga ëndrrat që kanë parë me sy hapur për 5 vjet me rradhë. Fundi i piramidave të fajdeve është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhte këtij vendi”,-pohon një ekonomist europian te “Le Monde” i sotëm. Pas shkatërrimit total te industrisë të viteve ’91-’92 dhe rrënimit të sotëm të piramidave të fajdeve, njerëzit në Shqipëri do të zgjohen nga nina-nanat me të cilat jane përkundur. Epoka e liberalizmit të shfrenuar dhe jashtë çdo kontrolli  mori fund. Tani Shqipëria mund të fillojë të njohë një rritje të vërtetë ekonomike”.

    Por shqiptarët e ndjejnë veten përsëri të tradhtuar, pohon në të përditshmen e mësipërme, analisti Remi Urdan. Saqë ata nuk dinë më cilës forcë politike t’i besojnë. Kjo ndjenjë e të prerit në besë mund të kuptohet pasi krerët e këtyre piramidave ishin të lidhur ngushtë me qeverinë e Partisë Demokratike në pushtet. Huadhënësit ishin të sigurtë se ishte shteti ai që mbështeste dhe garantonte funksionimin e këtyre skemave të fajdeve. “Kam votuar për Berishën pasi ai na premtoi lirinë”,-shprehet një qytetar shqiptar në faqet e “Le Monde”. “por sot ne nuk kemi më as shtet demokratik, as ekonomi të vërtetë”.

        Në qendrën e Tiranës parku “Rinia” nuk ekzsiston  më. Vendin e pemëve dhe gjelbërimit e kanë zënë kioskat e panumërta. Pranë tyre fëmijët që tashmë e kanë braktisur shkollën shesin cigare dhe video perëndimore. Në teatrin e vjetër të kryeqytetit ka vite që nuk luhen më as tragjedi dhe as komedi. Dramat e Shekspirit janë zëvendësuar sot nga bingot…

      “Kriza e fajdeve i zbuloi botës një Shqipëri të çuditshme: E udhëhequr nga një politikë ultraliberale ajo ra në grackën e parave të fituara pa djersë”- me këto fjalë të “Le Monde” mbyllet faqja kushtuar Shqipërisë.

      “Shqipëria po ndahet kështu nga çmenduria e saj”-ky është titulli i reportazhit të botuar në të përditshmen “Liberation”.  Por ethet e pasurimit të shpejtë dhe pa djersë ende vazhdojnë. Shqiptarët vazhdojnë të vejnë çdo javë deri në 100 mijë dollarë në llotaritë e fatit të quajtura bingo. Deri në Këmishtaj të Lushnjës, vëren Marc Semo, njerëzit rrinë të mbërthyer pranë televizorit çdo të dielë në ora 14 për tu njohur me fituesit e rradhës në bingo.

      Madje edhe presidenti Berisha duket se është i të njëjtit mendim se Shqipëria ka marrë një mësim të mirë pas shembjes së piramidave të fajdeve. Në një intervistë me të, të publikuar në numrin e sotëm të konservatores franceze “Le Figaro”, ai pohon se kjo që ngjau ishte një mësim i mirë për të gjithë. Por Berisha mohon përgjegjësinë që kishin organet shtetërore për të paralajmëruar popullin për rrezikun që i kanosej nga veprimtaria e këtyre skemave piramidale, siç mohon gjithashtu se Fondi Monetar Ndërkomëtar u kishte kërkuar autoriteteve të Tiranës që ato të ndërprisnin këtë aktivitet pervers dhe të rrezikshem për ekonominë kombëtare.

     Por gazetat franceze nënvizojnë se tani e tutje populli shqiptar nuk do të pranojë të mashtrohet përsëri, por do të dijë të gjejë rrugën për të ndërtuar një Shqipëri demokratike dhe të denjë për në Europë.

                                                                              Bruksel

                                                                             5/2/1997

                          “Dominoja”e rradhës     

    Brenda këtij viti 4 nga regjimet që qeverisin në Ballkan do të jenë të detyruara ta lënë pushtetin,- dhe Serbia, Bullgaria, Shqipëria dhe Kroacia do te drejtohen nga ekipe të tjera politike. Po kush nga qeveritë e këtyre vendeve do të jetë e detyruar të largohet e para nga pushteti, dhe cila e fundit?! Këtyre parashikimeve dhe dilemave

përpiqet  tu japë përgjigje e përjavshmja britanike me autoritet “The economist” në numrin e saj të fundit.

    Ne Serbi, Shqipëri, Bullgari dhe Kroaci qeveritë aktuale gjatë këtij viti janë ndeshur me revolta dhe demonstrata të fuqishme të popujve të tyre. Megjithëse këto manifestime të protestës shpesh herë udhëhiqeshin nga motive të ndryshme; qëllimi i tyre është i njëjtë: të përmbysin ekipet e tanishme qeveritare, të cilat ata i bëjnë fajtorë për të këqijat që po kalon vendi. Por “kuarteti në rrethim”,siç e cilëson “The economist” ndryshon dukshëm njëri me tjetrin edhe përsa i takon së drejtës së tyre për të qeverisur, si dhe kohëqëndrimit të tyre në pushtet. Por e keqja është se shpesh herë edhe altenativat që duhet t’i zëvendesojnë këto ekipe qeveritare, megjithëse nuk janë aq të mbrapshta sa të parat, janë ende larg për tu konsideruar të besueshme.

        Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, bajraktar i njohur, është ndofta më i brishti. Verën e kaluar partia e tij i fitoi zgjedhjet parlamentare në një mënyrë të dyshimtë. Në prillin që po afron ai mund të rizgjidhet nga një parlament i stërmbushur me përkrahës të tij. Por ai ka bërë edhe disa punë të mira, vëren “The economist”, si psh nxjerrjen e vendit nga një regjim i egër komunist dhe vënien e tij në binarët e një rritjeje modeste. Ai po ashtu e mbajti larg Shqipërinë nga konflikti jugosllav. Por rrënimi i tanishëm i piramidave të fajdeve dhe bashkë me to edhe i kursimeve jetësore të njerëzve të thjeshtë në Shqipëri, i ka nxjerrë njerëzit nëpër rrugë. Në rast se partia, ushtria dhe policia i qëndrojnë besnikë, ai ka ende shanse për të mbijetuar. Por atij i duhet të jetë më pak arrogant dhe më shumë demokrat, përndryshe ai rrezikon ta humbasë fronin, i tërheq vëmendjen “The economist”.

      Bullgaria është më demokratikja nga qeveritë e vëna nën rrethim. Zgjedhjet aty janë zhvilluar të lira dhe të ndershme, shtypi është po ashtu krejtësisht i lirë. I vetmi krim i socialistëve në pushtet është se ata nuk ditën të administronin ekonominë si dhe përhapja e korrupsionit. Edhe Kroacia ka tendenca për të ndryshuar, sidomos me zgjedhjen e presidentit të ri gjatë kësaj vere. Demonstratat që shpërthyen në Kroaci pas mbylljes nga ana e regjimit të një radiostacioni të pavarur, kanë filluar të shuhen që kur kjo radio ka rinisur transmetimet e saj.

      Ndër të katër liderët e këtyre vendeve, vazhdon “The economist”

padyshim Milloshevoçi është më i urryeri. Ai mban përgjegjësi edhe për kasapahanën që ka përfshirë Jugosllavinë që kur ai ka marrë pushtetin.

      Në Ballkan ka arritur ora e ndryshimeve, konkludon “The economist”. Bullgaria ka nevojë ta provojë përsëri fatin, Kroacia t’i thotë lamtumirë shovinistit Tuxhman. Berisha po i humb me shpejtësi mbështetësit e tij, duke përfshirë këtu edhe ata diplomatikë. Por mbi të gjitha rrëzimi i Millosheviçit mund ta lirojë Serbinë nga zgjedha e një partie, e cila mbijetoi më shumë se simotrat e saj në vendet e Europës Lindore, vetëm sepse e zëvendësoi komunizmin me një nacionalizëm edhe më të urryer.

    Ndërkohë opozita në këto katër vende duhet të fillojë të demokratizojë së pari veten e saj dhe pastaj vendin, sidomos në rast se ajo merr frenat e pushtetit, tërheq vëmendjen e përjavshmja me reputacion ndërkombëtar “The economist”.

                                                                                 6/2/1997

         Komisioni Europian:”Wait and see”

     Edhe Komisioni Europian në Bruksel po ndjek me vëmendje

zhvillimet e ditëve të fundit në Shqipëri. Në një intervistë eskluzive

për “Deutsche Wellen”, Nikolaes Wegter, zëdhënës pranë kabinetit të komisionerit të ngarkuar për marrëdhëniet me vendet e Europës Lindore , Hans van den Bruk, ndër të tjera thekson se Komisioni Europian shpreson që kushtet ekonomike dhe politike në Shqipëri të përparojnë, që edhe Shqipëria të gjejë vendin e saj në Europë. Përsa i takon marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, që në vitin 1992 është nënshkruar një marrëveshje dypalëshe ekonomike. Shqipëria, vazhdoi zoti Wegter, bën pjesë gjithashtu edhe në programin “Phare” të Bashkimit Europian, program ky që ka si qëllim ndihmën ekonomike ndaj vendeve të Europës Lindore në periudhën e tranzicionit. Dhe me këtë marrëveshje dhe program ne do të mbështetemi në marrëdhëniet tona me Shqipërinë edhe në të ardhmen.

     – Por me Shqipërinë ishte planifikuar nënshkrimi i një akordi të ri, specifik, që do i përforconte edhe më shumë lidhjet ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Kjo marrëveshje “sui generis” ishte parashikuar  të nënshkruhej që në 6-mujorin e parë të vitit të kaluar. Përse nuk bëhet më fjalë për nënshkrimin e këtij akordi?!

   – Ne nuk e kemi përjashtuar përfundimisht nënshkrimin e  kësaj marrëveshjeje me Shqipërinë, por në kushtet e sotme në Shqipëri është e vështirë të ecim përpara në këtë drejtim. Ne vazhdojmë të mbetemi në të njejtën linjë, po ashtu  si dhe

Këshilli i Ministrave i Bashkimit Europian, por është më mirë të dilet një herë nga gjendja e krijuar sot në Shqipëri dhe pastaj të shohim…

      – Cfarë kupton Bashkimi Europian me shprehjen:-“Më parë të gjendet një zgjidhje politiko-ekonomike në Shqipëri?”.

      – Duhet që kriteret ndërkomëtare, si në planin e demokracisë, ashtu dhe në atë ekonomik, të respektohen edhe në Shqipëri. Ky proces në Shqipëri është ende larg të konsiderohet si i përfunduar. Këtë ne e themi me objektivitet, dhe zgjidhja mund të gjendet me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike,- deklaroi zëdhënësi i Komisionit Europian, Nikolaes Wegter.

    Bisedoi,                                               Bruksel

 Viron Gjymshana                                              7/2/97

                 5 pyetje për një çështje

   Kështu e titullon komentin e saj kushtuar zhvillimeve në Shqipëri e përditshmja e njohur belge “Le Soir”.

    Cilat janë arsyet e këtij zemërimi popullor? Kush mban përgjegjësi për pasojat? Çfarë mund të bëjë aktualisht qeveria? Cili është roli i opozitës në ngjarjet e fundit? dhe së fundi: Cila mund të jetë zgjidhja dhe nga mund ti vijë ajo Shqipërisë?,-këtyre pyetjeve dhe hamëndjeve u përgjigjet analisti belg i çështjeve ballkanike, Eduard van Velthem.

    Shkaqet e zëmërimit popullor janë të lidhura me  shkatërrimin e firmave të fajdeve, pra duket se ato kanë bazë ekonomike. Por duke toleruar ose nxitur veprimtarinë e këtyre skemave piramidale, qeveria aktuale ngjalli ndërmjet popullsisë vendase orekset për pasurim të shpejtë dhe pa djersë. Për një popull i detyruar të heshtë për mëse një gjysëm shekulli nga regjimi i mëparshëm, ky zhgënjim i ri nga pushteti aktual, ishte pika e ujit që derdhi gotën, vëren “Le Soir”.

        Por duke injoruar shkaqet e krizës si dhe përgjegjësitë e saj dhe duke bërë fajtore si gjithmonë opozitën, qeveria shqiptare rrezikon ta thellojë edhe më ndarjen e vendit. Edhe përdorimi i forcës ndaj popullsisë pasqyron vetëm  nervozizmin dhe pafuqishmërinë e saj për të gjetur një rrugëdalje të arsyeshme nga kriza.

     Në këto kushte zgjidhja Shqipërisë mund t’i vijë vetëm së jashtmi, pasi pushteti e ka humbur tashmë besueshmërinë e tij pranë popullit. Diplomacia perëndimore është e interesuar të mos lejojë përhapjen e një abcesi tjetër në Ballkan, sidomos kur dihet mirë se aty pranë gjendet Kosova. Prandaj mund të kuptohet edhe më lehtë shqetësimi apo ankthi i Perëndimit ndaj zhvillimeve të pakëndshme që mund të marrin ngjarjet në Shqipëri,-nënvizon Eduard van Velthem te “Le Soir”.

                                                                                Bruksel,

                                                  8/2/1997

                 Mediat perëndimore në rivalitet

     Shtypi britanik duket se ka hyrë në garë me atë italian përsa i takon  vendit që ai i kushton ngjarjeve të fundit në Shqipëri. Pothuajse të gjitha gazetat britanike njoftojnë me gërma të mëdha për 3 të vrarë në Vlorë si pasojë e përleshjeve ndërmjet demonstruesve dhe policisë. Reportazhet dhe kronikat e tyre nga Shqipëria shoqërohen me një foto të stërmadhe ku shiheshin forcat e policisë speciale duke u përpjekur të hidhnin në zjarr një të ri demonstrues.

     Nuk është ende e qartë nëse pjesa tjetër e popullsisë do të ndjekë shembullin e Vlorës, apo pret më parë të shohë çfarë do të ngjasë me firmat “Vefa” e kompani, vëren  korrespondenti i së përditshmes “The Independent”, Andrew Gumbel. Ndërsa  “Times” i

Londrës vë në dukje ndër të tjera, se dhuna në Shqipëri ka ardhur duke u shtuar, kur banda të panjohura kanë sulmuar gazetarë vendas dhe të huaj si dhe drejtuesit e Aleancës Demokratike.

       Vetëm dialogu ndërmjet të gjitha forcave politike mund ta shpëtojë Shqipërinë nga kaosi dhe gjakderdhja që kërcënon vendin, nënvizojnë me këtë rast analistët dhe politologët perëndimorë.

                                                                                   8/2/97

                 Dy lloj vende të Lindjes

   Tashmë për Bashkimin Europian është bërë e qartë se ekzistokan 2 lloj vendesh te Europës Lindore dhe që dallojnë dukshëm nga njëri-tjetri. I pari është grupimi i vendeve si Polonia, Hungaria, Çekia etj, të cilat janë të mirseardhura në Europën e Bashkuar. Në grupimin e dytë bëjnë pjesë shumica e vendeve ballkanike.

     Dallimet ndërmjet këtyre 2 vendeve të Europes Lindore janë të thella dhe datojnë që para disa shekujve. Vendet europiano-lindore të Europës Qendrore kanë qënë për  një kohë të gjatë pjesë përbërëse e perandorisë austro-hungareze. Deri para Luftës së Dytë Botërore ato kanë ecur krahpërkrah  me vendet e tjera të Europës    Perëndimore. Kishat dhe stili gotik i ndërtesave të tyre dëshmojnë për kulturën e tyre thellësisht europiane. Nga ana tjetër vendet ballkanike janë ndarë nga historia dhe kultura europiane për rreth 400-500 vjet, gjatë një epoke kur ato kanë bërë pjesë në një perandori tjetër, por aziatike, në atë turke. Xhamitë dhe stili bizantin dëshmojnë traditat kulturale dhe historinë e tyre. Pas shëmbjes së Murit të Berlinit, rreth 8 vjet më parë, vendet europianolindore të ish- perandorisë austro-hungareze ndërmorrën reforma të suksesshme ekonomike dhe politike. Tranzicioni dhe këmbimi i pushtetit u kryen disa herë dhe relativisht pa dhimbje, ndërsa në vendet ballkanike ende ndeshemi me regjime autokratike, të gatshme për të përdorur metodat staliniane, në rast se punët nuk ecin mirë. Afërsisht kështu po ngjet këto ditë në Serbi, Bullgari dhe Shqipëri, ku njerëzit kanë dalë nëpër rrugë,-konstaton e përjavshmja amerikane “Newsweek”.

    Për një çast shqiptarët besuan se edhe për ata kishte ardhur dita e tyre e shumëpritur. Një firmë e një qyteti të vogël të Shqipërisë së Mesme i paguan një ish-futbollisti të njohur argjentinas një shumë marramendëse për të stërvitur ekipin e qytetit. Një tjetër financon “Miss Europën”. Por ëndrra mori fund kur firmave piramidale u fashit fluksi i depozitimit të parave në to, dhe ato nuk kishin më mundësi për të paguar interesat e larta të parave të huazuara. Ishte e qartë deklaron në këtë revistë Karlos Elbert, përfaqësues i Bankës Botërore në Tiranë, se këto përqindje të larta nuk mund të nxirreshin nga veprimtari të ligjshme. Por qeveria në vend që t’i ndalonte këto skema piramidale, i nxiti edhe më shumë me shprehjen:”Me ne fitojnë të gjithë”. Por në ditët e para të janarit u bë e qarte se do të ishin të pakët ata që do të fitonin ! Atëhere nisi edhe rrëmuja…

      Pavarësisht se arsyja që i nxorri njerëzit nëpër rrugët e Tiranës, Beogradit dhe Sofies nuk është e njëjtë, ato kanë një rrënjë të përbashkët,- mungesën e demokracisë në këto vende,-nënvizon e përjavshmja amerikane.  Zgjedhjet e majit të kaluar në Shqipëri u dalluan për mashtrime të hapura, njerëzit në Beograd kërkojnë të njihen rezultatet e zgjedhjeve komunale të nëntorit të kaluar, ndërsa në Sofie ata kërkojnë rrëzimin e qeverisë, fajtore për kolapsin ekonomik në të cilin e ka zhytur vendin. Të tri popujt e këtyre vendeve morën me këtë rast një mësim të mirë: se një udhëheqje politike mjerane mund ta lejë një popull me kuleta të zbrazura. Por edhe udhëheqësit duket se po e kuptojnë se pa një mbështetje të fortë popullore, të fituar me anë të zgjedhjeve të ndershme dhe të lira, asnjëra nga qeveritë e tyre nuk mund ta çojë vendin përpara në rrugën e reformave, përfundon analizën e saj,”Newsweek”.

                                                                             Newsweek         

                                                 13/2/’97

                         “Regjimi i gangsterve”

    Shembja e piramidave mashtruese të fajdeve në Shqipëri, rrëzoi edhe një mit tjetër të ndërtuar në po të njëjtën mënyrë: atë të përparimit ekonomik të Shqipërisë në rrugën e saj drejt demokracisë. Analistë të ndryshëm europianoperëndimorë madje po çuditen tani se si Perëndimi ka mbështetur deri më sot një regjim që mbolli në këtë vend korrupsionin, kriminalitetin si dhe çdo lloj veprimtarie tjetër, të cilat po e kthenin pak nga pak Shqipërinë në nje Kolumbi të Europës.

    Përse deri më sot Europa ka mbyllur sytë ndaj korrupsionit që ka helmuar jetën e një kombi të tërë?-pyet e përditshmja britanike “The Independent”. Mpleksja e qeverisë në veprimtarinë kriminale të mafias nuk është sekret për asnjë që e njeh sadopak këtë vend, por ajo që të çudit më shumë është qëndrimi i vendeve europianoperëndimore, të cilat megjithëse ishin vënë në dijeni nga shërbimet e tyre të fshehta rreth përfshirjes së shtetit shqiptar në veprimtari mafioze kishin bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh. Faktet flasin vetë, vazhdon e përditshmja britanike. Kontrabanda e armëve dhe cigareve është ndërmarrë nga firma tregtare e Partisë Demokratike, e quajtur  “Shqiponja”. Eshtë po ajo që është marrë me kontrabandën e naftës drejt Serbisë, derisa  OKB-ja e hoqi këtë embargo. Agron Musaraj, u shkarkua nga posti i tij si ministër i brendshëm, vetëm pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende të tjera perëndimore pohuan se ai ishte strumbullari i këtij aktiviteti të paligjshëm që zhvillohej në Shqipëri. Gjatë vitit 1996, shërbimet sekrete perëndimore njoftonin qeveritë e tyre se ishte ministria e mbrojtjes që merrej tani me kontrabandën e armëve dhe cigareve. Dyshimet tani kanë rënë mbi kompaninë “Vefa Holding”, e cila përveçse firmë piramidale merret edhe me kontrabandë të gjithfarllojshme. Madje sot ajo po hetohet edhe në Itali edhe për lidhjet e saj të mundshme me mafian. 

             Po si është e mundur që Perëndimi e ka toleruar këtë veprimtari dhe e lejoi Shqipërinë të kthehej kështu në një çerdhe kriminaliteti që mund të destabilizojë krejt këtë rajon delikat në Europë?-pyet i dërguari special i “Indipendentit”, Endrju Gambell. Perëndimi, spjegon ai, u verbua nga presidenti Berisha. Qëndrimi i tij ndaj ekonomisë së tregut dhe sidomos roli i tij në paqtimin e rajonit, që mundësoi që flakët e luftës në ish-Jugosllavi të mos shtriheshin edhe në Kosovë dhe Maqedoni, e bënë atë të konsiderohej nga kancelaritë perëndimore si njeriu i duhur për ta. Aq sa edhe keqësimi i vazhdueshëm i të drejtave të njeriut në këtë vend, shtypja ndaj opozitës dhe medias së pavarur si dhe largimet dhe eleminimet e njëpasnjëshme të të gjithë kolegëve të tij me vlerë në gjirin e Partisë Demokratike, kaluan pa u vënë re. Në këtë eufori të shkaktuar edhe nga e ashtuquajtura rritja me dy shifra, u la pas dore dhe nuk u kuptua se kjo rritje vinte kryesisht nga veprimtaria e paligjshme, ose nga prurjet në valutë të emigrantëve shqiptarë në Europë, po ashtu si dhe nga ndihmat e bashkësisë ndërkombëtare, pasi prodhimi në vend pothuajse kishte marrë fund.

       Vetëm në maj të vitit të kaluar komuniteti ndërkombëtar filloi të shqetësohet ndaj përkeqësimit të situatës politike dhe ekonomike në Shqipëri, ndofta kjo edhe sepse lufta në Bosnje kishte marrë fund dhe me të kishin ndryshuar edhe prioritet e sigurisë në rajon. Atëhere Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e ndërprenë mbështetjen dhe kredinë e tyre për Shqipërinë, sidomos kur vunë re shpenzimet parazgjedhore dhe sidomos lejimin e lindjes dhe përhapjes të skemave piramidale të fajdeve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës refuzuan të njohin parlamentin e dalë nga zgjedhjet e majit të shkuar dhe në mënyrë private lajmëruan qeverinë shqiptare në përfshirjen e ministrave të saj në trafikët e paligjshëm. Një raport i vitit të kaluar i CIA-s ka qënë mjaft i ashpër ndaj Shqipërisë dhe tepër pesimist rreth të ardhmes së saj.

         Por të gjitha këto fakte që mund të çudisin botën, nuk habitin njeri në Shqipëri, pasi shqiptarët e dinin që më parë se këto piramida përdoreshin për të pastruar paratë, por ata besonin gjithashtu se ato mbështeteshin nga qeveria për t’i nxjerrë ata nga varfëria, nënvizohet në fund të reportazhit të posaçëm nga Shqipëria i gazetës britanike “The Independent” i titulluar:“Regjimi i gangsterëve që ne pamë”.

                                                                    “The Independent” 

                                                                           15/2/’97

                         Diçka ka filluar të ndryshojë në

                        Europë…                          

       Heshtja që ka mbajtur deri më sot Bashkimi Europian ndaj ngjarjeve më të fundit në Shqipëri mund të kuptohet ose të spjegohet vetëm me mbështetjen e pakufizuar qe ai i ka ofruar qeverisjes së presidentit Berisha, të cilin ato e kanë pasë konsideruar deri më sot si njeriun e tyre të besuar.

      Burime të mirinformuara të Bashkimit Europian kanë pohuar se për dy herë me rradhë Komiteti Politik i Këshillit të Ministrave   është mbledhur për të përpiluar një deklaratë në emër të Bashkimit Europian   rreth ngjarjeve në Shqipëri dhe për dy herë me rradhë anëtarët e tij nuk kanë gjetur një gjuhë të përbashkët mbi tonet e tekstit në shqyrtim.

      Nga ana tjetër studiues dhe politologë të ndryshëm vërejne se edhe pas shembjes së piramidave të fajdeve, disa qeveri europiane nuk janë zgjuar ende dhe vazhdojnë të besojnë se interesat ekonomike dhe politike të tyre mund te realizohen më mirë me qeverinë aktuale.

     Por diçka duket se ka nisur të ndryshojë. Ndofta që gjatë takimit të tyre të pritshëm në Gjenevë ose më së shumti në sesionin e tyre të rradhës, që do të mbahet në fund të këtij muaji në Bruksel, ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian do të dalin me një qendrim të tyrin të përbashket ndaj zhvillimeve të fundit në Shqipëri.

      Po ashtu për herë të parë sot, që kur në Shqipëri kanë filluar trazirat e përgjakshme, në pasqyrën e përditshme të shtypit mbareuropian, që Komisioni Europian përpilon çdo ditë, u përfshi edhe analiza e së përditshmes britanike “The Independent” e titulluar “Regjimi i gangsterëve që ne pamë”, ku kritikohet edhe qëndrimi i verbër i Europës ndaj udhëheqjes aktuale në Shqipër

                                                                        Bruksel, 15/2/1997

                   Ollbrajt dhe Van den Bruk: Autoriteteve shqiptare u duhen dërguar sinjale…   

   Gjatë vizitës që sekretarja amerikane e shtetit, Medllin Ollbrajt zhvilloi sot në selinë e Komisionit Europian në Bruksel, ajo trajtoi ndër të tjera me homologun e saj europian, Hans van den Bruk, edhe zhvillimet e fundit në Shqipëri. Të dy palët shprehen me këtë rast shqetësimin e tyre të thellë dhe theksuan se autoriteteve të Tiranës u duhen dërguar sinjale të qarta. Po ashtu ata nënvizuan se në qëndrimin ndaj Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë qëndrime të njejta.

      I pyetur se çfarë kuptojnë Ollbrajt dhe Van den Bruk me shprehjen “T’i dërgohen sinjale të qarta Tiranës zyrtare”, zëdhënësi i Komisionit Europian, Nikolaes van der Pas, u shpreh se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian janë shumë të shqe-

tësuar nga zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe qendrimin e tyre të

përbashkët do ia bëjnë të njohur edhe presidentit Berisha.

     Deklarata e fundit amerikano-europiane, e bërë nga zyrtarë të kualifikuar për to, është më e rëndë sesa duket në vështrim të parë. Siç dihet Shqipëria po bën përpjekje për të aderuar në organizmat euroatlantikë, në Aleancën Atlantike dhe në Bashkimin Europian. Atëhere kjo deklaratë është më shumë se domethënëse.

                                                                         Bruksel, 18/2/97

                    “Financial Times” – 6 faqe të plota

                       për Shqipërinë e sotme

    Gjendjes së përgjithshme ekonomike, sociale dhe politike në Shqipëri, një tjetër gazetë e njohur britanike i ka kushtuar në numrin e saj të sotëm 6 faqe të plota. Eshtë fjala për të përditshmen me reputacion ndërkombëtar “Financial Times”, e njohur dhe e vlerësuar veçanërisht në sferat e  financave ndërkombëtare, të bursave dhe tregjeve botërore.

   Në analizat kushtuar gjendjes së sotme në Shqipëri, e përditshmja britanike vëzhgon me syrin e specialistit ekonominë e përgjithshme, por edhe sistemin bankar, investimet e huaja, industrinë e prodhimit të lëndëve të para, sidomos atë të naftës, dhe ndalet në mënyrë të

veçantë në pasojat me të cilat do t’i duhet të ndeshet sot Shqipëria dhe populli i saj pas shembjes së piramidave mashtruese të fajdeve.

      Por gazeta britanike nuk përqëndrohet vetëm në aspektet ekonomike të jetës në Shqipëri, por ajo vëzhgon me kujdes edhe rrugën nëpër të cilën ka ecur Shqipëria gjatë këtyre 6 vjetëve të fundit, gjendjen e saj ushtarake si dhe i bën një përshkrim psikanalist edhe personalitetit të presidentit shqiptar Berisha.

                              Shpresat janë lëkundur…           

     “Pati shpresa të mëdha 6 vjet më parë kur vendi më i varfër i Europës doli nga zgjedha komuniste. Por sot këto shpresa janë lëkundur”, – nënvizojnë në fillim të dosjes kushtuar Shqipërisë, Kevin Daun dhe Kerin Houp. “Përparimet e vërejtura këto vite duket se fshiheshin pas nje velloje të brishtë. Këtë e tregoi fare qartë  dukuria e piramidave të fajdeve. Turbullirat e shkaktuara pas kolapsit të këtyre firmave mashtruese ringritën dyshimet mbi aftësinë e udhëheqësve shqiptarë për të ndërtuar institucionet e nevojshme  të një demokracie pluraliste dhe të një ekonomie të lirë tregu. Ato vunë në dyshim edhe aspiratat e saj për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe në NATO”- theksohet në dosjen kushtuar Shqipërisë. Sot presidenti Berisha gjëndet në qendër të ciklonit, edhe një herë tjetër pas atyre zgjedhjeve të dyshimta  që u përdorën vetëm për të konsoliduar pushtetin e tij.

      Prej disa javësh vazhdojnë përleshjet ndërmjet policisë me

 demonstruesit e zëmëruar pas shëmbjes së piramidave  të fajdeve,

të cilat kanë çuar deri në humbjen e kontrollit nga qeveria të disa qyteteve të jugut dhe diegien e selive të partise demokratike atje”.

      “Qeveria i mbylli sytë para këtyre skemave sepse ajo dëshironte përsëri të rizgjidhej. Njerëzit  ishin të lumtur nga këto para që u  dukeshin se po u zbrisnin nga qielli dhe qeveria nuk dëshironte ta prishte këtë vegim. Madje huadhënësit nxiteshin të depozitonin paratë në këto firma prej lidhjeve të ngushta të tyre me partinë Demokratike në pushtet”- vë në dukje “Financial Times”

        Kaosi i sotëm në Shqipëri i vë edhe kancelaritë perëndimore para përgjegjësisë për mbështetjen që i kanë dhënë Berishës, duke e ndihmuar atë të ngrejë një regjim, i cili është kthyer dukshëm në autoritarist dhe antidemokratik. Në vitet e para të sundimit të tij, ish

kardiologu dhe ish-anëtari i partisë komuniste u tregua tepër i aftë në fitimin e mbështetjes nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe të Bashkimit Europian. Të dëshiruara të shmangnin hyrjen e Shqipërisë në konfliktin e përgjakshëm në ish-Jugosllavi, ata e zgjodhën atë  si bastionin e tyre të demokracisë në këtë rajon. Dhe gjatë viteve të para të  90-tës, Shqipëria po i ngjante një ishulli të lumtur në flakadanin ballkanik. Por njëkohësisht me shenjat e para të një rritjeje ekonomike u vunë re gjithashtu edhe siptomat në rritje të paligjshmërisë, me të cilat institucionet e papërvoja të shtetit të ri e kishin shumë të vështirë të luftonin. Korrupsioni u kthye në një lloj sëmundjeje të përhapur gjerësisht në këtë vend të varfër të Europës, i cili për nivelin e tij të jetesës mund të krahasohet vetëm me vendet afrikane. Ekonomia e tij mbahej në këmbë vetëm nga prurjet nga jashtë të qindra-mijëra refugjatëve shqiptarë si dhe nga ndihmat e huaja të institucioneve ndërkombëtare.

     Veprimtaritë e paligjshme duke filluar nga tregtia e drogës dhe e armëve deri te ajo e klandestinëve drejt Italisë, lulëzuan me shpej-

tësi, të nxitura edhe nga eksperienca e kontrabandës me naftë drejt Serbisë dhe Malit të Zi, në kohën kur ato ndodheshin nën embargon e bashkësisë ndërkombëtare. Piramido-mania morri përhapje të gjërë gjatë vitit të kaluar, pasi qeveria ishte e dëshiruar të fitonte përsëri zgjedhjet, vazhdon “Financial Times”. Madje qeveria injoroi me këtë rast edhe paralajmërimet e bankës qemdrore. Gjithë këto qindra-mijëra dollarë të humbur do të kishin shërbyer të paktën në krijimin dhe zgjerimin e biznesit të vogël, por tani pas kolapsit, nje-

rëzit nuk kanë më as shtëpi ku të fusin kokën dhe as bagëti për tu mbajtur….

       Deri dy vjet më parë Shqipëria ishte nxënësi i preferuar i Fondit Monetar Ndërkombëtar me tregues makroekonomikë që të impresiononin. Por ky përparim filloi të zvogëlohej sidomos vitin e kaluar kur qeveria filloi të humbasë kontrollin e buxhetit, inflacioni filloi të rritet dhe bashkë me to humbi edhe momenti i privatizimit.

       Opinioni ndërkombëtar ndërkohë kishte filluar të shqetësohej edhe me shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, si dhe me marrjen nëpërkëmbë të pavarësisë së gjykatave. Frikësimet ndaj shtypit të lirë dhe të pavarur, por sidomos mënyra sesi u zhvilluan zgjedhjet e vitit të kaluar në Shqipëri, shkaktuan alarm në qeveritë perëndimore, veçanërisht të Uashingtonit. Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit theksonte se zgjedhjet e trukuara të vitit të kaluar në Shqipëri erdhën njëkohësisht me shkeljen e pavarësisë së gjykatave dhe lirisë së shtypit. Ato përbëjnë pengesa të mëdha në rrugën e Shqipërisë drejt demokracisë.  

        Tani Berisha, vazhdon “Financial Times” ndodhet përballë sfidave serioze. Atij i nevojitet rizgjedhja në prill të këtij viti nga një parlament, në të cilin partia e tij ka gllabëruar shumicën e vendeve. Ndërsa opozita e përçarë e mbledhur përqark “Forumit për demokracinë” kërkon qeveri teknike dhe zgjedhje të reja. Por edhe vetë Partia Socialiste, më e madhja e opozitës, ka përçarje brenda saj. Ndërsa vendet perëndimore ende hezitojnë në qëndrimin që ato duhet të mbajnë ndaj kësaj krize të re në Shqipëri. Disa shtete veriore të Bashkimit Europian  duan t’i bëjnë presion Berishës duke ia prerë ndihmat, por Italia dhe Greqia, duke pasur frikë nga një dyndje tjetër emigrantësh, duan nje qëndrim më të butë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat nuk e përkrahin më Berishën, po bëjnë thirrje për tavolinë të rrumbullakët me opozitën, për të hartuar një kushtetutë të re dhe zhvilluar zgjedhje të reja. Por presioni më i madh Berishës po i vjen nga demonstratat nëpër rrugë. Dhe rreziqet për atë vazhdojnë të shtohen, vë në dukje “Financial Times”.

                        Tirana e vitit 1997

    “…një vështrim në emrat e kafeneve që kanë mbushur  Tiranën këto 3 vitet e fundit si “Soros”, “Dolçe Vita” apo “Xhon Belushi” dëshmon padurimin e sipërmarrësve të sotëm shqiptarë për të fituar sa më shpejt pasuri dhe famë”-vëren Kerin Houp në fillim të reportazhit të saj kushtuar Tiranës të titulluar:”Ndryshime të mbështetura në themele te lëkundshme”. Dritat e shumëngjyrëshe të këtyre lokaleve kontrastojnë dukshëm me pamjen e zymtë të kryeqytetit. Shumë nga këto kafene janë ngritur pa leje, por kryetari i bashkisë së Tiranës  pohon se ai ngurron t’i prishë ato pasi shumë nga pronarët e tyre kanë investuar në to gjithçka kanë pasur. Kryeqyteti i Shqipërisë pothuajse po shpërthen pasi nga 350 mijë banorë sa ka pasur, gjatë këtyre viteve të fundit popullsia e tij e ka kaluar gjysmën e milionit, dhe në vitin  2005, pra pas 8 vjetësh, ai do ta ketë kapur 1 milionshin. Si pasojë e kësaj dyndjeje në periferi të Tiranës janë ngritur bidonvile, ku mungon si uji i pijshëm, ashtu edhe elektriciteti dhe kanalizimet. Por edhe në qendrën e Tiranës banorët kanë vetëm 4 orë ujë në ditë. Bashkë me këtë rritje të pakontrolluar dhe të papërmbajtur  të popullsisë, kemi një rritje të  vrullshme edhe të sallave të bilardove, bingove, videogejmëve si dhe të veturave të dorës së dytë. Edhe Programi i Kombeve te Bashkuara për Zhvillim, PNUD, shprehet i shqetësuar ndaj përkeqësimit të kushteve të jetesës në kryeqytetin e Shqipërisë. Papastërtia dhe plehrat, së bashku me ajrin e ndotur të shkaktuar nga karburanti i cilësisë së keqe, bien në kontrast me sipërfaqet e gjelbëra që po zhduken me shpejtësi. Pemët e parqeve  po dëbohen nga kioskat. Ndryshime të mëdha, por jashtë çdo kontrolli dhe plani paraprak, kjo është Tirana e sotme, shkruhet në “Financial Times”.

        Por edhe rruga e Shqipërisë drejt reformave po duket po kaq e mundimshme dhe e vuajtur. Sidomos pas zgjedhjeve të dyshimta të 26 majit të shkuar, persekutimit të opozitës, shkeljes së pavarësisë së gjykatave dhe kërcënimeve ndaj shtypit të pavarur.

               Roli  i Berishës sipas gazetës britanike

        Për rolin e luajtur nga presidenti Berisha në këtë transformim,        përkrahësit e tij këmbëngulin se ai  mbështeti reformat politike dhe nisi ato të ekonomisë së tregut. Madje edhe kundërshtarët e tij ia njohin meritën që ai pati në shmangjen e Shqipërisë nga konflikti i përgjakshëm në ish-Jugosllavi. Pak shqiptarë mund ta vejnë në dyshim dëshirën e tij për ta futur Shqipërinë në gjirin e NATO-s dhe të Bashkimit Europian.

     Por Berisha tani ndeshet me sfidën më të rëndë gjatë karrierës së tij të shkurtër politike. Partia e tij demokratike e ka humbur besueshmërinë pas zgjedhjeve të 26 majit të shkuar, të cilat po tu besojmë vëzhguesve të huaj, u shquan për mashtrime dhe kërcënime në shkallë të gjërë.

     Qeveria  përballohet tani me demonstrata të dhunshme të shkaktuara nga shembja e piramidave të fajdeve, të cilat mund të përcaktojnë të ardhmen si të Partisë Demokratike, ashtu edhe të vetë presidentit aktual.

     Berisha, vazhdon “Financial Times”, doli në skenën politike 6 vjet më parë si bashkëthemelues i Partisë Demokratike, pas demonstratave studentore të dhjetorit të 90-tës. Si një kardiolog i njohur të cilit iu dha mundësia të studionte në Francë, ai i takon asaj kaste, të cilës ai e mohon me vendosmëri t’i ketë shërbyer si mjek personal. Në fillim presidenti Berisha gëzonte një mbështetje të gjerë popullore si brenda vendit, ashtu edhe pranë qeverive perëndimore. Por pas humbjes së referendumit të nëntorit të 94-ës, ai akuzohet nga kundërshtarët e tij se ka ringjallur praktikat e vjetra komuniste të frikësimeve dhe terrorit.

      I ndeshur me demonstratat e vazhdueshme brenda vendit të tij, që pas shembjes së piramidave të fajdeve, zoti Berisha është duke kërkuar me ankth një mbështetje ekonomike dhe politike nga Perëndimi, konkludon analizën e saj rreth rolit të presidentit Berisha në jetën e vendit, Kerin Houp.

                Fuqizohen firmat huamarrëse, dobësohet ekonomia kombëtare

     Por demonstratat e dhunshme që kanë shpërthyer  në disa qytete të Shqipërisë pasqyrojnë një dëshprim tragjik të shqiptarëve. Zemërimi i tyre me Partine Demokratike dhe presidentin Berisha është i lidhur me bindjen që kanë krijuar ata që qeveria ishte ngushtësisht e lidhur me këto skema dhe ka përdorur një pjesë të tyre për të financuar fushatat e saj elektorale të vitit të kaluar.

       “Kjo që na ngjau është më e tmerrshme edhe se një katastrofë natyrore” i pohon një qytetar shqiptar gazetarëve britanikë. “Pasi bëmë një lek në emigracion,  po punonim që fëmijët tanë ta shihnin të ardhmen e tyre këtu. Por tani çdo gjë është vënë në pikëpyetje…”- shton një tjetër.

      Ishte e pamundur shkruhet në gazetën britanike t’i rezistonje tundimit të interesave prej 8 për qind në muaj. Për këtë arsye shqiptarët investuan në këto skema gjithçka kishin, rreth 1 miliard dollarë, afërsisht një e treta e prodhimit kombëtar vjetor.

     Edhe disa vëzhgues të huaj, vazhdon gazeta britanike, besonin se disa nga skemat piramidale në Shqipëri ishin të lidhura edhe me veprimtari të paligjshme, si pastrimi i parave të fituara nga tregtia e drogës, e armëve dhe karburantit.

     Vefa Holding ishte një nga piramidat e para që u ngritën në Shqi-

përi. Ajo në fillim jepte një interes mujor prej 3 deri 5 % , më pas edhe ajo arriti në 8 dhe 10 % në muaj. Sot ajo ka ndërprerë pagesat si të interesave ashtu edhe të kapitalit fillestar. Optimizmi i pronarit të saj, Vehbi Allmuçaj zbehet në rast se kërkon hollësi mbi bilancin e hyrje-daljeve në të holla. Kompania VEFA ka 100 mijë huadhënës, duke filluar nga njerëz të zakonshëm deri në anëtarë të qeverisë, prandaj zyrtarët e huaj perëndimorë e konsiderojnë Vefën si skemën më të madhe piramidale dhe paralajmërojnë se masat e Fondit Monetar  Ndërkombetar për të dalë nga kjo gjendje do të ishin të pavlefshme në rast se Vefa do të lejohet të hapë një bankë private.

      Rënia e ekonomisë shqiptare, vazhdon analizën e saj të gjatë gazeta britanike, është e lidhur pazgjidhshmërisht me fuqizimin e skemave piramidale. Shenjat e para të dobësimit të ekonomisë shqiptare u vunë re rreth 12 muaj më parë. Tani ekspertët ekonomikë në Shqipëri dhe jashtë saj janë pesimistë edhe rreth të ardhmes së saj ekonomike. Tashmë është bërë shumë e vështirë edhe marrja e kredive të reja nga Fondi Monetar Nderkombetar. Humbjet e  ekonomisë shqiptare nga shembja e skemave piramidale është e  vështirë të llogariten me saktësi se procesi është ende në vazhdim, por shenjat janë të dukshme: Leku është zhvleftësuar rreth 25 % në krahasim me disa muaj më parë, inflacioni arriti në 18 %  dhjetorin e kaluar, defiçiti buxhetor është po ashtu në rritje. Qeveria nuk ka buxhet as për vitin në vazhdim, dhe përgjatë 3 muajve të parë të këtij viti është duke vepruar në një situatë të jashtzakonshme. Tashmë qeveria po humbet edhe kontrollin e rendit publik, përveç atij të buxhetit. Nga ana tjetër balanci ndërmjet importeve dhe eksporteve është 3 me 1 në favor të importeve. Edhe rezervat shte-

tërore që ishin rreth 280 milionë $ vitin e kaluar duket se po firoj-

në. Shqipëria ka nevojë për ndihmë ekonomike për të ekuilibruar bilancin e saj të pagesave, ndryshe do të ndodhet para turbullirave të reja, i deklaron gazetarëve britanikë një nga vëzhguesit e huaj financiarë në Shqipëri.

             Një rreze shprese, megjithatë…

     Pavarësisht nga të gjitha, e përditshmja britanike “Financial Times” mendon se për Shqipërinë jo gjithçka është e humbur. Rru-

gëdalja asaj mund t’i vijë nga pasuritë e saj të brendshme natyrore si dhe nga investimet e huaja.

    Nafta është një nga pasuritë natyrore më të rëndësishme të Shqi-

përisë. Kompanitë e huaja kanë investuar më tepër se 150 milionë $ për zbulimin dhe shfrytëzimin e zonave të reja naftëmbajtëse. Një pjesë e konsiderueshme e tyre sot po i kryejnë kërkimet dhe shpimet e tyre off-shore në detin Adriatik, ku mendohet se mund të ketë rezerva të mëdha nafte dhe sidomos gazi. Shpresat janë mbështetur kryesisht në dy puse të rinj, njeri në det dhe tjetri në tokë. Kërkimet në to ndërmerren nga kompania italiane AGIP dhe ajo kroate INA. Në rast se në puset në kërkim do të dalë naftë ose gaz, ky do të jetë një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët. Megjithëse pajisjet për kërkimin, shpimin dhe transportimin e naftës janë tejet të vjetëruara, sektori i shfrytëzimit të naftës dhe gazit në Shqipëri ka tërhequr më shumë investime të huaja se çdo sektor tjetër i ekonomisë së vendit. Në krahasim me 10 vjet më parë prodhimi i naftës ka rënë nga 2 milionë e gjysëm tonë në vit, në rreth 500 mijë tonë në vitin 95.

    Por ngjarjet e fundit në Shqipëri janë një test edhe për investimet e huaja,- shkruan “Financial Times”, sidomos tani kur ishte planifikuar nxjerrja në shitje e mbi 15 ndërmarrjeve kombëtare, duke filluar nga ato të ndërtimit deri te ato të tekstilit. Për fabrikën e çimentos në Elbasan kanë shprehur interes firma të huaja nga Greqia, Italia, Belgjika, Irlanda, Spanja, madje deri edhe nga Kina. Nje biznesmen zvicerian është gati për të investuar 500 milionë

dojçmarka për ndërtimin e një fabrike të re çimentoje me aftësi prodhuese prej 1 milionë tonësh në vit. Po ashtu përfaqësues të firmës gjermane Preussag, e specializuar në metalurgji dhe miniera pohon se është në prag të firmosjes së një kontrate për blerjen e 80 % të rezervave të kromit në Shqipëri. Ndërkohë të tjerë investitorë të huaj janë të interesuar për privatizimet ose investime të ndryshme, duke filluar nga fabrikat e birrës deri në ato të barnave mjekësore. Megjithatë investitorët e huaj nuk kanë iluzione:”Këtu është far west i ri, por ne i kemi marrë parasysh edhe rreziqet”,- pohojnë ata.

    E lëkundur midis shpresës dhe dëshprimit, dëshirave dhe mun-dësive, rruga e Shqipërisë drejt një demokracie pluraliste dhe ekonomie të vërtetë tregu mbetet ende e gjatë dhe me të papritura.

Vetëm me një klimë të shëndoshë politike brenda vendit si dhe me një mbështetje të fuqishme politike dhe financiare nga Perëndimi, Shqipëria mund të përballojë edhe këtë krizë  të rëndë  të shkaktuar nga falimentimi i skemave piramidaleve.

                                                                               19/2/1997

              Presidenca hollandeze e Bashkimit Europian: “Qeveria shqiptare nuk e ka pranuar ndihmën tonë”.

      Tri ditë më parë, gjatë vizitës që zhvilloi në selinë e Komisionit Europian në Bruksel sekretarja amerikane e shtetit, Medllin Ollbrajt, dhe pas bisedimeve që ajo pati me homologun e saj europian, Hans van den Bruk, u bë e njohur se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe Bashkimi Europian do  i dërgojnë sinjale të qarta autoriteteve shqiptare. Por se çfarë përmbajtje dhe forme do të kishin këto sinjale kjo mbeti disi e mjegullt. Mjegulla u daravit pas një konference shtypi që dha sot në selinë e Këshillit të Ministrave, përfaqësuesi i presidences hollandeze të Bashkimit Europian, ambasadori Bot. Konferenca e sotme e shtypit paraprin takimin dyditor të ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian që do i zhvillojë punimet të hënën dhe të martën e ardhshme në Bruksel. Duke parashtruar rendin e ditës të punimeve të këtij sesioni të shefave të diplomacisë europiane, anbasadori i Mbretërisë së Vendeve të Ulta pranë Bashkimit Europian pohoi se është konturuar më qartë qëndrimi i ardhshëm i Bashkimit Europian ndaj zhvillimeve të fundit në Shqipëri.   “Shumë  delegacione të vendeve tona anëtare na kanë bërë thirrje që Bashkimi Europian ta ndihmojë edhe një herë tjetër Shqipërinë në këtë periudhë të vështirë që po kalon, por ne ndodhemi para një situate të vështirë pasi deri më sot qeveria shqiptare ka refuzuar çdo lloj ndihme nga jashtë. Komisioni Europian, vazhdoi ai, u ka paraqitur delegacioneve të vendeve anëtare dokumente të hollesishmeë në të cilat u bëhet një përshkrim i plotë gjendjes ekonomike, politike dhe financiare në Shqipëri, shoqëruar këto edhe me propozime konkrete rreth mënyrave sesi mund të ndihmohet Shqipëria. Ne do të  përpiqemi të ndihmojmë për rindërtimin e jetës politike në Shqipëri, që pozita me opozitën të punojnë bashkërisht për daljen nga kriza. Po ashtu do të ndërhyjmë në forcimin e ndihmës për Shqipërinë nga ana e institucioneve financiare ndërkombëtare. Por, dua të theksoj, vazhdoi ambasadori hollandez, që nuk është detyra jonë të paguajmë të gjithë ata që humbën në bixhozin e fajdeve. Ndihma jonë do të jetë teknike, me dërgime ekspertësh për të konstatuar dëmet dhe gjetur mundësi dhe burime të reja për të rigjallëruar ekonominë shqiptare. Siç e dini, deri më tani Bashkimi Europian i ka dhënë Shqipërisë ndihma që kapin shumën e 450 milionë ekyve, ose 600 milionë $ , më të lartën për frymë krahasuar me vendet e tjera të Europës Lindore”.

    ” Në rast se Shqipëria dëshiron të ketë marrëdhënie të mira me Bashkimin Europian dhe dëshiron gjithashtu të

nënshkruajë marrëveshjen e asocimit me të, bisedimet rreth së cilës, siç dihet janë ndërprerë, atëhere ajo duhet të

përmirësojë gjendjen e brendshme, të bashkëpunojë me opozitën dhe të shikojë mundësinë e zgjedhjeve të reja dhe të ndershme brenda një periudhe sa më të shkurtër,- deklaroi perfaqësuesi i presidencës hollandeze të Bashkimit Europian, ambasadori Bot.

                                                                    Bruksel,

                                                                  20/2/1997

                       Federata Ndërkombëtare e Gaze-

tarëve: Ndal sulmeve kundër  shtypit!

        Federata ndërkombëtare e gazetarëve me seli në Bruksel, përfshin  në gjirin e saj  rreth 420 mijë gazetarë dhe punonjës të shtypit në mbarë botën. Një nga detyrat e saj kryesore është edhe mbrojtja e lirisë së shtypit dhe të drejtave të gazetarëve. Disa herë me rradhë kjo Federatë ka shprehur shqetësimin dhe ka tërhequr vëmendjen ndaj disa rasteve të shkeljes së të drejtave të shtypit si dhe ndaj sulmeve, burgosjeve ose persekutimeve të tjera që kanë pësuar gazetat dhe gazetarët e pavarur në Shqipëri. Për këtë shkak ajo u ka dërguar nota proteste autoriteteve shqiptare, që ata të gjejnë dhe të dënojnë cilindo që kërcënon lirinë e shprehjes në Shqipëri, si dhe kanë vënë në dijeni edhe të gjitha organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

     Por shqetësimi i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve është rritur dukshëm sidomos këto javët e fundit pas shtimit të sulmeve dhe kërcënimeve të organizuara ndaj gazetarëve opozitarë dhe të pavarur.

         Për të ndërprerë këtë fushatë sulmesh, Federata i ka kërkuar

presidentit Berisha impenjimin e tij të plotë për ndalimin e këtyre sulmeve të kryera nga të ashtuquajtur persona “të panjohur”. Edhe 2 rastet më të fundit si ai ndaj gazetarit Frrok Çupi, të cilin e kanë kërcënuar deri se do i vrasin edhe djalin dhe ai ndaj gazetarit të “Republikës”, Genc Çobani, të cilin e rrëmbyen me forcë nga redaksia dhe e rrahën mizorisht në kodrat e Liqenit Artificial, janë ndjekur me shqetësim nga kjo organizatë.

     Duke pasur frikë pikërisht edhe ndaj një përhapjeje edhe më të madhe të kësaj dhune ndaj përfaqësuesve të shtypit të lirë në Shqipëri, Aidan White, sekretar i Përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, i dërgoi një letër presidentit Sali Berisha, ku i kërkon të ndërmerren hetime të menjëhershme për të zbuluar autorët e të gjitha akteve kundër gazetarëve dhe që përgjegjësit për to të marrin dënimin e merituar. FNG-ja i bën thirrje presidentit Berisha që ai personalisht të deklarohet kundër këtyre sulmeve, sepse nga sjellja e agjentëve të shtetit ose atyre civilë duket se ata janë të bindur se përsa po bëjnë nuk ka për tu hyrë gjemb në këmbë. Me këtë rast Aidan White, i kujton zotit Berisha se kjo është letra e dytë drejtuar atij pas asaj të 10 ditëve më parë, më 11 shkurt, kur Muharrem Meko, Roland Beqiraj, Benet Koleka, Hektor Pustina dhe Leon Çika u keqtrajtuan nga forcat policore dhe ato të shërbimit të fshehtë. Po ashtu si dhe Ben Blushit, të cilin e kërcënuan para shtëpisë ose Preç Zogajt të cilin e rrahën para fëmijës së tij 8-vjeçar.

     “Të gjitha këto dëshmojnë për mungesën e lirisë së shtypit në Shqipëri dhe flasin gjithashtu për mungesën e dëshirës së mirë nga ana e qeverisë për të ndëshkuar këto sulme të kryera nga punonjësit e saj civilë apo  ushtarakë”,-

theksohet në fund të letrës së sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, Aidan White.

                                                                                      Bruksel,   

                                                                       21/2/1997

                Në pritje të takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian.

 Nesër në selinë e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian do të mblidhen në një sesion të zakonshëm pune shefat e diplomacive europiane te 15 vendeve anëtare të BE-së. Gjendja dhe zhvillimet e fundit në Beograd, Sofie dhe Tiranë janë njëra nga pikat e rendit të ditës së këtij takimi.

    Në një dokument që Sekretariati i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave të BE-së bëri të njohur në vigjilje të hapjes së këtij takimi, ndër të tjera theksohet:“… shefat e diplomacisë europiane do të analizojnë zhvillimet e fundit në Shqipëri si dhe do të studiojnë mundësitë e Bashkimit Europian për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje të krizës që po kalon sot Shqipëria, pasojë e shembjes së piramidave të fajdeve, por e lidhur gjithashtu edhe me situatën e përgjithshme politiko-ekonomike, si psh me refuzimin e opozitës për tu ulur në parlament, rritjen e inflacionit, thellimin e deficitit buxhetor e të tjera.”.

      Burime të mirinformuara të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian kanë pohuar për “Deutsche Welle”-n, se “thembra e Akilit” në diskutimet e së hënës ndërmjet 15 ministrave të jashtëm do të jetë qendrimi që duhet mbajtur ndaj zhvillimit apo jo të zgjedhjeve të reja në Shqipëri. Në lidhje me këtë çështje, në mes përfaqësuesve të shteve të veçantë të BE-së janë vërejtur qëndrime tepër të lëkundura deri kundërshtuese. Aq sa dhe vetë Komiteti Politik i këtij Këshilli, i mbledhur për 2 herë me rradhë gjatë këtij muaji për të shprehur me anë të një deklarate zyrtare qendrimin e Europës së Bashkuar ndaj ngjarjeve të fundit në Shqipëri nuk ka rënë dot në ujdi për të gjetur një gjuhë dhe qëndrim të përbashkët.

      Të premten e kaluar, përfaqësuesi i presidencës hollandeze të Bashkimit Europian, ambasadori i mbretërisë së Vendeve të Ulta,

Bot, u shpreh se megjithëse Bashkimi Europian nuk mund t’i imponojë dot asnjë vendi nëse ai duhet të mbajë apo jo zgjedhje të reja, dhe as se kur duhet t’i mbajë ato, ai bëri të njohur dëshirën që në Shqipëri të zhvillohen zgjedhje të reja, të lira dhe të ndershme, brenda një  kohe sa më të shkurtër.

      Ky ishte qëndrimi i presidencës hollandeze të rradhës, por qëndrimi zyrtar i Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë do të bëhet i njohur vetëm në mbrëmje, pas publikimit të konkluzioneve zyrtare të këtij samiti të diplomacisë europiane.

                                                                          23/2/1997

                         Nervozizëm në rradhët e ministrave…

         Në korridoret e Këshillit të Ministrave të BE-së ndjehet sot një lloj nervozizmi, që vërehet edhe nga deklaratat kontradiktore që përfaqësues të delegacioneve të ndryshme kanë bërë këto orë para përfaqësuesve të masmedias. Kështu psh ndërsa ministri i jashtëm italian Dini bëri thirrje për një dialog serioz ndërmjet forcave të pozitës me ato të opozitës, si hapi i parë për të dalë nga gjendja e krijuar, ministri i jashtëm gjerman, Kinkel, pasi theksoi se Bashkimi Europian nuk do ta braktisë Shqipërinë, shtoi se mënyra demokratike që do të zgjedhin autoritetet e Tiranës për të dalë nga kjo krizë, do të përbëjë një test në marrëdhëniet e ardhshme ndërmjet Europës së Bashkuar dhe Shqipërisë…

                                        Selia e Këshillit të Ministrave të B.E.

                                                            Bruksel, 24/2/1997

                         As mish, as peshk…

           Më në fund pas diskutimesh të zgjatura, në mbrëmje vonë u bë i njohur edhe teksti i qëndrimit zyrtar të Bashkimit Europian ndaj ngjarjeve të fundit në Shqipëri. Në deklaratë shkruhet:” se kjo krizë shpreh nevojën që autoritetet shqiptare të vazhdojnë me vendosmëri reformat politike dhe ekonomike. Këshilli i Ministrave u bën thirrje autoriteteve shqiptare, të respektojnë, pikërisht në këto rrethana. parimet bazë të demokracisë”.  Në deklaratë u bëhet thirrje po ashtu të gjitha forcave politike në Shqipëri të angazhohen në një dialog konstruktiv për nxjerrjen e vendit nga kjo krizë dhe të heqin dorë nga shfrytëzimi i rrethanave të krijuara për përfitime partiake.  

                                                                               Bruksel, 24/2/1997

                      “Cfilitjet e shqiptarëve në Ballkan”

   ” Lufta në ish-Jugosllavi i zbuloi botës disa plagë në Ballkan, të cilat gjatë sundimit gjysmëshekullor komunist ishin fashitur, por jo shëruar, plagë që këto vite shpërthyen në kaos dhe gjak. Problemet e Ballkanit nuk mund të kuptohen vetëm me armiqësitë e vjetra historike, as vetëm me çmendurinë nacionaliste serbe ose me rilindjen e ekzaltimeve kroate, si nuk mund të kuptohen as me statusin e paqartë të myslimanëve të Bosnjës dhe  Sanxhakut. Në turbullirën ballkanike ngërthehen gjithashtu hungarezët e Vojvodinës, bullgarët e Maqedonisë e popuj e minoritete të tjera që janë ndarë nga vendi i tyre amë si pasojë e politikës së Fuqive të Mëdha dhe sot shtypen dhe shfrytëzohen në vende armiqësore. Në këtë peisazh të zymtë ballkanik çështja shqiptare do të jetë epiqendra e turbullirave dhe shqetësimeve të ardhshme të bashkësisë ndërkombëtare”,-këto janë disa nga përfundimet dhe vlerësimet e gazetës së njohur franceze “Le Monde” mbi situatën aktuale  në Ballkan dhe ardhmërinë e saj.

      Të ndarë më dysh, dje ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë, dhe sot më tresh, ndërmjet Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë, populli shqiptar për një kohë të gjatë nuk e ka ngritur zërin në mbrojtje të

kërkesave të tij. Sepse një Shqipëri e Madhe i trëmbte njëlloj fqinjët e saj, po ashtu si një Serbi e madhe. Nga ana tjetër tragjedia jugosllave sikur i ftohu gjakrat dhe shqiptarët e Kosovës kanë duruar të shtypen nga frika e një masakre nga ushtria serbe .

Edhe shqiptarët e Maqedonisë që ndjehen më pak të torturuar, por po aq fatkeqë sa edhe ata të Kosovës, e kanë kuptuar se një rebelim i tyre mund të kishte pasoja dramatike për të gjithë rajonin ballkanik, ndërsa shqiptarët e Shqipërisë janë përkundur këto 5 vjet me ëndrrën kapitaliste të pasurimit dhe oksidentalizimit të tyre, pa e çarë shumë kokën për kushërinjtë e tyre të përtej kufirit, nënvizon Remi Urdan, në komentin e “Le Mond”-it të titulluar:”Cfilitjet e shqiptarëve në Ballkan”.

     Shqipëria, shkruan e përditshmja franceze, kishte ndërkohë edhe shumë punë për të bërë për tu çliruar nga pasojat e një dikature komuniste 45 vjeçare. Pas një epoke prostaliniane, dhe pas asaj promaoiste, Enver Hoxha e zhyti vendin në një izolim absolut dhe njëkohësisht nën një terror të paparë.

      Entuziazmi si dhe dëshira për të demokratizuar jetën politike në Shqipëri dhe për ta vënë Shqipërinë në binarët e ekonomisë së tregut kanë karakterizuar presidencen e Sali Berishës, pohon “Le Monde”. Shqiptarët filluan të ëndërrojnë të futen sa më shpejt në familjen kapitaliste perëndimore. Tirana zyrtare bëri po ashtu përpjekje të mëdha për t’iu shmangur përfshirjes së saj në konfliktin ballkanik, duke i këshilluar shqiptarët e Kosovës që ata të ndiqnin politikën pacifiste të jo dhunës, madje edhe të heqin dorë nga disa kërkesa të tyre. Sali Berisha u kthye kështu në një nga udhëheqësit e vendeve të Europës Lindore nga më të përkëdhelurit e kancelarive perëndimore, aq sa ai filloi të mishëronte “mrekullinë shqiptare”.

    Por zgjimi ose zgjendrra ishte e dhimbshme,– vëren “Le Monde”. U kuptua se Shqipëria e kishte ndërtuar ekonominë e saj

në themele rëre, e mbështetur kryesisht në skemat piramidale të fajdeve si dhe në trafikun e paligjshëm të karburanteve. Këto biznese i kanë sjellë Shqipërisë të ardhura ditore që llogariten në 1 milion $. Këtij biznesi të paligjshëm i duhet shtuar gjithashtu edhe kontrabanda me armë, drogë dhe klandestinë, mbi të cilat mafia shqiptare ka monopolin në Ballkan. Por sot ekonomia shqiptare gjendet në buzë të greminës. manifestimet e protestës pas shembjes

së skemave piramidale janë shtrirë në mbarë vendin,- nënvizon gazeta franceze.

     Sali Berisha është vënë po ashtu me shpatulla pas muri për shkeljen e të drejtave të njeriut, burgosjet dhe përndjekjet e opozitës, shtypjes brutale policore dhe mashtrimeve në zgjedhjet e kaluara. Sali Berisha është kritikuar ashpër edhe në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, dikur njëri nga mbështetësit e tij më të vendosur. Dhe akuzat nuk mbarojnë as kundër partisë dhe qeverisë së tij, drejtuesit kryesorë të të cilave janë pasuruar si falë piramidave, ashtu edhe nga shkelja e embargos ndaj Jugosllavisë. Dhe në rast se Sali Berisha gëzon ende një përkrahje të dukshme nga Perëndimi, kjo i kushtohet krejtësisht politikës së tij të jashtme. Presidenti shqiptar luajti një rol zbutës ndaj aspiratave autonomiste

të shqiptarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë. Por që me fillimin e demonstratave të opozitës serbe në Beograd po dëgjohen gjithmonë e më shumë zëra që kërkojnë një politikë më aktive dhe të guximshme në Kosovë.

      “Atentatet që janë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës mos janë paralajmërimi i fillimit të një lëvizjeje të gjerë proteste në Kosovë?”- pyet Remi Urdan.

       Po në rast se kosovarët i shkallëzojnë aksionet e tyre, dhe në rast se ata fitojnë edhe mbështetjen e Tiranës zyrtare, atëhere a është e mundshme që shqiptarët e Maqedonisë të mund t’i rezistojnë tundimit të një rilindjeje kombëtare. Kjo është e pamundëshme aq më tepër që ndaj Maqedonisë kanë synime territoriale si Greqia, ashtu edhe Bullgaria me Shqipërinë. Ndërsa përkrahësit e Serbisë së Madhe e shohin atë thjesht si një provincë të perandorisë së tyre. Një konflikt shqiptaro-serb rrezikon ta përgjakë Ballkanin edhe më shumë se konflikti serbo-kroato-boshnjak. Turqia që i ka përkrahur fshehurazi myslimanët, ka nënshkruar po ashtu një marrëveshje të vërtetë ushtarake me Shqipërinë. Por edhe Greqia, aleatja historike e Serbisë, nuk do të rrinte indiferente ndaj një konflikti të ri në jug të Ballkanit. Nga ana tjetër edhe serbët janë të prerë përsa i  takon problemit të Kosovës, si ata në pushtet, ashtu edhe të ashtuquajturit demokratë. Në rast se lufta në Bosnjë përfundoi si përfundoi dhe autoriteteve të Pales u takon t’i përmbahen sa munden marrëveshjes së Dejtonit, përsa i takon Kosovës, ata janë të gatshëm të kapin armët sapo të vërejnë se Kosova dëshiron të shkëputet nga Serbia. Në Shqipëri, megjithëse deri më tani askush nuk tregohet i gatshëm të luftojë jashtë kufijve të saj, gjendja mund të ndryshojë me zgjimin e ndjenjës kombëtare dhe ndjenjave antiserbe dhe antigreke. Nacionalizmi shqiptar mund të rilindë një ditë në rast se serbët  vazhdojnë të shtypin shqiptarët e Kosovës, nënvizohet në fund të artikullit të së përditshmes franceze.

                                                                            Remy Ourdan

                                                                “Le Monde”,  27/2/1997

  Komisioni Europian:”Në rast se do të ishte pranuar ndihma jonë, skandali i piramidave të fajdeve do të ishte shmangur”     

  Shtrirja e revoltave të njerëzve të mashtruar nga skemat piramidale e nxiti Komisionin Europian të sqarojë disi opinionin publik shqiptar dhe atë ndërkombëtar mbi përgjegjësinë eventuale të shpërthimit të këtij fenomeni. Me anë të një note të posaçme Komisioni Europian  i kujtonte qeverisë shqiptare se ai i kishte ofruar ndihmën e tij të specializuar Shqipërisë që në muajin tetor. Qëllimi i kësaj ndihme ishte krijimi i një kuadri ligjor që do ta kishte vështirësuar, deri ndaluar, veprimtarinë e firmave piramidale të fajdeve,-por fatkeqësisht, kjo ndihmë na u refuzua nga autoritetet shqiptare,- theksohej në notën e Komisionit Europian. Oferta për ndihmë u përsërit disa herë, më së fundi muajin e kaluar, kur filloi shembja e skemave piramidale. Deri të premten e kaluar dukej se mungonte dëshira nga ana e qeverisë shqiptare për ta pranuar këtë ndihmë, por pas vizitës së delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë dhe takimeve që ai zhvilloi me përfaqësues të pozitës dhe opozitës, ndjehet se ky qëndrim ka filluar të ndryshojë.

         Komisioni Europian në bashkëpunim edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore është aktualisht duke punuar rreth hartimit të një platforme ndihme teknike për Shqipërinë, bëhet e ditur në notën e publikuar sot në Bruksel.

                                                                     3/3/97

         “Gjendja e jashtëzakonshme e vendosur në Shqipëri përcillet me një interesim po aq të jashtëzakonshëm nga shtypi perëndimor”.

     ‘Vendi i shqipeve në kaos”,- me këto fjalë e fillon reportazhin e tij nga Shqipëria, të publikuar në të përditshmen franceze “Liberation”,- Mark Semo.  Megjithëse gllabëroi 122 vende në parlamentin prej 140 deputetësh, këto vota nuk po i mjaftojnë Sali Berishës për të mbajtur vendin nën kontroll, shkruhet ndër të tjera në gazetën franceze.

     “Zemërimi i të prerëve në besë paralajmëron anarki në një shtet të qeverisur nga një parti e vetme”- kështu shkruhet në editorialin  e së përditshmes më të njohur britanike “The Times”.

     “Endrra më e keqe që mund të kishte imagjinuar Berisha për veten e tij u bë realitet dje”,- shkruan Riçard Ouen. “Populli që e zgjodhi me brohoritje pas përmbysjes së komunizmit është ngritur i tëri kundër tij. Ajo që filloi si një protestë popullore pas shëmbjes së skemave piramidale, është kthyer në ditët e fundit në një revoltë të armatosur që ka për qëllim heqjen e tij nga pushteti”. Berisha, i thotë kësaj gazete një inxhinjer shqiptar, po sillet njëlloj si Enver Hoxha. Ai e ka zëvendësuar atë jo vetëm në vilën që iu dogj në Vlorë, por edhe në mënyrat e qeverisjes. Ai mbështetet në një parti të vetme që kontrollon gjithë jetën e vendit dhe po përdor po metodat e sigurimit për të ruajtur pushtetin. Dorëheqja e detyruar nga zori e Meksit nuk mjafton. Duhet të largohet edhe vetë Berisha i cili është po aq përgjegjës dhe i korruptuar- shprehet inxhinjeri shqiptar te Tajmsi. Berisha është përzjerë sa në mashtrimet e zgjedhjeve të kaluara, aq edhe në lejimin, madje deri në mbështetjen e disa nga drejtuesve kryesorë të skemave piramidale. Për këtë arsye atë sot nuk e do dhe as i beson njeri,- shkruhet në artikullin e Tajmsit të titulluar:“Shqipëria në flakë”.

      “Por a do të mundet dot presidenti Berisha të bëjë zap Vlorën dhe qytetet e tjera të revoltuara me shpalljen e gjendjes së shtetrrethimit?”- pyet Kevin Daun në të përditshmen tjetër britanike, “Financial Times”.    “… kjo ka pak të ngjarë sepse edhe policia si dhe ushtria kanë lënë paratë në po të njëjtat firma piramidale. Vetëm forcat e tij speciale si dhe agjentët e SHIK-ut duket se i kanë qëndruar deri më sot besnikë”.

        Edhe e përditshmja tjetër   “The Independent” ngre po të njëjtën pyetje: “Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme a do mundet vallë Sali Berisha ta vejë gjendjen nën kontroll, si psh Vlorën, kryeqendrën e një revolucioni ndaj njerit nga regjimet më autoritare dhe të korruptuara sot në Europë”- pyet Endrju Gambell.

       “Sali Berisha është kthyer javën e fundit në djallin e zi të demonstruesve, sidomos pasi ka refuzuar te organizojë zgjedhje të reja. Edhe bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar atij një zgjidhje politike të situatës, por siç duket ai është implikuar thellë  në funksionimin e skemave piramidale, prandaj edhe ka bërë një vesh të shurdhër.

           Ndërsa  gazeta amerikane “International Herald Tribune” jep një kronikë të plotë të ngjarjeve të fundit në qytetet jugore të Shqipërisë si dhe njofton për keqtrajtimet me të cilat janë ndeshur jo vetëm gazetarët vendas, por edhe ata të huaj, nga forcat e regjimit në Shqipëri.

                                                                                 3/3/97

        Gjithë vëmendja përqendruar  në Shqipëri

      Konferenca e sotme e shtypit në selinë e Komisionit Europian në Bruksel iu kushtua pothuajse kryekëput gjendjes së turbullt dhe të rrezikshme në Shqipëri. Gazetarët e huaj që kishin mbushur sallën u interesuan të njihen me qëndrimet e mëtejshme të Bashkimit Europian ndaj zhvillimeve të fundit në Shqipëri, që vetëm ditët e fundit kanë çuar në 14 të vrarë dhe qindra të plagosur si dhe në dekretimin e gjendjes së jashtëzakonshme në vend.

      Zëdhënesia e re e kabinetit të komisionerit Hans van den Bruk, i ngarkuar për marrëdhëniet me jashtë, Luzevin van der Laan,

sqaroi se Bashkimi Europian do të rishqyrtojë edhe një herë qëndrimin e shprehur në takimin e fundit të ministrave të jashtëm. Për këtë qëllim do të mbahet edhe një mbledhje e posaçme paraparë për të enjten ose të premten e ardhshme. Lidhur me rizgjedhjen e Berishës në postin e presidentit, në këto momente që vendi po digjet, Van der Laan pohoi se për këtë rizgjedhje nuk ishte gjetur momenti i përshtatshëm dhe se kishte pasur ngutje. Kjo ishte edhe arsyeja që ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Europian, si dhe ai amerikan dhe zviceran, nuk morën pjesë në këtë ceremoni, por dërguan mëkëmbës të tyre.

                                                                                   4/3/97

                           “Nga komunizmi në kazino”

           Zhak Rupnik, njëri nga analistët më të njohur francezë të

çështjeve ballkanike konstaton se iluzionet komuniste në Shqipëri u zëvendësuan me iluzionet e jetës së kazinosë. Gjeneza e ngjarjeve të fundit duhet kërkuar që në mashtrimet elektorale të 26 majit të shkuar, të cilat i dhuruan pushtetin një partie të vetme dhe eleminuan opozitën. Pas tyre erdhën mashtrimet e skemave piramidale. Dhe sot vetëm zgjedhjet e reja nën vëzhgimin e institucioneve ndërkombëtare mund ta shpëtojnë Shqipërinë, perfundon intervistën e tij në gazetën amerikane “International Herald Tribune” analisti francez, Zhak Rupnik.

                                                                                        4/3/97Bashkimi Europian: “Në Shqipëri kemi të bëjmë me krizë politike dhe ekonomike njëkohësisht”.

    Në selinë e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian u mblodh sot me urgjencë Grupi i Punës për vendet e Europës Juglindore. Mbledhja iu kushtua tërësisht shqyrtimit të gjëndjes në Shqipëri, sidomos evoluimit të saj pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Përpilimi i një deklarate në emër të Bashkimit Europian si dhe  përgatitja e një “pakete” masash propozuar qeverisë shqiptare si rrugëdalje nga gjendja e krijuar, janë disa nga qëllimet e mbledhjes të këtij grupi.

     “Paketa e mësiperme me masat për daljen nga kriza do u dorëzohet të premten autoriteteve shqiptare  nga ministri i jashtëm i Holandës dhe njëkohësisht kryetar i rradhës i Bashkimit Europian, Hans van Mierlo gjatë një vizite të papritur qe ai do të zhvillojë në Tiranë.

    Për përfaqësuesit e Bashkimit Europian është e qarte se në Shqipëri kemi të bëjmë me nje krizë të dyfishtë, sa politike aq edhe ekonomike. Kriza politike në Shqipëri ka nisur që me zgjedhjet e majit të kaluar, pasojë e së cilës është edhe kriza e fundit ekonomike, që arriti apogjeun e saj me laksizmin e treguar në lejimin e funksionimit të sistemeve piramidale të fajdeve.

      Zgjidhja e kësaj krize është ne dorën e vetë forcave politike në Shqipëri, por edhe instancat ndërkombëtare do të veprojnë njëkohë-

sisht për të ndihmuar që kjo krizë të zgjidhet me anë të bisedimeveë dhe jo me anë të forcës. Vizita e Vranickit në Tiranë është e mirëpritur dhe e rekomanduar nxehtësisht nga ana e Bashkimit Europian, theksuan sot burime zyrtare të tij.

                                                                                        5/3/97                   

              Rritet shqetësimi, shtohet presioni

    Po forcohet çdo çast e më shumë presioni i instancave ndërkombëtare ndaj presidentit Berisha që ai të detyrohet të ulet në tavolinë me partitë e opzitës për t’i gjetur një zgjidhje tragjedisë shqiptare, e cila vetëm në qytetin e Vlorës ka rezultuar me 24 të vrarë gjatë javës së fundit.

      Mbrëmë në selinë e Komisionit Europian në Bruksel u mblodh në një takim të jashtëzakonshëm kolegji i komisionerëve të BE-së. Takimi u pershkua nga një frymë shqetësimi dhe pesimizmi pas refuzimit te pushtetit për tu ulur dhe biseduar seriozisht me përfaqësuesit e opozitës për gjetjen e një zgjidhjeje politike këtij problemi.

     Burime zyrtare të Komisionit Europian pohuan se gjatë të gjithë kësaj kohe ata janë përpjekur të hyjnë në kontakt me instancat më të larta të shtetit shqiptar, për tu bërë thirrje atyre të tregohen të përmbajtura  dhe të mos përdorin forcën, si mjet pët të mposhtur rebelimin në jug të vendit.

       Bashkimi Europian, së bashku me Fondin Monetar Ndër-

kombëtar, OSBE-në, Këshillin e Europës dhe organizma të tjera kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ndihmuar Shqipërinë edhe

përtej një ndihme të posaçme humanitare ushqimore, por paraprakisht është i nevojshëm krijimi i një klime normale politike dhe sociale në vend, pohuan sot burime zyrtare të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian në Bruksel.

                                                                                        5/3/97     

                 Në Parlamentin Europian vihet në pikëpyetje legjitimiteti i presidentit Berisha

     Sot pasdite në selinë e parlamentit Europian në Bruksel u zhvillua një mbledhje e posaçme kushtuar situatës së jashtëzakonshme në Shqipëri. Përveç deputetëve të parlamentit Europian, anëtarëve të Komisionit për Punë të jashtme, siguri dhe mbrojtje,- në këtë takim ishin ftuar dhe merrnin pjesë edhe komisioneria e Bashkimit Europian e ngarkuar për çështjet humanitare  Emma Bonino, përfaqësues të Këshillit të Ministrave të BE-së si dhe të presidencës hollandeze.

    Në fjalën e saj komisioneria Emma Bonino e vuri theksin në pasojat humanitare të krizës në Shqipëri, por duke mos harruar të nënvizojë se përpara se të jetë një çështje humanitare, kriza në Shqipëri ka karakter politik dhe social. Ajo foli për kërkesa të parashtruara nga qeveria shqiptare për 70 000 tonë grurë dhe 10 000 tonë miell etj. Por që kjo ndihmë të arrijë në destinacion nevojitet të shoqërohet nga një forcë e armatosur ndërkombëtare, për t’i bërë ballë rrezikut të grabitjeve nga bandat e armatosura që po e shkretojnë tashmë vendin, tha ajo.

     Kryetarja e delegacionit të Parlamentit Europian për vendet e Europës Juglindore, Doris Pack, këmbënguli me forcë që para se të shpërndaheshin ndihmat, duhet të çarmatoseshin kryengritësit e jugut dhe të mos njiheshin komitetet e tyre. Por përfaqësuesi i Këshillit të Ministrave të BE-së, Evangjelis e kundërshtoi propozimin e zonjës Pack me arsyetimin se banda të armatosura ka edhe në veri të Shqipërisë dhe se asnjëra palë prej tyre nuk mund të paragjykohet…

     Ndërsa eurodeputeti italian Cacavale në ndërhyrjen e tij theksoi se gjendja në Shqipëri nuk mund të përmirësohej tashmë as me

dërgimin e ndihmave humanitare dhe as me dërgimin e forcave ndërkombëtare. “Duhet të rindërtohet një shtet i shkatërruar nga themelet, të rivendoset  autoriteti shtetëror i tronditur rëndë. Edhe zgjedhjet do të jenë të vështira në një situatë të tillë, dhe mund të ndodhemi para një situate tjetër të papëlqyeshme, si ajo e 26 majit të kaluar, tërhoqi vëmendjen eurodeputeti italian. Disa parlamentarë të tjerë ngritën çështjen e legjitimitetit apo jo të presidentit Berisha. “Kur Parlamenti Europian i ka denoncuar zgjedhjet e vitit të kaluar si të paligjshme dhe ka kërkuar përsëritjen e tyre, atëhere a duhet që Bashkimi Europian të vazhdojë ta konsiderojë si të ligjshëm rizgjedhjen e presidentit shqiptar?!”- pyetën ata.

        Duke iu përgjigjur këtyre shqetësimeve, komisionerja Emma Bonino, nënvizoi ndër të tjera se Bashkimi Europian do të bëjë çfarë ka në dorë për të ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët për të kapërcyer edhe këtë dramë të re që i pllakosi, por ndërtimi i një shoqërie demokratike është në rradhë të parë detyrë e vetë shqiptarëve si dhe e partive të saj politike.

      Mbajtja e zgjedhjeve të reja në kondita të pranueshme, të  mbikqyrura këto edhe nga vëzhgues ndërkombëtarë, është hapi i parë vendimtar për fillimin e normalizimit të gjendjes.

      “Bashkimi Europian, vazhdoi komisioneria Bonino, që në shtator të vitit të kaluar i kërkoi qeverisë së atëhershme shqiptare që të dërgonte një ekip specialistësh të financës në Shqipëri, për të hetuar  dukurinë e fajdeve atje, por në tetor nga qeveria shqiptare si përgjigje morëm vetëm një Jo të prerë,- deklaroi Emma Bonino sot para Parlamentit Europian.

                                                                                   Bruksel,

                                                                                  2/4/1997

          Komunizmi kundër kapitalizmit

                             dhe

          kleptokracia kundër demokracisë   

     “Shqipëria përfaqëson sot një rast tepër tragjik, por njëkohësisht edhe shumë domethënës të një ndarjeje të re politike në botën e sotme. Pas shembjes së komunizmit, të gjitha vendet e Europës Lindore përqafuan demokracinë dhe ekonominë e tregut, por nga mënyra sesi këto vende, si dhe vënde të tjera të globit, po i aplikojnë rregullat e demokracisë dhe të ekonomisë së tregut, bota sot është ndarë në vende që qeverisen nga elita politike demokrate, të zgjedhura me votën e lirë të popujve të tyre, dhe në vende të tjera që qeverisen nga elita mafioze ose kleptokratë, të cilat korrupsionin dhe vjedhjen e kanë si tiparin e tyre dallues.

       Shqipëria përqafoi ekonominë e tregut, por jo edhe instrumentet e nevojshme për ta vënë në jetë si duhet këtë ekonomi tregu. Pikërisht nga mungesa e këtyre instrumenteve demokratike të kontrollit dhe efiçiencës, që janë tipar dallues i çdo shteti, Shqipëria u gjunjëzua nga skemat piramidale të fajdeve”- është ky opinioni i analistit amerikan Tomas Fridman lidhur me zhvillimet më të fundit në Shqipëri. Atje, vazhdon Fridman, munguan levat e ekonomisë së tregut, siç janë një legjislacion i qartë bankar, një ndarje e prerë ndërmjet tri pushteteve: legjislativit, ekzekutivit dhe juridik; një liri e vërtetë shtypi si dhe një administratë e aftë dhe e pakorruptuar. Për më tepër qeveria shqiptare refuzoi ta ndalojë veprimtarinë e këtyre  fondacioneve të ashtuquajtura mirëbërëse ose investuese, sa për shkak të mosparashikimit të pasojave, aq edhe se një pjesë e drejtuesve të saj ishin të implikuar në funksionimin e këtyre skemave… Pasojat e këtij qëndrimi janë edhe shkatërrimet e sotme në Shqipëri.

     Për studiuesin amerikan, Shqipëria është qeverisur këto vite nga një kleptokraci ekstreme, njëlloj si Kolumbia, Rusia, Meksika e vende të tjera të globit.

     Duke pasur parasysh shkallën e lartë të korrupsionit që ka përfshirë Shqipërinë dhe  disa vende të tjera të globit, ende nuk është as e qarte dhe aq më pak e sigurt nëse në një të ardhme të afërt këto vende do të vazhdojnë të qeverisen nga ekipe kleptokrate apo mafioze, apo nga ekipe qeveritare vërtet demokratike,- pyet Tomas Fridman.

      “Për të hyrë në rrugën e demokracisë dhe ekonomisë së tregut, është e domosdoshme që reformat të shoqërohen dhe të udhëhiqen me ndërtimin e një infrastrukture efikase ligjore, që i jep jetë kapitalizmit demokratik dhe e bën atë të pranueshëm”- është shprehur zëvendëssekretari amerikan i financave, Lorenc Samers.

        “Lufta midis komunizmit dhe kapitalizmit, që u fitua nga ky i fundit, po zëvendësohet pak nga pak me një luftë tjetër,-  nga beteja midis kleptokratëve dhe demokratëve, me fjalë të tjera nga dallimet ndërmjet vendeve që qeverisen nga ekipe të korruptuara dhe mafioze dhe atyre që qeverisen nga ekipe të afta dhe të ndershme.

        “Në këtë  kuptim Shqipëria ka sot nevojë të qeveriset më shumë se kurrë më parë nga një ekip i aftë dhe i përkushtuar: kjo është sfida dhe problemi më i madh  që e pret Shqipërinë në të ardhmen,– parashikon studiuesi amerikan Tomas Fridman.

                                                                                   Bruksel

                                                                                  8/4/1997  

       Hans van den Bruk: Duhet respektuar fjalë për fjalë marrëveshja e 9 marsit.

     Mbi 2 orë vazhduan sot pasdite në selinë e Parlamentit Europian në Strasburg diskutimet mbi Shqipërinë. Rreth 30 deputetë të Parlamentit Europian folën me shumë përgjegjësi dhe kompetencë rreth krizës shqiptare, shkaqeve që e sollën atë dhe rolit që duhet të luajë bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi dhe Bashkimi Europian në veçanësi, për tejkalimin e saj, për rivendosjen e rendit dhe principeve të demokracisë në Shqipëri.

     Debati i cili kësaj rradhe u zhvillua në seancë plenare, ishte aq i ndjekur saqë kryetarja që drejtonte punimet e kësaj seance me keqardhje njoftoi se pas diskutimit të më shumë se 30 parlamentarëve europianë, nuk mund tua jepte dot fjalën të tjerëve për mungesë kohe!

     Në seancën e sotme plenare përveç eurodeputetëve merrnin pjesë edhe komisionerët e Bashkimit Europian, Hans van den Bruk dhe Neil Kinock.

      Hans van den Bruk në fjalën e tij këmbënguli në mënyrë të veçantë në domosdoshmërinë e respektimit të plotë të marrëveshjes së arritur më 9 mars ndërmjet forcave politike shqiptare që çoi në krijimin e qeverisë së Pajtimit Kombëtar deri në organizimin e zgjedhjeve të reja.

                 Qëndrimi ndaj “komiteteve”?!..

    Eurodeputetja gjermane Doris Pack, e cila është njëkohësisht edhe kryetare e delegacionit të Parlamentit Europian për vendet e Europës Juglindore, përshëndeti kthimin e socialistëve në parlamentin shqiptar si dhe formimin e qeverisë aktuale të Pajtimit Kombëtar, por u shpreh kundër kontakteve me kryengritësit e jugut, të cilët, tha ajo, duhen injoruar.

       Por i një mendimi tjetër ishte eurodeputeti italian Renzo Imbeni, nënkryetar i Parlamentit Europian. Për zotin Imbeni kryengritësit e jugut përfaqësojnë vetëm opozitën e armatosur ndaj presidentit Berisha.  Ne mbajmë përgjegjësi se i kemi mbyllur sytë ndaj shkeljeve flagrante të zgjedhjeve të 26 majit të kaluar, deklaroi Imbeni.

      Edhe kolegu dhe bashkëkombasi i tij, eurodeputeti Xhan Franko del’Alba pohoi se Bashkimi Europian nuk u tregua vigjilent ndaj rrëshqitjes së Shqipërisë nga rruga e demokracisë dhe tani i duhet të paguajë pasojat e kësaj politike miope.

     Parlamentari britanik Title  ishte i mendimit që bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë gjithçka ka në dorë që Shqipëria të mos kthehet në një Bosnjë të dytë. Ai gjithashtu shprehu rezervat e tij, ndaj ekspozimit të tepërt, siç e cilësoi ai, të Italisë në këtë krizë. Dhe kjo për shkak të precedentëve të mëparshme historike. Sot, më shumë se kurrë më parë, Europa ka nevojë të jetë sa solidare, aq edhe unike, nënvizoi parlamentari britanik.

      Eurodeputeti Pettinari vuri në dukje se të mos duash të ndihmosh Shqipërinë sot, një vend që ndodhet në zemër të Europës, është një krim i rëndë, njëlloj si të mos ndihmosh një njeri në rrezik jete. Eurodeputeti tjetër italian Sela vuri në dukje se kriza shqiptare nxorri hapur nevojën e Bashkimit Europian për të pasur një politikë të jashtme të përbashkët, të njehsuar dhe koherente. Për herë të parë një forcë ushtarake krejtësisht europiane po ndërhyn në një vend europian pa pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shtoi me kënaqësi ai.

      Eurodeputetja gjermane Magdalena Hoff theksoi se ka ardhur koha që Bashkimi Europian të pyesë se çfarë është bërë me 500 milionë dollarët që ai i ka dhënë deri më sot Shqipërisë, pasi nuk kemi vënë re që me këto para të jetë ndërtuar ndonjë vepër ose objekt tjetër, me përjashtim të piramidave të fajdeve.

      Përgjigjen kësaj pyetjeje eurodeputetes gjermane duket se ia dha

kolegu i saj austriak, Frishenlager:“Ndihma e pakursyer e Bashkimit Europian duket se ndihmoi vetëm për forcimin e pushtetit të një partie dhe të një njeriu të vetëm,- u përgjegj eurodeputeti austriak.

      Eurodeputeti italian Vinçi e vuri theksin në implementimin e mafias italiane në ekonominë shqiptare dhe kritikoi edhe qëndrimin e lëkundur të qeverisë italiane në denoncimin e zgjedhjeve të rreme të majit të kaluar. Edhe eurodeputeti Cacavale u shpreh pesimist mbi dërgimin e trupave të huaja në Shqipëri, por ai theksoi se zhdukja e bandave mafioze që po përgjakin Shqipërinë, është sipas mendimit të tij dhe shumë diskutantëve të tjerë, një nga detyrat më kardinale për qeverinë e re shqiptare, përpara se të mund të flitet për atmosferë zgjedhjesh në Shqipëri.

                                                                                   Strasburg

                                                                                   9/4/1997

                “Europa e Bashkuar politike mund të lindë në Tiranë”!

    Europa dhe Shqipëria – një binom i pandarë, por shpesh herë i rënduar edhe nga dyshime dhe mllefe të dyanshme. Shqipëria gjendet në Europë jo vetëm me trup, por edhe me zemër. Epoka skënderbejane ishte edhe luftë që Shqipëria të mbetej në Europë. Por pa vajtur kaq larg mund të kujtojmë se në ditët e dhjetorit të ’90-tës, në prag të përmbysjes së diktaturës komuniste, gjithë populli shqiptar uronte që Shqipëria të bëhej si gjithë Europa. Por në marrëdhëniet e Shqipërisë me Europën rëndojnë edhe hijet e së kaluarës. A nuk ishin Fuqitë e Mëdha të Europës që e ndanë dhe e copëtuan kombin shqiptar? Politika e Europës karshi Shqipërisë ka qënë sa kontradiktore, aq edhe e dyfishtë.

     Por sot Europa i gjendet tek koka Shqipërisë së sëmurë, dhe jo vetëm Europa ekonomiko-financiare, ajo e Bashkimit Europian, por edhe Europa demokratike, mbrojtëse e të drejtave të njeriut dhe principeve bazë të demokracisë, siç është psh OSBE-ja.

     Por sipas mendimit të shumë specialistëve të huaj, kriza shqiptare nuk po i shkakton Europës vetëm kokëçarje dhe bezdi, por ajo po i shërben gjithashtu edhe si një test për të dëshmuar se ajo ka një politikë të jashtme të përbashkët. Për studiuesin e politikës europiane, Zhak Lui Dyfur, kriza shqiptare po i jep një mundësi tjetër Europës të tregojë se ajo nuk funksionon vetëm si një treg i gjërë dhe i hapur i shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve, por edhe si një identitet politik. Europa politike mund të lindë në Tiranë, thekson analisti francez.

       Rreth rolit që Europës i takon të luajë në Shqipëri shprehet edhe njëri nga personalitetet më të njohura europiane, ish-presidenti i Komisionit Europian, Zhak Delor: “Indiferenca e Europës ndaj tragjedisë shqiptare duhet të prekë në zemër çdo europian të vërtetë”- thotë ai.

                                                                         Bruksel

                                                                         9/4/97

                    Rezoluta e Parlamentit Europian për

Shqipërinë.                        

     Sot në mesditë Parlamenti Europian aprovoi me 355 vota pro, 8 kundër dhe 17 abstenime një rezolutë të përbashkët të të gjithave  grupimeve politike  të tij duke përfshirë këtu grupimin e partive demokristiane popullore, atë socialist, liberal-demokrat e reformator, të gjelbërit si dhe atë radikal.

     Në rezolutën e porsa aprovuar ndër të tjera nënvizohet se duke pasur parasysh gjendjen e pasigurisë qe mbretëron sot në Shqipëri, e cila përbën një tragjedi të vërtetë për popullin shqiptar;- duke qënë të ndërgjegjshëm  se  grupe mafiozësh dhe kriminelësh po përpiqen të përfitojnë nga kjo situatë;- duke vënë theksin te nevoja urgjente për të rindërtuar në Shqipëri institucionet demokratike, të cilat do të mundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke qënë po ashtu të ndërgjegjshëm se liria e mediave në Shqipëri është shumë e kufizuar si pasojë e një kontrolli të rreptë shtetëror mbi radio-televizionin dhe censurës së imponuar nga vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme ende në fuqi;

1 – dënon me forcë dhunën e ushtruar nga grupe të armatosura në Shqipëri kundër qytetarëve paqësorë dhe u kërkon këtyre grupeve të dorëzojnë armët dhe të respektojnë ligjin;

2 – mbështet dhe përshëndet përpjekjet e ndërmarra nga të gjitha forcat politike në Shqipëri për rivendosjen e rendit dhe respektimin e ligjit;

3 – është i mendimit se një politikë aktive e Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë është esenciale për rindërtimin e Shqipërisë;

4 – shpreh mbështetjen e tij për përpjekjet e qeverisë së pajtimit kombëtar për të rivendosur stabilitetin në vend dhe për të përgatitur klimën për zgjedhje të reja dhe të ndershme dhe me këtë rast i bën thirrje Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian të ndihmojë në zhvillimin e këtyre zgjedhjeve duke qënë i pranishëm në to jo vetëm ditën e zgjedhjeve, por duke ndjakur nga afër fushatën elektorale,

5 – i bën thirrje Komisionit Europian dhe Këshillit të Ministrave tu kushtojë vëmendje të posaçme lirisë së shtypit në Shqipëri, gjë e cila do mundësojë që të gjitha forcat politike shqiptare të kenë të drejtën e prezantimit para zgjedhësve, dhe kjo sidomos në radion dhe televizionin shtetëror;

6 – i bën thirrje Bashkimit Europian që në kuadër të politikës së tij të afrimit rajonal ndërmjet vendeve të Europës juglindore të përgatisë një plan afatgjatë të veçantë për Shqipërinë me qëllim të konsolidimit të institucioneve demokratike, siç janë një sistem i pavarur gjyqësor si dhe zhvillimi i një shoqërie demokratike;

7 – përshëndet deklaratën e kryeministrit shqiptar për shpërndarjen e policisë sekrete, SHIK, e cila vazhdimisht përndiqte kritikët e regjimit dhe i bën thirrje autoriteteve shqiptare të vazhdojnë në këtë rrugë duke depolitizuar edhe forcat e rregullta policore;

8 – ripërsërit kërkesën që bashkarisht me institucionet financiare ndërkombëtare të hetohet ndaj lindjes dhe përhapjes së skemave piramidale të fajdeve.

                                                                    Strasburg

                                                                   10/4/1997

                   Shqipëria do të rilindë si feniksi…

      Pavarësisht se për Shqipërinë është folur dhe shkruar këto javët e fundit sa asnjëherë tjetër në historinë e saj, revolta shqiptare i gjeti disi të papërgatitur, madje i ka lënë edhe paksa të habitur, edhe shumë studiues dhe amalistë perëndimorë që ndjekin zhvillimet në vendet e Europës Lindore. Shqipëria,pohojnë ata, është vendi i parë i Europës postkomuniste, ku një popull i zhgënjyer kapi armët. Dhe pavarësisht se kjo revoltë popullore degjeneroi më pas në një lloj anarshie dhe kaosi,  shumë diplomatë perëndimorë shpresojnë se pas këtyre turbullirave për Shqipërinë dhe shqiptarët do të vijnë ditë më të mira. Për studiuesin britanik, Nil Asherson, pavarësisht nga gjaku i humbur dhe shkatërrimet e papara materiale, shqiptarët po i drejtohen një të ardhmeje më të mirë. Në rast se ata do të dinë të oriemtohen dhe të gjejnë rrugën e drejtë, atëhere ata do të ndjehen krenarë për çfarë guxuan këto ditë,-shkruan ai në gazetën britanike “The Independent”

Sepse pavarësisht se çfarë thuhet, revolta shqiptare nuk paraqet fundin e qytetërimit dhe rendit në Shqipëri, pavarësisht gjithashtu se burgjet u thyen dhe nga barku i tyre kanë dalë gjithfarëlloj horrash dhe maskarenjsh që  po mbjellin gjak dhe terror në Shqi-

përi, pavarësisht gjithashtu se kazermat e ushtrisë shqiptare dhe automatikët përfunduan deri në duart e fëmijëve , pavarësisht nga të gjitha këto aspekte  tepër negative dhe tragjike, Shqipçria e ka një të ardhme përpara, pasi në Shqipëri po asistojmë në rradhë të parë në përmbysjen e një regjimi policor, i financuar sa nga krimi i organizuar aq edhe nga kontrabanda e qeveritarëve të tij që zhvillohej nën petkun e ekonomisë së tregut,-thekson Nil Asherson.

      Ekonomia shqiptare ishte infektuar shumë edhe nga mafia italiane, e cila kishte ndërhyrë deri në ndërtimin e skemave piramidale, dhe Shqipëria po kthehej kështu pak nga pak në të parin shtet mafioz të kohëve moderne, në një lloj Kolumbie në brigjet e Adriatikut, shkruante nga ana e saj “The Daily Telegraph”.

     Edhe Rod Norland dhe Stezi Sallivan vënë në dukje te e përjavshmja amerikane “Newsweek” se Shqipëria e sotme është një shtet pa ushtri, pa polici dhe pa administratë të mirëfilltë, por ende me një president, i cili për më tepër është njeriu më i kundërshtuar sot në Shqipëri. Pothuajse çdokush e bën sot fajtor Brishën për gjendjen në të cilën është katandisur sot vendi. Eshtë jashtë çdo dyshimi se qeveria e tij duhet ta kishte ndaluar aktivitetin e firmave piramidale të fajdeve, të cilat grabitën kursimet individuale të një populli të tërë.

Dhe të mendosh se vetëm pak vite më parë Sali Berisha konsiderohej si një hero i vërtetë sa nga populli shqiptar, aq edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Nga një malësor i thjeshtë ai arriti të bëhej mjek, madje edhe person me influencë në mjediset politike të mjekësisë . Por duhet thënë se Berisha ishte nga të parët disidentë që u ngritën kundër sundimit të Partisë Komuniste në fund të viteve ’80. Pasi partia  e tij demokratike fitoi zgjedhjet e vitit 1992, jeta për shqiptarët filloi pak nga pak të përmirësohej. Paraja po futej në Shqipëri me shumicë sa nga institucionet ndërkombëtare, aq edhe nga prurjet e emigrantëve shqiptarë që punonin nëpër botë. Jeta filloi të ndryshonte dhe Berisha kishte të drejtë të krenohej. Por pikërisht në këtë periudhë, thekson një diplomat perëndimor në faqet e “Newsweek”-ut,diçka filloi të mos shkonte mirë në Shqipëri, madje përkundrazi filloi të shkonte keq. Demokracia po shkiste nga shtrati i saj dhe po hynte në rrugë të gabuar. Kjo u theksua sidomos kur Berisha filloi të forconte pushtetin e tij personal duke eleminuar njëri pas tjetrit të gjithë kundërshtarët e tij politikë, madje edhe ata brenda partisë së tij demokratike që nuk mendonin më si ai.

Thellë në zemër ai e donte demokracinë, por metodat për ta mbrojtur atë ishin thjesht staliniste. Ai kishte idenë fikse se pa të Shqipëria do të binte në dorën e komunistëve dhe do të shkatërrohej, por me veprimet dhe qëndrimet e tij, ai e shkatërroi atë edhe më keq me dorën e vet,shprehet me keqardhje në faqet e revistës amerikane njëri nga miqtë e tij. Ai e shkatërroi sigurimin famëkeq të Enver Hoxhës, por e zëvendësoi atë me një polici politike po aq të urryer të quajtur SHIK, e formuar kryesisht me bashvendas të tij nga Tropoja, e cila u transformua pak nga pak në tmerrin e kundërshtarëve të tij politikë. Pastaj erdhën zgjedhjet e majit, të cilat Partia Demokratike edhe mund t’i kishte fituar, por për të qënë më e sigurtë, ajo i fallsifikoi ato në shkallë të gjerë dhe i stërfitoi. Por ishte një fitore si e Pirros. Vende dhe institucione demokratike si SHBA, OSBE-ja dhe Parlamenti Europian i denoncuan ato si të parregullta dhe kërkuan përsëritjen e tyre, po ashtu si dhe opozita vendase. Por kundër kësaj të fundit ishte më e lehtë. Shkopat e gomës dhe dhuna policore ishte mjeti më efikas për tua mbyllur gojën kundërshtarëve. “Ishte si një vazhdimësi e regjimit të mëparshëm stalinist”-pohon me keqardhje një diplomat i huaj në Tiranë, aq më shumë se në përbërjen e SHIK-ut kishin poste me rëndësi edhe nga ata që punonin në sigurimin e mëparshëm.

        Por ndërsa Berisha merrej me ruajtjen e pushtetit të tij, një formë ekonomie e paligjshme dhe jashtë çdo kontrolli po merrte hov në Shqipëri. Mafia shqiptare, e përkrahur heshturazi edhe nga qeveria, mori monopolin e çdo lloj trafiku dhe veprimtarie të paligjshme, duke filluar nga kontrabanda e armëve deri në atë të karburanteve, drogës dhe klandestinëve. Kështu që ky regjim pak nga pak po kthehej në një regjim piratësh, pohon diplomati i huaj te “Newsweek”. Ky lloj regjimi u tolerua nga Perëndimi për shkak të politikës së tij të butë ndaj çështjes së Kosovës. Por plaga u majis dhe shpërtheu pas falimentimit të firmave piramidale, por atëhere ishte vonë pothuajse për gjithçka, dhe sidomos për regjimin e Berishës,- vëren “Newsweek”.

      Por me siguri nuk është tepër vonë as për Shqipërinë, as për popullin shqiptar, nëse ata do të dinë të ringjallen edhe një herë pas këtyre shkatërrimeve, si feniksi nga hiri i tij. Dhe në këtë rast puna duhet të rifillojë aty ku u ndërpre: Në ringritjenjen e institucioneve dhe shoqërisë demokratike në Shqipëri,- theksojnë analistët dhe politikanët  perëndimorë.

                                                                              Bruksel

                                                                           12/4/1997

            Përse disa rrinë e shikojnë, ndërsa disa mezi presin të përfitojnë?! 

      Operacioni ushtarak i disa vendeve europiane në Shqipëri nuk përfaqëson vetëm një operacion me rreziqe për trupat e huaja ushtarake të përfshira në të, por ai përbën gjithashtu edhe një gur prove në marrëdhëniet ndëratlantike dhe sidomos përsa i takon të ardhmes politiko-ushtarake të Europës. Shumë ekspertë të çështjeve ushtarake madje janë habitur me frikën dhe mungesën e vullnetit të mirë për të ndërhyrë në rivendosjen e stabilitetit në Shqipëri të organizatave të tilla ushtarake si NATO dhe Bashkimi Europianoperëndimor,  apo të vendeve si Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë dhe Britanisë, po aq sa janë intriguar edhe nga gatishmëria dhe vendosmëria për të ndërhyrë e vendeve të tilla si Italia, Greqia, Franca, Turqia, madje deri edhe Rumania. Aq më shumë kur kujton se si NATO ashtu edhe Bashkimi Europianoperëndimor janë futur në një fazë intensive ekspansioni dhe zgjerimi drejt vendeve të Lindjes.

      Në kohën kur kriza shqiptare po arrinte në apogjeun e saj dhe po shtohej frika e një konflikti të zgjeruar, pikërisht në atë periudhë, më 13 mars, zyrtarët e NATO-s në Bruksel deklaruan prerazi se NATO nuk parasheh dërgimin e trupave të saj në Shqipëri për të normalizuar gjendjen. Padyshim në këtë “JO” të vendosur të organizatës së Atlantikut Verior nje rol të veçantç ka luajtur edhe qëndrimi i tërhequr i vendeve që formojnë “artilerinë e saj të rëndë”, dmth të Amerikës, Anglisë dhe Gjermanisë.

       Shtetet e Bashkuara të Amerikës po luajnë në Shqipëri po të njëjtin rol që luajtën gjatë konfliktit në Bosnjë. Pra ata po ia lejnë zgjidhjen e kësaj krize të re në shtëpinë e tyre, vetë europianëve. Duke pasur parasysh lëkundjet dhe hezitimet e tyre për të ndërhyrë në konfliktin bosnjak, ata tani nuk duan të përfshihen ushtarakisht edhe në një konflikt tjetër ballkanik. Aq më tepër kur njihen edhe marrëdhëniet e acaruara ndërmjet administratës së Klintonit dhe presidentit Berisha është më e lehtë të kuptohet edhe hezitimi amerikan. Por megjithëse nuk duan të përfshihen ushtarakisht në krizën shqiptare, amerikanët nuk duan as të mbeten jashtë saj, sidomos ndaj një vendi kundrejt të cilit ata kanë treguar interes që në fillimet e viteve ’90.

       Sigurimi i operacioneve paqëruajtëse në tokë nga trupat ushtarake europiane do të përkrahet dhe mbështetet nga ajri nga forcat amerikane, pohuan burime të mirinformuara nga selia e NATO-s në Bruksel. Me anë të satelitëve të tyre vëzhgues, avionëve pa pilot, tip “Predator” apo atyre “Awacs” që gjenden të stacionuar si në Bosnjë, ashtu edhe në bazat e NATO-s në Itali, ata do të furnizojnë me të dhënat e nevojshme trupat ushtarake europiane në Shqipëri. Aq më tepër se ata e njohin mirë terrenin shqiptar edhe sepse kanë pasur specialistët e tyre në ushtrinë shqiptare.

     Nga ana tjetër kundërshtimi i Britanisë për të marrë pjesë në trupën europiane të ndërhyrjes në Shqipëri mund të kuptohet lehtë, po të kihet parasysh fakti se britanikët gjithmonë kanë qënë në princip kundër çdo lloj forcimi ose afirmimi të forcës politike dhe ushtarake të Bashkimit Europian.

     Ndërsa francezët porsa vunë re se Amerika ishte kundër ndërhyrjes në Shqipëri u shpreh e gatshme për të dërguar rreth 1000 trupa të saj në vendin e  shqipeve. Qëndrimi francez mund të kuptohet lehtë po të kemi parasysh rivalitetin e vjetër franko-amerikan, i cili është ashpërsuar edhe më, pas kërkesës së Francës dhe disa vendeve të tjera europianoperëndimore, që komanda e krahut jugor të NATO-s të kalojë këtej e tutje në duar të europianëve. Kërkesë që është ndeshur me një kundërshtim të vendosur të Uashingtonit, i cili në këto zona ka të dislokuar Flotën e tij të 6-të dhe për më shumë nuk do të heqë dorë nga një zonë me rëndësi strategjike siç është Mesdheu. Por në rast se Italia, Franca dhe Spanja do të arrijnë të bashkërendojnë forcat e tyre dhe misioni i tyre në Shqipëri do të kurorëzohet me sukses, ato do të kenë më shumë gojë të kërkojnë që tu dorëzohet komanda e NATO-s për Mesdheun.

       Edhe Italia, që përbën kontigjentin kryesor të forcave shumëkombëshe në Shqipëri nuk ka vetëm hallin e pengimit të dyndjes së refugjatëve atje, as edhe vetëm frikën se një Shqipëri e pastabilizuar dhe në anarki mund të kthehet në një vend mafios me rreziqe për mbarë kontinentin, por politika e saj sheh më larg. Në fakt kriza shqiptare i dha Italisë, në këtë moment kyç të futjes së monedhës së përbashkët në Europë, një rast të pashpresuar për t’i treguar sidomos Gjermanisë, por edhe disa vendeve të tjera, se ajo nuk është vetëm një fuqi ekonomike, por edhe një shtet i stabilizuar me ndikim në mbarë Mesdheun, prandaj çdo përpjekje për ta lënë atë jashtë bashkimit monetar do të ishte një gabim i rëndë.

      Turqia dhe Greqia po ndërhyjnë në Shqipëri të nxitura sa nga interesat e tyre për influencë në këtë vend, aq edhe për shkak të së kaluarës historike. Turqia po përfiton nga ky rast për t’i treguar Europës së Bashkuar se edhe tani pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Europa mund të ketë përsëri nevojë për të, prandaj duhet t’ia hapë dyert për në Bashkimin Europian. Ndërsa Greqia gjithmonë tejet e ndjeshme përsa ngjan në Shqipëri, përpiqet të neutralizojë ndërhyrjen e armikut të saj historik  si dhe të përfitojë dhe një herë tjetër nga situata e krijuar. Nga ana e saj Rumania me dërgimin e kontigjentit të saj në Shqipëri dëshiron t’i thotë NATO-s se ajo është tashmë e përgatitur të anëtarësohet në të, që me grupin e parë të vendeve europianolindore.

     Pra interesat e veçanta, por edhe të përbashkëta të vendeve që marrin pjesë në forcat shumëkombëshe në Shqipëri janë të shumëfishta.

      Dhe në rast se  këto vende do të mundin të rivendosin gjendjen në Shqipëri, atëhere ato do tu tregojnë të gjithë euroskeptikëve si dhe SHBA-ve se tashmë Europa politike dhe ushtarake është realitet. Në rast të kundërt të gjithë kundërshtarët e Europës së Bashkuar mund të konkludojnë se Europa politike ekziston vetëm në letër dhe se pa ndërhyrjen decizive amerikane ajo nuk mund të ndërmarrë asgjë të suksesshme.

    Në përfundim mund të themi se kriza politike në Shqipëri nuk ka vënë në lojë vetëm të ardhmen e Shqipërisë, por po kthehet në një test edhe për të ardhmen e Europës së Bashkuar.

                                                                             Viron Gjymshana

                                                                     13/4/1997          

           Kriza shqiptare:- kthim në të kaluarën apo kërcim drejt së ardhmes?!

        Çfarë përfaqëson dhe si mund të konsiderohet kriza e sotme në Shqipëri? – mos vallë si një përpjekje për kthimin e së kaluarës, një devijim nga rruga e demokracisë me pasoja të paparashikueshme për të ardhmen e vendit, apo si një zhvillim i natyrshëm përpara i shoqërisë shqiptare?- Rreth këtyre hamëndjeve dhe dilemave analistë dhe studiues vendas dhe të huaj japin opinione nga më të ndryshmet dhe kontradiktoret. Për disa shkaktarë të krizës së sotme janë nostalgjikët e së kaluarës, për disa të tjerë e gjitha sa ngjau shpjegohet vetëm me mungesën e demokracisë së mirëfilltë dhe shkeljet e parimeve elementare të ekonomisë së tregut, ndërsa disa të tjerë këmbëngulin se pavarësisht nga ndryshimi i fasadës, e gjithë kjo që ndodhi  është pasojë e mentaliteteve komuniste të trashëguara dhe të rrënjosura thellë në ndërgjegjen e shumicës së udhëheqësve të regjimit të ri në Shqipëri!

     Por një përgjigje origjinale kësaj pyetjeje duket se ia jep studiuesi francez, Zhan Iv Pot, i Institutit të Studimeve Europiane në Paris.

     Që të kuptojmë se çfarë përfaqëson kriza e sotme shqiptare, duhet më parë të spjegojmë se përse në disa vende të tjera të Europës Lindore si në Poloni, Çeki, Hungari apo edhe Slloveni, tranzicioni drejt ekonomisë së tregut dhe një demokracie pluraliste u krye relativisht qetë, pa tronditje dhe konfrontime sociale, ndërsa në disa vende të tjera, kryesisht ballkanike, por edhe në republika të ish-Bashkimit Sovjetik, ai u shoqërua me konfrontime dhe përplasje, shpesh herë edhe të përgjakshme,- shprehet studiuesi francez.

      Sipas tij dallimi kryesor ndërmjet vendeve të suksesshme në rrugën e tranzicionit me ato që kanë dështuar apo vazhdojnë të përpëliten, qëndron te aftësia e udhëheqësve të tyre për të ndërtuar një shtet të vërtet demokratik të qeverisur me ligje, të cilat pranohen dhe respektohen si nga qytetarët e zakonshëm, po ashtu edhe nga biznesmenët dhe qeveritarët. Aty ku tranzicioni u krye duke respektuar ligjin, aty ai edhe pati sukses, ndërsa aty ku ligji u nëpërkëmb apo u zëvendësua nga korrupsioni dhe nepotizmi – aty edhe tranzicioni dështoi, nënvizon Zhan Iv Pot.

         Pikërisht mungesa ose moszbatimi i ligjeve të shoqëruara këto me një çorganizim të përgjithshëm të strukturave shoqërore, me një prapambetje dhe varfëri masive,  ka çuar në Shqipëri dhe vende të tjera në formimin e një ekonomie të zezë ose mafioze, në vend të ekonomisë së lirë të tregut, siç është formuar tashmë në vende të tjera të Europës Lindore. Nga kjo ekonomi mafioze përfituan dhe u pasuruan kryesisht dy lloje njerëzish: ata që u morën me veprimtari kriminale dhe të paligjshme si trafik droge, kontrabande dhe klandestinësh etj si dhe ata që përfituan nga pozicioni i tyre politiko-shtetëror dhe u pasuruan me anë të korrupsionit dhe privilegjeve të pamerituara. Si karakteristikë të përbashkët këta njerëz kanë fshehjen e kapitalit të tyre ose transferimin e tij në bankat jashtë vendit, si në Zvicër, Itali apo Austri. Ndërsa në vendet e tjera europianolindore ku ekonomia e tregut u zhvillua e mbështetur te ligji, paratë e fituara me djersë dhe zotësi po riinvestohen në ekonominë kombëtare.

      Po ashtu në vendet ku nuk ekziston një legjislacion i qartë ekonomik, si në Shqipëri a vende të tjera, ndeshemi me një dukuri tjetër sa tipike, aq edhe të dëmshme: me luftën e pamëshirshme ndërmjet spekullimit dhe prodhimit. Spekullimet të shoqëruara me ethet për të fituar sa më shumë, sa më shpejt dhe me të gjitha mënyrat, dëmtojnë dhe pengojnë shpërthimin e energjive prodhuese të vendit, aq sa ndodh që njerëzit në vend që të konsiderojnë punën si mjetin më të sigurtë dhe burimin bazë të të ardhurave të tyre, drejtohen nga veprimtaritë e dyshimta, siç ishin psh skemat piramidale që e sollën Shqipërinë në fund të humnerës,- thekson profesori i universitetit të Parisit.

    Ngjarjet në Shqipëri dëshmojnë nevojën për një shtet që të funksionojë i  mbështetur nga njëra anë në një ekonomi të vërtetë tregu, bazuar në ligje të qarta ekonomike, nga ana tjetër i mbështetur në institucione demokratike të respektuara nga populli dhe në shërbim të popullit.

    Përderisa këto institucione nuk kane pasë ekzistuar në Shqipëri, apo kanë qënë të deformuara, mund të konkludojmë se kriza e sotme në Shqipëri përfaqëson thjesht një mungesë kulture demokratike në të gjitha sferat e shoqërisë si dhe një mënyrë të veçantë të këtyre vendeve ballkanike për tu ndarë përfundimisht nga reminishencat e komunizmit dhe për vendosjen e një demokracie dhe ekonomie të vërtetë tregu,- konkludon profesori i universitetit të Parisit, Zhan Iv Pot.

       Shtypi perëndimor për kthimin e Leka Zogut në Shqipëri

      Shtypi i sotëm perëndimor i ka kushtuar kthimit të Leka Zogut në Shqipëri  një mori artikujsh, reportazhesh dhe vëzhgimesh të shoqëruara shpesh herë edhe me foto.

      Analistët dhe studiuesit belgë, francezë dhe britanikë përpiqen të kuptojnë dhe spjegojnë pasojat që mund të shkaktojë kthimi i

Leka Zogut në Shqipëri, në këtë periudhë dramatike të historisë së saj,  si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ballkanik dhe më gjerë…

       Gazeta më e njohur e Belgjikës, “Le Soir”  kthimin e Leka Zogut në Shqipëri e shoqëron me një intervistë eskluzive si dhe një analizë të hollësishme rreth shanseve, dobive ose dëmeve që mund të sjellë restaurimi i monarkisë në Shqipëri.

        Leka, djali i mbretit Zog, nuk ka ende fron, por ka disa ide për vendin e tij, për Ballkanin si dhe rolin e misionit të forcave shumëkombëshe në Shqipëri, vëren në fillim të intervistës së tij me Leka Zogun, gazetari belg Filip Depre.

       “Ka shumë punë për të bërë sot në Shqipëri, jo për vendosjen e monarkisë, por për vendosjen e paqes dhe bashkimit në këtë vend”-shprehet në fillim të intervistës Leka Zogu.

       I pyetur rreth marrëdhënieve të tij me presidentin Berisha gjatë këtyre viteve, Leka Zogu vë në dukje se dëbimi i tij nga Shqipëria më 1993-shin, për shkak të pasaportës, ishte thjesht një pretekst. Unë erdha përsëri po me të njejtën pasaportë në Shqipëri, thekson me krenari pretendenti i fronit. Ai më pas shton se dëshiron të vizitojë  si Burgajetin, ashtu edhe Vlorën.

     I pyetur për Kosovën, Leka Zogu deklaron se ai përkrah aspiratat e kosovarëve, dhe personalisht është për një Shqipëri etnike që të përfshijë edhe krahinat e populluara me shqiptarë si të Kosovës, ashtu edhe të Maqedonisë. Përsa kohë që shqiptarët do të vazhdojnë të jenë të ndarë, për aq kohë do të vazhdojnë edhe problemet në Ballkan, i pohon ai gazetës “Le Soir”

    A është i mundshëm kthimi i monarkisë në Shqipëri dhe më kryesorja a është ky kthim në të mirë të së ardhmes së Shqipërisë?- kjo është pyetja që shtron e përditshmja britanike “The Daily Telegraph”

      Kaosi dhe anarkia që pasoi shëmbjen e skemave piramidale të fajdeve në Shqipëri i krijoi pretendentit të fronit, Leka Zogut, një rast të përshtatshëm të rifitojë fronin mbretëror, vëren komentatori

anglez, Xhulius Shtraus. Tani që Berisha është diskredituar, shumë shqiptarë mund të votojnë për Lekën vetëm që të heqin qafe presidentin, vë në dukje e përditshmja britanike

      Edhe e përditshmja “La libre Belgique” në komentin e titulluar:“Një pranverë mbretërore në vendet e Europës Lindore”

vëren se në Ballkan ka filluar të fryjë era e mbretërve. Mikeli i Rumanisë, Simoni i Bullgarisë, Leka i Shqipërisë dhe Aleksandri i Jugosllavisë po përgatiten të gjithë të zënë fronet që deri në Luftën e Dytë Botërore i kishin etërit e tyre. Por në ndryshim me dinastitë e Europës perëndimore, mbretëritë e vendeve ballkanike kanë qënë jetëshkurtra dhe nuk kanë arritur dot të identifikohen me kombin. Mbretëria shqiptare pati vetëm 11 vjet jetë. Për më shumë Ahmet Zogu e shpalli veten mbret pasi pat qënë një herë president i republikës, – shkruan gazeta belge.

     Edhe analisti belg Eduard van Velthem është i mendimit se përballë krizave ekonomike, sociale dhe politike, me të cilat po ndeshen popujt e vendeve ballkanike, këta pretendentë të froneve gëzojnë avantazhin e madh të marrin përsipër rolin e arbitrit të paanshëm, që qëndron mbi të gjitha palët, madje edhe atë të “gjithpajtuesit mbarëkombëtar”. Po a është monarkia një garanci e bashkimit dhe e paqes?. Për analistin belg, institucioni i mbretërisë është më shumë një simbol i historisë se faktor i së ardhmes.

      Faqja e historisë është kthyer, por kujtimet kanë mbetur,- thekson Eduard van Velthem, i cili megjithatë pohon se në kushtet aktuale, pavarësisht nëse do të zgjidhen mbretër apo do të mbeten qytetarë të thjeshtë, këta bij ish-sovranësh mund të bëjnë shumë për vendet e tyre, me emrin, njohjet dhe eksperiencën që kanë.

     Ndërsa “Times”-i i Londrës  ndalet gjatë në odisenë e familjes mbretërore, që kur Ahmet Zogu u largua nga Shqipëria me Lekën që kishte vetëm tri ditë që kishte lindur. Megjithëse me nënë hungareze dhe grua australiane, Leka Zogu deklaroi me të ardhur në Shqipëri se ai do i bashkojë të gjithë shqiptarët nën një monarki konstitucionale,-shkruan Tom Uokër te Tajmsi. Leka Zogu mburret se është i jati i tij që hodhi bazat e shtetit modern shqiptar dhe ai është kthyer me ëndrrën të përmbushë vizionin e babait të tij. Por për fatin e ti të keq, vëren Tom Uokër, një Shqipëri europiane dhe moderne bie ndesh me interesat e fqinjëve të saj. Nga ana tjetër edhe instancat ndërkombëtare po distancohen me të shpejtë nga ai për shkak të deklaratave të tij për një Shqipëri etnike.

      Ndërsa e përditshmja tjetër britanike, “The Guardian” në komentin e titulluar:”Njeriu i cili mund të bëhet mbret kthehet të kërkojë Shqipërinë”, shoqëruar edhe me 2 foto, një të Lekës dhe tjetra e mbretit Zog, vëzhgon veprimtarinë afariste dhe personale të Leka Zogut si dhe pretendimet e tij për të qënë mbret i të gjithë shqiptarëve.

        Leka Zogu është marrë me eksport mineralesh dhe makinerish të rënda nga rezidenca e tij në Afrikën e Jugut drejt Lindjes së Mesme dhe Azisë. Më herët ai jetonte në Spanjë, para se të shpallej “persona non grata” për trafik armësh,- thekson “The Guardian”.

       Por Leka Zogu kundërshton duke thënë se shkaku i vërtetë i dëbimit të tij nga Spanja ishte i lidhur me qëndrimin e tij për një Shqipëri etnike. Dhe ndofta Fuqitë e Mëdha kanë të drejtë kur ndjehen të shqetësuara nga deklarimet e pretendentit të fronit shqiptar,-shton “The Guardian”,- sidomos kur kemi parasysh se ishin ndjenjat nacionaliste që shkaktuan atë konflikt të përgjakshëm në ish-Jugosllavi.

        Dhe ky shqetësim bëhet edhe më i prekshëm kur Leka Zogu deklaron se për sa kohë që shqiptarët do të mbeten të ndarë, për aq kohë në Ballkan do të vazhdojnë turbullirat, shkruajnë gazetat perëndimore.

                                                                                   19/4/97

              I kundërshtuar nga të gjithë, por, megjithatë  i rrezikshëm…

  Gjatë këtyre 3 muajve revolte dhe kaosi presidenti Berisha është kthyer në njeriun më të padëshiruar në Shqipëri, megjithatë mesazhi i tij vazhdon të tingëllojë po aq kërcënueshëm,- kështu shprehet analisti Filip Depre në gazetën belge “Le Soir”, pas një interviste që ai zhvilloi në Tiranë me presidentin shqiptar, Sali Berisha, të titulluar:”Të shtypen kryengritësit e jugut”.

   “I vetmuar, i mbyllur në pallatin e tij, Sali Berisha përpiqet të rezistojë. Por a është valle ai presidenti i një shteti, apo kapiten i një anijeje pa vela dhe pa busull, e cila po merr ujë nga të gjitha anët, dhe për më shumë ku edhe ekuipazhi i saj ka ngritur krye?”-pyet i çuditur gazetari belg.

      Sipas Sali Berishës gjendja është katastrofike vetëm në 5 rrethe të vendit, aty ku ai ka humbur pushtetin. Këto rrethe tani, sipas tij, kontrollohen nga një përzierje ish-komunistësh, mafiozësh dhe trafikantësh. Janë pikërisht këto grupe të armatosura që pengojnë zhvillimin e zgjedhjeve të lira në Shqipëri,- pohon Berisha.

     Për Berishën shqiptarët gjatë këtyre 5 viteve sa ai ka qënë president më shumë kanë fituar se kanë humbur, duke llogaritur këtu edhe rreth 1 miliard dollarët e grabitura nga firmat piramidale.

    – Njerëzit në Shqipëri, veçanërisht në jug, kërkojnë që ju të jepni dorëheqjen, që ata të dorëzojnë armët. Cila është përgjigja juaj?- e pyet gazetari belg Sali Berishën.

    – Jam zgjedhur ligjërisht nga një parlament, i cili nga ana e tij është po ashtu i zgjedhur me votat e lira të popullit 26 majin e kaluar,- përgjigjet pa u turbulluar Sali Berisha.

    -Atëhere si do të veprosh me kryengritësit e jugut? Do të dërgosh ushtrinë apo policinë?-vazhdon të pyesë Filip Depre.

    – Për ushtrinë nuk e di, pasi ajo është shpartalluar dhe pothuajse nuk ekziston më, por jam i sigurt se policinë e pret një punë e vështirë për të vendosur pa asnjë hezitim rregullin në këto zona. Ne e provuam një herë me anë të një zgjidhjeje politike dhe tani nuk na mbetet veçse të përdorim forcën”-thekson Sali Berisha, i cili më p=as pohon se njësi të forcave të tij speciale janë duke u përgatitur për këtë qëllim në periferinë e Tiranës. “Ne po e riorganizojmë policinë dhe në këtë drejtim kemi kërkuar edhe ndihmën e Italisë, Francës dhe vendeve të tjera, shprehet Sali Berisha.

    I pyetur për referendumin Berisha përgjigjet se beson se shqiptarët do të votojnë për Republikën, ndërsa përsa i takon datës ai është i mendimit që referendumi të zhvillohet pas zgjedhjeve politike.

    “Kryesorja është të shtypen kryengritësit e jugut”,- përsërit vazhdimisht Sali Berisha idenë e tij fikse në intervistën e publikuar sot nga e përditshmja belge “Le Soir”.

                                                                        Philipe Depre

                                                               “Le Soir”- 21/4/1997

                   2 gabimet e Europës ndaj

                     Shqipërisë.

         Qëndrimi i paqartë, shpesh herë i lëkundur, dhe madje disa herë kontradiktor i Europës ndaj Shqipërisë nuk ka munguar të nxisë debate dhe kritika, sa prej intelektualve vendas, aq edhe prej atyre perëndimorë. Shkaku i këtij qëndrimi të dyzuar të saj është sipas tyre mosnjohja nga Europa e problemeve të vërteta me të cilat është ndeshur Shqipëria gjatë këtyre viteve të fundit.

          Gabimi i parë i kancelarive europerëndimore, vëren Zhan Fransua Ravel, në të përjavshmen franceze “Le Point” qëndron në konsiderimin e revoltës shqiptare si një kryengritje rebelësh të jugut ndaj qeverisë së ligjshme të Tiranës. Por Sali Berisha, pohon analisti francez, nuk është më i ligjshëm se rebelët, të cilët në fakt janë kundërshtarët politikë të tij. Se që të ketë rebelë, duhet që së pari të kemi të bëjmë me një shtet të së drejtës, i cili në Shqipëri nuk ekziston. Partia demokratike ia detyron pushtetin zgjedhjeve të fallsifikuara në shkallë të gjërë të 26 majit të kaluar, pra është po aq e paligjshme sa edhe rebelët,-nënvizon Zhan Fransua Ravel në numrin e fundit të së përditshmes franceze “Le Point”.

      Gabimi i dytë i perëndimorëve lidhet me keqkuptimin ose shtrëmbërimin e një të ashtuquajturi konflikt veri-jug, kur të dyja palët në shumë drejtime janë një. Psh gegët e veriut janë të specializuar në trafikun e drogës dhe kontrabandën e cigareve që futen në Shqipëri nga Turqia, toskët e jugut janë më të prirur ndaj tregtisë me drogë dhe klandestinë.

     E njëjta gjë mund të thuhet edhe për 2 partitë kryesore në Shqipëri, atë demokratike dhe atë socialiste. Nga të gjitha vendet e shkatërruara nga komunizmi, Shqipëria ishte masakruar më së keqi. Partia e Punës e Shqipërisë madje nuk la pas vetes as edhe ndonjë ekip të vërtetë politik dhe administrativ që të transformohej në një parti socialdemokrate të tipit europian. Partia “demokratike” e Sali Berishës nuk gëzon më shumë kredibilitet politik. Edhe ndihma e madhe ekonomike që Perëndimi i ofroi vitet e fundit Shqipërisë dihet mirë se u përvetësua. Ajo shërbeu ndër të tjera në nxitjen e grabitjes masive të shqiptarëve, nga të ashtuquajturat piramida financiare.

      Sipas vëzhguesit francez një analizë realiste do ta bënte Bashkimin Europian të kuptonte se në Shqipëri ka munguar një shtet i mirëfilltë në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale, dhe ai atëhere do të vepronte disi më ndryshe.

      Por Europa edhe një herë tjetër fshihet pas “gjethes së fikut” e quajtur “ndihmë humanitare”. Shqipëria nuk ka qënë viktimë e një katastrofe humanitare, por ka vuajtur nga elemente të tjera, prandaj ndihma humanitare sot nuk është më e rëndësishmja. Politika e Bashkimit Europian në Shqipëri duhet të ndërmerret me mjetet e duhura, dhe jo të përqëndrohet thjesht në shpërndarjen e ndihmave ushqimore se e keqja i ka rrënjët më thellë,-konkludon Zhan Fransua Ravel në të përjavshmen franceze “Le Point”.

                                                                     Jean François Ravel

                                                                “Le Point”- 26/4/ 1997

                   Edhe në Luksemburg diskutime për

                          Shqipërinë

         Sot në pallatin Kirshbergen të Luksemburgut janë mbledhur në një sesion të zakonshëm pune ministrat e jashtëm të 15 vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Në këtë samit të diplomacisë europiane marrin pjesë ministri i jashtëm i Gjermanisë, Kinkel; ai francez De Sharre, greku  Pangalos si dhe komisionerët Hans van den Bruk, Britën, Marin dhe Oreja. Janë të pranishëm gjithashtu presidenti i Komisionit Europian, Zhak Santer, përfaqësuesi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare për Bosnjën Karl Bildt dhe ish-ministrja e jashtme italiane Suzana Anjeli.

      Punimet e këtij sesioni kryesohen nga zëvendëskryeministri dhe ministri i punëve të jashtme të Mbretërisë së Hollandës, Hans van Mierlo. Situata në Shqipëri si dhe ajo në Jugosllavi janë në krye të agjendës se këtij samiti të diplomacisë europiane.

      “Kemi diskutuar gjatë rreth gjëndjes në Shqipëri dhe sot në mbrëmje do t’i japim dorën e fundit edhe tekstit të deklaratës zyrtare të Bashkimit Europian  rreth saj”- deklaroi para shtypit presidenti i rradhës i Bashkimit Europian, Hans van Mierlo.

       Pak më elokuent ishte ministri i  jashtëm italian, Lamberto Dini, i cili foli në cilësinë e përfaqësuesit të vendit që kryeson trupat shumekombëshe në Shqipëri. Ai u ndal në dy aspekte të veçanta: së pari në mbështetjen e plotë që duhet t’i japë bashkësia ndërkombëtare qeverisë së kryesuar nga Bashkim Fino dhe së dyti në rivendosjen e rendit dhe qetësisë në Shqipëri, faktorë këta që do mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të lira më 29 qershor.

    Por burime të brendshme të Këshillit të ministrave të BE-së pohuan po ashtu se gjatë ditës së sotme ministrat e jashtëm debatuan edhe ndaj qëndrimit që duhet mbajtur ndaj komiteteve të shpëtimit kombëtar që veprojnë në shumë qytete të jugut. Me këtë  rast këto burime bënë të njohur edhe prononcimin e komisionerit Hans van den Bruk, i cili u pat deklaruar ministrave të jashtëm se tashmë në Shqipëri të gjithë meshkujt mbi 14 vjeç janë të armatosur, por një pjesë janë të armatosur për tu mbrojtur dhe jo për të sulmuar.

                                                                                         Luksemburg

                                                                                            30/4/97

                Shtohen raportet kritike

     Shoqata europiane për lirinë e shprehjes, organizëm i krijuar 10 vjet më parë  me nismën e disa parlamentarëve europianë, botoi përfundimet e një raporti të saj, (i treti për nga rradha), mbi zhvillimet demokratike në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore.

     Ky raport është bazuar në analizat e kryera nga “Observatori i lirisë së shprehjes në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore” që studion evoluimin e zhvillimeve demokratike në 15 vende europianolindore, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.

      Sipas këtij raporti zhvillimet demokratike në këto vende për periudhën 1996 – 1997 karakterizohen nga tri prirje të përgjithshme: Së pari rotacioni i pushtetit në shumicën e këtyre vendeve ndërmjet pozitës dhe opozitës përgjithësisht është kryer në mënyrë të pranueshme, sipas praktikave në fuqi në vendet perëndimore; së dyti;- po të përjashtohet ish-Jugosllavia e përgjakur nga konfliktet ndëretnike, problemet e minoriteteve në vendet e tjera europianolindore kanë shkuar drejt zbutjes dhe së treti në konkluzionet e këtij raporti theksohet se vendet të cilat i kanë filluar më shpejt reformat politike dhe ekonomike, ndodhen sot në pararojë të një stabiliteti sa politik, aq edhe ekonomik dhe social.

     Autorët e këtij raporti i kanë ndarë 15 vendet e analizuara  në tri grupime të mëdha. Sipas tyre vendet europianolindore më demokratike janë aktualisht Hungaria, Polonia, Çekia, Sllovenia si dhe 3 vendet balltike, Lituania, Estonia dhe Letonia. Megjithëse niveli i tyre i jetesës dhe i zhvillimit ekonomik nuk është i njejtë, funksionimi i sistemeve të tyre politike i afrohet standarteve të atyre perëndimore, pohohet në këtë raport.

     Në grupimin e dytë, ku bëjnë pjesë vende me një demokraci të ndrydhur, renditen  Bullgaria, Rumania, Sllovakia, Kroacia dhe Maqedonia. Në këto vënde, vihej në dukje në raport, një parti dominuese përpiqet të kontrollojë të gjithë elementët kyç të kombit, por falë prezencës dhe veprimtarisë së një opozite të shëndoshë, është arritur që këto tendenca dominuese të partisë në pushtet të frenohen. Sllovakia bën pjesë po ashtu në këtë grup, pavarësisht nga përparimet e dukshme të vërejtura në fushën ekonomike, pasi ky zhvillim ekonomik nuk është shoqëruar njëkohësisht nga një përmirësim në fushën e demokracisë. Madje gjendja e lirisë në këtë vend është përkeqësuar edhe më shumë gjatë vitit të kaluar, si pasojë e një kontrolli të shtuar të partisë së Vladimir Meciarit në jetën ekonomike dhe politike të vendit.

     Në grupimin e tretë, në atë të vendeve më pak demokratike në Europë gjendeshin Jugosllavia, Shqipëria dhe Moldavia. Këto vende karakterizohen nga regjime autoritare që kontrollojnë të gjitha levat e pushtetit, si administratën, mediat, drejtësinë etj. Situata ekonomike në këto vende është e brishtë, korrupsioni i përhapur gjërësisht dhe opozita pengohet, kërcënohet dhe përndiqet.

      Raporti i fundit, është i treti rradhazi që publikohet brenda një afati  1 mujor, dhe pason atë të organizatës ndërkombëtare “Reporterë pa kufi” dhe të shoqatës amerikane të mbrojtjes së gazetarëve, të cilat po ashtu ishin mjaft kritikë ndaj proceseve demokratike në Shqipëri.

       Ekzistenca e regjimeve autokratike, një ekonomi e dobët dhe një korrupsion i përhapur në të gjitha nivelet janë karakteristika të përbashkëta për ato vende, të cilat, siç theksohet në fund të raportit të shoqatës europiane për lirinë e shprehjes, po e kanë shumë të vështirë të shkëputen nga mentalitetet dhe praktikat komuniste.

                                                                                     12/5/97

                   Hans van den Bruk: Përgjegjësinë për krizën e mban qeveria shqiptare.

          Duke iu përgjigjur një pyetje me shkrim që i ishte drejtuar atij nga eurodeputeti italian Antonio Tajani, anëtar i grupimit politik EDU të Parlamentit Europian, lidhur me përgjegjësitë e Bashkimit Europian për të parandaluar atë që po ngjet në Shqipëri,

komisioneri Hans van den Bruk u përgjigj duke deklaruar i takon qeverisë shqiptare të mbajë përgjegjësinë kryesore për pasojat që solli shembja e piramidave të fajdeve në Shqipëri. Vitin e kaluar Fondi Monetar Ndërkombëtar kishte paralajmëruar qeverinë shqiptare rreth rreziqeve që sillte veprimtaria e skemave piramidale dhe Komisioni Europian i ofroi ndihmën e tij teknike autoriteteve shqiptare për ta vënë nën kontroll këtë fenomen, por oferta jonë nuk u mor parasysh… Në nëntor filloi pastaj edhe rrënimi i skemave piramidale, që po shkatërron Shqipërinë sot, u përgjegj komisioneri i Bashkimit Europian Hans van den Bruk.

                                                                                     Bruksel

                                                                                    16/5/1997

           Ose merruni vesh me njëri – tjetrin, ose neve ikëm dhe ju lamë…

      Menjëherë pas deklaratës së sotme të zëdhënëses së Komisionit Europian, Luzevin van der Laan se për Bashkimin Europian zgjedhjet e ardhshme konsiderohen si e vetmja rrugëdalje nga kriza, dhe se në rast të kundërt ndihma e Bashkimit Europian do të ndërpritet, burime të mirinformuara të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, pohuan sot se presidenca hollandeze po përpunon tekstin e një deklarate që do tu ripërsërisë edhe një herë tjetër forcave politike shqiptare qendrimin dhe kërkesat e Bashkimit Europian ndaj zgjidhjes së krizës në Shqipëri dhe ku shprehet mbështetja e plotë për misionin e Vranitckit atje.

     Në Vienë OSBE-ja po ashtu paralajmëroi se në rast se nuk arrihet kompromisi i nevojshëm ndërmjet të gjitha forcave politike shqiptare mbi përmbajtjen e ligjit elektoral edhe ajo do të tërheqë vëzhguesit e saj nga Shqipëria.

       Gjithë ky intensitet deklaratash nga kancelaritë dhe institucionet perëndimore mund të spjegohet me dëshirën e bashkësisë ndërkombëtare që kriza shqiptare të gjejë sa të jetë e mundur më shpejt një zgjidhje të pranueshme dhe afatgjatë, por po ashtu edhe nga fakti se pas gjithë këtyre ndërhyrjeve në lojë është vënë edhe vetë kredibiliteti i institucioneve europiane.

      Ultimatumi perëndimor ndaj autoriteteve shqiptare mund të përmblidhet me fjalinë e mëposhtme: ose merruni vesh me njëri -tjetrin, ose neve ikëm dhe  i zgjidhni vetë pastaj hallet tuaja, gjë që do të ishte varianti më i keq për të ardhmen e popullit shqiptar.

      Para një alternative kaq të zymtë analistë dhe vëzhgues perëndimorë shprehen të çuditur se si qenka kaq e vështirë për forcat politike shqiptare të arrijnë në një marrëveshje rreth një ligji elektoral, gjysëm mazhoritar dhe gjysëm proporcional, në kushtet kur të dy palët nuk lëshojnë pe dhe janë shumë larg njëra tjetrës me kokëfortësinë e tyre?!

       Spjegimin këtij qëndrimi ia bën gazeta italiane :”Corriere della Sera”..

                            Kemi të bëjmë thjesht me luftë për të mbijetuar

      “Çdo njeri me pak mend e kupton se në rast zgjedhjesh të lira dhe transparente Partia Demokratike e Sali Berishës,

përgjegjëse për shkëlqimin dhe rrënimin e piramidave të fajdeve, do të humbasë. Këtu kemi të bëjmë me një luftë për ekzistencë dhe jo për diskutime akademike se cili ligj elektoral do të ishte më i përshtatshëm– vëren gazeta italiane “Corriere della Sera”.

        “Vendimi i parlamentit shqiptar për ligjin zgjedhor në Shqipëri është në kundërshtim me marrëveshjen e konsensusit që mundësoi formimin e qeverisë së pajtimit kombëtar në Shqipëri”- deklaroi nga ana e tij Departamenti amerikan i shtetit. “Vendimi i këtij parlamenti është një shuplakë si për  Europën e Bashkuar, ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara”,- i bën jehonë “Corriere della Sera” qëndrimeve të mësipërme.

                                                                         Bruksel

                                                                      20/5/1997

     Dini kritikon Europën

        Ndërkohë që komisioneri i Bashkimit Europian, Hans van den Bruk, deklaron se Bashkimi Europian e diagnostikoi në kohën e duhur krizën shqiptare, madje u përpoq për parandalimin e saj, i një opinioni tjetër është ministri i jashtëm italian Lamberto Dini, i cili

u shpreh sot në Bruksel se Europa e trajtoi krizën shqiptare në mënyrë krejtësisht të papërshtatshme.. Duke fshikulluar pothuajse haptazi qëndrimin e mefshtë dhe të lëkundur të Bashkimit Europian gjatë zgjedhjeve të 26 majit të kaluar, zoti Dini nënvizoi se nuk mjafton që Europa të tregojë veten e saj si një model që duhet ndjekur  edhe nga të tjerët. “Nuk mjafton të shpresojmë se të tjerët do të imitojnë vlerat tona, por duhet të ndërhyjmë duke mbështetur me forcë thirrjet për konsensus, procese zgjedhore si dhe respektimin e parimeve bazë të demokracisë”- theksoi ministri i jashtëm italian.

       Këtë deklaratë zoti Dini e bëri sot para Parlamentit Europian në Bruksel, ku ishte i ftuar të fliste para komisionit të çështjeve institucionale të këtij parlamenti. Gjatë fjalës së tij, Dini iu referua disa herë krizës shqiptare si dhe qëndrimit të Europës së Bashkuar ndaj saj,- qëndrim krejtësisht i papërshtatshëm, sipas fjalëve të shefit të diplomacisë italiane.

       “Kriza shqiptare përmblidhte të gjitha elementët që Bashkimi Europian ta trajtonte atë me vëmendje, seriozitet dhe kokën lart, sepse ajo ishte një krizë e brendshme, lokale, dhe ndodhte në derën e Bashkimit Europian. Por Europa e Bashkuar përkundrazi e trajtoi atë në mënyrë të padenjë, njëlloj si atë bosnjaken. Krizat ballkanike po kthehen kështu në vuajtjen dhe mundimin tonë. Dhe me shumë ngadalësi po kuptohet se këto kriza ballkanike, si ajo bosnjake, edhe ajo shqiptare, duhen konsideruar si dukuri të pashmangshme, madje normale, që i takojnë jo vetëm këtyre vendeve por mbarë Europës. Përballë këtyre sfidave të reja që po ngjasin pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, Europa e Bashkuar vetëm bëlbëzon dhe përdridhet, madje po ndien shumë vështirësi në përshtatjen e institucioneve të saj tani që Muri i Berlinit u shemb, -pohoi ministri i jashtëm italian, Lamberto Dini.

                                                                                   21/5/97

                  “Intriga ndërkombëtare në Shqipëri”

     Artikulli i botuar dje në të përditshmen shqiptare “Indipendent”

ka shkaktuar jehonë jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Bisedimet telefonike ndërmjet Tritan Shehut dhe ambasadorit italian në Tiranë, Paolo Forestit, të botuara në këtë gazetë, janë riprodhuar sot pothuajse në të gjitha gazetat italiane. Duke lënë mënjanë faktin nëse këto biseda janë reale, apo montazhe, shumë vëzhgues me këtë rast zbulojnë edhe disa prapaskena që luhen në kurriz të popullit shqiptar.

     “Intriga ndërkombëtare në Tiranë”-  ky është titulli i sotëm i së përditshmes së njohur italiane “La Republica”. “Turqit akuzojnë grekët për ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë; Berisha i braktisur nga amerikanët, që në vend të tij preferojnë Finon, i faniten agjentë të CIA-s në mbarë vendin. Shërbimet sekrete serbe po komplotojnë për Kosovën, rusët për të ndihmuar ekspansionin e mafies së tyre dhe për ta kthyer Shqipërinë në një shtëpi kumari ku të pastrojnë paratë e tyre të pista; italianët nuk duan të humbasin influencën e tyre mbi këtë vend, dhe gjermanët preferojnë që ta shtrijnë markën e tyre edhe në Shqipëri”- me nje fjalë vazhdon  “La Republica” në Shqipëri po luhet vallja më e madhe e spiunëve që nga koha e rënies së Murit të Berlinit. Që janë italianët ata që komandojnë forcën shumëkombëshe të paqes në Shqipëri, kjo nuk u shkon për shtat shumë nga kolegëve dhe partnerëve perëndimorë të forcës ndërkombëtare të paqes. Pa llogaritur këtu që në jugun e Shqipërisë po ngjasin shumë gjëra të paspjegueshme. Në Gjirokastër psh hidhet në erë ura që do të çonte trupat ndërkombëtare të paqes në këtë qytet, të cilin grekët e kanë kaq shumë për zemër. Në Shqipëri në luftën ndërmjet bandave po vihen re armë që nuk kanë qarkulluar kurrë më parë atje! Nga kanë ardhur, kush i ka sjellë, përse?! Dhe atëhere nuk duhet të çuditemi që partitë nuk merren vesh me njëra – tjetrën për ligjin e zgjedhjeve. Pasi ekzistojnë shumë forca brenda dhe jashtë Shqipërisë, që nuk i duan këto zgjedhje.

      Edhe gazeta tjetër italiane “Corriere della Sera” pohon se brenda dhe jashtë Shqipërisë po luhet një lojë e ndyrë. Ka grupe që preferojnë më mirë kaosin sesa zgjedhjet, më shumë anarshinë se paqen. Ka grupe që i dëshirojnë zgjedhjet të bëhen sipas dëshirës së tyre, që pasi t’i fitojnë të administrojnë  pastaj edhe biznesin e ndihmave financiare që do i ofrohen Shqipërisë nga bashkësia ndërkombëtare. Por ka edhe një grupim tjetër që dëshiron vetëm destabilizimin e Shqipërisë. Greqia, Serbia, Turqia, Maqedonia i kanë ngulur sytë drejt Tiranës. Loja mbetet e hapur dhe veshët mbeten në përgjim,- shkruan gazeta më e madhe e Italisë.

    Edhe “La Stampa”, një tjetër e përditshme apeninase, kësaj rradhe me gojën e ambasadorit italian të akuzuar për bashkëpunim të fshehtë me Berishën, Paolo Forestin, e vë gishtin në disa qarqe të caktuara greko-serbe që nuk dëshirojnë normalizimin e Shqipërisë.

                                                                                   22/5/1997

                     Çfarë zgjidhin zgjedhjet?!

    Çfarë po bën presidenti Berisha? Eshtë kjo pyetja që ngre e përjavshmja e njohur britanike “The economist” në numrin e saj të fundit. Një javë pasi kishte nënshkruar një marrëveshje me partitë opozitare për mbajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri, presidenti Berisha e hodhi atë në kosh. Më pas iu kthye asaj përsëri dhe nesër nuk dihet se çfarë do të bëjë,-vëren “The economist”. Sepse nga Sali Berisha varet stabiliteti politik i vendit. Nëqoftëse ai këmbëngul në ligjin e tij elektoral, partitë e tjera mund ta bojkotojnë. Por bojkotimi i zgjedhjeve mund të jetë shkatërrimtar për Shqipërinë, por edhe për vetë Berishën. Pasi Berisha nuk është më në gjendje të bëjë zap jugun e vendit, i cili kërkon dorëheqjen e tij. Po ashtu Berisha nuk mund të mbijetojë dot pa ndihmën e Perëndimit. Dhe ndihma nuk arrin në Shqipëri pa u mbajtur atje më parë zgjedhje  të lira sipas kërkesave dhe kushteve të përcaktuara nga OSBE-ja. Pra Berisha është i detyruar të bëjë lëshime. Por nga ana tjetër me mbi 1 milion armë që bredhin sot rrugëve të Shqipërisë është shumë e vështirë të zhvillosh zgjedhje sipas kritereve perëndimore. Çdonjëri nga kandidatët që nuk u pëlqen bosëve të bandave ose mafias sa në jug, aq edhe në veri të vendit, mund ta pësojë shumë më keq sesa të humbë në zgjedhje,- vazhdon “The economist”. Nga ana tjetër edhe në rast se zgjedhjet zhvillohen në rregull, këto zgjedhje nuk zgjidhin problemet shqiptare. Çuditërisht kryengritësit e jugut nuk kanë arritur të organizohen në një parti për të fituar votat e njerëzve të zhgënjyer dhe grabitur. Votuesit të lodhur si nga partia socialiste, trashëgimtare e partisë komuniste, po ashtu edhe nga partia demokratike mund të votonin për parti të reja.

      Por ka edhe skenarë më të errët, siç është mosdorëheqja e presidentit Berisha në rast se partia e tij humbet zgjedhjet. Por ai mund po ashtu ta injorojë rezultatin e tyre, pasi është i lidhur shumë fort pas pushtetit,- vë në dukje e përjavshmja britanike. Muajin e kaluar ai grabiti edhe fondin e bankës qendrore. Dhe me 6000 truprojet e tij dhe anëtarët e SHIK-ut, të vetmet forca shtetërore të armatosura, atë është e vështirë ta shkarkosh nga posti, sepse edhe kushtetuta nuk e detyron të japë dorëheqjen.

      Atëhere si do t’i vejë halli Shqipërisë me zgjedhje apo pa zgjedhje, të lira apo të manipuluara qofshin?-pyet “The economist”

                                                                                        23/5/1997

                      Berisha:”Do i shtyp rebelët e jugut”.

    Duket se urrejtja e Sali Berishës ndaj kryengritësve të jugut nuk ka shterrur asnjë grimë. Sipas tij ata që e kundërshtojnë atë ose që guxojnë madje të kërkojnë deri edhe dorëheqjen e tij, nuk janë gjë tjetër veçse trafikantë dhe njerëz të mafias – janë këto përshtypjet e gazetarit britanik Shajmus Martin pas një bisede që ai pati në Tiranë me presidentin shqiptar.

      Gjatë një interviste eskluzive që Sali Berisha i dha së përditshmes irlandeze “Irish Times” nënvizohet me gërma të mëdha se presidenti shqiptar ruan një hakmarrje të egër ndaj kryengritësve të jugut. Ai na deklaroi, pohon gazetari i “Irish Times”-it, se ka si synim përdorimin  e forcës për të mposhtur Komitetet e Shpëtimit dhe këtë do ta bëjë para zgjedhjeve. Ankesat e tij ndaj vendeve perëndimore se ato po e tepërojnë me kërcënimet e tyre se do i ndërpresin ndihmën Shqipërisë në rast se forcat politike shqiptare nuk bien në ujdi, si dhe ato kundër komiteteve të jugut si banda ekstremistësh të majtë dhe mafiozësh, ngjajnë në një kohë kur partitë politike në Shqipëri por përpiqen me vështirësi të arrijnë një marrëveshje,- vëren gazetari irlandez.

      Duke i vajtur gjuha ku i dhëmb dhembi, Berisha i deklaron gazetës perëndimore se është me rrezik që normalizimin e gjendjes në Vlorë dhe qytete të tjera tua lëmë forcave të huaja. Kjo detyrë u takon forcave policore shqiptare, përsërit Berisha.

        – Për të kuptuar më mirë qëllimet e tij e pyeta drejtpërsëdrejti presidentin shqiptar nëse një intervenim i tillë do të kryhej para zgjedhjeve dhe nëse do të ishte i armatosur?- tregon Shajmus Martin te “Irish Times”. Dhe presidenti Berisha mu përgjigj pa hezitim: “Po, ndërhyrja e armatosur do të ngjasë para mbajtjes së zgjedhjeve”.

     Më pas “Irish Times” pohon se Berisha është i vendosur të mos i bëjë më asnjë koncesion opozitës. Në të dy kampet pol;itike shqiptare ekziston një mosbesim i thellë ndaj njëra – tjetrës, mosbesim që i ka rrënjët në zgjedhjet e kaluara të 26 majit, të cilat u dënuan nga shumë institucione perëndimore dhe u hodhën poshtë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka diçka për të qeshur në këtë mosbesim reciprok, vëren gazetari irlandez. Sali Berisha, një ish-komunist i Partisë së Punës, tani një antikomunist i flaktë, e konsideron partinë Socialiste si trashëgimtaren e Partisë së Punës, ndërsa kryeministri Bashkim Fino, i cili asnjëherë nuk ka qënë anëtar i Partisë së Punës, e quan Sali Berishën antidemokrat dhe demagog,

      Duke qënë i ndërgjegjshëm për raportet ndërmjet pozitës dhe opozitës e pyeta presidentin shqiptar nëse i qëndronte premtimit të tij  të jepte  dorëheqjen  në rast se partia e tij humbte në këto zgjedhje, por dukej se ai as nuk e vinte në pyetje këtë mundësi,- rrëfen gazetari irlandez. Pa iu përgjigjur drejtpërsëdrejti, Berisha i përsërit se do i fitojë përsëri zgjedhjet.

      Por pikërisht këtu qëndron edhe frika e institucioneve perëndimore, të cilat druajnë se mos përsëriten edhe një herë mashtrimet elektorale të 26 majit të vitit të kaluar, që i dhanë presidentit Berisha një fitore sa të dukshme aq edhe të dyshimtë,- vëren një tjetër e përditshme e njohur britanike “Financial Times”. Në zgjedhjet e vitit të kaluar, vë në dukje Kevin Daun në këtë gazetë, partia demokratike e presidentit Berisha fitoi 122 vende në parlamentin shqiptar prej 140 vendesh, por këto zgjedhje u demaskuan si të rreme nga bashkësia ndërkombëtare. Frika e një skenari të tillë e ka shtyrë Vranickin të kërkojë një numër maksimal vëzhguesish të huaj.

      Por Elena Raguzinit, e gazetës italiane “Il Sole 24 ore” duket se nuk i vjen keq për përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për vendosjen e paqes dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Shqipëri.

“Në rast se kancelaritë europiane do ta kishin marrë  më me seriozitet raportin e vjetshëm të OSBE-së që denoncoi mënyrën sesi u zhvilluan zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, sot nuk do të ishte e nevojshme të zhvillohshin zgjedhje të  reja, as të dërgoheshin ushtarë dhe vëzhgues të huaj… Pasi gjithçka ngjau këto muaj në Shqipëri e ka bazën në ato zgjedhje të rreme të majit të kaluar, vëren gazetarja italiane në të përditshmen ekonomike italiane.

     Si përfundim do të thonim se nëse Sali Berisha kërcënon dhe përbetohet se do të përdorë forcën për të shtypur kryengritësit e jugut, komuniteti ndërkombëtar është më i shqetësuar se mos përsëriten zgjedhjet farsë të 26 majit të shkuar dhe tani po ndërmerr çfarë ka në dorë që nga zgjedhjet e ardhshme të dalë një pushtet legjitim, i njohur dhe pranuar sa nga populli shqiptar, aq edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

                                                                       Bruksel

                                                                    24/5/1997

                Vranicki shprehet tejet me shqetësim

           për gjendjen aktuale në Shqipëri

     A është e mundur të zhvillohen zgjedhje të ndershme dhe të lira në Shqipëri në kushtet e tanishme, kur partitë politike shqiptare kacafyten me njëra-tjetrën dhe kur në fuqi mbetet ende gjendja e jashtëzakonshme? – këto pyetje iu drejtuan përfaqësuesit të Organizatës për Sigurim dhe Bashkëpunim në Europë, zotit Franc Vranicki, menjëherë pas ardhjes së tij në Bruksel. Përfaqësuesi i OSBE-së  për Shqipërinë arriti në Bruksel pas vizitës së tij të djeshme në Romë gjatë së cilës ai u takua me kryeministrin Fino dhe ministrin e jashtëm italian Dini. Para Parlamentit Europian  që e kishte ftuar, zoti Vranicki u shpreh i shqetësuar ndaj gjendjes së tanishme në Shqipëri dhe vështirësive me të cilat po ndeshet misioni i tij në Tiranë. Ai me këtë rast i bëri thirrje Parlamentit Europian, që ai së bashku me OSBE-në dhe Këshillin e Europës, të impenjoheshin më me forcë në zgjidhjen e krizës shqiptare.

     Parlamentarët europianë shprehën mbështetjen e tyre ndaj kërkesave të përfaqësuesit të OSBE-së si dhe për zgjatjen e misionit të trupave paqeruajtëse në Shqipëri deri pas përfundimit të zgjedhjeve.

    Ata po ashtu ishin të mendimit për nevojën e një afirmimi më të dukshëm të Bashkimit Europian në Shqipëri, jo vetëm në fushat e ndihmave humanitare dhe financiare, por edhe në atë ushtarake.

       “Ndjehet nevoja, u shpreh psh eurodeputeti italian, Renzo Imbeni, për një angazhim më të madh të Europës së Bashkuar në Shqipëri, me qëllim që forca shumëkombëshe e paqes atje, të mos mbesë një grupim heterogjen, por të europianizohet, dhe të mos mbesë më si deri më sot si një iniciativë e disa vendeve europiane që kanë interesa të caktuara në Shqipëri” (!).

     Në përgjigje të këtij interesi që gjeti te parlamentarët europianë, zoti Vranicki pohoi se zgjedhjet në Shqipëri nuk duhet të shtyhen përtej 29 qershorit, megjithëse të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se kushtet ideale për zhvillimin e tyre nuk mund të arrihen.

                                                                                     Bruksel

                                                                                      27/5/1997

                Bashkimi Europianoperëndimor

dhe roli i tij në Shqipëri

        Bashkimi Europianoperëndimor, krahu i armatosur i Bashkimit Europian, siç është bërë e ditur ka marrë përsipër të ndihmojë në riorganizimin e policisë shqiptare. Por pikërisht ky angazhim i saj në krizën shqiptare nxorri në pah disa dobësi të kësaj organizate dhe u bë shkak për kritika.

       -Përse Bashkimi Europianoperëndimor nuk ndërhyri drejtpërsëdrejti në vendosjen e paqes dhe rendit në Shqipëri, por ia la këtë detyrë vendeve të veçanta, të cilat operojnë në këtë vend shpesh  herë të nisura edhe nga interesa dhe qëndrime personale?- kjo pyetje është përsëritur disa herë këto kohët e fundit në institucionet europiane.

   Ajo u shtrua përsëri gjatë një simpoziumi të organizuar në Bruksel nga përfaqësia belge pranë Bashkimit Europian. Ish-kryeministri i Belgjikës Leo Tindemans, u shpreh me terma tejet të ashpra ndaj mungesës së iniciativës apo meftëshisë së politikës europiane në krizën shqiptare. “Trupat që janë dërguar në Shqipëri për të rivendosur rendin dhe ndihmuar në zhvillimin e zgjedhjeve të reja, nuk operojnë atje as në emër të Bashkimit Europian, as  të NATO-s dhe aq më pak nën flamurin e Bashkimit Europianoperëndimor. Atëhere ku është roli i Europës së Bashkuar në krizën shqiptare, dhe më konkretisht i  organizatës së saj ushtarake:- Bashkimit Europianoperëndimor?- pyeti ai.

      Duke iu përgjigjur këtij shqetësimi të zotit Tindemans, presidenti i komitetit të mbrojtjes së organizatës së Bashkimit Europianoperëndimor, Armand Decker, pohoi se organizatës së tij nuk i mungonte as dëshira, as vullneti dhe as mjetet që të ndërmerrte një mision paqeruajtës në Shqipëri, por, shtoi ai, BEP-it i mungoi konsensusi i nevojshëm ndërmjet 10 vendeve të tij anëtare për të ndërmarrë një hap të tillë. “Ne u shprehëm dakort për një mision paqeruajtës të organizatës sonë në Shqipëri, por u penguam nga vetoja e dy prej vëndeve tona anëtare. Unë e quaj një gabim tepër të rëndë që misioni i trupave shumëkombëshe në Shqipëri po kryhet pa mbështetjen e një institucioni ose organizate paneuropiane, madje e konsideroj të rrezikshme që në Shqipëri qarkullojnë sot trupa dhe tanke me flamurët grek, turk, francez etj. Kjo nuk ka kuptim, madje mund të dëmtojë edhe misionin paqeruajtës të këtyre trupave. Eshtë koha që Europa të shpalosë në Shqipëri një flamur të  sajin, atë europian, – deklaroi zyrtari i lartë i Bashkimit Europianoperëndimor, Armand Decker.

                                                                                   Bruksel

                                                                                    30/5/97

Katerin Lalymier: E di se zgjedhjet nuk mund të jenë as të përkryera, dhe as plotësisht demokratike…

   “Jam caktuar  të bashkërendoj veprimtarinë e grupeve të huaja që do të vëzhgojnë zgjedhjet në Shqipëri, të mbledh prova dhe fakte dhe të përgatis raportin përfundimtar në emër të OSBe-së për mënyrën e zhvillimit të  këtyre zgjedhjeve . Ky është edhe  misioni me të cilin më ka ngarkuar Komiteti i Ministrave i Organizatës për Sigurim dhe Bashkëpunim në Europë”- kështu deklaroi europarlamentarja europiane Katerin Lalymier gjatë një bisede të zhvilluar me të në prag të nisjes së saj për në Tiranë.

       “Jam e ndërgjegjshme për vështirësitë me të cilat do të ndeshemi gjatë misionit tonë në Shqipëri. Vendi juaj, fatkeqësisht, ndodhet në një gjendje, që nuk mund të konsiderohet si shumë larg asaj të luftës civile. Për ditë dëgjojmë për vrasje, grabitje ose dhunë në Shqipëri. Jeta ekonomike është bllokuar, paraliza dhe tmerri mbizotërojnë në shpirtrat e njerëzve. Si këtu në Bruksel, ashtu edhe në selinë e OSBE-së në Vienë, jemi të ndërgjegjshëm se kjo atmosferë nuk është e përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve normale, siç dimë po ashtu se zgjedhjet e 29 qershorit nuk do të jenë as të përkryera dhe as  plotësisht demokratike…

      – Në rast se është kështu si thoni ju, atëhere përse duhen organizuar këto zgjedhje, përse u dashkan vëzhguar edhe nga bashkësia ndërkombëtare, kur dihet që më parë se nuk do të jenë zgjedhje normale dhe demokratike? – pyetëm zonjën Lalymier.

      –  Sepse bashkësia ndërkombëtare është thellësisht e bindur se këto zgjedhje përfaqësojnë shpresën e fundit që Shqipëria të dalë nga gjendja ku  ndodhet sot. Në rast se këto zgjedhje nuk do të zhvillohen në datën e paracaktuar Shqipëria rrezikon të përfshihet në një kaos dhe anarshi të paparë dhe të pakontrolluar. Për këtë arsye si bashkësia ndërkombëtare, ashtu edhe OSBE-ja po mbështesin zhvillimin e këtyre zgjedhjeve. Nga këto zgjedhje nuk presim mrekullira, veçse kemi shpresë se nga këto zgjedhje të zhvilluara në një atmosferë anormale, të nisë fillimi i një procesi që do të sjellë normalitet në jetën  politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri. Kjo është edhe arsyeja kryesore që më bindi të marr përsipër rolin e koordinatorit ndërkombëtar të  zgjedhjeve  aq më shumë se gjatë udhëtimeve dhe vizitave që kam kryer më parë në vendin tuaj të bukur, ruaj kujtime të pashlyeshme nga mirësia e njerëzve dhe peizazhet shqiptare. Dhe më vjen shumë keq që Shqipëria arriti sot në këtë pikë sa t’i zhvillojë zgjedhjet në prani të trupave dhe vëzhguesve të huaj…

     –  Meqë keni kontakte dhe njiheni me shumë nga udhëheqësit e tanishëm në Shqipëri, çfarë do tu sugjeronit atyre kur të mbërrini në Tiranë?

    –  Forcat politike shqiptare duhet ta kuptojnë se asnjë lloj konflikti politik ose lufte për pushtet nuk justifikon ose arsyeton çuarjen e një populli të tërë në gjendjen në të cilën ai ndodhet sot.

Shqipëria po transformohet në xhungël. Sot atje ka dalë një forcë e tretë, më e rrezikshme nga të gjitha, e cila nuk është as e majtë as e djathtë, as në pozitë dhe as në opozitë. Ky është krimi i organizuar, mafia, e cila po peshkon në këto ujëra të turbullta për interesat e saj.  Kjo do të mbetet një plagë e rrezikshme për Shqipërinë edhe në vitet që do të vijnë. Nuk mund të pranohet të grabiten njerëzit në mes të rrugës, fëmijët të kenë frikë të shkojnë në shkollë, vajzat të ndjehen të pasigurta edhe në shtëpitë e tyre. Kjo gjendje duhet të marrë fund. Ky është edhe një shkak më shumë që zgjedhjet të zhvillohen në afatin e caktuar, për t’i zënë rrugën mafies dhe krimit të organizuar.

         -Juve thatë se ju vjen keq që Shqipëria arriti në këtë gjendje. Po sipas jush kush ishin arsyet që Shqipëria përfundoi në këtë greminë?

           –  Shkaqet e kësaj tragjedie duhen kërkuar  që para 50 vjetësh, gjatë atij izolimi dhe shkëputjeje të Shqipërisë nga bota që e rrethonte. Por jo vetëm aty. Çuditërisht dhe fatmirësisht për ju, zgjedhjet e 1991 – 1992 -shit u zhvilluan relativisht të qeta, dhe  Shqipëria hyri me besim dhe entuziazëm në rrugën e demokracisë dhe lidhjeve me Europën. E keqja në Shqipëri filloi më vonë. Gangrena e saj ishin veprimtaritë e paligjshme dhe mafioze që shpërthyen pas ardhjes së lirisë. Shqiptarët u treguan disi naivë, qoftë në zgjedhjen e drejtuesve të tyre, qoftë në idealizimin që ata i bënë botës. Në fakt gjendja në Shqipëri ishte më e shëndoshë në vitet 91 – 92, sesa vite më pas. Lindja dhe zhvillimi i piramidave të fajdeve ishte paroksizmi i veprimtarisë së paligjshme. Por më e keqja është se sot, 5 vjet pas vendosjes së demokracisë, në Shqipëri është vrarë shpresa te demokracia, te e ardhmja, te Europa. Kjo është më e trishtueshmja dhe më tragjikja. Kjo më shkakton edhe mua që nuk jam shqiptare,  një mllef të pazakontë, se u njollos demokracia, u vra e  ardhmja, – u shpreh në fund të intervistës  koordinuesja e misioneve të huaja vëzhguese në Shqipëri, europarlamentarja, Katerin Lalymier.

       Bisedoi:                                                   Bruksel 

Viron Gjymshana                                          23/6/1996

                 Hans van den Bruk: Nuk është faji i

      Europës…

             – Unë mendoj se si për Shqipërinë, por po ashtu edhe për partnerët e saj ndërkombëtarë, veçanërisht për Bashkimin Europian, zgjedhjet e 29 qershorit në Shqipëri kanë një rëndësi themelore, sepse bëhet fjalë për kredibilitetin e institucioneve politike, për afirmimin e parimeve të demokracisë si dhe të shtetit të së drejtës,- pohoi në fillim të intervistës së tij për “Dojçe Velen”, komisioneri i Bashkimit Europian për marrëdhëniet me vendet e Europës Lindore Hans van den Bruk.

        _”Pas ngjarjeve tragjike të këtyre muajve të fundit., është  me tepër rëndësi nisja e një starti të ri për Shqipërinë. Prandaj po ndërmarrim gjithçka kemi në dorë që këto zgjedhje të zhvillohen në kushte të pranueshme, për tu dhënë atyre kredibilitetin e domosdoshëm, e vetmja mënyrë për nxjerrjen e Shqipërisë nga kriza.

         – Zoti komisioner: Në semestrin e parë të vitit të kaluar ishte paraparë edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje “sui generis” ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Përse nuk u nënshkrua ky akord në atë kohë?– pyetëm zotin Van den Bruk.

         – Juve duhet të ju kujtohet se Komisioni Europian i pati propozuar atëhere Këshillit të Ministrave të BE-së, që të ngrinte në një shkallë më të lartë bashkëpunimi marrëveshjen e mëparshme të tregtisë dhe bashkëpunimit me Shqipërinë, marrëveshje e nënshkruar që disa vitë më parë. Por iniciativa jonë u pengua nga mënyra e zhvillimit të zgjedhjeve të 26 majit të kaluar, të cilat u përcaktuan si jo të lira dhe të drejta. Prandaj kur vizitova Shqipërinë korrikun e kaluar, i thashë presidentit Berisha se bashkësia ndërkombëtare nuk ishte e kënaqur me mënyrën se si ishin zhvilluar zgjedhjet  e muajit maj, dhe i theksova se zgjedhjet komunale të tetorit do të përbënin një tjetër test për të. Por gjendja u rëndua me shpërthimin e skemave piramidale të fajdeve vjeshtën e kaluar, rrënimi i të cilave  shkatërroi më pas çdo gjë në Shqipëri.

      Na vjen keq për sa ngjau në Shqipëri pasi gjatë gjithë këtyre viteve e kemi ndihmuar Shqipërinë ekonomikisht më shumë se çdo vend tjetër për frymë popullsie…

        – Mos vallë pikërisht se Bashkimi Europian e ka pasë përqëndruar vëmendjen kryesisht në ndihmën ekonomike, ai ka nënvleftësuar aspektin e forcimit të institucioneve demokratike në Shqipëri?

       –  Nuk është e saktë që Shqipërinë e kemi ndihmuar vetëm në aspektin ekonomik. Europa është kujdesur edhe për vijueshmërinë e reformave politike, institucionale, administrative, sociale si dhe ato  legjislative. Siç thashë më parë ne kemi mbajtur qëndrim ndaj shkeljeve të parimeve demokratike në Shqipëri dhe i kemi bërë thirrje të gjitha forcave politike të bashkëpunojnë me njëra tjetrën dhe të formonin një qeveri të pajtimit kombëtar. Pra ndihma e Bashkimit Europian ka qënë e gjithanshme, dhe për sa po ngjan sot në Shqipëri faji nuk është i Bashkimit Europian,- u shpreh në fund të intervistës, Hans van den Bruk.

             Bisedoi                                               Bruksel

    Viron Gjymshana                                    24/6/1997

     Mesazh i presidentit të Parlamentit Europian, Hoze Maria Gil- Robles drejtuar popullit shqiptar

    Presidenti i Parlamentit Europian, Hoze Maria Gil -Robles nëpërmjet valëve të radios “Deutsche Welle” i dërgoi sot popullit shqiptar mesazhin e mëposhtëm:

         -Parlamenti Europian ka shprehur me anë të shumë rezolutave të tij të mëparshme shqetësimin e tij të thellë dhe interesimin e tij të madh për riintegrimin e Shqipërisë në familjen e vendeve demokratike. Pas 50 vjet komunizmi, një mungesë traditash demokratike dhe stabiliteti ekonomik mbetet fatkeqësisht gjitmonë e pramishme në Shqipëri.

         Vëzhgues të Parlamentit Europian do të ndodhen në Shqipëri në zgjedhjet e 29 qershorit. Ata do të operojnë në kuadrin e OSBE-së. S’ka asnjë dyshim, se as Parlamenti dhe as vëzhguesit tanë nuk kanë ndonjë preferencë politike ndaj këtyre zgjedhjeve. Preokupimi kryesor i parlamentarëve europianë është zhvillimi i tyre në një klimë të lirë dhe të ndershme.

        I takon popullit shqiptar të shprehë preferencat e tij politike gjatë këtyre zgjedhjeve. Vëzhguesit, si gjithë bashkësia ndërkombëtare, do të respektojnë rezultatin, cilido qoftë ai, në rast se këto zgjedhje zhvillohen në mënyrë të lirë dhe demokratike.

        Në vigjilje të këtyre zgjedhjeve do të dëshironja t’i thonja popullit shqiptar: përgjegjësia për të ardhmen e vendit tuaj është në duart tuaja, të kandidatëve dhe udhëheqësve politikë që do zgjidhni. Bashkimi Europian do të vazhdojë të mbështesë proceset demokratike me qëllim që Shqipëria të rifitojë stabilitetin politik dhe sigurinë e brendshme. Me kusht që këto zgjedhje të zhvillohen në një klimë të përshtatshme dhe demokratike, Bashkimi Europian do të ndihmojë në kryerjen e reformave ekonomike të nevojshme.

                                                                    Hoze Maria Gil – Robles

 Bruksel, 27 qershor 1997

                 PERSERI ÇDO GJE NGA ZEROJA

                  “Le të rifillojë  tani rindërtimi”

     Optimizëm dhe besim si për të ardhmen e Shqipërisë ashtu edhe për forcimin e marrëdhënieve të saj me Bashkimin Europian,- me këto fjalë mund të karakterizohet atmosfera në mjediset e Bashkimit Europian pas zgjedhjeve legjislative të së dielës së kaluar në Shqipëri.

    “ Zgjedhjet e së dielës  përbëjnë një bazë të shëndoshë për të rifilluar përsëri  marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, pikërisht aty ku ato u ndërprenë”- deklaroi sot për “Dojçe Velen”, zëdhënësja e Komisionit Europian, Luzevin van der Laan.

       Komisioni Europian është i kënaqur që zgjedhjet në Shqipëri u zhvilluan përgjithësisht në mënyrë të pranueshme, siç pohuan edhe vëzhguesit e OSBE-së, dhe ne  bëjmë thirrje që vullneti i zgjedhësve të respektohet nga të gjitha partitë.

       Le të rifillojë tani rindërtimi i të gjithë Shqipërisë. Komisioni Europian do të bëjë gjithçka ka në dorë në këtë drejtim, ashtu siç ka vepruar edhe në të kaluarën dhe siç veproi edhe muajt e fundit, kur u angazhua me ndihmë monetare, materiale dhe njerëzore që zgjedhjet e reja në Shqipëri të zhvilloheshin në mënyrë sa më të qetë”- shtoi zëdhënësja e Komisionit Europian, Luzevin van der Laan.

                                                                                        Bruksel

                                                                                       1/7/ 1997

      “Përpjekje për të krijuar konfuzion dhe mjegull”

       Për 2 ditë me rradhë në Parlamentin Europian në Bruksel kanë zgjatur debatet dhe shkëmbimet  e pikëpamjeve  rreth mënyrës së zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Siç dihet Parlamenti Europian kishte dërguar 15 përfaqësues të tij për të vëzhguar rregullshmërinë e këtyre zgjedhjeve dhe këto 2 ditë këta europarlamentarë dëshmuan para kolegëve të tyre, anëtarë të Komisionit të Punëve të jashtme të Parlamentit, për sa kishin parë dhe vërejtur gjatë atyre 3 ditëve që ndodheshin në Shqipëri. Përshtypja që mbizotëronte ishte se zgjedhjet në Shqipëri mund të konsideroheshin si përgjithësisht të rregullta dhe të pranueshme, megjithëse ishin larg për tu konsideruar si perfekte. Problemet çuditërisht kanë lindur më pas. Nuk mund ta kuptojmë këtë ngadalësi në publikimin e rezultateve. Dikush ka interes të diskreditojë më forma dhe mënyra të ndryshme ligjshmërinë e këtyre zgjedhjeve, – pohuan shumica e anëtarëve të delegacionit të Parlamentit Europian që ndodheshin ditën e zgjedhjeve në Shqipëri.

           Debatet rreth zgjedhjeve shqiptare filluan me raportin e paraqitur nga eurodeputetje kristian- demokrate gjermane Doris Pack, e cila kryesonte edhe delegacionin 15 anëtarësh të Parlamentit Europian. Duke u shprehur në emër të të gjithë grupit vëzhgues ajo u shpreh në favor të mënyrës sesi u zhvilluan zgjedhjet e së dielës dhe njohu rezultatin e tyre. Eshtë e qartë se Partia Demokratike e Sali Berishës humbi dhe fitoi Partia Socialiste e Fatos Nanos. Problemi është se partia e  zotit Nano rrjedh nga Partia e Punës e Shqipërisë dhe Parlamenti Europian duhet ta ketë parasysh këtë fakt në raportet e tij me pushtetin e ri në Shqipëri, – tha ajo.

      Pas eurodeputetes gjermane e mori fjalën zëvëndëspresidenti i Parlamentit Europian, eurodeputeti italian, Renzo Imbeni, edhe ai anëtar i delegacionit që vëzhgoi zgjedhjet në Shqipëri. Shkurt dhe prerë ai njohu dhe pranoi rezultatin e zgjedhjeve duke u shprehur se ato qenë të lira dhe u zhvilluan në mënyrë demokratike. Në të gjitha qendrat e votimit që vizituam vërejtëm 10 deri 15  anëtarë komisionesh të cilët u përkisnin të gjitha partive politike, tha ai.

 Më pas e morën fjalën Marlen Lenz, eurodeputete gjermane dhe eurodeputeti italian Kakavale, të cilët diskutimet e tyre i përqëndruan në largimin e disa funksionarëve të rendit nga Shqipëria dhe rezultatit të referendumit për monarkinë.

       Pyetjeve dhe shqetësimeve të ngritura nga deputetët e parlamentit europian iu dha përgjigje koordinatorja e OSBE-së për zgjedhjet në Shqipëri dhe njëkohësisht parlamentare europiane, Katerin Lalymier: “Çdo ditë e më shumë më rritet shqetësimi kur vërej këtë ngadalësi në shpalljen e rezultateve përfundimtare të turit të parë të zgjedhjeve. Kush ka interes të pengojë publikimin e këtyre rezultateve?” – pyeti ajo.” E kam vënë re që para mbajtjes së turit të parë të zgjedhjeve, gjatë bisedave që kam patur me zotin Tritan Shehu, se ai nuk tregohej shumë i ngutur për to, madje kishte idenë e shtyrjes së tyre. Po krijoj përshtypjen se po bëhet ç’është e mundur për të krijuar sa më shumë konfuzion dhe mjegull që të vihet në pikëpyetje legjitimiteti i zgjedhjeve, prandaj jami e mendimit se turi dytë duhet të zhvillohet në datën e caktuar”.

     Edhe eurodeputetët e tjerë që e morën fjalën gjatë këtyre 2 ditëve diskutuan përgjithësisht rreth të njëjtave çështje, dhe shprehën të njëjtat shqetësime dhe vlerësime.

                                                                                  Bruksel

                                                                                 2/7/1997

        Në Parlamentin Europian debatohet 

    rreth referendumit

    Rezultati i referendumit për monarkinë po shkakton diskutime dhe debate të zjarrta jo vetëm në Shqipëri, por ka shkaktuar habi dhe kurreshtje edhe në mjediset e Parlamentit Europian në Bruksel. Anëtarët e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian kërkuan nga vëzhguesit që morën pjesë në zgjedhjet shqiptare më shumë spjegime rreth këtij problemi të paparashikuar ose të nënvleftësuar.

      Por shumica e anëtarëve të misionit vëzhgues të Parlamentit Europian u shprehën se për mbajtjen e këtij referendumi ata u vunë në dijeni vetëm kur mbërritën në Shqipëri dhe se vëzhgimi i tij ose i përfundimit të tij, nuk përfshihej në misionin e tyre, pasi ata ishin ngarkuar vetëm të vëzhgonin zhvillimin e zgjedhjeve legjislative në Shqipëri.

      Madje e ngarkuara e OSBE-së për zgjedhjet shqiptare, Katerin Lalymier vajti edhe më larg kur u shpreh se:… jo vetëm ne, por gjithë klasa politike shqiptare nuk e kishte marrë aspak me seriozitet referendumin për monarkinë. I vetmi personalitet politik që na njoftoi për këtë problem ka qënë kryetari i Partisë Demokratike, por edhe ai iu referua për herë të parë partisë monarkiste të martën e kaluar, ndërkohë që unë takohesha me të çdo ditë. Me këtë dua të them se as referendumi, as personaliteti i Lekës nuk përbënte shqetësimin kryesor atëhere…”.

     Me pathos dhe zjarr, si gjithmonë, foli edhe kësaj rradhe për këtë problem, zonja Doris Pack:”Problem i madh aktualisht në Shqipëri përbën çështja e referendumit. Socialistët po përpiqen  ta tkurrin dhe anashkalojnë këtë problem. Ata kanë deklaruar se referendumi ka marrë vetëm 20 % të votave, gjë që nuk është e vërtetë,- vuri në dukje eurodeputetja gjermane.

      Renzo Imbeni, deputet i së majtës italiane, pohoi se ky referendum si dhe rezultati i tij ishin një surprizë për delegacionin, pasi rezultatet ishin më të larta seç priteshin. “Përfaqësuesi i socialistëve shqiptarë është shprehur jo me respekt ndaj votuesve kur ka deklaruar se referendumi për demokracinë nuk e kalon 20 %. Ky është tregues euforie dhe besimi të tepëruar”, tërhoqi vëmendjen Renzo  Imbeni. “Megjithatë, pavarësisht nga këto deklarata, në asnjërën nga qendrat e votimit që vëzhguam, si në Durrës, ashtu edhe në Tiranë, rezultati i referendumit nuk e arriti 50 %,- pohoi eurodeputeti italian.

     Deputeti i të djathtës italiane Cacavale kërkoi që të hidhet dritë e plotë në këtë çështje, por  deputeti i fundit që foli për këtë çështje, francezi Frederik Stirbi u shpreh shkurt se problemi i referendumit nuk është çështje që i takon  delegacionit vëzhgues të Parlamentit Europian, prandaj nuk ka as pse të merremi me të.

     Por ndërsa ky problem për Parlamentin Europian konsiderohet tashmë si i mbyllur, për Shqipërinë mund të thuhet se ai porsa filloi…

                                                                             Bruksel

                                                                           3/7/1997  

             Shtypi ndërkombëtar komenton                          revoltën e monarkistëve

    Ngjarjet e djeshme në Tiranë kanë  ngritur në maksimum jo vetëm tensionin politik në Shqipëri, por edhe interesimin e jashtëzakonshëm të shtypit perëndimor. Informacione të shumta, të shoqëruara me komente dhe analiza si dhe me foto ku dallohet Leka Zogu i shoqëruar nga njerëz të armatosur,- mbushin faqet e shtypit europian.

     “Monarkistët shqiptarë provokojnë kryengritje të armatosur. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndërpret punën”- këto janë disa nga titujt e gazetës “International Herald Tribune”.

Komentatori Xhejms Perlez i përshkruan këto ngjarje si një përpjekje për të penguar formimin e qeverisë së re socialiste.

       Presidenti Berisha i cili duhet ta dorëzojë postin pas turit të dytë të zgjedhjeve duket se është duke bërë çdo gjë që ka në dorë për të penguar zhvillimin e turit të dytë të zgjedhjeve, Përleshja e djeshme në Tiranë, e cila shkaktoi 1 të vrarë dhe 5 të plagosur u nxit nga njerëzit e Berishës, të cilët janë duke e përdorur referendumin për monarkinë si një mjet për të shkaktuar turbullira,- pohojnë në këtë gazetë diplomatët e huaj të akredituar në Tiranë, pasi përkrahësit e monarkisë janë po ashtu edhe përkrahës të Berishës. Edhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili është caktuar në këtë post nga Berisha, ka ndërprerë firmosjen e rezultatit të votimeve, pa të cilat vështirësohet mbajtja e tyrit të dytë të zgjedhjeve, konkludon “International Herald Tribune”.

      “Marshimi i monarkistëve shkakton betejë në rrugët e Tiranës”- e titullon reportazhin e tij nga Tirana, Tom Uokër,

në të përditshmen e njohur britanike “The Times”.  Duket se jemi kthyer në 1940 kur komunistët dhe monarkistët përlesheshin me njëri – tjetrin,- thekson analisti britanik.

     “Gjakderdhje në demonstratën e monarkistëve”– njofton Gi Dajmor, për të përditshmen tjetër britanike “Financial Times”. Frika e një grushti shteti në Tiranë lindi që në fillim të kësaj jave kur presidenti Berisha urdhëroi papritur në mes të natës që tanket të zinin pikat strategjike të Tiranës. Shumë vetë kanë frikë se mos aleanca elektorale ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lëvizjes së Legalitetit po përpiqet të shkaktojë një kryengritje monarkiste, të mbështetur edhe nga garda presidenciale,- konstaton “Financial Times”.

      Për gazetën tjetër britanike  “The Daily Telegraph” nuk është ende e qartë se kush e komandon policinë shqiptare, njerëzit e Berishës apo të Nanos. është shumë e mundshme se vrasja e një demonstruesi dje mund të jetë kryer nga njerëzit e Berishës me qëllim të destabilizimit të situatës, vëren Xhulius Shtraus në reportazhin e tij nga Tirana.

       Ndërsa gazetari belg Filip Depre, i cili ishte dëshmitar okular i këtyre ngjarjeve përshkruan me hollësi kronikën e ngjarjes së djeshme në Tiranë. Me çdo kusht, thotë ai, Leka i Parë përpiqet të rimarrë fronin. Përkrahësit e mbretit janë të armatosur dhe qëllojnë në ajër  përpara selisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Dhe pikërisht kur Leka po kthehej drejt qëndrës së qytetit, disa policë që ndodheshin në shkallët e stadiumit qëlluan kundër turmës. Mbi murin e stadiumit,- rrëfen gazetari belg, pashë një polic të veshur me jelek antiplumb që po qëllonte në drejtim të demonstruesve me një mitraloz ttrekëmbësh. Pak më parë dukej se ishte po ky polic që po u jepte urdhër njerëzve të tij përqark. Monarkistët u përgjigjën me goditje kallashnikovi. Beteja që zgjati rreth 5 minuta përfundoi me një të vrarë dhe 5 të plagosur.

       Edhe e përditshmja franceze “Liberation” është e mendimit  se e gjithë skena e djeshme si dhe ato të ditëve më parë, ka për synim zhvlerësimin e rezultatit të zgjedhjeve të së dielës.

                                                                                     4/7/1997

          Vranicki në selinë e NATO-s: Do të duhen vite që Shqipëria ta rimarrë veten

            “Ne ndodhemi sot para një momenti të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë. Zgjedhjet atje përfunduan dhe rezultati i tyre përbën bazën nga duhet të fillojë ndërtimi i një sistemi të ardhshëm demokratik, të cilin shqiptarët e meritojnë plotësisht” –  me këto fjalë i ngarkuari i OSBE-së për zgjedhjet shqiptare, Franc Vranicki, iu drejtua anëtarëve të Këshillit të Atlantikut Verior në selinë e NATO-s në Bruksel. Ai ishte i ftuar të fliste para ambasadorëve të vendeve anëtare dhe partnere të Aleancës Atlantike për rolin e luajtur nga OSBE-ja në zgjidhjen e kësaj krizave dhe sfidave që e presin në të ardhmen këtë organizatë për rimëkëmbjen e Shqipërisë.

           “Kriza shqiptare që shpërtheu këtë fillim viti kërkonte një përgjigje të menjëhershme nga bashkësia ndërkombëtare, pasi eksperienca na ka mësuar se problemet e brendshme të vendeve ballkanike, herët ose vonë marrin përmasa ndërkombëtare. Në rastin e Shqipërisë kriza rrezikonte të përhapej edhe në Kosovë dhe Maqedoni ku jetojnë një numër i madh shqiptarësh”- vazhdoi përfaqësuesi i OSBE-së.

        “Që në vizitën time të parë në Shqipëri më 8 mars e kuptova se  kishim të bënim me një krizë politike. Dhuna që shoqëroi shëmbjen e  piramidave të fajdeve nuk mund të spjegohet dhe të arsyetohet vetëm me dëmin ekonomik, por ajo reflekton edhe atë antagonizëm të ashpër ndërmjet forcave politike që filloi menjëherë pas zgjedhjeve të 26 majit të kaluar. Kishim të bënim me një krizë besimi të shqiptarëve ndaj qeverisë demokratike, si dhe me një mungesë të plotë besimi ndërmjet forcave politike shqiptare. Prandaj ishte i domosdoshëm krijimi i një qeverie  të p=ajtimit kombëtar.

         Vendimi i  OSBE-së që të angazhohet për përgatitjen e zgjedhjeve të reja në Shqipëri si dhe për vëzhgimin e tyre, së bashku me dërgimin e një force të armatosur shumëkombëshe nën autorizimin e OKBS-së, ndihmuan për të qetësuar gjendjen dhe shmangur më të keqen. Kjo mundësoi edhe zhvillimin e zgjedhjeve dhe pjesëmarrjen në to të të gjitha forcave të ndryshme politike shqiptare. Po ashtu forcat shumëkombëshe si dhe prania e vëzhguesve të huaj përbënë një garanci edhe për 73 % të elektoratit shqiptar që mori pjesë në këto votime. Ky ishte edhe rezultati më i rëndësishëm që arriti OSBE-ja dhe forcat e paqes në Shqipëri, të cilat mundën të organizonin në ato kushte aq të vështira zgjedhje paqësore. Por tashmë që ato mbetën prapa para pushtetit të ri dalin probleme të vështira dhe të shumta. Në vend duhet të rivendoset rendi dhe ligji. Policia dhe ushtria duhet të rimarrin kontrollin e territorit. Problemet shoqërore, si  varfëria dhe papunësia, janë në rritje. E para gjë që duhet bërë  është tu thuhet njerëzve hapur se paratë e humbura nëpër piramida nuk mund tu kthehen. Po ashtu duhet të fillojë ringritja ekonomike e vendit dhe institucioneve të tij ligjore. Shqipëria ka një nga popullsitë më të reja në Europë, por për shumicën e rinisë e vetmja mënyrë mbijetese mbeten emigracioni jashtë vendit dhe krimi. Të gjitha këto detyra janë shumë të vështira dhe mund të realizohen pas disa vjetësh…

      Dhe të gjitha këto sfida që e presin Shqipërinë nuk mund të realizohen pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Shqipëria ka nevojë për një fillim të ri në të gjitha fushat, dhe secila nga institucionet ndërkombëtare dhe shtetet e veçanta mund të bëjë diçka në ringritjen e Shqipërisë” –deklaroi zoti Vranicki para Këshillit të përhershëm të ambasadorëve të NATO-s.

                                                                                         Bruksel

                                                                                        17/7/1997

     Fatos Nano, Sali Berisha dhe

  Rexhep Meidani -ose e shkuara e afërt,

    e porsakryera dhe e ardhmja…

      Këta tri emra më shumë se tri kohë foljesh përfaqësojnë në mënyrë sa simbolike aq edhe reale 7 vjetët e fundit të historisë 85 vjeçare të shtetit modern shqiptar. Eshtë gazeta e njohur franceze “Le Monde” që në tri artikujt e saj të fundit kushtuar Shqipërisë, analizon figurat e mësipërme në kontekstin e  historisë më të re shqiptare.

         “Komunistët u rikthyen në pushtet”- me këto fjalë e fillon editorialin e saj të titulluar “Restaurim në Shqipëri” gazeta pariziane. Në këtë vend të vogël të Europës, më i varfëri dhe më i prapambeturi, ata, kanë fituar për herë të dytë me anë të zgjedhjeve të lira, që kur është rrëzuar Muri i Berlinit. Eshtë e vërtetë se njëlloj si homologët e tyre të Europës Lindore, ish-komunistët e dikurshëm e kanë ndërruar emrin për tu kthyer në socialistë të pranueshëm në mjediset ndërkombëtare. Siç është e vërtetë gjithashtu se kundërshtarët e tyre, që e morën pushtetin më 1992, nën flamurin e demokracisë, nuk spikatën edhe aq me demokracinë e tyre.

          Kryeministri i ri, Fatos Nano, është sot i mirëpritur në familjen socialdemokrate europiane. Ai mund fare mirë të zgjedhë rrugën e postkomunistëve polakë ose hungarezë, angazhimi i të cilëve ndaj demokracisë është jashtë çdo dyshimi, ose ndryshe të kthehet në një lloj Iliesku shqiptar, duke ndjekur nën vellon e një regjimi parlamentar praktikat famëkeqe të despotizmit dhe autoritarizmit,- vë në dukje “Le Monde”.

          Ndërsa Sali Berisha, i cili konsiderohej 5 vjet më parë si çlirimtari i vendit nga komunizmi, shihet sot si varrmihësi i një ëndrre, e cila përfundoi në autoritarizëm, shpërdorime, gjak dhe anarki. “Njeriu që aspironte të ishte heroi i Shqipërisë postkomuniste dhe moderne e lë skenën me një bilanc shkatërrues”- nën këtë titull  e përditshmja franceze përmbledh karrierën e këtij mjeku nga fshati, i cili 5 vjet më parë përfaqësonte gjithë shpresat e shqiptarëve për një të ardhme më të mirë. 1600 viktima, një vend i përgjakur dhe shkatërruar dhe një fund i trishtueshëm”- kjo është faktura e 5 vjetëve të qeverisjes së Berishës,- nënvizon “Le Monde”.

       Duke analizuar figurën e tretë politike të skakierës shqiptare gazeta franceze pohon se presidenti i ri i Shqipërisë njihet si një personalitet i moderuar. Në ndryshim nga 2 të parët, Rexhep Meidani, nuk ka qënë kurrë komunist. Hyrja e tij në politikë rreth 1 vit më parë ishte më shumë rastësi. Meidani njihet si një shkencëtar poliglot, i cili flet 4 gjuhë të huaja dhe gjithë jetën e tij e ka laluar në katedrat e matematikë-fizikës të universitetit të Tiranës,- shkruan për të, Kristof Shatelo.

       Po kthimi në pushtet i ish-komunistëve a do të ndihmojë në rivendosjen e rendit?  Pa dyshim ata përfaqësojnë sot të vetmen forcë të aftë dhe të organizuar, e cila mund të vendosë një formë embrionale shteti në këtë vend, – nënvizon “Le Monde”.

      Megjithatë jo çdo gjë varet nga pushteti i ri në Shqipëri, pasi detyrat që u dalin përpara atyre janë titanike dhe të panumërta. Dhe që vendi i Shqipeve t’i shpëtojë errësirës dhe anarkisë, është e nevojshme që komuniteti ndërkombëtar të tregohet sa vigjilent aq edhe i gatshëm ta ndihmojë atë,- me këtë thirrje përfundon edhe cikli i shkrimeve kushtuar zhvillimeve më të fundit në Shqipëri, botuar në të përditshmen franceze “Le Monde”.

                                                                                 Bruksel

                                                                               29/7/1997

                   Përsëri nga zeroja…

      Marrëdhëniet e përgjithshmë të Shqipërisë me Europën e Bashkuar gjatë këtyre 5 vjetëve të fundit mund të konsiderohen si ato të një dashurie të zhgënjyer reciprokisht. Në fakt në fillimet e tyre këto marrëdhënie ishin tepër të ngrohta dhe të afërta. Protestat popullore të dhjetorit të 1990-tës që kishin si moto parullën :”Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” u pritën me dashamirësi në kancelaritë europianoperëndimore, po ashtu siç u përshëndetën edhe rezultatet e eurobarometrave të ndryshëm të Bashkimit Europian, që i nxirrnin shqiptarët ndër përkrahësit më të apasionuar të integrimit të vendit të tyre në familjen e madhe europiane. Si jehonë e këtij vullneti të popullit shqiptar për tu lidhur me Europën,  edhe Bashkimi Europian iu përgjigj me të njëjtën dashamirësi, duke nxitur nënshkrimin e marrëveshjeve të posaçme me Shqipërinë, siç ishte ajo që hyri në fuqi më 1 dhjetor të 1992-shit, e pagëzuar si Marrëveshja e Tregtisë dhe e Bashkëpunimit. Paralelisht filloi edhe një ndihmë e gjithashme ekonomike nga ana e Bashkimit Europian për Shqipërinë, më e larta për frymë ndër vendet e Europës Lindore. Sa me anë të programit të tij të ndihmës ekonomike “Phare”, ose nëpërmjet Bankës Europiane të Investimeve, Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe institucioneve të tjera, Bashkimi Europian i ofroi Shqipërisë një ndihmë të përgjithshme që i afrohet shifrës së 800 milionë dollarëve, pa llogaritur atë të shteteve të veçantë të tij, si psh Gjermanisë, që nga ana e saj i ka ofruar Shqipërisë rreth 400 milionë marka.

        Fitorja e demokracisë në Shqipëri si dhe ndërrimi i regjimeve pa dhunë u vlerësuan shumë në Perëndim, pasi u konsideruan si shenjë pjekurie e popullit shqiptar dhe demokracisë së re. Të gjithë këta faktorë bënë qënë atë kohë Shqipëria të konsiderohej si një kandidat potencial për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian. Madje një organ i specializuar i Bashkimit Europian duke analizuar politikën e tij të zgjerimit me vendet kandidate të Europës Lindore, i ndante këto vende në 4 grupe: Në dy grupimet e para përfshiheshin Hungaria, Polonia, Çekia, Bullgaria dhe Rumania, grupi i tretë përbëhej nga Sllovenia dhe Shqipëria, ndërsa në grupin e katërt të vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian renditeshin tri vendet balltike:Letonia, Lituania, Estonia.

      Edhe analisti i çështjeve europiane, Lionel Barber, pohonte në gazetën britanike me autoritet “Financial Times” të 5 qershorit të 1994 se Shqipëria ishte kandidati i 10 për anëtarësim në Bashkimin Europian. Madje edhe vetë komisioneri Hans van den Bruk, menjëherë pas kthimit të tij nga vizita që pati zhvilluar në Tiranë më 28 prill të 1995 u shpreh me entuziazëm se Bashkimi Europian mund të niste menjëherë negociatat me Shqipërinë për të nënshkruar edhe me të, të njëjtën marrëveshje asocimi siç ishin nënshkruar deri atëhere edhe me vendet e tjera të Europës Lindore.

        Por pikërisht në atë epokë diçka filloi të prishet dhe të mos funksionojë siç duhet. Ishte koha kur konflikti në Jugosllavi po arrinte kulmin e tij dhe bashkësia ndërkombëtare kishte vendosur bllokadë kundër Serbisë si shkaktare e konfliktit. Pikërisht në atë kohë edhe shtypi i huaj filloi të shkruante gjithmonë e më shpesh dhe gjithmonë e më me shqetësim mbi thyerjen e kësaj embargoje nga Shqipëria, duke e akuzuar drejtpërsëdrejti qeverinë shqiptare dhe firmën tregtare të partisë demokratike “Shqiponja” si organizuese dhe mbështetëse e këtij trafiku. Madje analisti belg Filip Pak, vajti edhe më larg kur me gërma të mëdha shkruajti në gazetën “La Libre Belgique” më 8/5/1995:”Çfarë Shqipërie doni të fusni në Europë? Atë që shkel embargon ndërkombëtare të naftës kundër Serbisë, apo atë që është bërë anëtare e Konferencës së Vendeve Islamike?!”.

       Nga ana tjetër lajmet që arrinin në Bruksel, por edhe në kryeqytetet e tjera europiane, prej diplomatëve të huaj të akredituar në Tiranë, njoftonin për një Shqipëri ku kontrabanda dhe korrupsioni po ktheheshin në mënyrë jetese;  se Shqipëria po kthehej në një udhëkryq trafiku ndërkombëtar droge, armësh dhe prostitucioni. Gjithnjë e më shpesh Shqipëria po cilësohej si Kolumbi e Europës.

          Këto fakte dhe të dhëna e ftohën entuziazmin e dashamirësve të Shqipërisë në gjirin e Bashkimit Europian. Pak nga pak po harrohej nënshkrimi me Shqipërinë i një marrëveshjeje asocimi. Nga fundi i vitit 1995 filloi të flitet për një formulë të re që do të përdorej për Shqipërinë, për një marrëveshje të pagëzuar si “accord sui generis”, formulim i veçantë ky që as nuk ia mbyllte derën Shqipërisë për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian, por as nuk e rradhiste njëlloj me vendet e tjera kandidate. Qeveria italiane, e cila kishte kryesinë e Bashkimit Europian gjatë gjashtëmujorit të parë të 1996-tës, pat deklaruar me solemnitet se deri në fund të mandatit të saj 6-mujor, që skadonte më 30 qershor, me Shqipërinë do të nënshkruhej marrëveshja “sui generis”.

    Por ndodhën ngjarjet e 26 majit 1996. si dhe rrahja publike në mes të sheshit “Skëndërbej” dhe para syve të diplomatëve dhe masmedias perëndimore të përfaqësuesve të opozitës shqiptare dhe presidenca italiane nuk kishte si ta vendoste në rend të ditës ngritjen në një nivel më të lartë të marrëdhënieve me Shqipërinë. Madje siç është bërë e njohur edhe vizita e zyrtarëve më të lartë të Bashkimit Europianë në Tiranë u anullua për të njëjtën arsye.

      Marrëdhëniet u ftohën dhe pothuajse u ndërprenë. Por kupa u mbush dhe u derdh me epideminë e fajdeve që pllakosi në Shqipëri.

Qeveria shqiptare u kap pas vezullimit marramëndës të skemave piramidale, siç kapet i mbyturi pas fijes së kashtës dhe me kryeneçësi të pashpjegueshme injoroi të gjitha thirrjet drejtuar asaj nga Bashkimi Europian dhe FMN-ja për të ndërprerë menjëherë këtë veprimtari. Dhe pas ngjarjeve të pranverës së këtij viti, që erdhën si pasojë e humbjes së mbi gjysëm miliardi dollarësh në piramidat e falimentuara, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian arritën në epokën e gurit.

     Ardhja në krye të Shqipërisë e një ekipi të ri dalë nga zgjedhjet e 29 qershorit ndofta mund të ndihmojë të rilindë edhe një herë kjo histori që përfundoi kaq tragjikisht.

      Por 6 – vjetët e humbur në marrëdhëniet shqiptaro – europiane nuk mund t’i zëvendësojë asgjë. Gjatë këtyre viteve vendet e tjera të Europës Lindore kanë bërë hapa gjigandë përpara, sa në demokratizimin e vendit të tyre, në përmirësimin e ekonomisë si dhe në marrëdhëniet e tyre me Bashkimin Europian. Deri në vitin 2006 të gjitha ato do të jenë anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Europian. Ndërsa Shqipërisë i duhet edhe një herë tjetër ta nisë nga zeroja në të gjitha fushat.

          Viron Gjymshana                                      Bruksel

          “Deutsche Welle”                                 8 korrik 1997 

                    SHPRESAT JANE VENITUR

             Një vit më pas – gjendja “kënetë”

       Një vit më parë, falimentimi i piramidave financiare e çoi Shqipërinë në buzë të greminës. Brenda pak javësh shteti shqiptar u thërrmua, të gjitha strukturat e tij u shkatërruan. Nuk ishte as kryengritje dhe as rebelim, veçse një proces vetshkatërrimi i përshpejtuar. Policia, ushtria, administrata, të gjitha dëshmuan se çfarë përfaqësonin,- fasadën, dukjen e jashtme, dmth zbrazësirën – kështu shkruan “Le Figaro” më 19 gusht 1998,  një vit pas ngjarjeve tragjike që gjunjëzuan edhe një herë tjetër Shqipërinë, në reportazhin e titulluar “Shqipëria në boshllëk”.

     Por gazeta franceze nuk mbetet në këto konkluzione të njohura, por analizon edhe ndryshimet e ngjara 1vit pas ndërrimit të pushteteve në Shqipëri.  E ardhur në pushtet një vit më parë qeveria e kryeministri Fatos Nano nuk e ka fare gjendjen nën kontroll. Gjatë 2 muajve të fundit vetëm në qarkun e Korçës 52 vajza janë grabitur, me qëllimin e vetëm për tu dërguar në Itali si prostituta. Eshtë mafia që kontrollon tregtinë e drogës, trafikun e prostitucionit dhe importet.  80% e të ardhurave doganore nuk kanë hyrë në arkën e shtetit, por në xhepat e personave që kontrollojnë këtë biznes…

     “Banka Botërore na ka klasifikuar si vendi i tretë në botë për nga shkalla e korrupsionit. Por fjala korrupsion ka humbur çdo kuptim këtu. Përpara po t’i thonje dikujt i korruptuar ai e merrte këtë si sharje, ndërsa sot ky epitet e bën vetëm të gajaset” – i thotë me dëshpërim  një shkrimtar shqiptar gazetarit Patrik de Sent Eksybery.

                                                                                    “Le Figaro”

                                                                    19 gusht 1998

                     Nuk mjaftonte 1997, por duhej

                        edhe 14 shtatori !       

     Ngjarjet e djeshme në Tiranë kanë zënë vend të konsiderueshëm edhe në shtypin britanik dhe atë frankofon. “Përkrahësit e Berishës e çojnë Tiranën në prag të kaosit”- nënvizon “Times”-i i Londrës, e cila e shoqëron reportazhin e saj nga Tirana edhe me 2 foto të mëdha në të cilat shihen kryengritësit që kanë rrëmbyer një tank, ndërsa njëri prej tyre po qëllonte me anti-tank kundër ndërtesave qeveritare.

     “Skenat e djeshme në rrugët e kryeqytetit shqiptar na kujtuan ngjarjet e një viti më parë”- thekson nga ana e saj Nanette van der Laan  te “The Daily Telegraph”. Ndërsa “Financial Times” njofton se kryeministri Nano u fsheh kur përkrahësit e presidentit Berisha pushtuan ndërtesat qeveritare. Kryeministri shqiptar ankohet se po i bëjnë grusht shteti, ndërsa zëdhënësi i tij kërkon ndërhyrjen e trupave të huaja”– vë në dukje “Financial Times”.

        ” Zërat se përkrahësit e Berishës po përgatisnin një grusht shteti kishin javë që qarkullonin në Tiranë, pohon Gi Dajmore, por shkëndia erdhi pas vrasjes të shtunën të liderit të studemtëve të dhjetorit dhe njërit prej figurave kryesore të partisë demokratike, Azem Hajdarit. Brishtësinë e institucioneve të shtetit shqiptar, 1 vit pasi koalicioni i tanishëm mori pushtetin, e kishte stigmatizuar 1 javë më parë edhe Banka Botërore”- pohon “Financial Times”

       Ndërsa korrespondenti i së përditshmes “The Independent”, Pol Ud, duke analizuar gjenezën e ngjarjeve të fundit në Shqipëri shprehet se sipas tij ka pak gjasa që socialistët të jenë autorë të vrasjes së Azem Hajdarit, pasi nuk kanë asnjë interes të provokojnë turbullira në vend, megjithatë as ai nuk jep ndonjë argument bindës se kush mund të kishte interes të vriste liderin e dhjetorit.

       Në ndryshim nga shtypi britanik, që i kushton shumë vend informacionit dhe pamjeve fotografike, ai frankofon i jep përparësi

analizave dhe zbulimit të rrënjëve të ngjarjes.

      “Rifillojnë trazirat në Shqipëri. Ish-presidenti Berisha përpiqet të rimarrë pushtetin me anë të forcës” kështu e titullon faqen e saj kushtuar ngjarjeve të djeshme e përditshmja franceze “Liberation”.“Një vit e gjysëm pasi u detyrua ta lëjë pushtetin si pasojë e revoltave, dje ish-presidenti Berisha u përpoq të hakmerrej duke e rimarrë pushtetin me forcë– shkruan Marc Semo.

Gjatë zgjedhjeve të vitit të kaluar, që u zhvilluan nën mbikqyrjen ndërkombëtare, Berisha fitoi vetëm 27 vende nga 155 të mundshme. Por ai nuk e pranoi asnjëherë këtë realitet, dhe duke përfituar edhe nga rënia e vazhdueshme e popullaritetit të Fatos Nanos, i kritikuar për mungesë rezultatesh, për afera korrupsioni dhe pazotësi në ringritjen e shtetit, është hedhur tashmë në sulm”.

      Edhe e përditshmja konservatore “Le Figaro” i komenton ngjarjet e djeshme si një provë force e ithtarëve të Sali Berishës.

“Përgjatë gjithë verës Berisha është përpjekur, sa me anë të manifestimeve, aq edhe me anë të demonstrimeve të forcës, të ringrejë gjendjen, por deri para 2 ditësh, pa sukses. Vrasja e Azem Hajdarit i dha rastin të rifillojë ofensivën në shkallë të gjërë”- vë në dukje Patrik de Sent Eksyperi te Figaroja.

      Edhe Kristof Shatelo  te “Le Monde” pohon se turbullirat e djeshme në Tiranë kanë ardhur pasi demokratët për asnjë çast nuk kanë pranuar heqjen e tyre nga pushteti.

      Ndërsa “La Libre Belgique” në editorialin e saj të sotëm vë re se në Shqipëri ndërrimi i regjimeve u bëka vetëm me anë të forcës. Edhe e përditshmja tjetër “Le Soir”  konstaton se në Shqipëri historia veçse përsëritet, kurse aktorët ndërrojnë vetëm rolet. Tani është Berisha që sulmon dhe Nano që mbrohet. Vrasja e Azem Hajdarit zbuloi atë që kishte kohë që po ziente në Shqipëri: rivalitetin ndërmjet një ish-presidenti që për asnjë çast nuk e ka përtypur disfatën e tij të vitit të kaluar dhe një kryeministri të paaftë të rivendosë autoritetin e shtetit…

                                                                14 shtator 1998

            Bashkimi Europian: Gjendja në Shqipëri

                   – shumë shqetësuese

  Këto ditë,  Fransua Lamurë, zëvëndës-drejtor i përgjithshëm në  Komisionin Europian, përgjegjës për marrëdheniet me vendet e Europës Lindore dhe ato të ish BRSS-së, dha një pasqyrë të hollësishme të gjendjes në vendet e rajonit ballkanik dhe perspektivave të tyre.

Bosnja-Hercegovina që nga viti 1991 ka mbetur 10 vjet prapa në zhvillimin e saj ekonomik. Gjendja ekonomike në Kroaci është  e përafërt me atë të vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, por për shkaqe politike si dhe të sulmit të saj ndaj Krajinës, BE i ka ndërprerë ndihmën ekonomike. Maqedonia ka arritur një nivel jetese të barabartë me atë të Bullgarisë. Ky vend ka hyrë me vendosmëri në rrugën e reformave dhe  ndihma dhe kreditë e Bashkimit Europian do ta ndihmojnë të vazhdojë në këtë rrugë. Konflikti i Kosovës nga ana tjeter nuk ka ndikuar në jetën dhe ekonominë e Rumanisë dhe Bullgarisë dhe nuk do të sjellë vonesë në afatin e anëtarësimit të tyre në Bashkimin Europian. Gjendja në Shqipëri vazhdon të mbetet shqetësuese. Ky vend është tepër larg ekonomisë së tregut, pavarësisht nga ndihma ndërkombëtare. Reformat atje nevojiten të përshpejtohen, thekson zëvëndësdrejtori i përgjithshëm i Komisionit Europian.

    Në lidhje me ardhmerinë e nënshkrimit të marrëveshjeve të stabilitetit dhe asocimit, zoti Fransua Lamurë, kujton se Bashkimi Europian u ka ofruar këtë marrëveshje vendeve të këtij rajoni, përkatësisht Bosnjës,Maqedonisë, Jugosllavisë, Kroacisë dhe Shqipërisë,- të cilat janë ende larg për të qënë të gatshme per tu anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Por edhe perspektiva për të nënshkruar këto marrëveshje ndryshon nga një vend në tjetrin. Zoti Lamurë e cilëson me këto fjalë gjendjen e çdonjerit prej këtyre vendeve:

     Për Maqedoninë Komisioni ka hartuar një raport vlerësimi pozitiv dhe është duke u përgatitur të fillojë procesin e hapjes së bisedimeve për nënshkrimin e marrëveshjes së stabilitetit dhe asocimit. Këto bisedime duhet të fillojnë nga fundi i vitit.

Ndërsa për Shqipërinë raporti është duke u përgatitur, dhe Komisioni duhet t’ua paraqesë atë ministrave të Bashkimit Europian gjatë vjeshtës. Situata në Shqipëri vazhdon të jetë e vështirë, vëren zyrtari i Komisionit Europian.

Nga ana tjetër asnjë raport nuk është duke u përgatitur për Bosnjën dhe Kroacinë, pasi të dyja këto nuk i permbushin konditat e duhura politike per nënshkrimin e marrëveshjeve të tilla. Jugosllavia është edhe më keq akoma, thekson Fransua Lamurë.

   Nga raporti i sipërpërmendur vihet re jo vetëm se Maqedonia e ka kaluar Shqipërinë, por edhe vendet e tjera mbeten prapa saj vetëm për arsye të politikës së brendshme. Për Shqipërinë më shumë se prapambetja ekonomike, vazhdon të rëndojë mungesa e rendit dhe e ligjit. Me një fjalë mungesa e shtetit dhe institucioneve të tij, 2 vjet pas shkatërrimit të tyre në pranverë të 1997-tës.

                                                                                 Bruksel

                                                              11 korrik 1999

                          Shqipëria larg nga BE

                      Fillimi i punës në institucionet e Bashkimit Europian, pas përfundimit të periudhës së pushimeve verore, koincidoi me fillimin e punës edhe të Komisionit të ri Europian dhe të Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 13 qershorit. Komisioni Europian hyn në fuqi më 15 shtator kur do të marrë edhe votbesimin e parlamentit; ndërkohë kandidatët për komisionerë po u japin spjegime eurodeputetëve rreth projekteve dhe vizionit të tyre në detyren që do marrin përsipër.

    Sot ishte rradha e komisionerit të caktuar me problemet e zgjerimit të Bashkimit Europian, Gynter Verhojgen, që tu përgjigjej pyetjeve të parlamentarëve europianë dhe të shpaloste planprogramin e tij të punës. Gynter Verhojgen, ish-sekretar shteti në ministrinë e jashtme gjermane  pohoi ndër të tjera se vendet kandidate për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian mund të ndahen në 4 grupe. Si kandidate potenciale ai përmendi 10 vendet që kanë nënshkruar marrëveshjen e asocimit me Bashkimin Europian, të cilat i ndau në 2 grupime:- ato për të cilat pranimi është i afërt si Polonia, Çekia, Hungaria, Sllovenia etj, dhe në grupin e dytë rreshtoi vendet balltike, Rumaninë, Bullgarinë, dhe ndofta edhe Turqia dhe Qipro. Këto janë vende me mundësi reale për anëtarësim në Bashkimin Europian. Eshtë vetëm çështje kohe,- që varet edhe nga mënyra se si do të përparojnë këto vende në zhvillimin ekonomik dhe konsolidimin e demokracisë,- afati i përfshirjes së tyre në Bashkimin Europian, tha Verhojgen.

         Në grupin e tretë ai renditi vendet e dala nga ish – Jugosllavia, si dhe Shqipërinë. “Pavarësisht se Shqipërisë dhe Maqedonisë u janë propozuar marrëveshje  specifike të stabilitetit dhe asocimit në Bashkimin Europian, nuk mund të jemi të sigurtë se këto vende do të bëjnë pjesë në të ardhmen në procesin e zgjerimit të  Bashkimit Europian, pasi ato kanë një prapambetje të konsiderueshme jo vetëm me vendet anëtare të BE-së, por edhe me ato kandidate. E rëndësishme për këto vende është fillimi i vënies në jetë të reformave dhe projekteve të propozuara në Paktin e Stabilitetit, pastaj mund të flasim për përfshirjen e  tyre në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian”- u shpreh  Verhojgen.

   Në valën e 4-t të zgjerimeve ai përmendi republikat e dala nga ish Bashkimi Sovjetik, si Gjeorgjinë, Biellorusinë, Ukrainën, vendet e Kaukazit e të tjera. Ai foli gjithashtu për një vijë demarkacioni që ndan vendet e fundit me ato anëtare dhe kandidate per anëtarësim, që ai e përkufizoi si vija e demarkacionit ndërmjet begatise dhe mizerjes.

     Që vendet e Europës Juglindore, si Shqipëria, Maqedonia, Bosnja, Kroacia apo Jugosllavia janë shumë larg Bashkimit Europian këtë e vërteton edhe një fakt i thjeshtë. Ndryshe nga komisioni i mëparshëm i udhëhequr nga Zhak Santer, ku ish – komisioneri Hans van den Bruk, mbulonte të gjitha vendet e Europës Lindore duke filluar nga Polonia dhe deri te Shqipëria dhe Armenia, në komisionin e ri të Romano Prodit kemi  2 komisionerë të ngarkuar me marrëdhëniet e jashtme. I pari Gynter Verhojgen, siç thamë merret vetëm me procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian me  13 vendet kandidate, (Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovakia, Sllovenia, Rumania, Bullgaria, Letonia, Estonia, Lituania, Qipro, Malta dhe Turqia), ndërsa komisioneri Kris Patten është i ngarkuar me marrëdhëniet me vendet e treta ku përfshihen si ato të Europës Juglindore, dmth Shqipëria, Maqedonia, Bosnja, Kroacia dhe Jugosllavia, por po ashtu edhe vende të tjera që s’kanë asgjë të përbashkët me BE-në si Honoluluja apo Zanzibari.

                                                                                       Bruksel

                                                                               2 shtator 1999

                 Miqtë lënë Shqipërinë jashtë Europës

                 Komisioni Europian aprovoi sot një projekt-vendim që i hap rrugën fillimit të negociatave për një marrëveshje stabilizimi dhe asocimi me shtetin maqedonas. Aprovimi i kësaj projekt-direktive vjen pas një vendimi të Këshillit të Ministrave që e autorizon Komisionin Europian të nisë shqyrtimin e modaliteteve për fillimin e procesit të negociatave me Maqedoninë  në kuadrin edhe të Paktit të Stabilitetit të aprovuar më 31 korrik në Këln të Gjermanisë.

    Dokumenti i aprovuar sot përmban një sërë përparësish dhe kushtesh si dhe hap perspektiva për integrimin e republikës  maqedonase në BE. Në projektvendim kërkohet ndër të tjera:

   – së pari vendosja e një dialogu politik ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë,

   – së dyti: aty përmbahen dispozita rreth përmirësimit të bashkëpunimit rajonal, duke përfshirë këtu perspektivën e krijimit të zonave të tregtisë së lirë ndërmjet vendeve të këtij rajoni;

    – së treti hapen perspektiva për shkëmbime të lira ndërmjet vendeve të Bashkimit Europian dhe Maqedonisë, po ashtu si dhe ato të lëvizjes së lirë të krahut të punës, të shërbimeve dhe kapitaleve.

     Komisioni Europian nga ana tjetër i kërkon palës maqedonase të përshtasë legjislacionin e saj me atë të Bashkimit Europian si dhe të rrisë bashkëpunimin me vendet anëtare të BE-së sidomos në fushën e drejtësisë dhe të rendit.

     Sipas burimeve nga Komisioni Europian kur direktivat e këtij projekt-vendimi të aprovohen nga Këshilli, bisedimet për nënshkrimin e marrëveshjes së stabilitetit dhe asocimit do të fillojnë, ndofta që para fillimit të vitit të ardhshëm.

     Me aprovimin e këtij projekt-vendimi nga ana e Komisionit Europian, Maqedonia është kështu i pari nga 5 vendet e Europës Juglindore  që bëjne pjesë në Paktin e Stabilitetit, që fillon procedurën zyrtare për nënshkrimin me Bashkimin Europian të marrëveshjes së stabilitetit dhe asocimit.

    I pyetur se cilat janë shanset për fillimin e procedurave të njëjta edhe me Shqipërinë, zëdhënësi i Komisionit Europian Nikolaes Wegter pohoi se tani për tani Komisioni Europian ka parë të arsyeshme ta nisë këtë  proces vetem me Maqedoninë. I takon Komisionit të ardhshem të shqyrtojë marrëdhëniet me Shqipërinë, tha ai.

    Megjithëse  zoti Wegter nuk pranoi të shprehej publikisht rreth shkaqeve që e kishin penguar Komisionin e tanishëm të niste procedurat edhe me Shqipërinë, burime të Komisionit Europian pohuan se plotësimi i kërkesave të parashtruara nga Grupi i Miqve të Shqipërisë gjatë takimit të tyre të fundit në Bruksel, mbetet “çelësi magjik” që do i hapë Shqipërisë portën për në Europë.

                                                                                           Bruksel

                                                                      8 shtator 1999                                                                                  

   Doris Pack: “Nano – Berisha: largohuni”

     “Prej vitesh vazhdoj të ndjek me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri. Jam e interesuar veçanërisht për  mbarëvajtjen dhe ardhmërinë e këtij vendi. Në të njëjtën mënyrë po interesohem tani edhe për fushatën elektorale në gjirin e partisë demokratike, partisë më të madhe opozitare atje,-në këtë mënyrë u shpreh në fillim të intervistës me të, kryetarja e delegacionit të Parlamentit Europian për vendet e Europës juglindore, eurodeputetja kristian-demokrate gjermane, Doris Pack.

     Duke u ndalur në fushatën e zgjedhjeve në Partinë Demokratike zonja Pack pohoi se ajo e  ka mbështetur me forcë zotin Berisha në kohën kur ai ishte president i vendit, për të ndihmuar Shqipërinë të kapërcente vështirësitë e tranzicionit. Edhe gjatë kohës që Partia Demokratike kaloi në opozitë jam përpjekur t’i bind  ta pranojnë këtë situatë, pasi është normale në një vend demokratik, që për një arsye ose një tjetër, të kalosh nga pozita në opozitë dhe anasjelltas. Nuk ka demokraci pa opozitë, prandaj kam këmbëngulur vazhdimisht që Partia Demokratike të kthehej në Parlament, aty ku e ka vendin çdo parti e vërtetë. Opozita nuk mund të ekzistojë vetëm nëpër gazeta dhe media, por duhet të jetë e pranishme aty ku merren vendime, ku punohet për fatet e vendit.  Prandaj edhe jam e kënaqur që sot Partia Demokratike është kthyer në Kuvend.

    Siç jam e kënaqur, vazhdoi zonja Pack, që një mbështetës dhe bashkëpunëtor i vjetër i zotit Berisha, si  Genc Pollo ka hedhur kandidaturën për kryetar partie. Sepse mendoj se një rinovim për Partinë Demokratike, si ai që kreu vitin e kaluar Partia Socialiste me dyshen Majko – Meta, do t’i bënte shumë mirë edhe asaj.

     Pa mohuar gjithë të mirat që Berisha ka bërë për vendin e tij mendoj se tani ka ardhur rradha për një të ri që të provojë të bëjë diçka për të ardhmen e Shqipërisë.

    Të rinjtë në udhëheqje të partisë demokratike mund të punojnë më lehtësisht me të rinjte në udhëheqje të partisë socialiste, duke lënë kështu njëherë e mirë prapa reminishencat e së kaluares, u shpreh zonja Pack.

   Kjo do të jetë edhe rruga dhe mënyra më e mirë për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza e tanishme”.

    “Do të shkoj në Tirane në ditët kur Partia Demokratike do të mbajë kongresin e saj dhe do të shpreh gjithë mirënjohjen time për gjithçka Berisha ka bërë deri më sot për vendin dhe partinë e tij, sidomos për hapjen e Shqipërisë me Perëndimin, por vjen gjithnjë një çast kur udhëheqësit e mëparshëm duhet t’ia lënë vendin më të rinjve për të provuar një rrugë të re. Do të ishte e hatashme sikur Berisha të pranonte të kthehej në një lloj president nderi i Partisë Demokratike, siç ndodh rëndom në raste të tilla  në vendet perëndimore.

   Nuk kam ndërmend ti bëj leksion askujt nga miqve të mi shqiptarë, por  thjesht  në forme ndihme ose këshille,  do të thonja që duhet rifilluar nga fillimi, me njerëz të rinj, – deklaroi në fund të intervistës  zonja Doris Pack.

       Bisedoi                                                       Bruksel

Viron Gjymshana                                       23 shtator 1999

               Europa përballë emigracionit shqiptar                                      

   Takimi i ministrave të punëve të brendshme dhe atyre të drejtësisë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian që i ka filluar punimet sot në Luksemburg  i është kushtuar çështjeve që lidhen me krimin e organizuar, trafikun e drogës dhe emigracionit klandestin.

     Përsa i takon problemit të emigracionit dhe azilit në Europë, të gjitha vendet kanë rënë plotësisht dakort se ka ardhur momenti për të ndjekur një politikë të përbashkët si përsa i takon procedurave, por po ashtu edhe kthimit apo frenimit të valës së  emigranteve dhe refugjatëve, bëjnë të ditur burime zyrtare të Këshillit të Ministrave të BE-së.

    Rreth rëndësisë së këtij problemi jemi  të gjithë dakort, ndryshimet mbeten në vënien në jetë  të praktikave dhe legjislacioneve të vendeve të veçanta, – janë shprehur  përfaqësues të presidencës finlandeze të Bashkimit Europian. Pala gjermane ka propozuar sot që shtetet anëtare duhet megjithatë të kenë të drejtë të arrijnë marrëveshje reciproke me vendet burim i emigracionit  për pranimin ose kthimin e refugjatëve në vendet nga të cilat kanë ardhur. Ndalimi i punës së zezë në vendet europiane është njëra nga masat më efikase për të shkurajuar ardhjen e emigrantëve,- kanë deklaruar sot përfaqësuesit e Gjermanisë. Belgjika nga ana e saj ka kërkuar ngritjen e një qendre europiane të emigracionit për të analizuar problemet që lidhen me emigracionin dhe mënyrën per ta ndalur këtë dukuri. Përfaqësuesi i Luksemburgut nga ana e tij është shprehur se ndryshimet në legjislacionet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian nxisin atë që ai e konsideroi si “shop-azil”, pra shtegtimin e refugjatëve nga një vend në tjetrin, duke kërkuar vendet me procedurë më të gjatë ose me ligje më të buta në këtë drejtim. Prandaj është i nevojshëm që Bashkimi Europian në vend të 15 procedurash dhe legjislacionesh të ndryshme, të ketë sa më shpejt që të jetë e mundur, nje sistem të njehsuar azili dhe emigracioni. Edhe Luksemburgu është dakort për të ngritur një Agjenci europiane për refugjatët, po ashtu si dhe për hartimin nga Komisioni Europian të një statusi europian të azilit, i cili t’i bashkëngjitet Konventës së Gjeneves. Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe është shprehur po aq kategorik. Ai ka ngulur këmbë në mënyrë të veçantë në verifikimin e provave dhe dokumentave të personave që kërkojne strehim politik në Europe, si dhe ka propozuar që qeveritë të cilat pranojne të bashkëpunojnë për kthimin e refugjatëve në vendin e tyre të ndihmohen  ekonomikisht.

     Gjthmonë po sipas burimeve zyrtare nga Këshilli i Ministrave i Bashkimit Europian ministrat e mbledhur në Luksemburg duket se kanë rënë dakort që personat që kërkojne strehim politik në Europë të trajtohen në të njëjtën mënyrë, pavarësisht nga vendi ku ata e paraqesin kërkesën.

   Siç është bërë e njohur Grupi i Ekspertëve të nivelit të lartë, i krijuar për të shqyrtuar dhe luftuar kunder emigracionit të paligjshëm në vendet europiane, kishte parashikuar që në listen e 6 vendeve kryesore, burim emigrantësh dhe refugjatësh, të  përfshinte edhe shqiptarët si dhe kurdët. Por për shkak të konfliktit në Kosovë u pa më e arsyeshme që problemi i emigracionit panshqiptar të trajtohej në një prizëm më të gjërë, në kuader të Paktit të Stabilitetit. Megjithatë Grupi i Punës ka përgatitur një raport të hollësishëm prej 70 faqesh lidhur me emigracionin shqiptar, i cili sot u është bërë i njohur edhe ministrave të brendshem dhe të drejtësisë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

                                                                                     Bruksel

                                                                                 4tetor 1999

                     Shqipëria: Provim para BE-së                                                                                                                                            

         Njëra nga 11 pikat e rendit të ditës të takimit të  Komisionit Europian në Bruksel do të jetë edhe aprovimi i një raporti prej 26 faqesh kushtuar Shqipërisë. Aprovimi i mundshëm i këtij raporti hap një epoke të re në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, pasi

ai përbën hapin e parë në rrugën e gjatë të anëtarësimit të Shqipërisë në familjen e bashkuar europiane.

  Pas shqyrtimit të këtij raporti, kolegji i 20 komisionerëve të Bashkimit Europian do të votojë sot në mesdite pro ose kundër, konkretisht nëse janë pjekur kushtet që mundësojnë fillimin e bisedimeve për hapjen e negociatave për nënshkrimin e një akordi të stabilitetit dhe asocimit me Shqipërinë.

    Padyshim se hapi i pare është edhe më i vështiri, prandaj, përgjigja pozitive që pritet të japin nesër komisionerët e Bashkimit Europian, duhet përshëndetur, por pa kaluar në eufori.

       Aprovimi i raportit, që mundeson siç thamë, fillimin e bisedimeve drejt nënshkrimit të një marrëveshjeje specifike me Bashkimin Europian, duhet konsideruar në rradhë të parë si shpërblim ndaj rolit që luajti Shqipëria përgjatë gjithë krizës së Kosoves. Së dyti është një vlerësim për qeverinë shqiptare në  përpjekjet e ndërmarra nga ajo gjatë gjithë këtij viti në rivendosjen e rendit dhe ringritjen e institucioneve shtetërore në Shqipëri.

    Njëkohësisht hapi i hedhur  është pjesë përbërëse e një strategjie afatgjatë të Bashkimit Europian për afrimin dhe integrimin edhe të vendeve të Europës Juglindore në  Europën e Bashkuar. Sipas presidentit të Komisionit Europian, Romano Prodit, vendet ballkanike ndryshojnë në shumë tipare nga ato të Europës Lindore, për këtë shkak Bashkimi Europian ka përpunuar një program afatgjatë ndaj tyre, pjesë përbërëse e Paktit të Stabilitetit, por njëkohesisht ka krijuar edhe një lloj të ri marrëveshjeje  me këto vende, të pagezuara si marrëveshje stabiliteti dhe shoqërimi.  Shqipëria bëhet sot kështu vendi i dytë nga 5 vendet përbërëse të Paktit të Stabilitetit, për të cilën aprovohet bëshmëria ose fezibiliteti i fillimit të negociatave. Maqedonia nje hap të tillë e hodhi rreth 2 muaj më parë, ndërsa Kroacia, Jugosllavia dhe Bosnja, që janë pjestare të të njëjtit program, për arsye thjesht politike mbeten tani për tani jashtë këtij procesi.

  Nevoja e krijimit të këtyre marrëveshjeje specifike të stabilitetit dhe asocimit lindi për të bërë një ndarje të qartë ndërmjet vendeve potenciale për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian, me ato, perspektiva për të cilat është më e largët dhe më e mjegullt.

   Dihet se në listën e pritjes për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian ndodhen tashmë 10 vende europianolindore, përkatësisht Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovakian, Sllovenia, tri vendet balltike:Letoni, Estoni dhe Lituani si dhe Rumania dhe Bullgaria. Anëtarësimi i të gjitha këtyre vendeve në Bashkimin Europian, sipas Romano Prodit, do të kërkojë deri 25 vjet. Per 5 vendet ballkanike, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, Romano Prodi hodhi idenë e një asocimi virtuel. Sipas Prodit këtyre vendeve u duhet ngjallur shpresa, edhe ato duhet të shohin dritë në fund të tunelit, prandaj u krijua si programi i Paktit të Stabilitetit, ashtu edhe marrëveshja specifike e stabilitetit dhe asocimit.

     Rruga që duhet ndjekur dhe kriteret që duhet të plotësojë Shqipëria derisa të kthehet në kandidate potenciale për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian përcaktohen qartë në raportin 26 faqesh, që sot do ti paraqitet për aprovim  kolegjit të komisionerëve europianë.

                                                                                            Bruksel

                                                                                 23 nëntor 1999                                              

                         Krokodilë dhe dinozaurë

        Shqipëria nuk është ndonjë vend tropikal, por kohët e fundit, kur media e huaj flet për gjendjen në Shqipëri, jo veçse e njehson atë me xhunglën, por për më shumë, politikanët e saj kryesorë i krahason me kafshë që kanë gjalluar ose jetojnë ende në këtë mjedis!

“Në Shqipëri kthehen dinozaurët – Berisha dhe Nano në majë të politikës shqiptare”- shkruan  Renato Kaprile  te gazeta italiane “La Republica”  e 12 tetorit 1999.

 “Nano dhe Berisha – Krokodilat janë kthyer në vendin e Shqipeve”- shkruan nga ana e tij Eduard van Velthem te “Le Soir” i 6 nëntorit të 1999.

     “Shqipëria hedh një hap prapa. Jo më mirë të themi 2 hapa prapa. Berisha dhe Nano janë kthyer,- në kundërshtim me llogjikën e historisë dhe me shpresat e atyre që  dëshironin që në këtë vend diçka të ndryshonte për mirë dhe që këta të dy të ishin zhdukur një herë e mirë nga skena e politikës shqiptare, siç u zhdukën dikur dinozaurët nga sipërfaqja e tokës. Por jo. Janë kthyer të dy, në krye të partive socialiste dhe demokrate, si në kohën e turbullirave, kur qeveritë vidhnin shtetin. Kthimi i tyre nuk premton asgjë të mirë. Për më shume që ata eleminuan  2 pretendentë të rinj te të cilët bashkësia ndërkombëtare kishte varur shpresat, Pandeli Majkon dhe Genc Pollon.

    – Ndokush mund të pyesë i çuditur: Por çfarë bëjnë këta shqiptarët kështu? Pas piramidave mashtruese të fajdeve, luftës civile, pothuajse grushtit të shtetit të vitit të kaluar, si i besojnë ata ende këtyre 2 zotërinjve?!

    – E vërteta është se shqiptarët nuk kanë të bëjnë fare me këtë punë. Ata vuajnë politikën e klaneve, (partive), të cilat janë padronët e vërtetë të Shqipërisë. Dhe Berisha me Nanon janë nga ana tjetër zotërit e vërtetë të këtyre klaneve… E shkreta Shqipëri !- me këtë ofshamë zemre përfundon vëzhgimin e tij, Renato Kaprile.

     I të njëjtit mendim është edhe kolegu i tij belg, Eduard van Velthem.  “Kthimi në arenë i Fatos Nanos dhe Sali Berishës nuk parashikon asgjë të mirë, veçse një rifillim të ciklit të trazirave në Shqipëri”,- nënvizon ai te “Le Soir”.

     Ndërsa i pari akuzohet për lidhje me disa klane mafioze, i dyti dyshohet se në veri të vendi ka përgatitur banda paraushtarake për të kryer një grusht tjetër shteti në momentin e duhur.

     Por  Perëndimi nuk mund të tolerojë më këtë luftë klanesh dhe personash, që pengojnë ringritjen e Shqipërisë. Klasa politike shqiptare, duhet të zgjedhë ndërmjet karrierës së saj për pushtet dhe të ardhmes së vendit, pasi edhe një hap tjetër i gabuar dhe bota nuk do të interesohet më për Shqipërinë,

thekson Eduard van Velthem.

      Por ndofta Berisha dhe Nano presin pikërisht këtë çast për të rregulluar hesapet mes tyre. Ndërsa Shqipëria dhe shqiptarët mund të flenë dhe nanurisen edhe një herë tjetër. Kësaj rradhe me ëndrrën se Pakti i Stabilitetit do të jetë limani i tyre i shpëtimit.

                                                                                   Bruksel

                                                                  Dhjetor 1999

                                 F U N D

Lini një koment