- Të dielën, në ora 3 të mëngjesit, pranë Kamzës në Tiranë, vriten nga një patrullë e policisë 2 persona dhe plagosen 3 të tjerë.
- Hetuesia ka kryer ndalimet e nevojshme.
- Në Kamëz për disa orë me rradhë është bllokuar qarkullimi i automjeteve
Në këto situata të rënda që po kalon vendi, kur forcat politike dhe qeveria e stabilitetit duket se po përpiqen të marrin në dorë situatën, çdo ngjarje e jashtëzakonshme çon ujë në mullirin e atyre që nuk e duan paqësimin dhe rimëkëmbjen e vendit.
Një ngjarje e tillë, tepër e dhimbshme, ngjau të dielën herët në mëngjes, kur një karrocë me 7 – 8 veta sipër u godit nga një patrullë policie duke vrarë 2 veta dhe plagosur 3 të tjerë.
Ngjarja ka tensionuar së tepërmi situatën në fshatrat Kamëz, Laknas, Bërxull etj.
Në postën e policisë së Kamzës u takuam me shefin e policisê të rajonit 4, Lavdosh Isaraj, ku i kërkuam të na spjegonte se si kishte ndodhur ngjarja.
Por pa sukses. Shefi vetëm se na foli rreth situates së vështirë të krijuar kohët e fundit në fshatrat Laknas, Domje dhe Bërxullë nga vjedhjet e bagëtive dhe incidente të tjera të këtij lloji. Për ngjarjen në fjalë na tha vetëm se karroca ishte nisur nga rruga e Bërxullës drejt fshatit Laknas dhe përplasja me forcat e policisë ngjau pranë urës së këtij fshati.
Ndërsa shefi i policisë i rrethit, Fatmir Hakani, na pohoi se karrocës iu bë thirrje të ndalonte për një kontroll të rastit nga një patrullë që gjendej përpara urës, por njerëzit në të nuk ndaluan madje edhe i shanë forcat e rendit. U njoftua edhe patrulla që bënte roje në afërsi të urës që të ndalonte dhe kontrollonte karrocën.
Sipas shefit të policisë së rrethit edhe kësaj patrulle njerëzit që ishin ne karrocë nuk iu bindën. Përkundrazi shanë dhe qëlluan me armë. Nga kundërpërgjigja e forcave policore mbetën të vrarë 2 veta dhe 3 të tjerë u plagosën. Me sa mësuam nga shoku Fatmir Hakani ende nuk janë gjetur armët apo gëzhojat e plumbave të njerëzve që shtinë kundër patrullës policore.
Gjithmonë sipas tij gjurmët mund të jenë fshirë gjatë kohës që policët po nxirrnin në rrugën kryesore të plagosurit. Ndërsa mendimet dhe opinonet e banorëve të Kamzës dhe të Bërxullës, Laknasit etj ishin kontradiktore përsa i takon dinamikës së ngjarjes dhe faktorëve shkak – pasojë.
Nënkryetari i hetuesisë së degës së Tiranës, Besnik Halili, pohoi se hetuesia ka pezulluar përkohësisht çdo hetim tjetër dhe po merret vetëm me këtë çështje. Për të bërë çfarë është e mundur që fajtorët e vërtetë, kushdo qofshin, t’i dorëzohen sa më shpejt drejtësisë.
« Ne do veprojmë në bazë të ligjeve dhe kompetencave që ka aprovuar Kuvendi Popullor, duke mbajtur parasysh zbatimin e këtyre ligjeve deri më një dhe ndëshkimin qoftë të ekseseve të forcave të rendit, qoftë shkeljen e tyre nga keqbërësit. Për një të katërtën e kohës që kërkon një hetim i zakonshëm, ne mendojmë se do e përfundojmë hetimin e kësaj çështjeje », – përfundoi ai.
Nga ana tjetër nuk na duket fare i arsyeshëm veprimi i disa banorëve të Kamzës që kanë bllokuar me orë të tëra rrugën kryesore.
Viron Gjymshana
« Zëri i Popullit »
E martë, 16 korrik 1991

Lini një koment