Takim në kryesinë e PSSH-së

       Siç është bërë e ditur një delegacion parlamentar francez, i kryesuar nga zoti Michel Vauselle, po bën një vizitë në vendin tonë, gjatë së cilës ai po zhvillon takime me personalitete të ndryshme.

Dje paradite ai pati një takim në selinë e Partisë Socialiste me shokun Fatos Nano, kryetar i saj.

       Duke i falenderuar miqtë për vizitën e tyre në Shqipëri shoku Fatos Nano, ndër të tjera, i njohu ata me proceset e pakthyeshme të demokratizimit në vendin tonë. « Partia Socialiste është ndarë një herë e përgjithmonë nga të gjitha gabimet e së kaluarës, nga stalinizmi dhe totalitarizmi që kanë sundur gjatë 45 vjetëve të shkuar. Në udhëheqjen aktuale të Partisë Socialiste janë sot njerëz të rinj, në ide dhe pikëpamje, të cilët kanë përqafuar plotësisht programin dhe platformën e re të Partisë Socialiste. Ne u shkëputëm përfundimisht nga kasta e vjetër në pushtet që abuzoi me besimin e popullit dhe i solli atij kaq mjerime. Integrimi i Shqipërisë sa më shpejt dhe plotësisht në gjirin e familjes europiane duke ruajtur identitetin tonë kombëtar, rehabilitimi i të gjithë të dënuarve të ndërgjegjes dhe asistenca sociale për shtresat më të pafavorizuara janë prerogativat më të rëndësishme në programin e partisë tonë » – theksoi shoku Fatos Nano.

       « Vullneti ynë i mirë për t’i dhënë fund sa më shpejt kaosit, anarshisë dhe pasigurisë që mbizotëron ende fatkeqësisht, shprehet edhe në formimin e qeverisë pluraliste të stbilitetit kombëtar. Por jo çdo gjë u zgjidh me formimin e qeverisë së re” – tha ai.

         Duke iu përgjigjur një pyetjeje të kryetarit të delegacionit francez, zotit Mishel Vozel, shoku Fatos Nano i shpjegoi atij se Partia Socialiste është dakort plotësisht për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Që nga zgjedhjet e 31 marsit në vend kanë ndryshuar shumë gjëra. Është në të mirën e kombit që në parlamentin e ardhshëm si dhe në qeverinë e re që do formohet, të përfaqësohen të gjitha forcat politike aktuale.

           Pastaj shoku Nano paraqiti mendimin e Partisë Socialiste rreth situatës aktuale në Jugosllavi. Vetëm bisedimet politike mund të çojnë në një zgjidhje të problemeve të akumuluara në Jugosllavinë e sotme, por kjo mund të arrihet vetëm me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike të popujve që përbëjnë Jugosllavinë e sotme. Pa pjesëmarrjen e shqiptarëve në këto bisedime për të ardhmen e Jugosllavisë nuk do të ketë asnjëherë një zgjidhje përfundimtare e të plotë të problemit jugosllav. “Ne përkrahim të drejtën e të gjithë popujve jugosllavë për vetvendosje duke përfshirë edhe 3 milionë shqiptarët që jetojnë aktualisht në Jugosllavi” – deklaroi shoku Fatos Nano.

              Duke iu përgjigjur një pyetjeje të një anëtari të delegacionit francez se ku i kërkon Partia Socialiste Shqiptare aleatët e saj në Europën Perëndimore, kryetari i Partisë Socialiste u përgjigj se do të bashkëpunohet dhe do forcohen lidhjet me të gjitha partitë e majta europiane, por në rradhë të parë dhe eskluzivisht me të gjitha partitë socialiste europianoperëndimore, që sot po lozin një rol aq aktiv e dobiprurës në kontekstin mbareuropian.

Viron Gjymshana

“Zëri i Popullit”

  E Mërkurë, 10 korrik 1991

Lini një koment