Pak kohë më parë u shpall edhe ligji i privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore dhe tani e tutje disa prej këtyre ndërmarrjeve, duke filluar nga ato të shërbimeve komunale, tregtisë, transportit etj do tu shiten të gjithë atyre që kanë mundësi dhe dëshirë për t’i blerë, që do të hidhen në botën e lirë të konkurrencës, të fitimeve apo të humbjeve, në atë që botërisht njihet si ekonomia e tregut.
Një vendim i drejtë ky i ndikuar edhe nga falimentimi i drejtimit të centralizuar ekonomik të derisotëm, tepër i rënduar nga kontrolli burokratik dhe më kryesorja: pa afektivitet dhe aspak rentabël.
Qeveria ka shpallur tashmë disa forma shitjeje dhe privatizimi të ndërmarrjeve në posedim, si psh atë të drejtpërdrejtë, ankandin etj. Por tani lind pyetja: Kush do të mund t’i blejë këto ndërmarrje?! Pa dyshim në rradhë të parë të huajt, për arsye të kapitaleve financiare që disponojnë. Në rradhë të dytë do të ketë edhe nga bashkëqytetarët tanë, sidomos nga ata që kanë derdhur pa kursim djersën e tyre “në shërbim të popullit”, si kamarierë, banakierë, berberë, shitës etj, të ardhurat e të cilëve dihet se kanë qënë praktikisht disa herë më të mëdha se ato të njerëzve që kanë jetuar veçse me rrogën e tyre.
Por dihet gjithashtu se porsa të përfundojë shitja, pronari do të fillojë nga hesapet: Sa do të prodhojë dhe sa do të fitojë, me çfarë kostoje dhe me sa njerëz. Kuptohet se tani nuk do të punohet më me llogari në hava, nuk do të ketë nevojë më për shefa kuadri e plot zyrtarë të tjerë me të cilët ndërmarrjet tona janë mbushur deri në grykë. Një pjesë e tyre si dhe një pjesë jo e vogël e punëtorëve do të dalin të tepërt, pra e thënë më shqip do të dëbohen nga vendi i punës. Për ta ndofta do të mendojë asistenca sociale. Por a mund të jetojë sot një familje shqiptare thjesht me asistencë apo me përqindje gjysmake rroge, kur edhe me rrogën « e plotë » çdo familje mezi e mbyll pesëmbëdhjetëditëshin ?!
Pra plaga sociale e papunësisë, fenomen evident dhe i njohur, por i papranuar deri para pak kohësh, do të marrë një përhapje më të gjërë dhe më masive. Si do të mund të kryhet atëhere hyrja në ekonominë e tregut pa dhimbje dhe kaos ?!
Një rrugë tjetër që propozohet është ajo e shitjes së ndërmarrjeve me anë të aksioneve. Pra, çdokush, pavarësisht se ku punon dhe banon, do të ketë të drejtën të blejë një aksion të asaj ndërmarrjeje që do nxirret në shitje, pra të bëhet bashkëpronar. Në bazë të numrit dhe vlerës së aksioneve të zotëruara do të bëhet më pas edhe ndarja e fitimit. Por edhe këtu shfaqet problemi i kapitalit fillestar. Kush ka më shumë para do të grumbullojë më shumë aksione, do t’i ndihet më shumë zëri në këshillin drejtues aksionist të ndërmarrjes. Por ndryshimi qëndron se tani nuk do të kemi më një pronar, zot absolut të ndërmarrjes, por disa të tillë.
Pavarësisht nga të gjitha këto variante dhe rrugë që bëjnë të mundur që vendi ynë të hyjë sa më shpejt në ekonominë e tregut, në kokën e çdo punonjësi shqiptar në këto kohë të vështira rri varur si shpata e Damokleut pyetja: “ Po me mua çfarë do bëhet nëse dal i tepërt? Unë që kam punuar gjithë jetën dhe jo ndërmarrje që s’blej dot, por as edhe disa aksione?! A nuk na ishte thënë që punëtoreët janë zotërit e vërtetë të fabrikave dhe uzinave, që ne ishim klasa në pushtet?!”.
Dashur pa dashur dalim kështu në pyetjen tjetër: Të kujt kanë qënë dhe janë fabrikat dhe uzinat, kush i ka ndërtuar dhe kush ka të drejtën t’i gëzojë apo t’i shesë?! A i takojnë ato vetëm shtetit apo edhe atyre që punojnë në to?!
A nuk do të ishte më llogjike, më e arsyeshme që ndërmarrjet të mos shiteshin dhe privatizoheshin, por ato tu kalonin në pronësi reale atyre që punojnë në to, atyre që faktikisht i kanë ndërtuar. Pasi dihet që shteti ynë nga e kaluara nuk trashëgoi pothuajse asgjë.
Me një fjalë pronarë të tyre të bëheshin vetë punëtorët dhe ata të mendonin se çfarë do të prodhojnë, ku do ta shesin mallin dhe me çfarë çmimi, sa do të merrnin për vete dhe sa do të linin mënjanë për pensione dhe rinovime teknologjike?! A nuk do ta ndjenin veten kështu ata me shumë pronarë dhe më pak proletarë?8 A nuk do të kishim kështu një ndërmarrje të lirë, pronë e vërtetë kolektive, por që do të vepronte në bazë të rregullave të ekonomisë së tregut? Që do të drejtohej nga një këshill administrativ i përbërë nga vetë punëtorët/pronarë?! A mund të shmanget në këtë mënyrë rritja e papunësisë me këtë formë kalimi drejt ekonomisë së tregut?
Mendoj se po, pasi askush s’do të mund të nxirrte në rrugë të madhe, si të papunë pronarin legjitim, punëtorin, pavarësisht se çfarë pjese e ndërmarrjes i takonte.
Baza e startimit drejt rritjes ë prodhimit, të të ardhurave, të përmirësimeve teknologjike etj do të ishte ajo ekzistuesja. Por nga ana morale do të kishim edhe një përfitim tjetër: çdo punëtor do ta ndjente veten zot të diçkaje, do të kishte pra një pronë vetjake, gjë që do ta nxiste të punonte shumë më tepër.
Po shteti çfarë do të fitojë në këtë mes, çfarë marrëdhëniesh do të ruajë ai me ndërmarrjen? – mund të pyesë ndokush. Marrëdhëniet e shtetit me ndërmarrjen e punëtoreëve në këtë rast do të rregulloheshin me ligj, ashtu siç bëhet në të gjithë botën, me anë të taksave, sipas të ardhurave edhe detyrimin. Do të kishim kështu një klasë punëtore, një popull, pronar të vërtetë të mallit të tij, të djersës së tij. D t’i hapnim kështu rrugën ekonomisë së tregut pa dhimbje, pa drama, pa kaos. Shteti do të marrë aq sa i takon. Pra do i japim Çezarit veçse atë që i takon.
Ekonomistët pa dyshim mund ta thonë më me kompetencë fjalën e tyre në rrugën më të përshtatshme drejt ekonomisë së tregut. Se edhe kjo alternativë mund të ketë vështirësitë e veta, por si do që të jetë, të gjitha mundësitë duhen shqyrtuar, që këtë periudhë kthese të madhe në jetën e vendit, ta kalojmë me sa më pak tronditje, me sa më shumë besim.
Viron Gjymshana
“Zëri i Rinisë” E shtunë 11 maj 1991

Lini një koment