Që në orët e para të së dielës grupe njerëzish që shëtisnin në bulevard merrnin pastaj rrugën drejt Parkut të madh të kryeqytetit. Ishin nga të gjitha moshat dhe profesionet, që të veshur si për pranverë, kërkonin të çlodheshin dhe argëtoheshin mes hijeshisë dhe gjelbërimit që parku ia ofron me bujari qytetit të tij.
Pjesa më e madhe e tyre ishin të rinj dhe të reja, por kishte edhe shumë familjarë, me fëmijët në karroca dhe me rrjeta e borseta me ushqime në duar, dukej se ishin nisur për piknik.
Parku i madh i Tiranës ka qënë prej kohësh një nga pikat më të frekuentuara të kryeqytetit. Dhe kjo ka shpjegimin e vet. I ndodhur shumë afër, me atë mjedis të mrekullueshëm që ka, korijen e bukur me pemë gjithëfarëlloj, burimet karakteristike ujore, lokalet dhe pikat e shërbimit, ai vizitohet pothuajse në çdo ditë të vitit, dimër a verë qoftë; por sidomos në pranverë, kur sapo kanë lulëzuar mimozat dhe pylli vishet me gjethe dhe bar, atëhere shumëkush ka dëshirë që të bëjë atje qoftë edhe një shëtitje të shkurtër.
E tillë ishte edhe e djela e fundit. Një ditë krejt e veçantë nga gjallëria dhe hareja që zotëronte. Kishin vajtur kaq shumë njerëz sa çuditërisht Parku dukej i vogël për t’i mbajtur të gjithë.
Që në “portën” e tij, në shatërvanin pranë Universitetit, njeëzit u befasuan nga një ekspozitë e çelur në shkallaret përqark tij. Ishin punime të studentëve të Institutit të Lartë të Arteve, që fare natyrshëm paraqisnin para kalimtarëve të shumtë disa nga punimet e tyre më të arrira. Ishte kjo një ekspozitë e thjeshtë në terren, apo më mire në rrugë, pa juri dhe ceremoni. Një shkëmbim përvoje dhe mendimesh me shokët dhe kalimtarët, e shoqëruar kjo edhe nga një muzikë e kohës që shpërndahej ëmbël nga altoparlantët dhe e bënte mjedisin edhe më të këndshëm, edhe më intim.
Njerëzit të shpërndarë mes gjelbërimit dhe freskisë së Parkut, shëtitnin, luanin, dëgjonin muzikë ose të mbledhur grupe – grupe këndonin këngë të vjetra dhe të reja. Pikat ambulante të tregtisë, në çdo 10 metra, shisnin pasta, akullore aranxhata deri edhe ushqim të gatshëm dhe pije. Pak më tutje një ekspozitë filatelike tërhiqte vizitorët me emisionet e reja të pullave që do hidheshin në qarkullim.
Edhe Qëndra Sportive dukej se nuk donte të mbetej prapa në shërbimin e kulturuar ndaj kalimtarëve. Në disa sheshe të improvizuara shpërndaheshin topa volejbolli, karroca për fëmijë dhe pistoleta sportive. Ndërkohë që një kompleks rinor i Pallatit të Kulturës “Studenti” po jepte një concert me këngë të muzikës së lehtë në sheshin e vogël ku gjenden bustet e 3 vëllezërve Frashëri.
Në anën tjetër të Parkut, Qëndra e madhe sportive, Kopështi Botanik dhe ai Zoologjik tërhiqnin gjithashtu shumë kurreshtarë. Dashur pa dashur njeriu thotë: Sa mirë, sa bukur!
Vërtet bukur, por banori kryeqytetas mendon se nuk është vetëm Parku i Madh ku ai mund ta kalojë këndshëm të dielën, por edhe mali i Dajtit, Ura e Peshkatarit, edhe…
Ndërkohë edhe në Park mund të bëhet ende më shumë. Teatri Veror, shumë i bukur si ndërtim, aq sa të kujton teatrot e lashtë të antikitetit, shpesh herë rri i heshtur, kur atje mund të japin koncerte amatorë dhe profesionistë, dhe mund të përdoret edhe si kinema verore…
Ndoshta edhe për vetë Liqenin Artficial mund të bëhet më shumë, megjithëse është folur aq herë !
Sidoqoftë, e diela në Parkun e Madh të kryeqytetit rrezatonte kulturë, qytetërim, harmoni…
Viron Gjymshana
« Zëri i Popullit »
E martë, 3 prill 1990

Lini një koment