Është e njohur rrëfenja e vjetër e anijes « fantazmë », e cila ishte e dënuar të lundronte përjetësisht detrave, pa iu afruar kurrë asnjë porti. Kjo histori e shekujve të shkuar po përsëritet rishtas në kohën tonë, veçse me një ndryshim. Tanimë anijet fantazmë janë disa, dhe në qoftëse ato arrijnë të ankorohen në ndonjë port, detyrohen të marrin me të shpejtë prapë rrugët e detit, si rezultat i zërave të fuqishëm të protestave të opinionit publik. Shkak për këtë është ngarkesa që ato mbajnë në bordin e tyre, e cilësuar nga mbarë opinioni publik si « ngarkesë e vdekjes ».
Mbetje të ndryshme të produkteve kimiko – bërthamore, shumë të rrezikshme për jetën për shkak të radioaktivitetit dhe toksicitetit të tyre të lartë, si cianur, dioksinë etj monopolet dhe shumëkombëshet ndërkombëtare po përpiqen tani t’i hedhin ku të mundin, pa u merakosur për pasojat vdekjeprurëse që ato i shkaktojnë florës, faunës dhe shëndetit të njerëzve.
Të gjendur para valës së protestave të popujve në vendet e tyre, ato po përpiqen tani që këto « produkte » t’i eksportojnë në vendet e varfëra të botës, me shpresën se jehona e rrezikut të tyre nuk ka arritur ende atje.
Historia fillon në pranverën e vitit të shkuar. Anija « Lynx », e ngarkuar me 10 mijë fuçi plot me mbeturina radioaktive toksike la portin e Toskanës në Itali më 10 shkurt 1987. Anija u nis drejt Xhibutit, një vend i varfër i Afrikës, për ta braktisur atje « ngarkesën » e saj. Por lajmi mbi përmbajtjen e rrezikshme të ngarkesës arriti në Xhibuti para anijes. Prandaj autoritetet vendase i ndalojnë hyrjen në port « Lynx »-it. Atëhere kursi ndërrohet për në anën tjetër të oqeanit Atlantik, pra drejt Venezuelës, ku më parë orvajtje të tilla kishin pasur sukses. Aty « Lynx » arrin të shkarkojë ngarkesën e saj në Puerto Kabelos, porti i dytë i vendit dhe largohet me shpejtësi.
Por popullsia vendase vihet në dijeni rreth ngarkesës së rrezikshme së saposhkarkuar dhe shpërthen në protesta të fuqishme kundër « fuçive të vdekjes ». Dhe fuçitë ringarkohen për tu kthyer nga erdhën. Kësaj rradhe i takon anijes « Makiri » të çajë oqeanet, por në sensin e kundërt. U provua atëhere që ato të shkarkoheshin prapë në Itali, në Kaljari të Sardenjës, por pa sukses.
Bosët e shumëkombësheve filluan atëhere të alarmohen se protestat e opinionit publik po shumëfishoheshin. Kjo shkaktoi që ngarkesa prej disa muajsh i bie kryq e tërthor detrave dhe oqeaneve të botës, pa u shkarkuar dot askërrkundi ! Atëhere ngarkesa niset drejt Tartusë, portit të dytë të Sirisë. Fuçitë zbarkohen në port, por edhe aty autoritetet vendase kërkojnë largimin e menjëhershëm të tyre. Fuçitë ringarkohen kësaj rradhe në një anije vendase, e quajtur Zenovia, e cila më 18 mars të këtij viti, del në det të hapur. Pronarët e « fuçive të vdekjes » provojnë tani disa porte të tjera si Selanikun, Masa di Karrara, Gjenovën etj , por kudo ua mbyllin « derën » .
Tani « Zenovia » me 10 mijë fuçitë e saj nuk di më ku të shkojë, ndërkohë që te ekuipazhi i saj janë shfaqur shenja infeksioni si pasojë e toksicitetit të ngarkesës.
E vetmja gjë që është bërë e ditur tani është se nga 3 000 tonë sa ishte fakturuar pesha e ngarkesës në fillim, pas 15 muajsh peripecish nëpër detrat dhe oqeanet e botës 900 tonë kanë « humbur » ! Ndoshta mund të gjenden nën 10 mijë metra thellësi nën detin e heshtur.
Dhe ky nuk është i vetmi rast. Po kështu ka ngjarë edhe me anijen “Khian Si”. E ngarkuar me 15 mijë tonë mbetje toksike, kjo anije u nis nga Filadelfia e SHBA-së drejt vendeve të Amerikës Latine si Republikës Domenikane, ishujve Bahamas etj. E dëbuar që andej ajo u rikthye prapë në Delauer të SHBA-së për tu rinisur përsëri drejt Afrikës perëndimore më 22 maj të këtij viti.
Ndërkohë në Bruksel dhe Strasburg janë zbuluar shumë kontrata të lidhura ndërmjet monopoleve shumëkombëshe dhe disa qeveritarëve të korruptuar të vendeve të varfëra të Afrikës e Amerikës Latine si psh Haitit. Qeveritarë, të cilët të nisur thjesht nga interesa pasurimi vetjak, hyjnë në marrëveshje me shumëkombëshet, pa u merakosur për dëmet e pallogaritshme që u sjellin mbetjet bërthamore popujve dhe vendeve të tyre.
Megjithatë pjesa më e madhe e popujve dhe qeverive të këtyre vendeve të varfëra i kanë hedhur poshtë këto “peshqeshe” të multinacionaleve. Kështu psh presidenti i Nigerisë, Babangiba, deklaroi më 14 qershor se do të çojë para togës së pushkatimit këdo që do të implikohet në shkarkimin e mbeturinave toksike në brigjet e vendit të tij.
Dhe duket se shumë vende sot nuk pranojnë tani të kthehen në depo mbeturinash vdekjeprurëse të industrive kimiko bërthamore ndërkombëtare.
Viron Gjymshana
“Zëri i Rinisë”, e shtunë 6 gusht 1988

Lini një koment