Sot në Tiranë fillon një nga aktivitetet e shumëpritur kulturoro-artistikë, Festivali i 8-të i filmit artistik shqiptar, që zhvillohet në kuadrin e vitit jubilar të 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut.
Ky festival, vë përballë njeri – tjetrit dhe para gjykimit të artëdashësve gjithë filmat më të arrirë që janë prodhuar dhe shfaqur në kinematë e vendit gjatë këtyre 2 vjetëve të fundit.
Në të 15 filmat që marrin pjesë në konkurrim, nga të cilët 3 do të shfaqen si premierë gjatë gjatë ditëve të festivalit, trajtohen tema që përshijnë një hark të gjërë kohor si psh “Përrallë nga e kaluara” ndërtuar mbi komedinë e Çajupit “14 vjeç dhëndër”, ato që trajtojnë epokën e lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare si “Rrethi i kujtesës” dhe “Misioni përtej detit” (premierë) deri te ato që trajtojnë problemet e kohës sonë, të një shoqërie të emancipuar në ecje të pandalshme përpara, siç janë, për të përmendur vetëm disa, “Telefoni i një mëngjesi”, “Flutura në kabinën time”, “Pranvera s’erdhi vetëm”, “Treni niset në shtatë pa pesë” etj.
Një nga veçanësitë e këtij festivali është se kineastët janë përpjekur që pothuajse në të gjithë filmat në konkurrim të mos ketë përsëritje me filmat e prodhuar më parë, por gjetjet filmike të jenë origjinale dhe nën një këndvështrim interesant.
Në festivalin e 8-të të filmit bie në sy se një hap të dukshëm përpara ka bërë veçanërisht kinokomedia, gjini që kishte mbetur relativisht prapa në krahasim me të tjerat. Dhe jo rastësisht janë katër filma të tillë që konkurrojnë në këtë veprimtari, duke filluar nga filmi satirë që permendëm edhe më lart “Përrallë nga e kaluara” në “Tela për violinë”, “Shkëlqim i përkohshëm” (premierë) deri në kinokomedinë “Zëvendësi i grave”.
Drejtori i Kinostudios “Shqipëria e re”, Artisti i Popullit, Viktor Gjika, e thekson me kënaqësi një dukuri themelore të kësaj veprimtarie, siç është mpleksja dhe ndërthurrja e brezave të ndryshëm të skenaristëve, regjizorëve dhe aktorëve, që mundëson që e ardhmja e këtij arti në vendin tonë të jetë e siguruar.
Kështu krahas skenaristëve dhe regjisorëve me përvojë ose që janë në vijimësi të kësaj rruge si V.Koreshi, T. Laço, N. Lera dhe P. Milkani, Dh. Anagnosti, K. Çashku etj në këtë festival të marrin pjesë edhe autorë të rinj që paraqiten me vepra të para si A. Xholi dhe L. Malaj apo R. Lani, V. Saro, K. Mahilaj etj
Përpjekjet e kolektivit krijues të Kinostudios për trajtimin e temave të rëndësishme dhe të subjekteve të gjetura dhe të patrajtuara më parë, të gjithë jetës së shoqërisë në gjerësi dhe thellësi, janë disa nga faktorët që përbëjnë shkakun e interesimit të artdashësve për filmin e sotëm.
Duke hedhur një vështrim retrospektiv mbi festivalet e mëparshëm të filmit tonë vërejmë jo vetëm një rritje të përgjithshme të kinematografisë sonë, por konstatojmë se ajo ka hyrë tashmë në fazën e pjekurisë së plotë, dhe njëkohësisht me të janë rritur dhe formuar edhe një plejadë e shquar aktorësh shumë të preferuar nga publiku ynë duke filluar nga K. Roshi, R. Ndrenika, B. Laho, T. Flloko, A. Qiriaqi, M.Xhepa deri te më të rinjtë si N. Xhepa, M. Ljarja, E. Aliaj, A. Markarjan, Xh. Ferri etj.
Duke i mbyllur këto rradhë do të donim t’ia linim fjalën e fundit publikut tonë të kulturuar që është edhe vlerësuesi më i drejtë dhe më i paanshëm.
Viron Gjymshana
“Zëri i Popullit” E martë, 18 prill 1989

Lini një koment