Gruri nigerian dhe zëmërimi amerikan

Në botë. Fakti dhe komenti.

      Në Afrikë, një nga kontinentet më të goditura nga varfëria, numri i të vdekurve nga uria llogaritet në qindra apo mijëra. Dhe kjo vetëm nga mungesa e bukës.

     Para një gjendjeje të tillë shumë vende po rishikojnë mundësinë e shtimit të prodhimit bujqësor dhe kanë ndërmarrë hapa konkrete në këtë drejtim.

    Një ndër to, Nigeria, ka caktuar si objektiv për 1989 të arrijë dyfishin e prodhimit kombëtar të këtij viti, kurse për vitin 1992, parashikon të arrijë kufirin e 2 milionë tonëve, duke pakësuar në këtë mënyrë një pjesë të konsiderueshme të importeve të saj, që vetëm për grurin dhe miellin e importuar nga jashtë thithin mbi 100 milionë dollarë çdo vit.

    Mirëpo një veprim i tillë po ndesh në pakënaqësinë dhe kundërshtimin e SHBA-ve dhe Bankës Botërore. Kjo e fundit e “këshilloi” Nigerinë që të heqë dorë nga prodhimi i grurit në vend, se qënka jorentabël dhe e nxiti të mbjellë bimët tradicionale për eksport.

   Por zëdhënësi i presidentit nigerian, Babangiba, deklaroi se nuk do të dëgjojë “këshillat” e të tjerëve dhe as nuk do t’i nënshtrohet shantazhit. Pas kësaj në skenë doli vetë ambasadori amerikan në Nigeri, Prinston Liman, i cili në emër të qeverisë amerikane deklaroi se SHBA mund të ndërmarrë sanksione ekonomike nëqoftëse Nigeria do të vazhdojë në politikën e saj të prodhimit të grurit!

     Mëria e Uashingtonit ndaj një shteti të varfër të Afrikës që përpiqet të zhdukë urinë në vend, shpjegohet kryesisht nga dy motive kryesore: Prodhimi i grurit në vend i heq Amerikës një burim të mirë fitimi dhe e dyta, dhe më kryesorja, – plotësimi i nevoja në vend i bën shtetet më të pavarura ekonomikisht dhe politikisht nga Amerika.

Nga Viron Gjymshana

Gazeta “Bashkimi”

E shtunë, 10 dhjetor 1988

Lini një koment